Ambasadori zviceran Thomas Kolly: Zvicra, për Kosovën dhuroi mbi 500 milionë CHF për integrime evropiane dhe zhvillim të vendit

Intervista

Ambasadori zviceran Thomas Kolly: Zvicra, për Kosovën dhuroi mbi 500 milionë CHF për integrime evropiane dhe zhvillim të vendit

Nga: Nefail MALIQI Më: 28 janar 2021 Në ora: 15:24
Thomas Kolly

“Rreth 200,000 qytetarë me origjinë nga Kosova jetojnë në Zvicër dhe kontribuojnë në mënyrë aktive në ekonomi, kulturë dhe politikë në vendin tonë.

Zvicra sot është investitori i dytë më i madh në Kosovë – me më shumë se 480 milionë euro.

Zvicra ka ofruar ndihmë thelbësore për Kosovën që nga viti 1998. Ajo deri më tani ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri i tretë bilateral i zhvillimit të Kosovës.

Ne jemi të bindur se ndihma zvicerane në mënyrë efektive mbështetë ambiciet e Kosovës për të vazhduar në rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve e Kosovës”, ka deklaruar ambasadori zviceran ne Kosovë z. Thomas Kolly ne intervistën ekskluzive për gazetën zvicerane në shqip “Le Canton27.ch” dhënë me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Zotëri ambasador, meqë këto ditë po bëhen 12 vjet nga pavarësia e Kosovës dhe nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Zvicrës, fillimisht mund të na thoni çfare janë marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Kosovës?

Ambasadori Thomas Kolly: Zvicra është një ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Që nga ajo kohë dy vendet tona kanë zhvilluar marrëdhënie shumë të ngushta diplomatike dhe ekonomike dhe përfitojnë nga lidhjet e forta ndërnjerëzore. Rreth 200,000 njerëz me origjinë nga Kosova jetojnë në Zvicër dhe kontribuojnë në mënyrë aktive në ekonomi, kulturë dhe politikë në Zvicër. Në të njëjtën kohë, remitancat nga anëtarët e diasporës kosovare në Zvicër ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së shumë familjeve në Kosovë. Falë këtyre investimeve Zvicra është bërë investitori i dytë më i madh në Kosovë – me më shumë se 480 milionë euro.

Çfarë mund të na thoni për rolin dhe angazhimin e Zvicrës në Kosovë? A jeni i kënaqur me misionin e Swisscoy-it në rajon?

Ambasadori Thomas Kolly: Zvicra ka ofruar ndihmë thelbësore për Kosovën që nga viti 1998. Ajo deri më tani ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri i tretë bilateral i zhvillimit të Kosovës. Ne jemi të bindur se ndihma zvicerane në mënyrë efektive mbështetë ambiciet e Kosovës për të vazhduar në rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve kosovarë. Zvicra planifikon edhe më tej të përfshihet në promovimin e qeverisjes së mirë, sigurisë njerëzore, krijimit të vendeve të punës, si dhe infrastrukturës së ujit dhe një qasjeje më të mirë në kujdesin shëndetësor parësor. Misioni Sëisscoy po bën një punë shumë të mirë në Kosovë. Falë pranisë së tij në terren dhe kontakteve të tij me popullatën, Sëisscoy luan një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve. Në qershor të vitit 2020 Zvicra vendosi të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR së paku edhe për tri vjet (deri në vitin 2023) dhe të rrisë numrin e kontingjentit të saj nga 165 në 195 ushtarë. Pjesëmarrja e Zvicrës në KFOR është një dëshmi për rëndësinë që ia kushton Zvicra sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Pas 12 vjetësh nga njohja e Kosovës nga Zvicra. Cilat janë kërkesat (dokumentet, vizat, etj.) e qytetarëve (vendas dhe emigrantë në Zvicër) të Kosovës në ambasadën tuaj?

Ambasadori Thomas Kolly: Qendra Regjionale Konsullore e Zvicrës në Prishtinë ofron të gjitha shërbimet konsullore dhe aplikimet për viza për njerëzit që jetojnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri. Konsullata kryesisht merret me lëshimin e vizave për qytetarët kosovarë që dëshirojnë të udhëtojnë në Zvicër për turizëm, vizita familjare dhe biznes. Konsullata merret gjithashtu me kërkesat për leje pune ose bashkim familjar, megjithëse vendimet në lidhje me to merren nga kantonet. Detyra të tjera përfshijnë, për shembull, lëshimin e pasaportave provizore në rast se ato humbin gjatë pushimeve ose ndihmën për riatdhesimin emergjent në Zvicër.

Z. Kolly, pandemia në Kosovë sigurisht që ju ka shkaktuar probleme në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Në të njëjtën kohë, a i ka reduktuar vizitat në të dy drejtimet Kosovë-Zvicër dhe anasjelltas?

Ambasadori Thomas Kolly: Pandemia ka paraqitur sfida të reja për të gjithë. Falë përpjekjeve intensive të stafit të ambasadës, Zvicra ia arriti t’i përshtasë programet e saj ekzistuese krahas kërkesave të reja. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit në zonën Shengen dhe masave kombëtare të tilla si karantina ose për shkak të kërkesës për teste PCR, udhëtimi nga Kosova në Zvicër dhe anasjelltas është reduktuar në disa raste. Mungesa e vizitave të diasporës në Kosovë gjatë verës gjithashtu ndikoi në situatën ekonomike të vendit; shpenzimet tradicionale në Kosovë gjatë vizitave të diasporës, si dhe remitancat direkte dhe indirekte (të cilat normalisht përfaqësojnë një të katërtën e PBV-së) kanë rënë dukshëm. Mesazhi i ambsadorit zviceran në Prishtinë Thomas Kolly drejtuar qytetareve dhe lidereve të Kosovës me rastin e zgjedhjeve te 14 shkurtit

Z.Ambasador, zgjedhjet në Kosovë (14 shkurt) po afrohen.Cfarë prisni prej tyre? Cili do të ishte mesazhi juaj drejtuar qytetarëve dhe liderëve të Kosovës?

Ambasadori Thomas Kolly: Lidhur me zgjedhjet e 14 shkurtit, ne presim që ato të kryhen në përputhje me legjislacionin ekzistues, si dhe në një mjedis të qetë. Për demokracinë e Kosovës është gjithashtu e rëndësishme që votuesit të shkojnë në qendrat e votimit dhe t’i ushtrojnë të drejtat e tyre. Të dashur bashkatdhetarë, të dashur përfaqësues të diasporës kosovare në Zvicër, unë do të doja t’ju inkurajoja juve, në veçanti anëtarët e brezit të ri, që të mobilizoheni në mënyrë kuptimplote dhe ta ushtroni të drejtën tuaj si qytetar. Unë gjithashtu u bëj thirrje autoriteteve kosovare që t’u përmbahen rreptësisht rregullave që rregullojnë procesin zgjedhor dhe tashmë i nxis deputetët e ardhshëm ta mbështesin në mënyrë aktive procesin e reformës zgjedhore..

A e mbështetë Zvicra Gjykatën Speciale në Hagë për krime në Kosovë? Krahas Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së ne e shohim Zvicrën si një mbështetëse të mirë financiare të kësaj Gjykate Speciale. Pas arrestimit të Thaçit, Veselit dhe të të tjerëve, të cilët konsiderohen si “peshq të mëdhenj” të krimit gjatë dhe pas luftës në Kosovë, a mendoni se kjo Gjykatë do të jetë e suksesshme në misionin e saj?

Ambasadori Thomas Kolly: Zvicra konsideron se Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë paraqet një mundësi të rëndësishme për t’i zgjidhur krimet e rënda të kryera në Kosovë midis viteve 1998 dhe 2000, për të sjellë të akuzuarit para drejtësisë dhe për të sjellë drejtësi për viktimat. Në këtë kuptim, krijimi i Gjykatës Speciale është në përputhje me angazhimin e Zvicrës për drejtësinë ndërkombëtare, luftën kundër mosndëshkimit si dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe pranimin e së kaluarës. Në veçanti, Zvicra siguron mbështetje financiare për punën e marrëdhënieve me publikun të Gjykatës, e cila synon të sigurojë që popullata kosovare e kupton mandatin dhe fushëveprimin e kësaj Gjykate Speciale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat