Një flamur i vjetër shqiptar, ruhet në Lezhë...

Historia

Një flamur i vjetër shqiptar, ruhet në Lezhë...

Nga: Martin Dedaj Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 20:34
Ilustrim

Kur të dërguarit e regjimit komunist u vunë flakën kullave të Marka Jak Bajraktarit të Kashnjetit në Mirditë, bashkëshortja e tij Mara mori me vehte flamurin e këtij bajraku dhe në të njëjtën kohë nxori nga flakët e zjarrit fëmijët e saj, që rrezikoheshin të digjeshin. Kullat e bajraktarit të Kashnjetit janë djegur shtatë herë gjatë ekzistencës së tyre, në rrjedhat e historisë. Për herë të fundit ato u dogjën nga rregjimi komunist. Dhe Mara e Marka Jakut, së bashku me fëmijët e saj do të degdisej sa në një burg në tjetrin, në Tepelenë, Lushnjë, Berat etj. Pavarësisht kalvarit të gjatë të vuajtjeve nëpër burgjet famëkeqe të diktaturës komuniste, ajo e mbajti dhe e deshti flamurin më shumë sesa çdo gjë tjetër, dhe e ruajti duke e qepur në këllef të jorganit. E nëse do t’ia kishin gjetur mund të kishte patur edhe ndonjë fat më të zi, por Shqipëria do të kishte humbur simbolin më të rrallë të heraldikës dhe historiografisë shqiptare.

Dedë Kolë Bajraktari, kreu i bajrakut të Kashnjetit (Dibrrit) e kishte shpalosur këtë flamur mbi 150-vjeçar, më 10 Qershor 1878, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke u betuar në emër të bajrakut të tij, për ta ruajtur me nder dhe lavdi këtë flamur simbol të rezistencës së këtij bajraku dhe të krejt Mirditës.

Përshkrimi i Flamurit...

Flamuri me mbishkrimin “Mirdita” , vlerësohet si një objekt me rëndësi të madhe historike dhe është një nga simbolet më të çmuara të shekujve, relike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit por dhe një relike e rëndësishme e bajrakut të Kashnjetit (Dibrrit) Mirditës e më gjërë, i mbarë viseve të Shqipërisë së Epërme. Ky flamur u vu në krye të kryengritësve, në luftrat e vazhdueshme për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe është i vetmi flamur mbi një shekullor e gjysëm (shumë më i hershëm sesa ai i pavarësisë), i cili është ruajtur dhe ka ardhur deri në ditët tona.

Flamuri është i përmasave: 0.95 cm x 0.75 cm. Fusha e tij është me pëlhurë me ngjyrë të kuqe si gjaku dhe e punuar me tezgjah në dylyq, me fije pambuku. Në mesin e flamurit është shqipja dykrenare me ngjyrë të zezë. Sipër dy krenave të shqipes rrezaton një diell i argjentë e poshtë shqipes është e qëndisur me germa latine, emri i bukur dhe përshëndetës “Mirdita”, ç’ka cilëson një krahinë me vlera dhe tradita në truallin kombëtar, duke përcjell njëherësh një mesazh përshëndetje për të gjithë shqiptarët kudo ato janë. Ky flamur dëshmon se të dymbëdhjetë bajrakët e Mirditës dhe dera Princore e Gjonmarkajve kanë patur seicili flamurin e vet. Por i vetmi flamur i ardhur deri në ditët tona është pikërisht ky flamur, flamuri i bajrakut të Kashnjetit (Dibrrit), me mbishkrimin: “Mirdita”.
Hershmëria dhe historia që mbart ky flamur me vlerat e tij, tregojnë se ky është një simbol i shquar i historisë dhe lavdisë së viseve të epërme shqiptare. Simbolet heraldike të këtij flamuri të ardhur deri në ditët tona, janë të ngjashme dhe autentike me ato të flamurit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu. Kurora e vendosur mbi dy krenat e shqipes në flamurin e bajrakut të Kashnjetit (Dibrrit), është e ngjashme me kurorën mbretërore të Kastriotëve, si dhe të stemës së Lekë Dukagjinit. Në këtë flamur duken qartë njolla e gjaku, si një dëshmi e mbajtjes së këtij flamuri në duart e luftëtarëve trima të kësaj treve në beteja të ndryshme luftarake, beteja të cilat luftëtarët e bajrakut të Kashnjetit (Dibrrit), Mirditës e më gjërë i kanë fituar me luftra dhe qëndresa heroike.

Ruajtja dhe minimuzeu i flamurit…

Flamuri me mbishkrimin “MIRDITA” është një dëshmi autentike me vlera shumë të çmuara për heraldikën dhe historiografinë shqiptare. Ai ka ardhur deri në ditët tona i ruajtur me dinjitet në tetë breza, nga ana e familjes bajraktari e bajrakut të Kashnjetit (Dibrrit), sipas këtij rrjeshtimi gjenealogjik: Lukë-Kolë-Dedë-Frrok-Jakë-Mark-Ndue-Gëzim Bajraktari. Ky i fundit është edhe flamurmbajtësi i këtij flamuri të ruajtur dhe ardhur deri në ditët tona. Historia e ekzistencës së këtij flamuri është e veçantë në llojin e vet, ç’ka tregon vitalitetin dhe sakrificën e shqiptarëve ndër vite në ruajtjen dhe trashëgiminë e simboleve dhe historisë së tyre kombëtare. Rasti i familjes bajraktari të bajrakut të Kashnjeti (Dibrrit), që në tetëtë breza ruan dhe trashëgon si gjënë më të shenjtë flamurin e bajrakut, tregon më së miri ndjenjën e lartë kombëtare dhe fisnike të patriotëve të këtyre anëve, në ruajtjen e simboleve të tyre kombëtare.

Falë pasionit që ka patur së gjalli për ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e fakteve dhe gjithëçkaje që flasin për flamurin, historinë e tij dhe të bajrakut pjesë e të cilit është, Ndue Marka Jaku (Bajrarkatari) ka ngritur një minimuze në shtëpinë e tij, që ndodhet afër memorialit të Gjergj Kastriotit në Lezhë. Si një cicëron i shkëlqyer të fliste për detaje dhe për gjithçka ai ka ditur dhe ka mundur të mbledhë rreth flamurit, që e ka ruajtur dhe trashëguar si relike të historisë së familjes së tij, e cila në tetë breza ka patur tragjeditë por dhe qëndresat e veta. Në këtë muze gjithashtu të sërviren mjaft të dhëna, libra, gazeta e kumtesa të ndryshme, për të ilustruar me fakte bindëse historinë e bajrakut, trungut familjar të tij, si dhe të flamurit. Një vizitë në këtë minimuze, do ti krijonte kushte dhe mundësi kujdo, për të parë dhe njohur nga afër këtë vlerë të çmuar të historisë sonë kombëtare.
Studiuesi dhe historiani i ndjerë, Loro Gjeçi, ka shkruar librin: “Shtatë brez një flamur, një bajrak”. Ndërsa unë si autor i këtyre radhëve, kam realizuar një dokumentar televiziv me të njëjtin titull, i cili është transmetuar në mediat vizive lokale dhe kombëtare si dhe kam mbajtur një referencë për këtë flamur, në një simpozium ndërkombëtar të zhvilluar në Shkodër në vitin 2002. Gjithashtu një sërë gazetash kanë shkruar për këtë flamur, si dhe plot studiues të ndryshëm kanë referuar në edicione dhe aktivitete të ndryshme për vlerat e tij. Dr. Moikom Zeqo, studiuesi i heraldikës Jaho Brahaj si dhe plot studiues të tjerë nga diaspora e kanë pranuar hershmërinë e këtij flamuri përtej shekullor.

Me 28 Nëntor të vitit 1998 (24-vjet më parë), me rastin e 86-vjetorit të shpalljes së pavarësisë sonë kombëtare, në sheshin “Skënderbej”, në një miting madhështor të organizuar me këtë rast, Pr. Dr. Sali Berisha e preklamoi për herë të parë publikisht këtë flamur së bashku me vlerat dhe historinë e tij. Atë natë mediat elektronike dhe të nesërmen mediat e shkruara i kushtuan edicione të veçanta këtij evenimenti të rëndësishëm. Lançimi i vlerave të këtij flamuri, ka rëndësi të madhe pasi mishëron në vetëvehte vlera historike e mbi të gjitha origjinalitet të rëndësishëm duke shërbyer kështu, si një vlerë e papërsëritshme dhe shumë e çmuar e historisë sonë kombëtare.

Në mbyllje të këtyre radhëve edhe një apel...

Flamuri me mbishkrimin “Mirdita” ruhet sot e kësaj dite në Lezhë, në familjen e Gëzim Ndue Marka Jakut (Bajraktarit). Por ruajtja e tij në kushte amatore dhe shtëpiake, mund të dëmtojë nga dita në ditë vlerat autentike të tij. Absolutisht nuk duhet që ta humbasim këtë vlerë të rëndësishme të heraldikës dhe historisë sonë kombëtare! Rivitalizimi dhe preklamimi i këtij flamuri është mëse domosdoshmëri. Autoritetet kompetente duhet, që ta marrin në mbrojtje dhe ta ruajnë këtë flamur, i cili është i vetmi për nga hershmëria dhe origjinaliteti dhe që ka mundur të mbërrijë deri në ditët tona. Së pari duke i bërë një restaurimin fizik dhe më pas vendosjen e tij, në vendin ku pikërisht ai meriton të jetë, në Muzeun Historik Kombëtar. Vetëm kështu kemi kryer një shërbim të vyer, në mbrojtjen ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave identifikuese të historisë sonë të lavdishme. Nesër do të jetë vonë!

Lezhë më, 28 Nëntor 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat