Mirash Ivanaj u emërua ministër nga Zogu, por vetëm duke e pranuar detyrën me kusht ndaj Zogut: të realizonte një reformë siç mendonte, pa ndërhyrje, me qëllim për kombëtarizimin e arsimit. Ivanaj u arsimua fillimisht në Beograd e më pas në Romë dhe u rikthye për kontribut në Shqipëri.
U dënua, në mungesë (i larguar nga vendi) kur Noli erdhi në pushtet. Ishte i diplomuar në Itali, por nuk kishte afri me politikën e jashtme italiane ndaj Shqipërisë. Madje, ai ishte një antifashist, duke e shfaqur qëndrimin edhe përmes demonstratave të orëve të para kundër pushtimit italian. U arratis në Turqi pas pushtimit të 1939-s, ku mezi jetonte me ndihmat e miqve. Emri i tij përmendet në një memorandum sekret amerikan për situatën në Shqipëri, si pjesëtar i mundshëm i një komiteti kombëtar (bashkë me Nolin) që mund të ndërtohej jashtë Shqipërisë, kur kjo ishte e pushtuar nga fashizmi.
Ivanaj, personi që i kishte ndërprerë bursën Enver Hoxhës kur studionte në Francë, kthehet në vitin 1945 në Shqipërinë e çliruar, për të dhënë kontributin e tij në të mirë të kombit. Por, u burgos si agjent anglez e amerikan, i arrestuar nga Koçi Xoxe. Vetë ky i fundit do të akuzohej si agjent jugosllav pak më vonë, ndërkohë që kleri katolik shqiptar e ka konsideruar edhe punën e Mirash Ivanajt kur reformonte arsimin si antikombëtare (dikush e ka konsideruar edhe si agjent jugosllav). Ndër të tjera, kleri katolik e akuzonte edhe si një pjesëtar të vëllazërisë masone dhe për këtë detaj do të flasim më poshtë.
Por, ç’ishte ky njeri, ç’ishte Mirash Ivanaj? Nëse i referohemi prof. dr. Dritan Spahiut, Mirash Ivanaj dhe një student tjetër hebre kishin arritur rezultatet më të larta, që nuk ishin parë qysh prej një shekulli në Universitetin Mbretëror të Romës. Në zemër ai ishte një mësues, një njeri me një kulturë shumë të gjerë dhe një individ i cili do t’i kishte dhënë shumë Shqipërisë po qe se do të jetonte më gjatë dhe po qe se do të shfrytëzohej intelekti i tij në të mirë të zhvillimit kombëtar. Mirash Ivanaj njihet ende edhe sot si ministri i “hekurt” i Arsimit në kohën e Ahmet Zogut, edhe pse si për ironi të fatit, Ivanaj ishte mbrojtës i flaktë i ideve republikane dhe jo një monarkist.
Ishte një individ me njohuri të thella, një erudit, i diplomuar dy herë me rezultate të shkëlqyera në Universitetin Mbretëror të Romës: për letërsi dhe jurisprudencë, doktor shkencash, njohës i shkëlqyer i shumë gjuhëve, të gjalla e të vdekura. Në periudhën e mbajtjes së detyrës së tij si ministër i Arsimit (1933-1935) ai kreu një reformë të thellë në arsimin kombëtar shqiptar. Ndikimi i tij i thellë bëri që ligji i ri i arsimit të njihej si “Ligji Ivanaj”. Zelli dhe vizioni i tij bënë që të vendosej sistemi i arsimit të fillores së detyruar, i cili vijon deri në ditët e sotme. Kjo ishte një arritje e madhe, duke menduar plagën e thellë të analfabetizmit që gërryente zhvillimin kombëtar të Shqipërisë.
Vizioni i tij për ndërtimin e një strukture kombëtare të arsimit shqiptar ishte shumë i përparuar për kohën. Ai synonte një arsim tërësisht në gjuhën shqipe, ku shkolla kombëtare shqiptare dhe arsimimi të ishin të drejta ekskluzive vetëm të shtetit shqiptar, të ishin laike dhe të ishin për të gjithë popullsinë pa përjashtim. Ndërtimi i kësaj qytetarie të arsimuar dhe të ditur do të formonte një shoqëri atdhetare shqiptare. E parë në kuadrin e gjerë ajo do të ishte një reformë e cila, nëse do ta linin të përmbushej plotësisht, do t’i jepte një frymëmarrje të jashtëzakonshme kombit shqiptar, i cili dilte nga shekuj të gjatë, ku monopolin e shkollimit të tij e kishin pasur kryesisht të huajt.
Por, kjo reformë nuk do të kishte mundësi të realizohej. Përplasjet e Mirashit me të gjithë ata që ofronin arsimimin fetar apo të mbështetur nga shtete të huaja nuk do të vononin. Reforma bazohej më tri shtylla kryesore: shkolla shqiptare duhet të jetë kombëtare, sepse shteti shqiptar nuk mund të heqë dorë nga edukimi i brezit të ri; përkujdesjen për arsimin shteti shqiptar nuk do ta ndajë me askënd; shkolla duhet të jetë laike.
Më 11 prill të vitit 1933, Parlamenti shqiptar miratoi njëzëri argumentet e paraqitura nga Mirash Ivanaj për reformën arsimore shqiptare. Parlamenti ndryshoi dy nene të Statutit Themeltar të Shtetit, duke i ribërë kështu:
në një e drejtë ekskluzive e shtetit. Jepen vetëm ndër shkolla shtetërore shkallësh të ndryshme sipas ligjës. Arsimi fillor për të gjithë shtetasit shqiptar është i detyrueshëm dhe jepet falas. Shkollat private të çdo kategorie qofshin që kanë veprue deri më sot mbyllen.
Neni 207. Shkollat fetare për përgatitjen e klerit të mbajtura prej komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligje”.
Zbatimi i kësaj reforme arsimore të Mbretëris? Shqiptare u kurorëzua me shndërrimin e shkollave në shkolla shtetërore. U mbyllën shkollat fillore private t? pavarura e gjithashtu edhe ato të komuniteteve fetare. Në këtë mënyrë, u mbyllën edhe shkollat e huaja private për shqiptarët, si dhe shkollat private të minoritetit grek. Reforma mbylli edhe gjimnazet jezuite e françeskane në Shkod?r, shkollën femërore në Shkodër, institutin privat femëror “Naim Frash?ri” në Tiranë, Shkollën “Normale Femërore” në Korçë dhe institutin privat “Kyrias”, në Kamëz.
U mbyll po ashtu edhe shkolla teknike “Harry Fultz”, e hapur nga Kryqi i Kuq Amerikan, u mbyllën të gjitha shkollat profesionale italiane, por ato u zëvendësuan me shkolla teknike qytetëse, aty ku ishin. Të gjitha këto shkolla kundërshtuan që të punonin për shtetin shqiptar dhe që të kontrollohej aktiviteti i tyre prej shtetit. Në këtë mënyrë ato u mbyllën.
Harry T. Fultz, ishte drejtori i parë i Shkollës Teknike të Tiranës, i cili u vendos në këtë detyrë në vitin 1922, nga Kryqi i Kuq Amerikan. Fultz, e mbajti detyrën deri në vitin 1932, kur shkolla u mbyll nga “Reforma Ivanaj”. Ai u detyrua të lërë Shqipërinë, sepse ministri reformator i Arsimit i mbylli të gjitha shkollat e huaja në Shqipëri, të cilat i konsideronte ndër të tjera edhe si vatra të spiunazhit e të agjitacionit të politikës së huaj të shteteve të huaja. Në fakt, Harry T. Fultz, i cili sipas dokumentacionit që e vërteton sot, ishte pjesë e misioneve shtetërore amerikane dhe pjesëtar i strukturave të Misionit Informal të SHBA-së në Shqipëri. Gjithsesi, raportet shqiptaro-amerikane të kohës ishin miqësore, por amerikanët nuk ishin të vetmit që u detyruan të mbyllnin shkollën e tyre. Më të rrezikshmet për kohën ishin shkollat greke, të cilat financoheshin nga qarqet shoviniste greke dhe që kishin si objekt pune shkëputjen e territoreve jugore të Shqipërisë, si pjesë e platformës së “Megali Idesë”.
KISHA KATOLIKE, MASONERIA DHE “REFORMA IVANAJ”
“Reforma Ivanaj” prekte edhe shkollimin që ofronte kleri katolik. Me këta klerikë ai pati përplasje të forta. Ishin ankesat e tyre dhe ndikimi që patën edhe shtete të tjera, si p.sh., Greqia, për shkollat e minoritetit, që e frenuan “Reformën Ivanaj”. Në një prej raportimeve të klerit katolik në Lidhjen e Kombeve, si ankesë për situatën e krijuar nga “Reforma Ivanaj”, Dom Frano Karma ndër të tjera, e cilëson Mirash Ivanajn si një mason të egër. Në dosjen “Minoritetet në Shqipëri – si shtesë Peticioni i 4 marsit 1935, nga z. Fran Karma”, në arkivin e Lidhjes së Kombeve, gjendet edhe një peticion i drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, në shenjë ankimi e proteste për mbylljen e shkollave katolike në Shqipëri dhe shtetëzimin e arsimit nga qeveria e Zogut. Ndër të tjera, për ministrin Ivanaj, nga Dom Frano Karma, shkruhet:
“Saktësisht, zoti Mirash Ivanaj një frankmason i egër, dhe si i tillë shumë i njohur, është i interesuar për detyrën e kishës!” (Dom Frano Karma, 1935, “Minorities in Albania”, Arkivi i Lidhjes së Kombeve, Dosja 3930, nr. 4, 4876, 16877).
Lufta e kishës katolike me masonët nuk kishte të bënte vetëm me arsimin dhe me rastin e ministrit Mirash Ivanaj, por ishte më e gjerë. Dokumenti që sillet si pjesë e këtij shkrimi tregon se ministri Ivanaj ishte një mason, sepse kërkesa e tij për anëtarësim dhe emri i Felice Albanit si referencë, e dëshmojnë këtë gjë. Por, pavarësisht se Ivanaj ishte anëtar i lozhës masonike italiane “Grande Oriente d’Italia” (GOI), ai në thelb ishte një iluminist, një njeri i dijes dhe një i pasionuar i ngërthyer pas gjuhëve të huaja, jurisprudencës e filozofisë, i cili jetën ia përkushtoi arsimit dhe orientimin e pati ndaj koncepteve republikane. Qëllimi i tij për zhvillimin e atdheut shprehet qartë si motivi kryesor që e shtynte atë që të anëtarësohej në shoqërinë e masonerisë italiane. Megjithatë, edhe sepse nuk është vendi për një diskutim të tillë, duhet të përmendim se kjo betejë mes kishës katolike, Vatikanit dhe masonëve ka qenë e gjatë dhe vijon ende edhe sot.
Kohët e fundit, Departamenti i Vatikanit, i njohur si Dikasteri i Doktrinës së Besimit (Dicasterium Pro Doctrina Fidei), publikoi më 13 nëntor 2023, një shprehje mendimi, të nënshkruar nga Papa Françesku. Ky dokument ishte një përgjigje për një peshkop nga Filipinet, i cili ishte alarmuar nga numri në rritje i frimasonëve në vendin e tij. Nga e njëjta zyrë, një javë më parë kësaj deklarate për masonët, u lëshua deklarata se personat transgjinorë mund të pagëzohen, mund të shërbejnë si kumbarë dhe mund të jenë dëshmitarë në dasmat katolike. Por, nëse kjo gjë e fundit nuk përbënte më një mëkat, u rikonfirmua se masoneria ishte një mëkat i pafalshëm. Letra për frimasonët citonte një deklaratë të vitit 1983, të nënshkruar nga Papa Benedikti XVI i ndjerë, në atë kohë shefi i doktrinës së Vatikanit, ku thuhej se katolikët “në shoqatat masonike janë në gjendje mëkati të rëndë dhe nuk mund të marrin Kungimin e Shenjtë”.
Gjurmët e kësaj përplasjeje mes kishës katolike, por edhe asaj ortodokse, me masonerinë janë evidentuar edhe në kohë të tjera. Nuk dihet nëse kanë qenë të gjithë masonë ata patriotë shqiptarë që interesoheshin për fatet e gjuhës shqipe, por emra të tillë si Petro Nini Luarasi, ishin të konsideruar si “djaj” masonë nga kisha ortodokse:
Nga popullsia katolike, punëtorë të kthyer nga emigrimi, karbonarë e mësues italianë u bënë bartës të atyre ideve [masone]. Sipas dokumenteve të klerit katolik në Shkodër qarkullonte literaturë “jakobine”, antikishtare. Konsulli i Francës në Shkodër Kolana Cekaldi në letrën që i dërgonte P. të Jashtme, Dukës Dekan, më 25 shtator 1877, në mes të tjerash shprehte shqetësimin kryesor të arqipeshkëvit të Shkodrës për frankmasonët. Kleri ortodoks grek e grekoman i thërriste atdhetarët shqiptarë masonë: “kush mëson këtë gjuhë të masonëve (gjuhën shqipe – K. U.) qoftë i mallkuar dhe i larguar nga kisha ortodokse”. Mitropoliti i Kosturit Fillareti më 1892 mallkoi mësuesin e shqipes Petro N. Luarasin si protestant e si mason (Kahreman Ulqini. Faktorë kulturorë e fetarë: nga kombësia te kombi (sprovë). Idromeno, 1999, f. 54).
Për hir të së vërtetës, edhe vlerësimi i Mirash Ivanajt ndaj klerikëve katolikë ka qenë shumë i ashpër, siç mund të lexohet në ditarin e tij (Mirash Ivanaj, Martin Ivanaj. 24 orët e fundit të mbretërisë së Zogut: ditar. Toena, 1997). Por, nuk duhet harruar nga ana tjetër se gjurmët e para të shqipes së shkruar, shekuj më parë, të çojnë pikërisht në drejtim të këtyre klerikëve katolikë. Për këtë arsye, analiza e raportit të Mirash Ivanajt me ta, është komplekse dhe delikate dhe duhet parë nën optikën e kohës dhe nën optikën e disa lloje analizash, që nga ato që lidhen me arsimin e deri tek ato që lidhen me metodat shtetërore dhe me ndikimet e shteteve, fesë dhe organizatave të tjera në politikën ndërkombëtare.
A e përdori Zogu vizionin e Mirash Ivanajt, me pragmatizëm makiavelist, apo kishte interes të vërtetë për të zhvilluar arsimin sipas një formule kombëtare, laike, shkencore, iluministe dhe atdhedashëse, siç synonte Ivanaj? Këtë gjë nuk do e mësojmë dot, pasi “Reforma Ivanaj”, më 1935 përfundoi. Pas hedhjes në gjyq të shtetit shqiptar dhe lajmërimit të Lidhjes së Kombeve nga Provinca Françeskane Shqiptare, Gjykata e Hagës, mori vendim në favor të hapjes së shkollave katolike.
NIKOLL BEJ IVANAJ DHE KRIJIMI I LOZHËS MASONIKE TË DURRËSIT, SI INTERES STRATEGJIK I GOI-T
Në Itali, në vitet 1900, kishte filluar një angazhim filoshqiptar mes qarqeve të politikës italiane (“Muovimento Filoalbanese dal 1900 al 1915”, Bolletino della Domus Mazziniana, 1996 42 (1): 68-79). Të drejtuar nga Felice Albani [mjeshtri mason, referencë anëtarësimi për Mirash Ivanajn – A. H.], një grup republikanësh romanë frymëzuan dhe reklamuan Komitetin Italian Proshqiptar në vitet e para të shekullit të 20-të, sipas idealeve të Mazzini-t. (Historical Abstracts, 1775-1914. Part A, vol. 49, issue 1-2, 1998, f. 638).
Felice Albani ishte një individ i njohur i shoqatës sekrete masonike italiane, ndërsa Domizio Torrigiani ishte Mjeshtri i Madh i lozhës masonike italiane, “Grande Oriente d’Italia” (GOI), të cilit i drejtohej kërkesa e Mirash Ivanajt. Emra të tillë, si Felice Albani, Ettore Ferrari, Giovanni Bovio, Luigi Lodi e shumë e shumë të tjerë ishin emra deputetësh masonë dhe eksponentë të fraksionit më të fortë republikan në Itali prej dekadash. Degët e shumta të shoqërive masonike në shekullin 18-19 ishin të shpërndara gjerësisht në Itali e po ashtu edhe në Europë. Por këta masonë italianë, jo gjithnjë kishin parasysh një politikë pozitive ndaj Shqipërisë. Në periudhën e LIB, një pjesë e mirë e tyre mbështesnin idenë e zgjerimit territorial të Italisë në drejtim të Vlorës dhe të zonave qendrore e jugore shqiptare. Debatet lidhur me këtë çështje brenda vëllazërisë lidheshin me diskutimet për supermaci në Adriatik dhe me mbizotërimin e parimeve demokratike ndaj atyre imperialiste që synonin ndërtime perandorish (Marco Cuzzi. Dal Risorgimento al Mondo Nuovo. La Massoneria italiana nella Prima guerra mondiale. Le Monnier, 2017, f. 88).
Ekziston një marrëdhënie e ngjeshur e raporteve mes shoqërive masonike të kohës, të cilat orientonin politikën ndërkombëtare. Shoqëria masonike serbe kishte synime strategjike që përplaseshin me synimet strategjike të masonëve italianë për Ballkanin e sidomos për Adriatikun. Këto synime strategjike e thyen miqësinë e vëllazërive italo-serbe dhe sollën polemika të vazhdueshme mes tyre. Në këtë periudhë serbët gjenin mbështetje të masonerisë franceze dhe përdornin edhe masonët sllavë e serbë të kësaj masonerie. Pozicionimet dhe synimet e shfaqura në kongresin masonik të Parisit, në vitin 1917, ku disa serbë synonin që të shtrinin dominimin e tyre nga Triestja e Fiume deri në Dalmaci, duke synuar të kishin kontroll mbi Adriatikun, e shtynë Italinë të kundërshtonte fuqishëm këto “pozicionime groteske”. (Cuzzi, f. 111).
Masoneria dhe politika italiane e ndikuar prej saj përsërit formulën e hershme: “Sigurimi deri në kufirin më të sigurt të dominimit absolut italian në Adriatik, pa i kushtuar vëmendje çështjeve të grupeve etnike, të cilat bëhen krejtësisht dytësore kur përballen me sigurinë e atdheut”. Prandaj, ata deklaruan se do të bëhej kundërshtim energjik ndaj “orekseve të të tjerëve” (Cuzzi, po aty), që nënkuptohej atyre serbe, momentalisht.
Në realitet, nën rrogoz, problemi ishte shumë i qartë që në ditët e para pas hyrjes në luftë. Tashmë më 20 korrik 1915, një ditë pas emërimit të tij si ministër pa portofol me përgjegjësi për kufijtë lindorë dhe tokat e ardhshme të çliruara, Salvatore Barzilai, një mason i GOI, i kishte dërguar Salandrës një memorandum mbi situatën në Ballkan, në të cilin dolën projekte me një aromë të qartë ekspansioniste. Shqipëria duhet të kishte kaluar “nën dominimin ekskluziv italian”, si një protektorat ose si një pushtim “i ngjashëm me atë të Austro-Hungarisë” apo edhe “duke e bërë një principatë të kryesuar nga një princ italian”. Shqipëria përfaqësonte një pasion antik për lozhën masonike italiane GOI: në prill 1914, nën kujdesin e Ferrarit dhe të Nathan-it, u themelua një “trekëndësh” [për fillimin e një lozhe duhet krijuar një celulë fillestare me tre persona – shënim A. H.], bërthama e lozhës së parë lokale të ardhshme në Durrës, e organizuar nga masoni me origjinë nga shqiptarët e Malit të Zi, Nikollë bej Ivanaj, përfaqësuesi i ardhshëm i kombit shqiptar në Konferencën e Paqes më 1919. Interesi për tokën e shqiponjave do të ishte gjithmonë në qendër të iniciativave ndërkombëtare të lozhës italiane GOI (Cuzzi, f. 112).
Nikollë bej Ivanaj, ky patriot i shquar i angazhuar gjerësisht për Çështjen Kombëtare, ishte kushëri me Mirashin dhe të dy patën një aktivitet serioz botues përmes gazetës “Bashkimi” dhe “Republika”, në Shkodër.
Lidhur me krijimin e kësaj lozhe masonike në Durrës, gjenden materiale në arkivin e lozhës masonike italiane GOI. Në fondin Ettore Ferrari gjendet një dosje ku dokumentohet nga korrespodenca e masonëve Ernesto Nathan dhe Ettore Ferrari krijimi i lozhës shqiptare (Promemoria di Nicola [recte: Nikolla] Ivanay, Durazzo, 15 aprile 1914, in: Biblioteca GOI, Fondo Ettore Ferrari, Sottofascicolo 8, “Corrispondenze di Ernesto Nathan a Ettore Ferrari (1885- 1917)”). Vetëkuptohet se mbështetja e shqiptarëve ishte një kundërmasë për ekspansionin serb në Adriatik, të cilin Brazilai e konsideronte “program të shfrenuar imperialist” (Cuzzi, po aty). E kush më mirë se patriotët shqiptarë do të luftonte ndaj këtij ekspansioni? Por, interesi i thellë masonik italian shkonte përtej interesit kombëtar shqiptar. Kjo gjë do të dukej në vijim të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat çuan deri në pushtimin e Shqipërisë. Në këtë pikë, mund të kuptohet më mirë se si Mirash Ivanaj, i brumosur me moral e virtyte ashtu si Nikolla, doli në protesta antifashiste në Shqipëri, jo vetëm se ishte republikan, por sepse ishte atdhedashës. Ky motivi duket qartë në kërkesën e mëposhtme, të Mirash Ivanajt për GOI-n, ku kërkon anëtarësimin e tij në lozhën masonike italiane, me qëllim që t’i shërbejë sa më mirë atdheut të tij.