Philby, njëri nga spiunët më dinakë

Historia

Philby, njëri nga spiunët më dinakë

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 07:39
Philby

Qeveria britanike më 1 korrik të vitit 1963 kishte pranuar se ish-diplomati i saj, Harold Adrian Russell “Kim” Philby kishte vepruar si agjent sovjetik.

Dezertim i tij në Bashkimin Sovjetik në janar 1963 ka qenë një prej momenteve më dramatike të Luftës së Ftohtë.

Philby ishte përjashtuar vite më parë nga shërbimi i zbulimit britanik MI6 – ai ishte dyshuar si spiun e tradhtar. Në rrezik për t’u arrestuar, Philby kishte kërkuar ndihmën e qendrës në Moskë. Në janar 1963, derisa ishte duke punuar si gazetar për Observer dhe Economist dhe kishte qenë në Bejrut, Liban, Philby i kishte hipur një anijeje ruse me destinacion Odesën.

Larg nga të priturit si hero, Philby ishte mënjanuar nga KGB-ja sovjetike, e cila ishte frikësuar se ai mund të ishte agjent afatgjatë i dyfishtë i perëndimit. I vetmuar, Philby kishte gjetur shishen si ngushëllim, duke u dhënë pas pijes.

Por, në aspekte të tjera, ai ishte trajtuar mjaft mirë, kishin thënë biografët, më mirë sesa qeveria sovjetike që kishte trajtuar popullin e vet.

Atij i ishte dhënë një makinë, një vilë e mobiluar, furnizime rregullisht me ushqime të përzgjedhura, edhe nga jashtë shtetit, me të gjitha ato që nuk i kishin munguar në Londër, madje edhe grua. Philby ishte martuar me gruan e tij të katërt, Rufina Pukhova, e cila në kujtimet e saj kishte shkruar se Philby kurrë nuk kishte shprehur keqardhje që ishte arratisur, por kishte mbetur i zhgënjyer, i tronditur kur kishte parë njerëz të varfër të rreckosur dhe kishte kuptuar se “ne po ndërtojmë komunizmin” nuk kishte ndodhur. Ai gjithashtu kishte tentuar vetëvrasje, por kurrë nuk kishte folur për t’u kthyer në Angli.

Harold Adrian Russell “Kim” Philby ka vdekur në Moskë në vitin 1988, në moshën 76-vjeçare. Ai ishte cilësuar si një prej spiunëve më dinakë të shekullit XX.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat