Klinaku paralajmëron arrestime tjera nga Specialja, thotë se do të publikojnë dosje tjera nëse arrijnë në zyret e OVL të UÇK-së

Intervista

Klinaku paralajmëron arrestime tjera nga Specialja, thotë se do të publikojnë dosje tjera nëse arrijnë në zyret e OVL të UÇK-së

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 dhjetor 2020 Në ora: 18:26
Faton Klinaku

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, ka folur për arrestimet e kryera nga Gjykata Speciale dhe situatën politike në vend.

Klinaku u shpreh se situata politike në Kosovë është e rëndë shkaku i arrestimeve të Speciales dhe vendimit të Kushtetueses, i cili e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Tutje, Klinaku arrestimet e Dhomave të Specializuara në Hagë i cilësoi si të paligjshme dhe politike. Ai tha se nëse prapë sjellin dosje në zyret e OVL-UÇK, përsëri do të i publikojnë.

Kurse, për iniciativën e Shqipërisë për formimin e rezolutës për krimet serbe në Kosovë tha se nuk do të prodhojë efekt juridik.

Klinaku për gazetën “Bota sot” tregoi edhe bisedat me Nasim Haradinaj e Hysni Gucati dhe kushtet e tyre në Hagë.

 Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet e fundit politike në vend?

Faton Klinaku: Situata politike në vend është e rëndë për shkak të Gjykatës Speciale, me arrestimet e krerëve të OVL-së dhe të ish-krerëve të UÇK-së, prej tyre edhe presidenti, i cili u detyrua edhe të dorëhiqet. Zhvillimet e fundit politike janë edhe si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme. Është i paarsyeshëm mos bashkëpunimi i forcave politike në disa tema të caktuara siç është çështja e zgjedhjes së presidentit, duke pasur parasysh se për këtë nevojitet 2/3 e deputetëve të Kuvendit.

 “Bota sot”: Si i vlerësoni arrestimet e kryera nga Gjykata Speciale?

Faton Klinaku: Ne e përsërisim se Gjykata Speciale është duke vepruar jashtë mandatit të saj. Ajo ka pasur mandat 5 vjeçar, i cili i ka skaduar më 3 gusht të këtij viti, dhe interpretimin e kësaj do të duhej që ta bënte Gjykata Kushtetuese këtu e jo dhoma atje në Hagë, por mandati mund t'i zgjatej vetëm nga Kuvendi i Kosovës. Pra, janë arrestime të paligjshme dhe kundërkushtetuese.

 “Bota sot”: A mendoni se dosjet e sjellura në zyrat e OVL-UÇK ishin provokim nga Dhomat e Specializuara?

Faton Klinaku: Pa marrë parasysh se kush i ka sjellur ato dosje, hetimi duhej të bëhej në zyret e prokurorisë atje në Hagë, dhe krerët e OVL UÇK-së nuk mund të japin përgjegjësi për rrjedhjen e dosjeve, e as për paraqitjen në konferenca për gazetarë. Akuzat ndaj z.Hysni Gucati dhe z.Nasim Haradinaj janë politike.

“Bota sot”: Pas arrestimeve të Speciales, a ka bërë mjaftueshëm Qeveria e Kosovës dhe organet kompetente për mbrojtjen e të akuzuarve?

Faton Klinaku: Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për mbrojtje të akuzuarve. Mbi bazën e këtij ligji, Ministria e Drejtësisë i ka bërë udhëzimet administrative për pagesa të mbrojtjes, përkatësisht avokatëve. Pak janë vonuar në këtë drejtim, por kam pasur disa takime me ministrin Selim Selimi dhe tani jam i njoftuar se janë gati për të filluar me pagesat e avokatëve të të akuzuarve në Hagë.

 “Bota sot”: Nëse sjellin përsëri dosje të reja në zyret tuaja, a jeni të gatshëm të i publikoni?

Faton Klinaku: Ne si Organizata të dala nga lufta e UÇK-së kemi qenë dhe jemi kundër Gjykatës Speciale, për shkak se gjykon vetëm UÇK-në dhe nuk merret me krimet, masakrat dhe gjenocidin serb të shkaktuar në Kosovë. Nuk e njohim dhe nuk bashkëpunojmë me të, e nëse sjellin përsëri dosje, natyrisht që i publikojmë sepse është qëndrim i organeve tona drejtuese.

“Bota sot”: A besoni që do të ketë arrestime të reja?

Faton Klinaku: Se a do të ketë arrestime nuk e di, por nga kjo gjykatë e tillë çfarë është, secili pjesëtar i UÇK-së mund të arrestohet.

“Bota sot”: A keni biseduar me ndonjë prej të arrestuarve që gjenden në Hagë, nëse po çfarë po thonë ata, si janë kushtet?

Faton Klianku: Po kam biseduar kur të më thërrasin ata. Kryesisht flas me Nasim Haradinajn e Hysni Gucatin. Aty qëndrojnë ditën të gjithë së bashku. Nuk iu lejohen ende vizita nga familjarët, thuhet se për shkak të Covid-19, por komunikojnë nganjëherë me familjarë përmes video-lidhjeve.

“Bota sot”: A mundet që Specialja të ju arrestoj edhe juve, pasi që jeni duke vazhduar që mos ta njihini, njëjtë si ju ka veprua edhe Gucati dhe Haradinajn?

Faton Klinaku: Pa marrë parasysh çfarë ndodh, e thashë që as nuk e kemi njohur dhe as nuk e njohim këtë gjykatë, për arsyet që i ceka më lartë.

“Bota sot”: Sipas jush a ka munguar vullneti nga deputetët dhe spektri politik për ta dërguar interpretimin e mandatit të Speciales?

Faton Klinaku: Kemi takuar grupe parlamentare si të AAK, Nisma dhe PDK, e deputetë nga grupi 6+. Edhe pse na premtuan se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, hoqën dorë nga kjo sepse nuk kishin vullnet.

“Bota sot”: Si e vlerësoni iniciativën e Shqipërisë për formimin e rezolutës për krimet serbe në Kosovë?

Faton Klinaku: Rezolutat nuk prodhojnë efekt juridik. Shqipëria duhet të insistojë që në Këshill të Evropës të diskutohet për raportin monstruoz të Dick Marty-t për trafikim organesh, raport që ishte vetëm një shpifje që i bëhej luftës sonë çlirimtare, e për këtë nuk ka as akuzë nga specialja, dhe të kërkohet falje për miratimin e tij nga KE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat