Brigada i dha atdheut 357 dëshmorë dhe 13 “Heronj të Popullit”

Historia

Brigada i dha atdheut 357 dëshmorë dhe 13 “Heronj të Popullit”

Nga: Albert Z. Zholi Më: 21 janar 2024 Në ora: 18:47
Albert Z. Zholi

Ranë në fushën e betejës për të mos vdekur kurrë 357 dëshmorë. Dëshmori i parë, komandanti i parë i Brigadës, Heroi i Popullit Abas Shehu.

Për formimin e Brigadës V u dha Urdhër i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ. Më 28 nëntor 1943 urdhri u bë realitet: në fshatin Gumenicë të Vlorës, Brigada V Sulmuese me dy batalione “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” me 500 partizanë. Komandant u caktua Abaz Shehu dhe komisar Hysni Kapo. Po ku qëndron e papritura? U la përgjysëm inaugurimi. Brigada u nis në Dukat, ku po goditeshin partizanët prapa shpine e po terrorizohej populli. U bënë luftime të ashpra në Dukat e Gjorm. E në këto luftime një plumb i mallkuar goditi Komandantin Abaz Shehu. Ishte 12 dhjetor i vitit 1943. E qanë Komandantin siç qahen trimat. Zv/komandanti Shefqet Peçi do të thurte këto vargje:

Ndërmjet Gjorm e Lepenicë,/Ku shkon lumi me furi,/ Atje filloi një luftë,/ Nga xhadeja vjen ushtri./ Doli Abaz Shehu vetë,/ Dha urdhër me shpejtësi,/Gjermanë bashkë më tradhtarë,/ Përdorin artileri./Afër Gjormit më të dalë,/ Filloi një luftë e rreptë,/ Gjermanët me partizanë, /U përdor dhe bajonetë. Abazi mbeti i vrarë,/Komandanti vet’ i tretë,/ Partizanët kur mësuan/ U vërsulën si shigjetë…

Përurimi

Pas asaj lufte të lavdishme në Gjorm e Lepenicë, Brigada u mblodh, më 20.1.1944, në Bramyshnje të Tërbaçit për të përfunduar përurimin. Ishte ora 10.00. Ai shesh në Bramyshje u mbush si kurrë ndonjëherë me popull. U rreshtuan 5 batalione me partizanë. Mungonte Komandanti që ra heroikisht. Por një tjetër Komandant trim do t’i caktohej në krye të Brigadës. Ai ishte Shefqet Peçi. Komisar përsëri Hysni Kapo e zv/komisar Manush Myftiu.

Kurrë nuk ka për t’u harruar ajo ditë se ajo është datë në histori dhe brigada bëri histori. Para popullit e brigadës folën me radhë komandanti i brigadës Shefqet Peçi, komisari Hysni Kapo, zv/komisari Manush Myftiu etj… “Urojmë që kjo Brigadë, të jetë Brigada e flakës, e zjarrit, e luftës dhe e sulmit, si bij të denjë të Vlorës kreshnike, shkatërroni armikun dhe tradhtarët… Ju e kini parë haptazi këtë tradhti të Ballit Kombëtar”, - thuhej në Përshëndetjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që i dërgonte Brigadës V me rastin e inaugurimit.

Përshëndetja i ngriti peshë partizanët. Partizanët dhe populli që mori pjesë në këtë përurim nuk ka për ta harruar kurrë këtë ngjarje historike, si për entuziazmin që shkaktoi, por edhe për organizimin aq të mirë. Ceremonia e parakalimit ishte madhështore.

Në fund grupi teatral i brigadës me mbarimin dha një shfaqje ku demaskohej Balli Kombëtar.

Luftimet nga Tërbaçi në Sanxhak

Brigada V u krijua në kulmin e Operacionit armik të Dimrit. Ishte pikërisht kjo Brigadë, që përballoi ofensivën armike në Qarkun e Vlorës. Që atë pasdite të inaugurimit, Shtabi i Brigadës, i cili ishte në dijeni të planit të operacionit gjerman mori masa të shpejta dhe nisi repartet në drejtimet e caktuara. Ajo kreu një sërë aksionesh e betejash. Nuk kishte ditë që të mos mbetej pa një aksion.

Ndër luftimet më heroike të Brigadës V S janë luftimet e zhvilluara në: Vajzë, Palasë, Vuno, Picar, Pilur, Salari, Gjorm, Gjirokastër, në roje të Kongresit të Përmetit, Qafë e Gjarpërit, Shëmbërdhenj, Tufinë, Qafëbardhë, Gur i Prerë, Sulovë etj. etj.

Nuk mund të lemë pa përmendur edhe luftimet e saj edhe në Gramsh, Berat, Krahinën e Elbasanit, Tiranës, Mat, Peshkopi, Dibër e Madhe, Lumë e Tropojë.

Armiq të luftës e lirisë, pinjollë të kolaboracionistëve, bashkëpunëtorëve të ndyrë të fashizmit e akuzojnë Brigadën V dhe komandantin e saj legjendar Shefqet Peçin se ka vrarë njerëz në Kukës! Po e vërteta historike është krejt ndryshe. Ata që akuzojnë nuk përmendin asnjëherë se sa partizanë të Brigadës V vrau pabesisht krimineli Muharrem Bajraktari... Bajraktari vrau në sofër të bukës së fshatarëve e në gjumë patriotë e atdhedashës në Lusnë, Vilë, Kalanë e Dodës, Buzëmadh etj., 35 partizanë dhe plagosi 50 të tjerë të Brigadës së Pestë, që i kishin strehuar fshatarët, ndërsa ishin me misionin e madh për të zgjeruar Luftën në Veri e për të shkuar në ndihmë të vëllezërve kosovarë. Këta historianë sharlatanë që duan ta kthejnë mbrapsht historinë asnjëherë nuk kanë thënë se ishte vetë populli që i përzgjodhi për t’i vrarë pasi ishin ata që kishin vrarë partizanët... Brigada V ka meritën e madhe se ishte e para që i tha Muharrem Bajraktarit: -Çifligu yt mbaroi, ti nuk ke për ta ndarë kurrë Shqipërinë në të Jugut e të Verit. Dhe kjo nuk mund të harrohet dhe do të mbetet nga vlerat më të mëdha të kujtesës së historisë moderne të Shqipërisë dhe merita e Brigadës V dhe Komandantit të saj Legjendar Shefqet Peçi.

Në tetor -nëntor 1944, pasi kaloi kufirin shtetëror, zhvilloi luftime të ashpra kundër nazistëve në Kosovë dhe së bashku me partizanë të Kosovës çliroi Gjakovën, Junikun, Deçanin, Prizrenin, Senicën, Priepoljen, Sanxhakun. Me 1945 u kthye në Atdhe.

Lavdia

Që nga 1 dhjetori 1943 dhe deri më 15 mars 1945 brigadës iu desh të përshkonte një rrugë luftarake prej 3000 km, nga Tërbaçi deri në Sanxhak.

Nga kjo Brigadë ranë në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë 357 dëshmorë. Dëshmori i parë i saj ishte komandanti i Brigadës “Heroi i Popullit” Abas Shehu.

Brigada u bë edhe një fidanishte kuadrosh drejtues në luftë e pas saj: Bat. I: Komandant Mehmet Jaho, Komisar Nuri Arapi; Bat. II: Komandant Sali Ormeni, Komisar Kadri Hazbiu; Bat. Ill: Komandant Mehmet Ali Shehu, Komisar Zenel Hamiti; Bat. IV: Komandant Çelo Arrza, Komisar Hajdar Aranitasi; Bat.V: Komandant Isak Lilaj, Komisar Rrahman Perllaku. Seksioni politik: Hito Çako, Bilbil Klosi, Delo Balili, Andrea Varfi, Ramize Gjebrea. Itendent: Kadri Brahimi dhe pas tij Tanush Shyti.

Heroizmi kësaj brigade është gdhendur në zemrat e popullit dhe në poezi e në këngë. Në vargjet popullore të grupit lab të Vranishtit thuhet:

Kur lufton Brigadë e Pestë ,/ Vret e pret e bën kërdi, / Shefqet Peçin komandant, / Komisar shokun Hysni.

Brigada V Sulmuese ka qenë shembull lufte dhe rezistence për të gjithë partizanët shqiptarë

Partizanët e Brigadës V gjatë rrugës luftarake prej 3700 km nuk kanë njohur dështime, por vetëm fitore. Partizanët e Brigadës V luftuan si internacionalistë ku çliruan Kosovën dhe një pjesë të Bosnjës (ish-Jugosllavi). Partizanët e Brigadës V kanë frymëzuar një popull të tërë kudo ku ka shkelur. Kuvendi Popullor Brigadës V Sulmuese i ka dhënë titullin “Hero i Popullit” Ranë në fushën e betejës për të mos vdekur kurrë 357 dëshmorë. Dëshmori i parë, komandanti i parë i Brigadës, Heroi i Popullit Abas Shehu. 13 Heronj të Popullit; 9 ranë në Luftë; dy heroina; një hero është gjallë. Ja emrat: Shefqet Peçi, Hysni Kapo, Zonja Curre, Hito Çako, Abaz Shehu, Zaho Koka, Laze Nuro, Llambro Andoni, Nimete Progonati, Dervish Hekali, Kastriot Muço, Hysen Çino, Rrahman Parllaku.

Kështu do të përkujtohet historia e kësaj brigade brezpasbrezi dhe shqiptarët e vërtetë s’kanë për ta harruar kurrë historinë e lavdinë e Brigada V “Hero i Popullit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat