“13 pikat tona për të larguar shqiptarët nga filmi i keq politik i këtyre 30 viteve”

Intervista

“13 pikat tona për të larguar shqiptarët nga filmi i keq politik i këtyre 30 viteve”

Më: 10 prill 2021 Në ora: 15:28
Albin Kurti dhe Boiken Abazi

Boiken Abazi konkurron në këto zgjedhje për Lëvizjen VETVENDOSJA! në Tiranë. Janë tre kandidatë që kjo Lëvizje ka përzgjedhur të jenë në garë për parlamentin shqiptar. Në një rrëfim për gazetën Dita, Abazi tregon se si erdhi deri në këtë hap, se si djali i rritur në lagjet e Tiranës, studioi jashtë me mendimin për të ardhur në vendin e tij. Angazhimi i tij gjatë luftës së Kosovës e bëri që të jetë më i fokusuar në këtë shtet e më pas duke u bërë pjesë e Lëvizjes. Po pse në Tiranë kandidat? A konsiderohet kjo lëvizje si e kreut të VETVENDOSJES për të qenë “babai i Kombit? A do të bashkëpunonin me ndonjë forcë politike shqiptare nëse do të ishin votë përcaktuese? Zbuloni në këtë rrëfim si Abazi dhe Lëvizja që përfaqëson duan të bëjnë me vendin tonë

-Zoti Abazi, mund të na tregoni për të gjithë ata që nuk e dinë se ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj? Çfarë mbani mend nga ajo kohë që ju ka shënjuar në një farë mënyrë sot e kësaj dite?

Unë kam lindur në Tiranë dhe fëmijërinë e hershme kam kaluar me familjen në lagjen “Tirana e Re”, dhe në shkollën fillore ish “11 Janari”, sot “Dora D’Istria”. Ne kemi jetuar atëherë si familje me katër anëtarë në një apartament me një dhomë e kuzhinë, dhe në vitin 1990 lëvizëm në një tjetër apartament me dy dhoma e kuzhinë, në ndërtesat parafabrikate në lagjen “21 Dhjetori”, ku banoj edhe sot. Si plot të tjerë që janë të lindur në vitet 80-të, fëmijëria ka qenë e lidhur ngushtë me shokët e shoqet e lagjes dhe ata të shkollës fillore, si dhe pak me ish Kinostudion “Shqipëria e Re” ku kam marrë pjesë si protagonistë në filma edukativë për fëmijë si dhe në disa emisione televizive. Gjatë viteve 1990, në një kohë kur Shqipëria po kalonte nga një sistem totalitar në një demokraci liberale, me shumë vështirësi e trazira, familja ime vendosi mos të investonte në prona, por në arsimimin tonë. Kështu më çuan në moshën 11 vjeçare në një shkollë ndërkombëtare amerikane në Selanik për tre vite resht, ku pata fatin të bëhem shokë me fëmijë nga e gjithë bota, të njihem me kultura të ndryshme, si dhe të mësoj disa gjuhë të huaja. Jam i vetëdijshëm për faktin se unë kam qenë një fëmijë i privilegjuar, në raport më shumë bashkëmoshatarë që qëndruan në Shqipëri dhe u përballën me vështirësi shumë të mëdha. Fëmijëria ime ka qenë e lumtur, por ka qenë e pashmangshme të ndjeja shumë prej halleve qoftë të familjes, qoftë të shokëve e shoqeve të fëmijërisë. Ata që janë rritur gjatë viteve ‘90 në Shqipëri, u janë skalituar në kujtesë protestat, emigrimi masiv, pasiguria në rrugët e qytetit, por edhe shoqëritë e ngushta me të cilat ndanim edhe bukën që merrnim me vete në dorë, pas shprehjes “ma jep një kaç”.
Unë e ktheva në Tiranë në vitin 1996, për të nisur vitin e parë të shkollës së mesme te Gjimnazi “Ismail Qemali”, dhe më tej vitin e dytë e të tretë e vazhdova te Gjimnazi “Sami Frashëri”. Gjatë gjimnazit kam patur kënaqësinë të isha lojtar në ekipin e basketbollit të të rinjve të Sportklub Tiranës, me të cilët vazhdojmë ta ruajmë miqësinë. Megjithatë, ishte një periudhë e vështirë sepse ishte koha e trazirave të vitit 1997-1998, të cilat kanë mbetur në kujtesën e përbashkët si ngjarje që kane krijuar një traumë kolektive. As për krimet e sistemit totalitar e as për krimet e 97-së në Shqipëri nuk u vendos kurrë drejtësi – padrejtësia në vendin tonë është tejet e shtresëzuar. Në vitin e tretë në gjimnaz u zhvillua lufta në Kosovë, dhe unë u përfshiva si vullnetar në kampe për të ndihmuar shqiptarët që ishin dëbuar nga Kosova gjatë gjenocidit të fundit të Serbisë. Në atë kohë, si shumë familje të tjera, mbajtëm për disa muaj në shtëpi edhe një familje nga Kosova, me të cilën ruajmë kontaktet sot e kësaj dite.

-Ndërkohë ju keni studiuar jashtë vendit, apo jo, na tregoni ku dhe për cilën degë?

Vitin e fundit të gjimnazit unë e kam kryer në ShBA, në Arkansas, në një program shkëmbimi për shkollat e mesme. Aty pata mundësi të njoh nga afër edhe sistemin amerikan të arsimit, aplikova në shumë universitete dhe për shkak të rezultateve në provime mu dha një bursë nga “Eastern Michigan University”. Aty arrita të merrja edhe disa bursa të tjera studimi, bazuar mbi rezultatet akademike. Kam kryer dy degë studimesh, Shkenca Politike me përqendrim në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ekonomi Zhvillimore, si dhe një degë plotësuese në Gjuhë dhe Letërsi Franceze.

-Pse zgjodhët këto degë?

Këto degë i zgjodha sepse ika në ShBA me bindjen e plotë se unë do kthehem në Shqipëri pas studimeve për të kontribuar në vendin tim. Ndryshimet e mëdha ekonomiko-politike përmes të cilave kaloi Shqipëria, vuajtjet që kam parë në Shqipëri, por veçanërisht edhe lufta në Kosovë, kishin ndikuar shumë tek unë. Kisha kuptuar që problemi ishte politik dhe ekonomik, dhe i zgjodha të dyja këto degë që të isha sa më i përgatitur kur të kthehesha. Unë tashmë flisja anglisht, italisht dhe greqisht, dhe frëngjishten e zgjodha sepse kisha bërë disa vite shkollë në atë gjuhë, më hapte horizonte të reja dhe lidhej edhe me degën time në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë kohës sa isha në ShBA nisa të mësoj edhe spanjishten.

-Çfarë ju ka mësuar jeta studentore dhe si ka qenë të jesh student në Universitetin e Michiganit në SHBA?

Përveç hapave të parë në studimin e teorisë, shkencës dhe metodës që e karakterizon studimin universitar, një përvojë e jashtëzakonshme ka qenë jeta dhe organizimi në kampus. Unë kryeja dy punë në kampus, në mënyrë që mos të isha barrë për familjen, por edhe nga që më bënin më të përmbushur. Punoja në zyrën e pranimeve të studentëve ndërkombëtarë, si dhe si kujdestar në katin e konviktit ku banoja. Kam qenë anëtar aktiv i disa klubeve studentore: Klubi i Studentëve Ndërkombëtar, Klubi i Studentëve të Partisë Demokratike Amerikane (ku kam marrë pjesë edhe në disa fushata zgjedhore), kam qenë Nënkryetar i Klubit të Biznesit Ndërkombëtar si dhe anëtar aktiv me Klubin e Frëngjishtes. Marrja e përgjegjësive në atë moshë ndikon shumë te njeriu që bëhesh më tej. E formëson veprimin në kolektivitet, në ndihmë të të tjerëve pa pritur shpërblim dhe mbi të gjitha për të dhënë llogari jo vetëm për veprimet e tua por edhe të atyre, për shembull, që i kë nën përgjegjësi.
Ndërsa kontakti dhe leksionet me disa nga ish profesorët e mi, kanë qenë vërtetë përcaktues në plotësimin e botëkuptimit, e vlera të cilat i përqafon dhe mbi të gjitha besnik i të cilave kauzave bëhesh më pas. Unë ende ruaj kontakte me dy prej profesorëve të mi, të cilët zënë një vend të veçantë në zemrën time. Ata janë sa të ditur, aq edhe modest, sa akademikë, aq edhe aktivistë. Shembulli i tyre ka qenë frymëzues.

-Shumë të rinj që studiojnë jashtë vendit, nuk kthehen, ju çfarë ju shtyu të ktheheshit?

Unë nuk e kam vënë kurrë në diskutim rikthimin në atdhe. Kam punuar që të kthehem me një projekt konkret në shërbim të vendit tim. Pas studimeve në shtetin e Miçiganit, unë punova rreth një vit e gjysmë me një organizatë ndërkombëtare në New York. New York-u ka qenë një përvojë e paharrueshme, me shumë art e kulturë, por unë doja patjetër të kthehesha në Shqipëri për të kontribuar. Gjatë të njëjtës kohë që punoja, kryeja edhe një studim të pavarur për universitetin tim për një fushatë kundër analfabetizmit në Shqipëri, e cila do mund të krijonte një lëvizje të gjerë politike me synimin për ta transformuar shoqërinë. Shifrat në rritje të analfabetizmit në Shqipëri ishin për mua alarmante. Shumë pak flitet për këtë dhe sot. Nga New York-u, unë aplikova për një program pilot në Shqipëri, dhe u ktheva për ta zbatuar në tre zona: Bathore, Katund i Ri (Komuna e Luznisë në Dibër) dhe fshati Drizë në Fier. Kjo ka qenë një nga përvojat më përmbushëse të jetës sime, para angazhimit tim me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Rinjoha vendin tim, duke u zhytur në problematikat e tij më therëse. Projekti pilot u mbyll me sukses, por pas vdekjes së babait tim, dhe për shkak të zhgënjimit që pësova nga një pjesë e shoqërisë civile në Shqipëri, nuk pata mundësi ta vazhdoja atë projekt më tej për ta kthyer në një fushatë të gjerë. Unë nisa të jap mësim në nivel universitar në Tiranë për ato degë që kisha kryer edhe studimet, si dhe u angazhova me një organizatë suedeze në Shqipëri në fushën e trashëgimisë kulturore. Edhe pse mësova shumë nga përvoja akademike dhe ajo me shoqërinë civile, e kisha të qartë se nuk ishte kjo arsyeja pse isha kthyer nga ShBA. Nuk e kam parë asnjëherë zgjidhjen e problemeve në Shqipëri përmes partive ekzistuese, të cilat edhe i kanë krijuar këto probleme, dhe gjeta shumë prej idealeve të mia të pasqyruara te Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kosovë.

-Përpara disa vitesh keni qenë i angazhuar me shoqërinë civile në Tiranë dhe më pas shkuat në Kosovë, ndërsa tani riktheheni sërish në kryeqytet, pse këto lëvizje?

Pasi gjeta te Lëvizja VETËVENDOSJE! shumë prej vlerave tek të cilat besoj, vendosa ta angazhohesha me mish e me shpirt, me synimin e qartë se Lëvizjen do ta forconim një herë në Kosovë, e më tej do ta zgjeronim edhe në Shqipëri. Nuk kam patur kurrë asnjë dyshim për këtë, dhe tani këtë projekt po e zbatojmë në realitet.

Lëvizjen e kam njohur në vitin 2006, por kam qenë i angazhuar në Kosovë me Lëvizjen me të gjitha energjitë e mia prej vitit 2010. Në Kosovë, në Lëvizjen VETËVENDOSJE! kanë qenë ta angazhuar shumë aktivistë nga Shqipëria. Bashkë e kemi ngritur Lëvizjen në Kosovë, bashkë po e rrisim e forcojmë edhe në Shqipëri.

-Na tregoni diçka për familjen tuaj, nëse jeni i martuar, apo keni fëmijë?

Unë nuk jam i martuar dhe nuk kam fëmijë. Babai im është martuar vonë, në moshën 38 vjeçare, dhe mbase kjo më ka ndikuar edhe mua. Sot që jam në këtë moshë edhe unë, kam filluar të mendoj në këtë drejtim.

-Zoti Abazi, VV do të konkurrojë në këto zgjedhje në Shqipëri. Pse vendosët të merrni pjesë dhe çfarë përfaqëson Lëvizja VETËVENDOSJE?

Ne kemi dy vite që kemi themeluar në Shqipëri Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nuk mund të qëndronim pasiv me gjithë ç’po kalon vendi. Ne po ngremë një Lëvizje në Shqipëri. Ky hap i shërben synimin tonë. Do të kishte qenë gafë e madhe mos ta kishim ndërmarrë. Tashmë kemi mësuar shumë, e unë besoj që kemi ngjallur edhe shpresën te qytetarët për një krejt tjetër model politik, sidomos pa fitores historike në Kosovë.

-Në Kosovë jeni parti e parë dhe tashmë edhe shumicë qeverisëse, cilat janë objektivat tuaja për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri?

Fitorja.

-Njerëz që merren me politikën pyesin se pse jeni regjistruar si një OJF dhe pse dolët me kaq pak kandidatë? Test se si do priteni apo nuk keni njerëzit e mjaftueshëm?

Projekti ynë është afatgjatë. Jemi po ashtu të përkushtuar për organizim politik që ka bazë dhe qëndrueshmëri. Nga analiza dhe puna jonë rezultuam me këto tre kandidatura në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër, që në fakt mbulojnë në mënyrë shumë domethënëse jugun, veriun dhe Shqipërinë e mesme.

-Pak më lart ju thatë se VV është e majtë. A është e lehtë të gjesh terren në një vend që janë kaq shumë parti të majta?

Lëvizja VETËVENDOSJE! është për shoqërinë dhe kombin, dhe ne përkrahim modelin ekonomik të shtetit zhvillimor që përkon me socialdemokracinë e aplikuar në shumë vende perëndimore. Organizimi emancipues politik nuk besoj që është thjesht çështje e “gjetjes së terrenit”. Më shumë ka gjasa të jetë çështje e vullnetit dhe besnikërisë ndaj projektit politik në të cilin bën pjesë. Ne kemi vullnetin, e padyshim edhe projektin.

-Pse duhet qytetarët shqiptar të zgjedhin ju për në Kuvend?

Kemi publikuar tashmë 13 pika programore, të cilat i ftoj të gjithë t’i lexojnë. Mbi të gjitha ne jemi kundër modelit të politikanit biznesmen dhe biznesmenit politikan, jemi kundër pazareve në politikë. Nuk i këshillojmë qytetarët që në 25 prill të zgjedhin ritransmetimin e filmit të keq politik që kemi parë këto tri dekada nga partitë e vjetra. I ftojmë qytetarët të bëhen pjesë e një lëvizjeje të gjerë, që për bindjen time të thellë është rruga e duhur dhe projekti i emancipimit tonë të përbashkët si shqiptarë në shekullin XXI. Vota për mua në Qarkun e Tiranës është hap drejt fuqizimit dhe zgjerimit të Lëvizjes. Nesër në Kuvend, ne do jemi zëri i së vërtetës për qytetarët. Fitorja e mandatit e përshpejton rritjen e organizatës.

-Kritikë tuaj shpesh thonë se futja e VV në zgjedhjet ne Shqipëri është përfshirje në punët e brendshme të një shteti tjetër? Si e komentoni këtë, dhe do ta pranonit që PS apo PD të konkurronin në zgjedhjet që zhvillohen në Kosovë?

Partitë këtu as nuk e kanë patur në program e as nuk dinë si ta bëjnë këtë gjë. Askush nuk ia ka ndalur deri më sot. Unë kam lindur e jam rritur në Tiranë, familja ime është nga Delvina e Gjirokastra me origjinë. Mirëpo, edhe po të isha nga Kosova, kushdo që mendon në këtë mënyrë, pra kushdo që mendon se po ndërhyhet në punët e brendshme, është politikan e analist i konsumuar, është sovranist lagjesh (pushteti), që në vend që t’i tregojë Serbisë pavarësinë e sovranitetin e Shqipërisë dhe Kosovës, ia tregon bashkëkombësve të vet. Nuk kam respekt për sovranistët e lagjeve (të pushtetit). Ne punojmë drejt bashkimit.

-A ka Kurti një projekt për të qenë kryeministër i dy shteteve, ose ta themi një “baba i kombit”?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sapo ka marrë një mandat nga Kuvendi i Kosovës, për të qeverisur Kosovën, pas një procesi zgjedhor që i ngjau një referendumi të madh. Për herë të parë në Kosovë një subjekt politik, pra Lëvizja VETËVENDOSJE!, merr rezultatin mbi 50% në zgjedhje parlamentare, kryetari i të cilës është z. Kurti. Baballarët e kombit shqiptar janë figurat e Rilindjes tonë Kombëtare (jo këta në pushtet në Shqipëri). Asnjë projekt kombëtar nuk flet për poste por për aspiratat e një populli.

-Nëse dilni deputet dhe vota juaj përcakton shumicën, me kë do të bashkoheshit në qeverisje, me zotin Rama apo zotin Basha?

Me asnjërin, sepse nuk është individi në pyetje. Siç tashmë kemi deklaruar publikisht ne kemi shprehur në formë programore se për çfarë jemi Për dhe çfarë Kundër politikisht. Ato pika, qëndrime dhe projekte programore janë udhëzuesi ynë në çfarëdo situate. Çdo qëndrim i yni do të jetë konform pikave programore, dhe unë nuk do të veproj kokë më vete, pa u konsultuar me kolegët, aktivistët dhe qytetarët që na mbështesin.

-Çfarë mendimi keni për mosndëshkimin. Nëse një palë vjen në pushtet dhe kryen vepra penale, në momentin kur largohet, largohet së bashku me mëkatet e veta. A duhet që gjithkush, edhe njerëzit e veshur me pushtet të paguajnë për krimet që kryejnë?

Njerëzit e veshur me pushtet që kryejnë krime janë dyfish më shumë fajtorë se një qytetar pa pushtet institucional, sepse jo vetëm kanë kryer krimin por edhe kanë shfrytëzuar postin publik për ta kryer. E kemi të domosdoshme t’i ndalim e t’i vendosim para drejtësisë politikanët kriminelë dhe kriminelët politikanë që kanë kapur shtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat