Rezistenca e parë kundër regjimit të Millosheviqit

Intervista

Rezistenca e parë kundër regjimit të Millosheviqit

Nga: Skënder Zogaj Më: 26 prill 2021 Në ora: 13:10
Kolonel Destan Thaçi

Ashtu si ishte paramenduar, pas vdekjes së Titos Jugosllavinë komuniste e përfshiu shkatërrimi sepse, gjashtë republikat dhe dy krahinat socialiste ishin kundër vazhdimit të tutorizmit serb ndaj popujve të tjerë. Këtë qëndrim e kishte edhe Kosova që Jugosllavisë iu kishte bashkangjitur me forcën e armës, prandaj në vitin 1981 u përfshi nga demonstratat masive me kërkesën për Kosovën Republik. Kjo e tmerron Serbinë dhe përball Kishës, ASHAS dhe Qeverinë e Serbisë, vendosin që shqiptarët t’i urtësojnë me të gjitha mjetet! Një nga to, e para ishte instrumentalizimi i serbeve të Kosovës, nga të cilët kërkohet të luajnë rolin e viktimës, duke akuzuar shqiptarë si terrorist që kinse dhunonin, vrisnin, plaçkitnin e digjnin , përdhunonin serbëve e gjallët, por edhe të vdekurit duke ua rrënuar varret. Fushata propagandistike kulmon me monstrumin seksual Martinoviq nga Gjilani, që vet lëndohet ndërsa akuzon shqiptarët dhe kjo ngjarje shokoi publikun gjë kjo që është konstatuar dhe nga institutet mjekësisë ligjore dhe jashtë Kosovës. Asgjë nuk po ndodhte rastësisht dhe kjo vërtetohet më 24 prill 1987 kur në Fushë Kosovë zbarkon Sllobodan Millosheviqi kryetar LKJ të Serbisë i cili serbët e Kosovës i garantoi – garancinë se askush nuk do të guxonte t’i shqetësojë! Kanë kaluar plot 34 vjet nga ajo paraqitje e Millosheviqit, pas së cilës fillon gjakderdhjes krua e qindra mija njerëzve të pafajshëm. Pjesëmarrës në tubimin serbë të Fushë Kosovës dhe dëshmitari më i informuar i ngjarjeve të dukshme dhe prapaskenave të saj është koloneli Destan Thaçi, kolonel në pension e atëherë Kryeshef i Drejtorisë së Policisë Rajonale të Prishtinës i ngarkuar zyrtarisht për ta udhëhequr operacionin gjatë tubimit në Fushë Kosovë.

Ndonëse Millosheviqin e kanë shoqëruar personalitetet më të larta politike të Kosovës, si Azem Vllasi, Kolë Shiroka etj. atëherë e sot kurrë publiku nuk është informuar saktë dhe drejtë për këtë ngjarje te kurdisur të rrëgjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, gjetëm rastin që, të bisedojmë me kolonelin Destan Thaçi dhe, nga kujtimet e tij të mësojmë të vërtetat e panjohura për ardhjen e Millosheviqit në Kosovë dhe pasojat e saj.

Pas 34 vitesh, si e kujtoni ardhjen e parë të Sllobodan Millosheviqit dhe tubimin e serbeve në Fushë Kosovë, ku ju ishit personi kyç për sigurimin e rendit e të qetësisë, dhe që u deshtë të përdorni forcën fizike kundër turmës së serbeve që prishën rendin?

Të jem i sinqertë, e kujtoj si një ëndërr të keqe, të paharruar, me të cilën jam përballur , ashtu siç nuk e kisha menduar, por që ndodhi dhe mbeti e përjetshme në kujtesën time, sepse, ishte një ngjarje tepër e rëndë, por që shënoi kthesën e madhe historike për popullin shqiptar sepse, aty fillon shtegu drejtë çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. I kam parasysh vuajtjet e jashtëzakonshme për shqiptarët e Kosovës, të cilave ua hapi derën Millosheviqi në tubimin me serbët në Fushë Kosovës më 24 prill 1987, por sakrificat ishin fatlume, sepse e sollën lirinë. Ndërsa Millosheviqi dhe serbët pikërisht në Fushë Kosovë e nisën hapjen e humnerës për vetveten e tyre. Atëherë isha fatkeq, por tash e kuptoj sa fatlum është dashur të jem, sepse pata fatin të isha kundërshtari i parë i drejtpërdrejtë dhe fizikisht të ndeshesha me bandën politike serbe që po synonte asgjësimin e shqiptarëve në tokën e vet. Si epror i lartë policor me përgjegjësi komanduese, zhvillova aksionin kundër turmës rebele dhe organizatorëve matrapazë serbë: Sholloviq, Bogdanoviq, Kecman, Bullatoviq, etj. E kreva detyrën time zyrtare plotësisht në pajtim me ligjin për mbrojtjen e rendit dhe të qetësisë publike por politika kaloi mbi ligjin me ndihmën e disa eprorëve tanë shqiptar të cilët e zhvlerësuan operacion duke e quajtur jo i arsyeshëm.

Cila ishte nisma e ngjarjes dhe masat që u ndërmorën për mirëvajtjen e tubimit të paralajmëruar të serbëve në Fushë Kosovë?

Tubimi u mbajtur me datën 24 prill 1987, me fillim në ora 18:00, në Shtëpinë e Kulturës, ku ishin ftuar të marrin pjesë anëtarët e Lidhjes Komuniste të dy bashkësive lokale (16 dhe 17) të Fushë Kosovës. Në këtë takim ishte e paralajmëruar pjesëmarrja e Sllobodan Millosheviqi dhe udhëheqësve të lartë serbë e Kosovarë, prandaj, SPB Komunale e Prishtinës është autorizuar që të ndërmerr masat e duhura të sigurisë sipas planit operacional nga Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme të Kosovës. Në bazë të kësaj në SPB Komunal të Prishtinës më 22.04.1987 është mbajtur takimi me stafin komandues, ku janë caktuar masat të cilat duhej të ndërmerren gjatë sigurimit të këtij tubimi, që është vlerësuar i rangut të veçantë për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe Kosovës, dhe sepse, sipas informatave paraprake interesimi i qytetarëve serbë nga gjithë Kosova ka qenë i madh për të marrë pjesë në këtë tubim, edhe pse tubimi ka qenë i caktuar vetëm për anëtarët e Lidhjes Komuniste te Fushe Kosovës. Eskalimi i situatës ka qenë i pritshëm. Prandaj, është përpiluar plani operativ, ku janë përcaktuar masat, detyrat dhe angazhimi i njësive policore për sigurimin e tubimit brenda dhe jashtë sallës, për të evituar çdo të papritur që mund të vinte nga qytetarët e paftuar.

Përgatitjet e tjera dhe konkretisht cili ishte angazhimi juaj?

Përgatitjet janë zhvilluar plotësisht brenda kompetencës ligjore. Edhe në paraditen e tubimit, stafi komandues ka definuar saktë dhe ka sqaruar masat e parapara, duke theksuar vërejtjet plotësuese sepse, kishim paralajmërime se do të kishte pjesëmarrje tepër të madhe të qytetarëve serbë në sheshin para Shtëpisë së Kulturës. Edhe më e rëndësishme ishte informata se, ishin dyfishuar ftesat dhe se, do të kishte tentime të dhunshme për hyrje në sallën e takimit për ta ndjekur fjalimin e Millosheviqit. Që kjo të evitohej për masën ishin vendosur pajisjet e zërimit, altoparlantët, që turma të mund të ndiqte direkt fjalimin e Millosheviqit. Policia duhej të siguronte trafikun dhe të përkujdesej për çdo lloj keq veprimi. Për këtë qëllim ishin angazhuar inspektorë civilë brenda sallës, kurse rendin dhe sigurinë jashtë do ta mbanin policët e me uniforma, nga të gjitha stacionet e SPB-s Komunale të Prishtinës.

Politika kishte shtrirë dorën edhe në organet e shërbimit tonë. Në momentin e fundit zëvendësi im Zhika Cvetkoviq i caktuar udhëheqës i Sigurimit të tubimit në Fushë Kosove, shkoi në pushim mjekësor një ditë, dhe u mor vesh se, ishte i njoftuar se do të kishte reagime dhune nga qytetarët serbë, e kjo nënkuptonte edhe përdorim të forcës policore, prandaj Cfetkoviq kishte ikur që të mos ndodhej aty ku do të intervenonte policia e rendit.

Domethënë se komuniteti serb ishte mirë i informuar dhe në prapaskenë i kishte planifikuar të gjitha veprimet që duhej të realizoheshin në tubimin e Fushë Kosovë?

Po ishte mirë i informuar komuniteti prandaj dhe operacion e planifikuar e udhëhoqa unë Destan Thaçi dhe zëvendësi im Bajram Gorani i cili ka udhëhequr inspektoret ne rroba civile. Punën e filluam me udhëheqësin në vendin e ngjarjes Komandantin e stacionit të policisë në Fushë Kosovë, Janjiq Zoranin, i cili me një grup të policëve u vendos në hyrje të derës së Sallës ku mbahej tubimi dhe policët e tjerë neper vendet e caktuara sipas planit, përmes kordonit policor që masa qytetarët e paftuar të mbaheshin 20 metra larg Shtëpisë se Kulturës. Operacioni është udhëhequr nga shtabi komunal i SPB – Prishtinë ku isha dhe unë, që ka qene ne lidhje të drejtpërdrejt me shtabin e Sekretariatit Krahinor dhe sipas planit me komandantet e njësive të angazhuara në operacion. Përkundër presioneve anësore të masës së tubuar, situata ishte nën kontroll të plotë, deri në momentin e fillimit të tubimit në sallë.

Dhe çfarë ndodhi më pastaj?

Në ora 18:00 para Shtëpisë se Kulturës arrin kolona e Sllobodan Millosheviqit, të cilin e pret dhe e përshëndet turma serbeve jashtë dhe brenda sallës komunistët e ftuar për mbledhje. Mbledhja ka filluar në orën 18:15 në një atmosferë të acaruar nga thirrjet nacionaliste dhe fyerjeve kundër shqiptarëve, brenda dhe jashtë sallës: “ubice”, “llapovi” (vrasës, hajna). Nuk vonon dhe dy organizatorët kryesorë të tubimit, Sholloviq Mirosllav dhe Kecman Bogdani, kanë dal nga salla dhe kane ftuar masën për të hyrë brenda.

Masa e ka thyer kordonin dhe i ka shty policët i ka mbështetur për muri te dera, duke tentuar që të hynte brenda. Kjo nuk guxonte të n ndodhte dhe personalisht kam shkuar ne Fushe Kosove nga shtabi, e kam takuar Rrahman Sylejmanin, zv/komandant i Stacionit ne Fushe Kosove, i cili më ka njoftuar shkurtimisht me situatën. Kam marre grupin e policeve të gatishmërisë dhe me Rrahman Sylejmanin udhëheqës i tyre, kam shkuar ne vendin e ngjarjes. Pasi vërtetova se policet ishin mbështetur për muri, kordoni ishte thyer dhe po pengohej nga masa e qytetareve që me dhunë donte të hynte në sallë; e njoftova Shtabin Qendror për situatën, por për habinë time, askush nuk më ka dhënë përgjigje për veprimet e mëtutjeshme, si të zbatohet plani operacional i përgatitur dhe aprovuar. Nga situata e krijuar në vendin e ngjarjes kam ndërmarr masa të duhura sipas planit duke përdorur forcën proporcionale nga ana e policëve ku dhe janë krijuar kushtet për fillimin e takimit në sallë sipas agjendës së paraparë.

Sa po kuptoj, u ndodhët para një situatë të vështirë sepse qendra komanduese ju la vetëm, nuk kishte urdhra të prera?

Absolutisht u ndodha para një situate jashtëzakonisht të rëndë, në kuptimin e përgjegjësisë institucionale, që e ka duhet të funksionojë sipas hierarkisë zyrtare. Edhe pse kjo nuk funksionoi dhe, koha nuk priste, vendosa të veproj sipas përgjegjësisë ligjore dhe profesionale të pozitës sime zyrtare. Plani duhej realizuar prandaj e mora komandën dhe: urdhërova policët e gatishmërisë që të intervenojnë nga pika e fundit dhe ta kthejnë masën në gjendjen e mëparshme. 20 metra larg objektit sipas planit operacional.

Po, pas vërejtjeve të duhura dhe mosbindjes së turmës, intervenimi i grupit që ishte me mua u përcoll edhe nga eprorët e tjerë të angazhuar, dhe u vu në përdorim forca fizike me shufra gome dhe, brenda 10 minutave turma është kthyer në vendin e duhur të qëndrimit. Intervenimi ishte mjaft i vështirë sepse ka pasur gjuajtje me gurë, tulla dhe mjete te forta...Janë lënduar 17 policë, ndër ta edhe unë.

Në ndërkohë Sholloviqi në sallë i ka thënë Millosheviqit: Policia po na rrah! (Policija nas bije) dhe Millosheviqi ka dalë në ballkonin e Shtëpisë së Kulturës dhe iu ka drejtuar turmës serbe: Askush nuk guxon me ju rrah! Nuk do t’ju mungojë as qimja e flokut nga koka! Do të shohim se kush ka urdhëruar. Mbajeni ju vet rendin!... (Niko nesme da vas bije! Nece dlaka sa glave da vam fali! Videcemo ko je naredio. Odrzajte sami red!) Dhe është rikthyer në sallë. Tubimi ka vazhduar deri në orët e vona të natës.

Kundërvënia juaj në fakt shënon rezistencën e parë kundër regjimit serb që po pretendonte t’i ripushtonte shqiptarët dhe Kosovën?

Kur jam kthyer, jam lajmëruar në Shtabin Qendror ku ishin eproret, Jusuf Karakushi me stafin e tij, të cilët më kanë thënë se kisha vepruar sipas ligjit dhe sipas planit. E kemi caktuar një ekip i cili i ka vizituar ambulancat për te vërtetuar se sa qytetare kane qene te lënduar.

Të nesërmen, pra më 25 prill 1987, SPB-ja komunale ka përpiluar raporti lidhur me përdorimin e forcës fizike dhe zbatimin e planit që iu ka dërguar Sekretariatit Krahinor, që në fillim e ka vlerësuar si veprim plotësisht të bazuar në ligj dhe me veprime të arsyeshme.

Mirëpo, pas disa ditësh, SFPB (Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme) ka krijuar një komision federativ në të cilin ishin caktuar dhe epror shqiptar Jusuf Karakushi – nënsekretar i SKPB të Kosovës dhe Sadri Godanci. Me formimin e këtij komisioni të ri, ndryshuan edhe qëndrimet sepse me urdhëresë të Sekretariatit Krahinor, raportit të parë ku ishte arsyetuar plotësisht përdorimi i forcës fizike dhe qe vlerësuar se kishte qenë plotësisht i rregullte, i cili është dal edhe në media publike si i arsyeshëm edhe në baza ligjore dhe niset rivlerësimi në bazë individuale për verifikimin se kush ka dhënë urdhër? Kjo nënkuptonte ndryshimin e plote të qëndrimit, që jo vetëm se pranohet, por për fatin e keq, bëhen edhe veprime falsifikuese, sepse, anëtarët e Komisionit federativ Sadri Godanci dhe Jusuf Karakushi urdhërojnë Gjergj Berishën që të eliminonte faqen e gjashtë të raportit të parë (27 prill 1987), në të cilën qëndronte arsyetimi i përdorimin plotësisht të drejtë të forcës fizike nga ana e njësive policore, dhe në vend të saj është vendosur shtojca në të cilën kërkohej të vërtetohej kush ka urdhërua përdorimin e forcës.

Pra, ju që në fillim u lavdëruat për punën e mirë, më vonë u shpallët fajtor dhe u dënuat?!

Po sepse vlerësimit ligjor ra në ujë dhe u hap proces i ri hetues për t’ia qua fjalën në vend Sllobodan Millosheviqit i cili serbëve të tubuar në sheshin e Fushë Kosovës u pat premtuar se do ta gjente atë që ka urdhëruar t’i rrihte. Pra, ishte kjo kërkesa e porositur nga Beogradi, që nga eprorët kosovarë qe pranuar pa asnjë kundërshtim, për të shpëtuar veten, por në dëm të të tjerëve. Prandaj u shkarkova i pari unë, Destan Thaçi nga posti i Kryeshefit të Policisë Rajonale të Prishtinës dhe u suspendova nga puna, së bashku me 14 policë shqiptarë e serbë. Ndërsa eprorët e tjerë policorë: Rrahman Sulejmanit, Llakushiq Radomanit dhe Janjiq Zoranit ua ndërruan vetëm vendin e punës. Në vendin tim u caktua Ramush Isaku nga shtabi qendror, si person i preferuar nga Komisioni i SPB Federativ, i cili qëndroi në këtë detyrë në fund edhe pas suspendimit të gjithë policëve shqiptarë të Kosovës.

Pra, viktima e parë e sistemit të Milloshgeviqit u bëra unë, sepse politika kaloi mbi ligjin që unë e kisha respektuar plotësisht, meqenëse përdorimin e forcës fizike e kisha bërë në bazë të nenit 65/1 Ligji i Punëve të Brendshme SUP – Kosovës, fleta zyrtare 19/84 lidhur me nenin 100, pika 123 lidhur me Rregulloren e Kryerjes së Detyrave të Sigurimit Publik. Ishte ky një veprim që kushtoi shumë, sepse, ua hapi derën diferencimeve në gjithë Kosovën, në të gjitha institucionet dhe organizatat publike dhe largimit masiv të shqiptarëve nga puna. Mbetën vetëm “shqiptarët e ndershëm” ata që pranuan masat e dhunshme nga Beogradi.

Pas shkarkimit ka filluar fushata e presionit ndaj policëve të cilët kanë qenë të angazhuar, duke kërkuar prej tyre që të deklarojnë se përdorimin e forcës fizike “ka urdhëruar Destan Thaçi”. Këtë e bënë që ta realizonin kërkesën e Millosheviqit, dhe për ta vrarë ndërgjegjen e tyre, sepse, po vepronin në mënyrën të pandershme madje thellësisht jonjerëzore.

Nuk është fjala vetëm për mua dhe kolegeve të mi eprorë, por ky rast u shfrytëzua edhe kundër policëve të tjerë dhe 14 prej tyre, shqiptarë e serbë, u ndodhën në procedurë disiplinore për kinse se kanë tejkaluar autorizimet e përdorimit të forcës fizike.

Pas suspendimit për tubimin në Fushë Kosovë, çfarë ndodhi me ju dhe policët e tjerë? Cili ishte efekti i dënimeve?

Pas suspendimit jam caktuar në pozitë - inspektor në hetime regjionale ku punova në kushte mjaft të vështira derisa erdhën vendimet e sekretariatit të Serbisë, dhe ata që kush nuk iu nënshtruan u dëbuan nga puna, ndërsa ata që i pranuan masat e dhunshme e vazhduan punën deri në fillimin e luftës. Mirëpo, edhe ne që u larguam nga puna nuk qëndruam duar kryq, por të organizuar vepruam në emër të sindikatës së policisë dhe pastaj themeluam Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila u formua dhe veproi në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës në egzil, dhe pas zgjedhjeve të vitit 1992 u strukturua në tërë Kosovën.

Aktiviteti ynë ishte vëzhguar në çdo lëvizje nga sigurimi serb dhe këtë e ka vërtetuar vet Millosheviqi, i cili përmes mediave deklaroi: Duhet të mbyllet SPB-ja e Rugovës (Treba da se zatvori Rugovin SUP)! Pas këtij momenti, me datën 20.11.1994. filluan arrestimet dhe u burgosëm 168 ish policë dhe eprorë të lartë në tërë Kosovën, që u dënuan me burg nga një e më shumë vjet. Prej tyre 15 eprorë të lartë u dënuam mbi pesë vite burg, 9 vazhduan dënimin nga paraburgimi ndërsa 6 u dënuan në mungesë, sepse ishin jashtë Kosovës.

Si ndjeheni sot, 34 vjet pas rastit të Fushë Kosovës, duke pasur parasysh vuajtjet e mëdha tuajat dhe të gjithë shqiptarëve?

Unë e arsyetoj plotësisht gjithë veprimtarinë dhe nuk pendohem aspak për kundër përjetimeve të rënda, torturave dhe burgosjes, sepse jo vetëm unë kolektivisht shqiptarët e Kosovës ishin shumë të rrezikuar dhe kanë përjetuar vuajtje të mëdha por nuk janë dorëzuar duke dhënë gjithçka për lirinë e vendit. Kjo rezistencë është madhështore dhe ndjehem shumë krenar, për aq sa kam pasur rastin të jap kontributin tim për lindjen e shtetit tonë – Republikën e lirë dhe të pavarur të Kosovës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat