50 vjetori i Revoltës së Spaçit – në përkujtim të tim ati, Amir Zonja dhe xhaxhait Gramos Zonja

Historia

50 vjetori i Revoltës së Spaçit – në përkujtim të tim ati, Amir Zonja dhe xhaxhait Gramos Zonja

Nga: Sebastian Zonja Më: 4 prill 2023 Në ora: 19:03
Foto ilustrim

Sivjet kremtohet përvjetori i revoltës së të burgosurve të njërit prej burgjeve më famkeq të regjimit komunist, Spaçi. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka bërë një punë shumë të mirë për të sjellë memuaristikën dhe analiza të hollësishme për periudhën e komunizmit në Shqipëri. Ngelet ende shumë punë për t’u bërë. Problemet e shtresës së të përndjekurve politikë në Shqipëri janë të shumëfishta dhe të larmishme. Një datë e këtillë meriton vëmendje jo vetëm nga institutet studimore, por edhe nga klasa politike dhe intelektualët vendas. Ku jemi 50 vjet pas kësaj revolte me sistemin vleror në shoqëri? Pse vijojmë të endemi nëpër kalvarin e hapjes ose jo të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit? 

Jam krenar që im at, sot në amshim, Amir Zonja, dhe xhaxhai im i mrekullueshëm, Gramos Zonja, me të cilin kam fatin të shkëmbej ende biseda frytdhënëse, të dy ish-të burgosur politikë, nderojnë veten dhe fëmijët sepse nuk u bënë pjesë e çorbës së bashkëpunimit për të spiunuar miqtë dhe shokët. Edhe nën atë sistem me aparat aq shtypës, dehumanizues në çdo aspekt, kishte njerëz plot me dinjitet. Edhe sot, me bindje e them, se ka mijëra burra e gra plot dinjitet, që jetojnë me djersën e ballit, pa vjedhur kënd. 

Fati i keq solli që im at dhe xhaxhai, në vitet ’80, të vuanin të dy njëkohësisht burg politik. Ishte tepër e rëndë për gjyshen të dërgonte madje edhe cigare për të dy, lëre për të ngrënë apo tesha të ngrohta. Rropateshin mijëra gra e nëna, si gjyshja ime, për të shkuar burgjeve të takonin burrat e bijtë e tyre. Në shi, breshër, pikun e diellit dhe të ftohtë acar, shihje karvane të gjatë me gra, nëna, vëllezër, miq e shokë, që drejtoheshin burgjeve. 

Holyëoodi e ka përjetësuar një skenë të tillë me hebrenjtë nëpër kampe përqëndrimi, por si nuk u përjetësua një pamje e tillë në kinematografinë shqiptare? Sa prekëse do të ishte. 

Pasi dolën nga burgu, të dy bashkë i kërkuan ndjesë nënës së tyre. Jashtë nuk ishte më mirë se në galerë. Disa të izoluar nëpër dhoma burgu, të tjerët të izoluar në burgun gjigant të quajtur Shqipëri. 

Kërkesa për falje ndaj nënës dhe familjarëve, miqve që i takuan pasi dolën nga burgu, që i përkujtuan dhe vuajtën bashkë me ta në heshtje, internime e fshatra të thellë, ishte epërsia morale e gjithë të përndjekurve politikë anekënd Shqipërisë. 

Ata e fituan betejen morale. E fituan, ashtu siç e fitoi ai i bardhi që ndihmonte zezakun në vitet ’50 të jetonte më mirë, siç e ndihmon sot ai hebreu i mirë atë palestinezin që po i shkatërrohet atdheu… 

Betejën nuk e fituan kurrë persekutorët. Ata nuk kërkuan kurrë falje. Nuk u penduan kurrë për krimin e tyre. Ç’barrë të rëndë që kanë në shpirt! Në çfarë terri e kanë fundosur dinjitetin e fëmijëve dhe nipërve të tyre. 

Sot, çdo i përndjekur politik sheh nga e ardhmja me shpresë se do të bëhet më mirë. Sot, çdo persekutor sheh nga e shkuara se mos i del emri se ka vrarë, syrgjynosur, dergjur nëpër burgje pjesën më të shëndoshë, më vitale të shoqërisë shqiptare.  

Heroika e atyre që ngritën flamurin me shkabë dykrenore, pa yllin komunist, do të ketë jehonë për një kohë të gjatë në historinë e kombit tonë. Lavdi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat