28 Nëntori 1912, një ideal i papërfunduar: Paskal Milo flet për sfidat e kombit shqiptar dhe bashkimin përmes integrimit në BE

Intervistë

28 Nëntori 1912, një ideal i papërfunduar: Paskal Milo flet për sfidat e kombit shqiptar dhe bashkimin përmes integrimit në BE

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 nëntor 2026 Në ora: 07:57
Paskal Milo

Më shumë se një shekull pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij në Vlorë, më 28 nëntor 1912, shënoi themelimin e shtetit shqiptar dhe një kthesë historike për kombin. Megjithatë, copëtimi i territoreve shqiptare dhe ndarja e shqiptarëve në disa shtete bënë që ideali i bashkimit kombëtar të mbetej i papërmbushur.

Më shumë se një shekull më vonë, shqiptarët përballen me sfida të reja politike, diplomatike dhe shoqërore. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar shtetësinë e tyre, por mbetet e rëndësishme forcimi i bashkëpunimit mes tyre, mbrojtja e interesave kombëtare dhe ruajtja e identitetit shqiptar në një kohë kur emigrimi dhe zhvillimet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në të ardhmen e kombit.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, historiani, diplomati dhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, analizon rëndësinë historike të 28 Nëntorit, pasojat e copëtimit të trojeve shqiptare dhe sfidat që vazhdojnë të shoqërojnë çështjen kombëtare. Ai vlerëson se pavarësia e Kosovës përbën aktin e dytë të madh të pavarësimit të shqiptarëve, por thekson se procesi i ndërtimit të shtetit kombëtar mbeti i paplotë.

Milo flet edhe për rolin e Shqipërisë në mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës, nevojën për një strategji më të qartë bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës, raportet me Serbinë dhe përkrahjen e shqiptarëve në rajon. Ai shpreh bindjen se në rrethanat e sotme bashkimi kombëtar nuk mund të konceptohet sipas formulave klasike të së kaluarës, por përmes integrimit ekonomik, kulturor dhe politik të shqiptarëve në Bashkimin Evropian.

Në fund, ai përcjell një mesazh për brezat e rinj, duke e cilësuar flamurin kuqezi si simbol të identitetit kombëtar, që bashkon historinë, sakrificat dhe aspiratat për të ardhmen e shqiptarëve.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare. Sa është përmbushur sot ideali i atyre që themeluan shtetin shqiptar dhe cilat mbeten ende aspirata të parealizuara të kombit shqiptar?

Paskal Milo: Themeluesit e shtetit kombëtar shqiptar, më 28 nëntor 1912, me vendimin e tyre në sarajet e Vlorajve, kryen aktin e parë, kryesor dhe simbolik të pavarësisë së shqiptarëve. Ata vendosën gurin e parë në themelet e shtetndërtimit të pavarur shqiptar. Vepra e tyre ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse çliruan gjysmën e kombit shqiptar nga sundimi i huaj dhe i hapën rrugën progresit e zhvillimit kombëtar.

Pavarësia kombëtare e shqiptarëve nuk ishte një akt i vetëm, siç mund të ketë ndodhur në rastet e shumë kombeve të tjera. Ajo ishte një proces gjatë të cilit rreth gjysma e kombit vazhdoi të luftonte për mbijetesë e mëvetësi kombëtare. Në vitin 1999, de facto, dhe në vitin 2008, de jure, Kosova u çlirua nga sundimi dhe hegjemonia serbe dhe, në këtë mënyrë, u realizua akti i dytë i madh i pavarësimit të gjysmës tjetër të shqiptarëve.

Çdo komb, që në lindjen e tij, kërkon të krijojë shtetin e vet kombëtar, ku të bashkohen të gjitha territoret e banuara prej tij, ku flitet gjuha e përbashkët dhe ku ruhen e kultivohen zakonet dhe normat e përbashkëta. Shqiptarët, për fat të keq, nuk e arritën këtë synim madhor dhe procesi i ndërtimit të shtetit kombëtar mbeti i paplotë.

“Bota sot”: Pavarësia e Shqipërisë u shpall në një periudhë kur Kosova dhe shumë territore të tjera shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri. A mund të thuhet se padrejtësitë historike të vitit 1913 vazhdojnë të ndikojnë në pozitën politike të shqiptarëve në Ballkan?

Paskal Milo: Po, kjo është e vërtetë. Copëtimi i territoreve kompakte shqiptare në vitin 1913 dhe mungesa e një shteti të bashkuar mbarëshqiptar e vështirësuan procesin e zhvillimit kombëtar, jo vetëm në pikëpamjen ekonomike, sociale e kulturore, por edhe në sendërtimin e një njësie të vetme politike në Ballkan.

Një shtet i bashkuar mbarëshqiptar që në vitin 1913 do të kishte pasur tjetër peshë dhe rol në rajon e më gjerë. Ai do të kishte krijuar mundësi më të mëdha zhvillimi dhe do të përfaqësonte e mbronte më mirë interesat kombëtare.

Sot, në koniukturën globale, me fenomene e risi të reja, kombet e vogla përballen me rreziqe të panjohura deri dje, deri në atë të shpopullimit e të asimilimit. Një komb dhe shtet i bashkuar shqiptar në Ballkan do të kishte një rol tjetër gjeopolitik, më të madh dhe një zë më të fortë.

“Bota sot”: Sa ka arritur Shqipëria, gjatë më shumë se një shekulli shtetësi, të luajë rolin e saj si faktor politik dhe diplomatik në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare në rajon?

Paskal Milo: Shqipëria, përgjatë 114 viteve të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, është përpjekur gjatë gjithë kohës, nën regjimet që ka pasur, të mbrojë interesat kombëtare shqiptare të shekullit XX.

Aktualisht, si veprimtar politik e diplomatik i çerekut të parë të shekullit XXI, mund të pohoj se, në raport me rrethanat e mundësitë, por edhe në kushtet e ndërhyrjeve të huaja, të aleancave politike, ideologjike apo të izolimit, Shqipëria, në mënyrë modeste, i ka mbrojtur interesat kombëtare.

Nuk duhet harruar se gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së saj si shtet i pavarur, Shqipëria ka qenë e kërcënuar dhe e rrezikuar për t'u copëtuar nga fqinjët, por edhe për t'u pushtuar e nënshtruar nga Fuqitë e Mëdha. Dhe, me përjashtim të Luftës së Dytë Botërore, nëse kjo nuk ndodhi, merita u takon edhe qeverive shqiptare, vetë popullit shqiptar, por edhe koniukturave ndërkombëtare dhe aleancave.

Në periudhën e demokracisë, roli i Shqipërisë në mbrojtje të interesave kombëtare në rajon mori dimensione të reja, cilësore. Ajo shpalosi hapur mbrojtjen e interesave kombëtare dhe ndërtoi aleanca të suksesshme që çuan në çlirimin e Kosovës e pavarësinë e saj, si dhe në përmirësimin e gjendjes juridike e kushtetuese të shqiptarëve në rajon.

Shqipëria është sot një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe si kandidat për t'u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

“Bota sot”: Kosova sot është shtet i pavarur, por vazhdon të përballet me sfida të mëdha ndërkombëtare, veçanërisht në raport me Serbinë. A mendoni se Shqipëria po e shfrytëzon sa duhet potencialin e saj diplomatik për ta mbështetur Kosovën në arenën ndërkombëtare?

Paskal Milo: Shqipëria gjithnjë e ka mbështetur Kosovën në arenën ndërkombëtare. Të gjitha qeveritë shqiptare, të djathta e të majta, e kanë përkrahur atë në luftën për çlirim e pavarësi, për të përballuar sfidat e njohjes ndërkombëtare e të integrimit të saj në institucionet ndërkombëtare.

Kjo është çështje parimore e strategjike për çdo qeveri shqiptare. Por duhet të njohim edhe dallimet që kanë qenë e mbeten në taktikat që kanë përdorur e përdorin qeveritë shqiptare, në programet e qëndrimet e tyre ndaj Kosovës, angazhimin e tyre, përparësinë që i japin në politikën e jashtme dhe sidomos qasjen që kanë drejtuesit e shtetit e të qeverisë ndaj saj.

Mendimi im është që Shqipëria duhet ta mbështesë më shumë dhe më mirë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Në historinë e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri ka pasur momente të rëndësishme bashkëpunimi, por edhe raste kur mungesa e koordinimit politik është vënë në pah. A kemi sot një strategji të përbashkët kombëtare apo marrëdhëniet mes dy shteteve mbeten kryesisht në nivel deklarativ?

Paskal Milo: Jam plotësisht dakord me ju se në marrëdhëniet mes dy vendeve tona ka pasur momente shumë të rëndësishme bashkëpunimi, por edhe raste kur mbi to ka rënë hija e mosbesimit, pse jo edhe e rivalitetit e mërisë.

Nuk ka sot një strategji të përbashkët kombëtare mes dy vendeve në formën e një dokumenti klasik, të nënshkruar dhe të miratuar nga të dy Kuvendet respektive. Ka një Partneritet Strategjik, i mbështetur në takimet periodike mes dy qeverive (G2G), si dhe rreth 200 marrëveshje që mbulojnë të gjitha fushat e bashkëpunimit, përfshirë edhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit Strategjik në Fushën e Politikës së Jashtme.

Ekzistenca e një numri të madh marrëveshjesh, nëse ato janë funksionale dhe mbulojnë të gjitha fushat, mund t'i jepte bashkëpunimit një karakter strategjik. Por, për të krijuar bindje, duhet një shqyrtim analitik i të gjitha marrëveshjeve dhe i zbatimit të tyre, për të parë efikasitetin.

Strategjia e përbashkët kombëtare kërkon nënshkrimin e një traktati mes dy vendeve, i cili do të ratifikohej nga të dy Kuvendet. Por një dokument i tillë i bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë e Kosovës është shmangur për shkak të ndjeshmërive që do të krijoheshin në rajon, por edhe më gjerë.

“Bota sot”: Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës dhe të mbajë pretendime politike ndaj saj. Si duhet të veprojë diplomacia shqiptare përballë politikës së Beogradit dhe ndikimit të tij në rajon?

Paskal Milo: Rituali nacionalist “kushtetues” për Kosovën në Beograd është një këngë e vjetër që nuk e besojnë as ata vetë që e këndojnë, si ata që ikën nga pushteti, ashtu edhe ata që sapo kanë ardhur. Mund të vazhdojë edhe njëqind vite të tjera.

Është ushqimi bajat i politikës serbe, që e hedh në tregun nacionalist publik për t'u marrë votat atyre njerëzve që akrepat e orës u kanë mbetur në shekullin XIV. Është një lloj gracke që Serbia e mban të ngritur për ata që ende përkëdhelen me mitet folklorike mesjetare.

Diplomacia shqiptare duhet ta injorojë këtë politikë të vjetër e të mykur serbe. Kosovës nuk i vjen e keqja prej saj. Kosova sfidën, në radhë të parë, e ka me vetveten dhe brenda vetes. Serbia është dhe do të jetë aty, përbri e përballë Kosovës. Ndaj saj nuk duhet humbur vëmendja, por nuk duhet as të jetohet me sindromin serb.

Diplomacia është instrument për të ndërtuar ura e për të hapur rrugë të reja për të ardhmen. Ajo, si busull, duhet të ketë rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

“Bota sot”: Në një kohë kur shqiptarët jetojnë në disa shtete të Ballkanit, sa e rëndësishme është që Tirana dhe Prishtina të kenë një platformë të përbashkët për çështjet që prekin shqiptarët në Kosovën Lindore, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi?

Paskal Milo: Kujdesi për shqiptarët që jetojnë në vendet fqinje është një detyrim kushtetues si për Tiranën, ashtu edhe për Prishtinën.

Brenda normave të njohura të së drejtës ndërkombëtare dhe të politikës së fqinjësisë së mirë, të transparencës e të mirëbesimit, duhen ndërtuar bashkëpunime që i ndihmojnë komunitetet shqiptare në këto vende të zhvillohen më tej përmes programeve ekonomike, kulturore dhe, nëse është e mundur, edhe financiare.

Ato duhen përkrahur si identitete etnike shqiptare, me përfaqësim aktiv të gjithanshëm në vendet ku ndodhen, në mbrojtje të interesave të tyre kombëtare, dhe nuk duhen lënë si enklava muzeale etnike.

“Bota sot”: A mendoni se ideja e bashkimit kombëtar është shndërruar sot në një projekt konkret të integrimit ekonomik, kulturor dhe politik, apo vazhdon të përdoret më shumë si slogan në diskursin politik?

Paskal Milo: Mendoj se përdoret më tepër në kuptimin e dytë. Vazhdimisht kam mbështetur pikëpamjen se nuk do të ketë një bashkim kombëtar në formulën klasike të së shkuarës. Është e pamundur, kohët dhe rrethanat kanë ndryshuar dhe një rend tjetër ndërkombëtar është duke u ndërtuar.

Nëse vazhdon ky trend i dëmshëm i largimit të brezit të ri nga Shqipëria e Kosova drejt Evropës e përtej saj, rreziku është asimilimi kombëtar dhe jo bashkimi kombëtar.

Aktualisht, formula më e besueshme dhe më kredibile e një bashkimi kombëtar është ajo e integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Por edhe kjo, nëse BE-ja do t'u mbijetojë dilemave që ka lidhur me të ardhmen e tij, e cila do të përcaktohet nga zhvillimet e brendshme dhe nga përpjekjet për të mbetur një aktor i rëndësishëm.

“Bota sot”: Duke qenë se keni shërbyer edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, si e vlerësoni diplomacinë shqiptare sot? A ka Shqipëria një politikë të jashtme të qartë dhe të qëndrueshme për çështjen shqiptare në Ballkan?

Paskal Milo: Një pyetje e vështirë, të cilës unë nuk do t'i përgjigjem për shkak të konfliktit të interesit!

“Bota sot”: Në këtë 28 Nëntor, çfarë mesazhi do t'u përcillnit shqiptarëve, veçanërisht brezave të rinj, për domethënien e flamurit, historisë dhe përgjegjësisë për të ardhmen kombëtare?

Paskal Milo: Kanë kaluar shumë nëntorë dhe do të kalojnë pafundësisht edhe të tjerë. Por vështirë që të ketë nëntor më të ndritur se ai i vitit 1912.

Flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenore, që plaku i paharruar Ismail Qemali, së bashku me burrat më përfaqësues të kombit, ngriti në Vlorë, është simboli i identitetit kombëtar, prijës dhe dëshmitar i shumë betejave të tjera të mëdha përgjatë historisë mbi një shekullore: i luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, i përpjekjeve mbarëshqiptare për liri, dinjitet e prosperitet.

Asnjë flamur tjetër, çfarëdo ngjyre qoftë, dhe asnjë bashkësi tjetër shtetërore nuk mund ta zëvendësojë atë legjendë kuqezi, e cila brenda saj bashkon të shkuarën dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat