Deputetja e VV-së: Vjosa Osmani presidente e ardhshme, presim fitore në mbi 50 për qind të komunave në zgjedhjet lokale

Intervista

Deputetja e VV-së: Vjosa Osmani presidente e ardhshme, presim fitore në mbi 50 për qind të komunave në zgjedhjet lokale

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 mars 2021 Në ora: 21:01
Vjosa Osmani

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista “Guxo” e Vjosa Osmanit kanë marrë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 50,28% të votave, duke u radhitur në vend të parë.

Janë 58 kandidatë të listës së Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në mesin e tyre është edhe Deputetja Labinotë Demi-Murezi, e cila është betuar si deputetë për herë të tretë.

Në një intervistë për “Bota sot”, ajo ka thënë se fokusi i saj është shëndetësia, arsimi dhe të drejtat e njeriut.

Demi-Murtezi në këtë intervistë ka thënë se me qeverisjen Kurti, me 5 gra si ministre, qeveria do t’i japë qytetarëve suksesin optimal.

Lidhur me arritjen e kaq shumë votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ajo deklaron se për këtë meritorë janë qytetarët për mbështetjen.

E pyetur për Osmanin, ajo ka thënë se është e bindur se do ta fitojë këtë garë dhe se do të jetë presidente shembull, derisa thotë se nuk duhet pasur sërish zgjedhje. Por, edhe nëse një gjë e tillë ndodhë, deputetja e VV-së vlerëson se për ta nuk paraqet problem, derisa shprehet e bindur se do të arrijnë rezultat më të madh.

Ajo gjithashtu ka treguar se si femër me shami, nuk u jepet hapësirë e mjaftueshme për veprime në Kosovë. Gjithashtu ka treguar edhe disa prej paragjykimeve që i bëhen asaj dhe se është sfiduar mjaft shumë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Znj. Demi-Murtezi, jeni betuar si deputete e legjislaturës së tetë. Në cilat tema është fokusi juaj si përfaqësuese e popullit?

Labinotë Demi-Murtezi: Me 22 mars, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, jam betuar si deputete në mandatin tim të tretë, ndërsa kjo është legjislatura e tetë e Kuvendit. Fokusi im kryesor mbetet shëndetësia, pa e përjashtuar arsimin, të drejtat e njeriut dhe çështjet tjera sociale.

“Bota sot”: Jeni ndër 10 deputetet më të votuara në Kosovë në këto zgjedhje, çfarë do të thotë kjo për ju?

Labinotë Demi-Murtezi: Po, këtë legjislaturë jam femra e shtatë më e votuar, çka më jep shumë kurajo për punë dhe ambicie shtesë për të mos u ndalur në terren. Puna në terren është ajo që të jep nder e kurajo, motiv e përgjegjësi gjithnjë më të lartë.

“Bota sot”: Qeveria Kurti II u formua të hënën e 22 marsit. Cilat janë sfidat e saj sipas jush?

Labinotë Demi-Murtezi: Qytetarët tanë janë me fat që tani e tutje qeverisë së vendit do t’i prijë Kryeministri Kurti me ekipin e tij. Sfida e parë padyshim mbetet pandemia, si një realitet i pashmangshëm, por sfiduese vazhdon të jetë thuajse çdo hallkë funksionale shtetërore. Thuaja çdo digaster ka nevojë për rishikim e hapa konkretë në përmirësimin e mundshëm të tyre, por me dije e vullnet dhe në bashkëpunim me qytetarët, jam e bindur se do t’ia dalim.

“Bota sot”: Në këtë qeveri janë 5 ministre gra, a mendoni se do të arrihet sukses më i madh?

Labinotë Demi-Murtezi: Kësaj qeverie 5 ministre profesioniste të dëshmuara, i bëjnë nder të madh. Pres shumë nga të gjitha pa përjashtim dhe jam shumë e bindur për suksesin e tyre në të ardhmen e afërt. Duke qenë se ato udhëheqin ministritë të themi kryesore, pres suksesin optimal që qeveria do t’i dhurojë qytetarëve të saj pa dallim.

“Bota sot”: Pas Kuvendit dhe Qeverisë, tani mungon edhe zgjedhja e presidentit. A mendoni se Vjosa Osmani do të zgjidhet në këtë pozitë?

Labinotë Demi-Murtezi: Tashmë ka mbetur edhe pozita e presidentes për të përmbyllur ciklin institucional udhëheqës. Jam e bindur se znj.Osmani do t’ia dalë kësaj gare, ashtu siç u legjitimua nga qytetarët dhe vendi ynë do të bëhej me një presidente shembull në rajon.

“Bota sot”: Në rast të mos zgjidhjes së sa presidente, sipas jush sa është e favorshme që të shkohet në zgjedhje të reja?

Labinotë Demi-Murtezi: Nuk kisha dashur të jap vlerësime mbi baza negative hipotetike, mbes me shpresë se znj.Osmani do të jetë presidentja e ardhshme e Kosovës. Në të kundërt, zgjedhjet për ne nuk paraqesin problem në kuptimin e rritjes së rezultatit edhe më të madh. Por që gjithsesi do të mundohemi t’u shmangemi atyre, dhe kështu duhet të tregohen racionale edhe deputetët e partive tjera politike të përfaqësuara në Kuvend.

“Bota sot”: A mendoni se ka ndikuar Vjosa Osmani duke qenë pjesë e listës suaj, në numrin e lartë të votave apo kjo nuk do të ndryshonte edhe pa Osmanin?

Labinotë Demi-Murtezi: Lëvizja VETEVENDOSJE dhe Lista Vjosa, duke qenë dy grupime politike që janë mbështetur në popullin dhe vazhdimisht kanë treguar përkushtim e sinqeritet në punë, kanë krijuar sinergjinë duke rezultuar si fenomeni i paparë deri më tani në Kosovë, fitorja në zgjedhje me mbi 50% të votave. Meritorë janë qytetarët për mbështetjen dhe çdo individ brenda listës për kontributin në terren deri tek fitorja e madhe.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 50 për qind të votave me 14 shkurt. Cilat janë pritjet tuaja në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë?

Labinotë Demi-Murtezi: Ne zgjedhjet lokale pres rezultat edhe më te madh. Besoj fuqishëm se do t’i fitojmë mbi 50% të komunave.

“Bota sot”: Znj.Demi Murtezi, sa ju jepet femrave të mbuluara hapësirë në Kosovë në përgjithësi dhe në politikë në veçanti?

Labinotë Demi-Murtezi: Femrat në përgjithësi nuk e kanë hapësirën e mjaftueshme për veprim në Kosovë, bazuar në kushtet fillestare të pabarabarta me meshkujt. Por, ky mentalitet me paragjykime gjinore gradualisht po zhduket, dhe sigurisht që pritet avancim edhe më i madh i grave e vajzave. Ndërsa, sa u përket atyre që mbajnë shami edhe unë bashke me to, kemi edhe një paragjykim shtesë që gjendet vetëm tek persona të caktuar me mangësi të respektit të ndërsjellë, të njohjes së kulturave të ndryshme e diversitetit, e mbi të gjitha të atyre që janë kundër të drejtave e lirive të njeriut.

“Bota sot”: A jeni sfiduar me paragjykime në institucionet shtetërore, duke pasur parasysh trajtimin që i është bërë më parë femrave me shami?

Labinotë Demi-Murtezi: Sigurisht. Jam sfiduar pambarimisht. Pse e ke emrin Labinotë e je me shami? Pse ke studiuar Letërsi e jo Teologji? Çka kërkon në institucione? Pse ke veshur veshje te huaj, pikërisht nga ata të ndiqnin trendet e huaja ndërkombëtare nëpër botë, etj. Për të tillë njerëz më vjen keq që janë persona përjashtues dhe i karakterizojnë energji negative, por që nuk më ka ndalur asnjëherë të veproj drejt qëllimeve e dëshirave te mia.

“Bota sot”: Si po menaxhohet situata pandemike në Kosovë?

Labinotë Demi-Murtezi: Nuk do të mund ta quaj as menaxhim, sepse asgjë nuk po shkon përmes një sistemi. Protokolle të ndryshme e defunksionalizim ndërinstitucional, që po krijon më shumë huti e panik tek qytetarët. Mungesa e vaksinave edhe në ditët e sotme, flasin shumë dhe tregojnë qartë se si u provua të menaxhohet pandemia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat