Një foto historike e Kosovës

Historia

Një foto historike e Kosovës

Ndue Dedaj Nga Ndue Dedaj Më 7 janar 2023 Në ora: 11:32
Është cilësuar si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave

Është një foto e pazakontë, epike, si ato poemat që i thurnin Shqipërisë De Rada, Naim Frashëri e Gjergj Fishta në Rilindje të saj. Mund të thuhet, epokale. Pesëqindmijë shqiptarë të mbledhur në vendin e quajtur “Verrat e Llukës” në Deçan të Kosovës, më 1 maj 1990, në logun e pajtimit dhe jo të luftës. Duhet t’ia tregojmë vetes dhe botës këtë fotografi, që ende nuk e ka marrë shkëlqimin mediatik të merituar.

Është cilësuar si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, pas një maratone të shqiptarëve të Kosovës për pajtimin mes tyre. U falën në tre muaj 1800 gjaqe dhe u fashitën rreth 30 mijë ngatërresa. Vetëm ditën e kuvendit të madh u falën njëqind gjaqe. Kurrë më parë nuk ishin parë aq shumë burra me mjekra të bardha të ngashërenin para një pranie aq të madhe njerëzore, kamerave të RTK etj. Fotografia tregon pjesëmarrësit, kurse përballë tyre si kryesues të kuvendit të pajtimit, ishin profesorët Anton Çeta e Zekeria Cana, misionari Dom Lush Gjergji, shkrimtari Ramiz Kelmendi etj. “Rinia nuk e don ma helmin e gjakmarrjes”, thërriste nga podiumi njeriu i historisë, profesor Cana. “Ata që falin janë heronjtë e kohës sonë”, ligjëronte Dom Lushi. “Detyrimi ndaj Kosovës nuk kryen kurrë, është i pakufishëm”, thoshte baca Anton. Ata u nisën thjeshtë të kryenin një detyrë ndaj atdheut, popullit, por në vërtetë bënë histori. Në misionin e pajtimit u shquan dhe veprimtaret Myrvete Dreshaj e Hava Shala etj., të cilat nuk ishte e lehtë në fillim të misionit të tyre të flisnin në odat e burrave, ndonjëherë duke ua kthyer shpinën disa pleq fanatikë, apo duke u treguar me dorë odën e grave, ku kinse e kishin vendin, siç rrëfen Myrvetja, por dita-ditës ata të moshuar kanë ardhur duke u kthjelluar. Asokohe ishte e vështirë të përfytyrohej se jo larg në kohë gratë e Kosovës jo vetëm që do t’i sfidonin “burrat e zakonit” në odat e kullave, por do të bëheshin deputete, kryetare komune, ministre dhe gjer Presidente të Republikës së Kosovës.

“Atë ditë gjitha rrugët e Kosovës të çonin për në Deçan…”

Duke mos dashur të mbetemi vetëm në çfarë është shkruar në shtypin e kohës dhe në botimet e ndryshme të tridhjetë vjetëve, iu drejtuam studiuesit Pal Canaj në Klinë, që të na thoshte mbresat dhe përjetimet e tij si një nga pjesëmarrësit në Kuvend:

“Në mëngjesin e 1 majit të vitit 1990, të gjitha rrugët e Kosovës të çonin për në Deçan, përkatësisht te Verrat e Llukës. Njerëzit nga mbarë vendi ishin nisur për të shkuar në Kuvendin e Pajtimit, me automjete nga më të ndryshmet, të tjerët kishin marrë rrugën në këmbë duke udhëtuar me kilometra të tëra. Përgjatë rrugës, për atje ku mbahej Kuvendi, ku lumi i njerëzve nuk kishte të sosur, banorët e fshatrave të Deçanit kishin vendosur tavolinat buzë rrugës me ujë dhe pije freskuese dhe ndonjë ushqim për mëngjes. Me t’u ofruar koha e fillimit të Kuvendit të Pajtimit, lëndina e madhe te Verrat e Llukës ishte shndërruar në një teatër madhështor, ku ishin tubuar gjysmë milioni njerëz nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Regjimi serb atë ditë kishte dërguar aty forca të shumta policore, me automjete të rënda, të cilët demonstronin brutalitetin e tyre të forcës. Përkundër kësaj unaze të rrethimit policor, në tubim valonte flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenore. Te rinjtë dhe të rejat mbanin në duar portretet e Nënë Terezës, Anton Çettës dhe veprimtarëve të tjerë, ndërsa në pankartat e ndryshme lexoje fjalë mirënjohëse për gjestet fisnike të pajtimit mes familjeve në konflikt. Me ardhjen e çetës së veprimtarëve të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, me Anton Çettën në krye, masa e njerëzve shpërtheu në duartrokitje. Atë ditë të fillimmajit në Kosovë kaltërsia e qiellit dhe rrezet e diellit sikur u jepnin forcë dhe ngrohtësi zemrave të pajtimtarëve. Me të dalë në podium Anton Çetta me shokë, oshëtima e duartrokitjeve shpërndahej nga toka drejt qiellit si jehonë e bashkimit të shpirtrave rreth vlerave humane dhe unitetit kombëtar. Në këtë tubim madhështor, pajtimtari madh me fjalët e tij plot kuptimësi dhe urti simbolizonte figurën e një orakulli ndjellamirës i çrrënjosjes të së keqes së vëllavrasjes dhe krijimin e klimës së vllaznimit ndër shqiptarë. Po ashtu, veprimtarët e tjerë, me ligjërimet e tyre jepnin mesazhe monumentale në dobi të pajtimit, paqes dhe të humanizmit. Kryefjalë e atyre, në emër të cilëve ata shtrinin dorën e pajtimit, ishin Zoti, Atdheu, Flamuri kuqezi, Kombi dhe Anton Çetta. Në saje të këtyre përkushtimeve madhore, prindërit falnin gjakun e djalit, motra gjakun e vëllait, vajza gjakun e babait, shtrinin duart e pajtimit e paqes, ku njerëzorja merrte përmasa sakrale. Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, ndërsa kryeprotagonisti i saj Anton Çetta mbetet një figurë emblematike në popull, i cili merrej ngrykë nga Ibrahim Rugova dhe duartrokitej nga Adem Jashari”, shkruan Canaj.

Anton Çeta, gjeniu i pajtimit

Ai ishte me ne, për ne dhe në ne. Më 28 Nëntor 2022 në Prishtinë u vendos shtatorja e tij. Kishte dy vjet që diku pengohej. Fundja kjo ka qenë udha e gjenive, me “pengesa” dhe pas vdekjes. Rëndësi ka realizimi i qëllimit, përmbyllja, kunora e luleve mbi mermer, që është dhe fillimi i përjetësisë. Por Anton Çeta ende nuk është kuptuar, në të dyja anët e Morinit, si filozofi. E para, nuk është e urtuar politika lart, më së shumti sherrane e mosmarrëveshëse mes palëve politike, që të urtohen dhe ndjekësit e saj poshtë. E dyta, nuk është i kuptuar as nga ata shqiptarë, që pa iu dridhur dora shtien mbi tjetrin, duke shkaktuar gjak-hakmarrje edhe sot, çka do të thotë se misioni i Anton Çetës ende është i pakryer deri në fund. E treta, nuk është kuptuar nga një kategori intelektualësh të ekraneve e mediumeve akademike që sillen e pështillen rreth vetes, si të jenë ata etërit e kombit? Kurse baca Anton kishte vetëm një mesazh, atë të urtisë, faljes, dashurisë e jo të mburrjes e krenisë boshe. Na jehojnë ende në veshë, sot si atëherë, fjalët e tij të çiltra, më 1991, kur patëm rastin fatlum ta takonim në Shqipëri: “Nuk isha unë, ishin ata, studentët dhe studenteshat e Pejës, Prishtinës etj., që i kryen pajtimet nëpër Kosovë”. Një burrë i shtruar, që e çonte fjalën kah letërsia, kultura, etnosi shqiptar, për ta larguar vëmendjen e bashkëbiseduesve nga vetja e tij. Një shembull tribuni i kohëve moderne, për të cilin kemi nevojë.

Nuk e dimë nëse prifti italian Don Antonia Sharra e njihte veprën pajtimtare të Anton Çetës, ama ai ndërmori në famullinë e tij në Balldre të Lezhës një akt pajtimi të njëlloji krejt të veçantë, me gëzhojat e armëve të 1997-s, që kishin shkaktuar tragjedi njerëzore, mbledhur nga të rinjtë vullnetmirë zadrimorë, derdhi në shkritore një Kumbonë Paqeje unike, që pasi bëri një peligrinazh nëpër Shqipëri dhe Itali u vendos në zemër të Tiranës me ceremoni. Është një ndër shenjat më emblematike të kryeqytetit shqiptar, edhe pse në kohë kritike për vendin nuk është dëgjuar nga kokat e nxehta të politikës, që e kuptojnë atë si revansh, duke derdhur plumba në bulevardin Dëshmorët e Kombit e shkaktuar vdekje si ato të 11 janarit 2011. Më ndërlidhën gjithnjë këto dy figura misionare të pashoqe, dy “Antonët” e pajtimit ndër shqiptarë, Anton Çeta dhe Antonio Sharra.

Në vend të epilogut

Po ai njihet sa duhet ai Kuvend? A është i shkruar në librat e historisë dhe letërsisë? A është ajo fotografi në krye të albumeve shqiptare? Është ndër të rrallat kuvende shqiptare që nuk u tradhtua nga brenda dhe nuk u mbyt nga jashtë. Do të donim të ishte sa “një faqe mure” në Kuvendin e Kosovës. Si një shembull për politikën dhe kuvendtarinë. Pse jo, dhe në institucione shtetrore e politike të Tiranës. Disa ngjarje janë të papërsëritshme dhe shkojnë përtej vetes. Ai kuvend ishte për pajtimin e gjaqeve dhe shuarjen e gjakmarrjes, në pragun e genocidit serb mbi popujt e ish-Jugosllavisë dhe mbi kosovarët, teksa ata e kishin shpalliur devizën e tyre: “Kosova Republikë”. Simbolika e tij e pajtimit, mirkuptimit, marrveshjes është dhe për sot e për nesër, kur kemi aq shumë konflikte dhe mosmarrveshje. Atë proces e priu elita e Kosovës dhe vetën ajo mund t’ia dilte. Kurse sot nuk i përfillim elitat. Komandon politika, krerët e saj, ata (vetë) vendosin. Nuk ka më kolegjiume, kryesi partish, organizatash, forume vendimarrëse etj., ka vetëm vullnet të “një” – shit në Prishtinë e Tiranë. Kuvendi i Pajtimit i Kosovës nuk është “folklor”, por histori me germë të madhe. Dhe fotografia nuk është thjeshtë e Verrave të Llukës, por e gjithë Kosovës e shqiptarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat