Mytaher Haskuka flet për mundësinë e rikandidimit për kryetar të Prizrenit, tregon pritshmëritë nga Qeveria Kurti II

Intervista

Mytaher Haskuka flet për mundësinë e rikandidimit për kryetar të Prizrenit, tregon pritshmëritë nga Qeveria Kurti II

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 prill 2021 Në ora: 08:26
Mytaher Haskuka

Pandemia Covid-19 u ka shkaktuar shumë probleme dhe sfida kryetarëve të komunave, duke ndikuar negativisht në pothuajse secilin sektor publik.  

Përveç pandemisë, kryetarët e komunave duhet të përgatiten edhe për zgjedhjet lokale të cilat priten të mbahen në fund të këtij vit, më saktësisht në muaji tetor. 

Në lidhje me ngjarjet e fundit në vend dhe sfidat në komunën e Prizrenit, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka. 

Fillimisht, Haskuka komentoi situatën politike në nivel qendror dhe formimin e institucioneve shtetërore. Ai tha se pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, vendi ka hyrë në një nivel tjetër të maturimit politik në formimin e institucioneve, duke shpresuar se qeveria e re do të punojë për ndryshime të mëdha, ashtu siç i duhet Kosovës në aspektin funksional, të drejtësisë dhe ekonomik. 

Tutje, ai tregoi edhe pritshmërit e tij si kryetar i Komunës ndaj Qeverisë Kurti II, duke kërkuar bashkëpunim për programe të ndryshme në zhvillimin ekonomik, duke marrë parasysh krizën ekonomike si pasojë të pandemisë. 

Ndërsa, sa i përket menaxhimit të situatës me pandeminë Covid-19, Haskuka u shpreh se komuna e tij është një prej komunave që ka menaxhuar më së miri situatën pandemike, që nga fillimi ka nisur me teste serologjike dhe më pas edhe me teste rapide. 

Në fund, Haskuka foli për sfidat dhe ndryshimet që kanë ndodhur në komunën e Prizrenit dhe për mundësinë e rikandidimit të tij, në zgjedhjet e ardhshme lokale. 

“Jam duke marrë shumë kërkesa nga qytetarët dhe OJQ-të e ndryshme, me të cilët kemi punuar që t’i përfundojmë projektet që i kemi filluar së bashku në Prizren. Andaj jam duke shqyrtuar këtë kërkesë dhe në bazë të këtyre kërkesave do të bëj rikandidimin”, deklaroi Haskuka. 

Intervista e plotë 

“Bota sot”: Z.Haskuka fillimisht na flisni për situatën politike në vend. Si e vlerësoni formimin e institucioneve shtetërore të vendit, zgjedhjes së kryeministrit dhe presidentes së vendit?  

Mytaher Haskuka: Në zgjedhjet e fundit, Kosova ka hyrë në stadin e maturimit politik në formimin e institucioneve shtetërore. Është shumë pozitive që për herë të parë votimi i qeverisë dhe presidentes u bë pa pazare për poste individuale për terminale apo gjëra të tilla, por duke u bazuar në vullnetin politik të 14 shkurtit, ku qytetarët patën votuar me një shumicë mbi 50% për qeverisjen Kurti dhe presidenten Osmani dhe në fund parlamenti e vulosi rezultatet e 14 shkurtit. 

Me këtë rast, unë shpresoj që qeveria e re do të punojë për ndryshime të mëdha, ashtu siç i duhet Kosovës në aspektin funksional, sidomos në aspektin e drejtësisë por edhe në zhvillimin ekonomik.  

“​​​​​​​Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga Qeveria e re e Kosovës? A besoni që do të keni përkrahje më të mëdha, për dallim nga qeveria e kaluar?  

Mytaher Haskuka: Si kryetari i Komunës së Prizrenit jam shumë i interesuar që qeveria e re të ketë më shumë përkrahje, t’i heq barrierat të cilat i kanë komunat, por në të njëjtën kohë së bashku të punojmë për programe të ndryshme në zhvillim ekonomik, duke marrë parasysh krizën ekonomike si pasojë të pandemisë.  

Në këtë aspekt, unë pres jo vetëm përkrahje nga ana e qeverisë, por edhe punë të përbashkët për identifikimin e prioriteteve zhvillimore dhe programeve e projekteve, të cilët do ta hapin rrugën e zhvillimit ekonomik. Është me rëndësi që të ceket se Komuna e Prizrenit ka qenë i bllokuar nga shumë agjencione, sidomos për Zonën Ekonomike, për impiantin e ujërave të zeza dhe për projekte të tjera, të cilët kanë qenë shumë me rëndësi për Komunën. Tani me qeverinë e re shpresojmë që kërkesat e komunës të mos jenë të bllokuara dhe të aprovohen, në mënyrë që t’i jetësojmë këto projekte të mëdha për zhvillimin ekonomik të komunës së Prizrenit. 

“​​​​​​​Bota sot”: Sa jeni të kënaqur me masat anti-Covid të cilat i ka miratuar Qeveria e Kosovës së fundi?  

Mytaher Haskuka: Situata në Kosovë, për nga aspekti i numrit të të prekurve nga Covid-19 nuk është e mirë, çdo ditë kemi më shumë se 10 viktima, prandaj është dashur të merren masa të tilla. Shpresoj që këto masa të implementohen sa më mirë, që të kemi sa më shpejtë ulje të numrit të të prekurve dhe pacientëve të shtrirë nëpër spitale.   

“​​​​​​​Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat po përballet komuna juaj?  

Mytaher Haskuka: Komuna e Prizrenit dhe gjithë Kosova, tanimë sfidën më të madhe e ka pandeminë dhe krizën ekonomike, e cila është shkaktuar si pasojë të pandemisë. Por më specifikisht, Komuna e Prizrenit ose funksionimi i qeverisjes lokale është i bllokuar nga ana e asamblesë komunale, e cila nuk i voton kërkesat e qeverisë lokale. Kështu ka qenë problemi edhe 3 vitet e kaluara, ku nuk është votuar buxheti dhe ne nuk kemi mundur t’i lëvizim vijat buxhetore ashtu që të kemi më shumë implementim të buxhetit. Në anën tjetër ne kemi 3.3 milionë të hyra vetanake që duhet të barten nga viti 2020 në vitin 2021, ashtu që të kryejmë shumë pagesa që na kanë mbetur, por fatkeqësisht kjo nuk po votohet nga ana e asamblesë komunale. Pra ne si një problem serioz mund të cekim mos funksionimin e Kuvendit Komunal, në lidhje me çështjet që preokupon qytetarët e Komunës së Prizrenit. Por ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën! 

Gjithashtu Komuna ka shumë lëndë në gjykata dhe shumë raste kur ka të drejtë dhe mund t’i fitojë rastet, mirëpo seancat gjyqësore nuk po mbahen. Për shembull kemi çështjen e lirimit të disa objekteve publike, ne kemi ndërprerë kontratat dhe dëshirojmë t’i lirojmë ato e t’i kthejmë në shfrytëzim të publikut. Seanca gjyqësore nuk po mbahet, në anën tjetër kur komuna duhet të paguajë ndonjë shumë për gjëra të ndryshme, seancat mbahen. Unë mendoj që këtu është një përpjekje për ta dëmtuar Komunën e Prizrenit.  

“​​​​​​​Bota sot”: Si është gjendja me Covid në Komunën e Prizrenit? 

Mytaher Haskuka: Komuna e Prizrenit është një prej komunave që ka menaxhuar më së miri situatën pandemike. Që nga fillimi kemi filluar me teste serologjike dhe më pas edhe me teste rapide, ku kemi bërë shumë teste për qytetarët të cilët kanë pasur dyshime apo janë referuar nga mjeku familjar për Covid-19.  

Sidomos me teste rapide, kemi pasur kohë ku brenda ditës kemi kryer rreth 900 teste dhe këto teste na kanë ndihmuar që rastet t’i identifikojmë më herët dhe t’i izolojmë sa më shpejtë, ashtu që ta ndalojmë infektimin. Në këtë aspekt, që nga fillimi ne si Komunë kemi qenë ose në zonën e verdhë ose të gjelbër, duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe numrin e infektuarve.  

Për kokë banori jemi një prej komunave që ka më së paku infektime, sidoqoftë kjo nuk na relakson, ne duhet të punojmë edhe më intensivisht për parandalimin e pandemisë derisa të vijnë vaksinat.  

Me këtë rast, dua tu uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që janë duke luftuar tani me këtë virus, gjithashtu dua të falënderoj të gjithë mjekët për punën e jashtëzakonshme që e kanë bërë gjatë këtij viti. Me të vërtetë roli profesionistëve shëndetësorë është shumë më i madh në shoqëri dhe mjekët janë shumë më të rëndësishëm se çfarëdo profesioni tjetër, andaj nuk mund të kompensojmë punën e tyre që kanë bërë gjatë këtij viti.  

“​​​​​​​Bota sot”: A e ka ndikuar pandemia Covid-19, në realizimin e planeve dhe projekteve tuaja qeverisëse?  

Mytaher Haskuka: Pandemia Covid-19, si në mbarë botën, ka ndikuar negativisht në planet dhe projektet tona. Sidomos vitin e kaluar, në një pjesë bukur të madhe të vitit janë ndaluar procedurat për shkak të pandemisë. Pastaj pas hapjes së sistemeve për rekrutim dhe proceset e prokurimit, shumë nga ato nuk kanë mundur të përfundojnë për shkak të procedurave dhe reduktimit të stafit. Fatkeqësisht ne kemi humbur disa anëtarë të stafit civil të administratës komunale dhe me këtë rast ne jemi munduar të funksionojmë në mënyrë normale, një pjesë e punëve janë stagnuar dhe nuk jemi të kënaqur me nivelin e realizimit të disa prej projekteve tona, që kanë ndodhur në vitin 2020. 

“​​​​​​​Bota sot”: Zgjedhjet lokale në Kosovë priten të mbahen në muajin tetor të këtij viti, a do të kandidoni përsëri për kryetar të Prizrenit nga VV?  

Mytaher Haskuka: Jam duke marrë shumë kërkesa nga qytetarët dhe OJQ-të e ndryshme me të cilët kemi punuar, që t’i përfundojmë projektet që i kemi filluar së bashku në Prizren. Andaj jam duke shqyrtuar këtë kërkesë dhe në bazë të këtyre kërkesave do të bëj rikandidimin. 

“​​​​​​​Bota sot”: Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur gjatë qeverisjes suaj? 

Mytaher Haskuka: Gjatë qeverisjes kemi pasur shumë sfida, sidomos lidhur me vendimet që duhet të kalojnë nga asambleja. Gjatë 3 viteve të fundit nuk ka kaluar rishikimi i buxhetit nga Kuvendi Komunal, gjë që ka ndikuar në rritjen e suficitit. Por kemi edhe sfida të tjera që janë paraqitur me agjencitë e ndryshme, që komunat duhet të bashkëpunojnë. Shembull me Agjencinë e Pyjeve në shumë raste kemi pasur probleme kur kemi dashur t’i implementojmë projektet e komunës, agjencia shumë më lehtë jep prona për individët privat sesa që lidh marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit për përdorimin e pronave për interes publik. Në shumicën e këtyre rasteve ne nuk kemi kërkuar këto prona as për ndërtime e as për diçka që do i cenonte pyjet, e në shumicën e rasteve këto prona kanë qenë prona që nuk kanë kurrfarë vlere pyjore. Projektet si të stadiumit, qendrës për trajtimin e qenve endacakë janë bllokuar nga kjo agjenci. 

Kemi institucione që në vend se të mbështesin komunën e bllokojnë punën e saj. Për shembull 36 kërkesa që kemi dërguar tek Agjencia e Privatizimit të Kosovës, për bartje të këtyre pronave për realizimin e projekteve dhe zhvillimin e komunës, fatkeqësisht asnjëra nga këto nuk është aprovuar. Shpresojmë që me qeverinë e re, këto probleme nuk do t’i kemi dhe do të mund t’i  implementojmë projekte tona. 

“​​​​​​​Bota sot”: Na tregoni për ndryshimet që keni realizuar si kryetar i Prizrenit, deri tani? 

Mytaher Haskuka: Ne kemi krijuar Qendrën për Shërbime të Integruara (One Stop Shop), e cila është vetmja jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan që i ofron të gjitha shërbimet e komunës në një vend, ku është bërë integrimi i 220 shërbimeve administrative në 56 sportele dhe 60 zyrtarë - të gjitha në një vend,  pra në katin e parë të Administratës Komunale. Ne kemi bërë analizën e të gjitha shërbimeve dhe proceseve që i ka bërë komuna, pra diku rreth 190 shërbime, nga ato 80 shërbime kemi reformuar dhe kemi bërë më të lehta. 

Kemi bërë ndërtimin e zyrave të gjendjes civile, si në Mushnikovë, Reçanë, Gjonaj dhe në Lubizhdë të qytetit, ndërkaq në vende të tjera kemi bërë edhe renovimin e tyre.   

Në aspektin e shëndetësisë kemi bërë një revolucion të vërtetë, ku Komuna e Prizrenit në shëndetësinë primare nuk është shembull për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin.  

Kjo vërehet nga fakti se numri i shërbimeve që i ofron shëndetësia primare është më shumë se 1 milionë në vit. Vetëm laboratori ka pasur rreth 48.000 pacientë, ku kanë bërë rreth 1.1 milionë teste për analiza laboratorike. Është bërë 7-fishimi i buxhetit për analiza, buxheti është rritur nga 40 mijë në 350 mijë. 

Ndërkaq me paraqitjen e Covid- 19, jemi Komuna e vetme që ofron pakon e shërbimeve për Covid, duke ofruar teste serologjike, testet e D-dimer-it, rentgenin e mushkërive, analizat tjera të nevojshme dhe testet rapide.  

Gjithashtu si shëndetësi primare po bëjmë edhe teste të ndryshme si ato: T3, T4, TSH, Tumor markerët, Vitamina D,  Vitamina B12, D-dimer, fraksionet e yndyrave si LDL dhe HDL, Heliobacter pylori, RF, CRP, HBCA1, calciumi, fosfori, magneziumi, Na, K, CL, ASTO; Strept testi, PAPA –Testi. 

Për herë të parë në Kosovë, në shëndetësinë primare ka filluar që të ofrohet kujdesi paliativ, pra përkujdesja për të sëmurët në fazën terminale të saj, si dhe kujdesi geriatrik, për të moshuarit pa përkujdesje. Përveç shërbimeve në shëndetësinë primare kemi ndërtuar 5 objekte dhe një është në ndërtimin të sipër, si dhe kemi bërë renovimin e 13 objekteve shëndetësore. 

Ndërkaq në arsim kemi ndërtuar 6 shkolla dhe 2 çerdhe, tani po presim funksionalizimin e këtyre 2 çerdheve si dhe kemi renovuar 9 shkolla, vazhdojnë punimet për ndërtim të 2 shkollave, 3 aneks objekteve dhe 2 çerdheve. Kemi krijuar hapësira të reja në 4 shkolla si kabinete dhe laboratorë. Në 13 shkolla është bërë renovimi i oborreve dhe poligoneve sportive, në 4 shkolla është bërë renovimi i kulmeve, në 9 shkolla është bërë ndërrimi i kaldajave dhe janë vendosur nxemje qendrore, si dhe në 14 shkolla janë vendosur nyje hidro sanitare. 

Gjithashtu gjatë pandemisë kemi krijuar Platformën digjitale për mësim në distancë – EduPrizren, e cila përfshinë 1461 video materiale, me ilustrime, animacione me shembuj shumëdimensional.  

Gjithashtu në krahasim me qeverisjet e kaluara, në të cilën komuna ka pasur vetëm dy pedagogë dhe asnjë psikolog shkollor, tanimë kemi më shumë se 27 profesionistë të shërbimeve psikologjike-pedagogjike përfshirë psikologë, pedagogë, asistente të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mësimdhënës mbështetës.  

Tanimë fëmijët marrin edhe shujtat e tyre, kifle dhe qumësht, ndërkaq për të gjitha shkollat kemi shpërndarë libra dhe lektyra, pajisje teknologjike, dollapë e shumë pajisje të tjera, të cilat nuk janë bërë në 20 vitet e fundit. 

Në mirëqenie sociale jemi komuna e cila ka ndihmuar më së shumti familje në gjendje të rëndë sociale, me ndërtimin dhe rregullimin e shtëpive dhe kulmeve, deri në fund të mandatit do të kemi mbi 600 përfitues familje nga skemat sociale. Deri më tani kemi bërë ndërtimi i 130 shtëpive të reja, nga projekti “Meremetim i shtëpive” në total kanë përfituar 82 familje dhe nga projekti “Meremetim i kulmeve” kanë përfituar 114 persona. 

Në aspektin e bujqësisë, pos subvencioneve, jemi komuna e cila ofron projekte të ndryshme për bujqit  që nuk i ofron asnjë komunë tjetër, prej ngritjes së serrave, stallave, ngritja e pemishteve arrore e të imëta, furnizimi i fermerëve me lopë qumështore, furnizimi me motokultivatorë dhe me mjete bujqësore si dhe shumë subvencione të tjera. Me këto, jo vetëm që e kemi rrit shumën e buxhetit por edhe kemi rrit numrin e projekteve. 

Ndërkaq nëse kaloj në turizëm përveç se kemi krijuar strategjinë për turizëm, kemi bërë ndryshim të tërësishëm ndaj qasjes në turizëm. Gjatë këtij mandati kemi punuar në pasurimin e ofertave turistike, të cilat i ka realizuar me OJQ- të ndryshme si:  shtegu “Downhill”, shtegu VIA FERRATA-si dhe ofertat tjera si Paraglajdingu dhe KAJAKU. Po ashtu janë krijuar destinacione të shumta të reja për turizëm si: Autokampi në afërsi të Marashit, vendi për piknik në Kabash/ Korishë, destinacioni Porudak – Jabllanicë, është bërë krijimi i 10 shtigjeve të ecjes dhe krijimi i hapësirave për ecje që arrijnë deri në Maqedonini veriore, krijimi i ambientit tek kroi në Gorozhup, krijimi i shtigjeve të ecjes dhe të çiklizmit në Pashaqeshme 2 dhe 3 në gjatësi prej 4 km. Në Nashec po investohet për krijimin e një destinacioni për piknik, si dhe për krijimin e fshatit turistik në Struzhë dhe të view point (pamje me dylbi) në afërsi të fshatit Jabllanicë. Në kuadër të turizmit kulturor janë bërë punime në funksionalizimin e muzeve: Muzeu Nënës Terezë, Muzeu Etnologjik Shtëpia e Shehzades, Muzeu Arkeologjik, si dhe Muzeu i Dëshmorëve të UÇK-së në Landovicë.  

Ndërkaq në kuadër të zhvillimit ekonomik jemi duke finalizuar Parkun e Biznesit, e cila do të jetë ndër parqet më të mëdha në Kosovë, por jemi në pritje të pronave të AKP-së, gjithashtu jemi duke finalizuar Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve dhe shumë projekte të tjera që duhet një kohë më të gjatë për të diskutuar për këto pika. 

Duhet të ceki se edhe në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në aspektin e subvencioneve në këtë mandat ne kemi rritur buxhetin për subvencionim të klubeve kulturore, sportive dhe rinore. Pra kemi rritur 4 fish nga ajo që ka qenë dhe do të vazhdojmë të mbështesim në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit, gjithashtu duke bërë edhe investime kapitale në këto fusha. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat