Kajtazi: Në krahun e Albin Kurtit, Vjosa Osmani nuk i ngjanë më LDK-së

Intervista

Kajtazi: Në krahun e Albin Kurtit, Vjosa Osmani nuk i ngjanë më LDK-së

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 shkurt 2021 Në ora: 19:35
Albin Kurti/ Vjosa Osmani

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ish deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi që aktualisht garon për të qenë sërish deputete, ka thënë se shpreson në një proces të rregullt zgjedhor. Ajo thotë tutje se LDK-ja në zgjedhjet e kaluara ka dalë e dyta, kësaj radhe presin të dalë e para.

Sa i përket Vjosa Osmanit, Kajtazi thotë se krahë Albin Kurtit, ajo më nuk i ngjanë LDK-së, madje thotë se nuk është regjur në betejat e LDK-së.

Kajtazi thotë se në listën e LDK-së me kandidatët për deputetë i takojnë brezit të mesëm dhe atij të ri, dhe janë të përfaqësuar si nga femrat ashtu edhe nga meshkujt. Sipas tij, kjo nuk ishte koha e domosdoshme për t’u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Nëse dështon LDK-ja në këto zgjedhje, sipas saj edhe dështimi edhe fitoja do të diskutohet në organet e partisë.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga zgjedhjet e 14 shkurtit?

Lirije Kajtazi: Së pari shpresoj në një proces zgjedhor të rregullt, kjo do të ishte një fitore, pasi jemi dëshmitar të ndërhyrjes në procese zgjedhore të faktorëve të jashtëm. Së dyti, procesi është i ndikuar shumë edhe nga pandemia gjë që ndoshta nuk do të jetë si të gjitha proceset e tanishme; pandemia ndoshta do të kufizoi shpalosjen e programeve zgjedhore, kontaktin me elektoratin e kështu me rradhë. Dhe së treti, pavarësisht asaj çka është duke qarkulluar në eter, LDK ka pozicion të mirë në këto zgjedhje pasi strukturat e saja janë funksionale. Ne në zgjedhjet e kaluara kami qenë partia e dytë dhe pretendojmë të dalim e para.

“Bota sot”: A besoni se qeveria e ardhshme do të përmbyll një mandat të plotë?

Lirije Kajtazi: Thash më lart se ndërhyrja e faktorëve të tretë në procesin zgjedhor mund të komplikoi edhe konsolidimin e pushtetit, nëse jo, mund të ndikoj edhe në afatet kohore të jetëgjatësisë së qeverisë. Ne po shpresojmë për një konsolidim të shpejt të SHBA dhe kthimit të tyre në politikat tradicionale ku ndihmesa në konsolidimin e demokracive të brishta dhe të cënueshme nga faktorë të tretë do të jetë prezente. Kjo do të reflektoj në shumë dimensione në jetën politike kosovare.

“Bota sot”: Si e shihni garën e LDK-së pa Vjosa Osmanin?

Lirije Kajtazi: Në krahun e Albin Kurtit, antirugovistit të përbetuar, ajo nuk i ngjanë më LDK-së. Koha e tregoi se ajo është e rritur në hijen e kabineteve dhe se nuk është e regjur në betejat që ka kaluar LDK, dhe gabimet e tilla i kushtojnë LDK-së.

“Bota sot”: A do të ketë LDK-ja edhe ndonjë koalicion paszgjedhor?

Lirije Kajtazi: Kjo varet nga rezultati zgjedhor dhe konstalacioni i forcave që do të krijoj ky proces. Ne jemi parti që kemi dizajnuar, dhe bërë këtë shtet. Se a do të ketë LDK koalicion me ndonjë subjekt tjetër, varet nga orientimet programore të tyre. Ne nuk lëvizim nga doktrina jonë Kosova shtet i pavarur, i integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Subjektet politike që cënojnë këtë doktrinë nuk mundë të llogarisin në përkrahjen tonë.

“Bota sot”: A është reformuar lista e LDK-së me kandidatë të rinj?

Lirije Kajtazi: Pjesa më e madhe e listës janë kandidat që i takojnë brezit të mesëm dhe brezit të ri të LDK. Lista është dinjitoze në të gjitha drejtimet duke filluar me atë që as një kandidat nuk ka fërkime me ligjin, ka një përfshirje profesionale me profile të ndryshme, ka një përfshirje gjinore dhe regjionale. Është një listë që do të iu shërbej qytetarëve dhe bëjnë zgjidhjen e drejtë kur ta votojnë.

“Bota sot”: A i keni përcjellur listat e partive tjera, nëse po, sa mendoni se ato përfaqësohen nga njerëz dinjitoz?

Lirije Kajtazi: Secili subjekt garon me platformën e vet të cilën pretendon ta realizojë përmes ekipës së vet. Prandaj nga ky pikëvështrim nuk dua t’i komentoj listat e partive të tjera por, ajo që dua të them është se lista jonë garanton zhvillim të Kosovës, luftë të pakompromis krimit dhe korrupsionin si dhe integrim në BE dhe NATO si dhe marrëdhënie speciale me SHBA. Kjo është doktrina jonë që nuk shteron, dhe faktet flasin se LDK nuk heq dorë nga kjo.

“Bota sot”: A e besoni se zgjedhjet kanë qenë zgjidhja më e mirë për Kosovën në këtë situatë?

Lirije Kajtazi: Jo, nuk kanë qenë të nevojshme edhe për një periudhë, deri sa të kalohet në stinën e pranverës kur qytetarët do të kishin më të lehtë qasjen në procesin zgjedhor, kjo do të bënte që demokracia të fletë më lirshëm. Apo thënë më mirë, Kosova nuk e ka komoditetin të shkojë kaq shpesh në zgjedhje, problemet tona janë të shumta.

“Bota sot”: Çka do quhet dështim për LDK-në në këto zgjedhje?

Lirije Kajtazi: Gara zhvillohet për të qeverisur vendin dhe nëse nuk arrihet kjo do të konsiderohet rezultat jo i mirë! Dështim konsiderohet nëse rezultati zgjedhor krijon konstalacion politik që devijon Kosovën nga kursi euroatlantik dhe abstenim nga problemet me të cilat përballet vendi.

“Bota sot”: Nëse vlerësohet se LDK-ja del keq në zgjedhje, a duhet dikush të jap përgjegjësi?

Lirije Kajtazi: Si bartëse e shumë proceseve në vend, LDK nuk do duhej të del keq në zgjedhje, ajo i duhet vendit. Gara ka dy anët e saj, për të dyja këto, si merita si përgjegjësia ndahen bashkë, kjo do të vlerësohet në organet e partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat