Alarmon gjenerali Qehaja: Qeveria Kurti do të përballet me sfida të paprecedenta, Serbia mund të ndërhyjë në veri

Intervista

Alarmon gjenerali Qehaja: Qeveria Kurti do të përballet me sfida të paprecedenta, Serbia mund të ndërhyjë në veri

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 19 prill 2021 Në ora: 19:06
Gjenerali Ramadan Qehaja

Gjenerali, njëherësh njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë në një intervistë për gazetën “Bota sot” se Kosova po kalon nëpër sfida të rënda, të cilat po e rrisin nivelin e pasigurisë në vend. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës punë maksimale dhe vigjilencë, pasi ai ka paralajmëruar se Albin Kurti do të përballet me sfida të paprecedenta të sigurisë.

Gjenerali Qehaja nuk e ka përjashtuar mundësinë që gjatë muajve të ardhshëm Serbia të bëjë ndonjë lëvizje të forcave në veri të Kosovës, duke tentuar destabilizimin e situatës.

Teksa ka alarmuar se pala serbe pritet të intensifikojë përpjekjet për çnjohjen e Kosovës, Qehaja ka thënë se Kosova duhet të pres një moment më të favorshëm për aplikim për anëtarësimin në INTERPOL.

Në këtë intervistë, eksperti i sigurisë ka treguar se si mund ta zbatojë Qeveria Kurti planin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Qehaja, si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë së përgjithshme në Kosovë?

Ramadan Qehaja: Vlerësoj se përderisa kemi një stabilizim të përgjithshëm të situatës së sigurisë në aspektin politik dhe atë klasik të sigurisë, jemi duke kaluar nëpër sfida të rënda, të cilat medoemos rritin nivelin e pasigurisë individuale e shoqërore. Këto sfida, kryesisht ndërlidhen me goditjen që kemi pësuar nga pandemia, numri i lartë i vdekjeve dhe pasojave strategjike shëndetësore për popullatën. Kur e gjithë kjo kombinohet me një përkeqësim të situatës ekonomike dhe rritjes edhe më të madhe të papunësisë, atëherë niveli i pasigurisë sa vjen e rritet. Vlerësoj se Qeveria Kurti do të përballet me sfida të paprecedenta të sigurisë, prandaj lypset punë maksimale dhe vigjilencë.

“Bota sot”: Me marrëveshjen e Washingtonit, Kosovës i ishte ndaluar aplikimi në organizata ndërkombëtare. A duhet të aplikojë këtë vit Kosova për anëtarësim në INTERPOL? A janë tani gjasat më të mira për anëtarësim?

Ramadan Qehaja: Kosova ka marr një obligim nga marrëveshja e Washingtonit që të përmbahet nga aplikimi në organizata ndërkombëtare për periudhën një-vjeçare. Skadimi i këtij moratoriumi do të ndodhë në shtator, kështu që me këtë hapet mundësia për aplikim në organizata ndërkombëtare, megjithëse edhe pala serbe pritet të intensifikojë përpjekjet për çnjohjen e Kosovës. Konsideroj se duke pasur parasysh konstalacionin ekzistues ndërkombëtar, çrregullimin e shkaktuar nga pandemia globale si dhe pozicionin e pafavorshëm të Kosovës, Kosova vështirë se do të kishte gjasa që të kalojë në INTERPOL. Rikujtoj se për anëtarësim në këtë organizatë kërkohen 2/3 gjë që është më e lehtë për Serbinë të arrijë 1/3 e kundërshtimeve se sa për ne ta arrijmë shumicën e kualifikuar. Për anëtarësim në këtë organizatë dhe në disa organizata tjera duhet pritur një momentum më të favorshëm.

“Bota sot”: Baza më e madhe e FSK-së pritet të ndërtohet në Kodrën e Cërrnushës në Mitrovicë, si e komentoni këtë vendim të Kuvendit komunal të Mitrovicës?

Ramadan Qehaja: Mendoj që ky investim duhet parë si një zhvillim normal i FSK-së konform mandatit të ri që është duke e marrë. Batalioni i Brigadës për Reagim të Shpejtë vazhdon të jetë në qendër të qytetit të Mitrovicës, gjë që është një lokacion i pafavorshëm për rrethanat e kohës. Identifikimi i lokacionit të ri, në bazë të parametrave ushtarak e gjeografik, është një vendim burokratik i rëndomtë i një vendi sovran dhe si i tillë nuk duhet parë me dyshim nga askush. FSK do të ndërtojë kapacitete defanzive dhe pozicioni i tillë i kazermës së re duhet para nga prizmi jo-ofanzivë, pra konform mandatit në zhvillim të FSK-së.

“Bota sot”: Si e komentoni veprimin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, me hartën e Kosovës, të mbuluar me flamurin serb? A është sinjal kërcënues dhe si duhet të veprojë Kosova?

Ramadan Qehaja: Serbia do të vijojë të provokojë Kosovën në forma të ndryshme. Madje, vlerësoj se provokimet nga Vuçiq dhe strukturat serbe do të intensifikohen. Nuk përjashtohet mundësia që Serbia mund të bëjë ndonjë lëvizje të forcave në veri të vendit, qoftë edhe në forma simbolike, duke krijuar rrethana të reja për realizimin e qëllimeve destruktive. Qeveria Kurti duhet të jetë tejet vigjilente në muajt e ardhshëm dhe për këtë lypset bashkë-rendimi me aleatët.

“Bota sot”: z. Qehaja, Qeveria Kurti është zotuar se do ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak (6 mujor). A ka kapacitete Kosova për ta implementuar këtë ligj?

Ramadan Qehaja: Sado që unë si ushtarak profesionist e shoh idenë e shërbimit ushtarak si një lëvizje pozitive dhe të domosdoshme, kjo ide megjithatë sfidohet nga faktorët ekonomik, kadrovik, por edhe politik. Konsideroj që duhet t’i jepet prioritet zbatimin të Planit Gjithëpërfshirës për Tranzicionin e FSK-së në forcë mbrojtëse bazuar në ushtri profesionale. Në ndërkohë, Qeveria mund të bëjë një plan ku do të fillohej me rekrutimin e rekrutëve vullnetar me konkurs, ku pjesa më e mirë e tyre do të sistemoheshin në komponentën rezervë (e që do ti ketë 3000 pjesëtarë), kurse një pjesë tjetër do të përfitonin nga përvoja në ushtri, duke synuar pozicionet profesionale në FSK apo edhe në tregun e gjithmbarshëm të punës në Kosovë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat