Reformat e deritashme në LDK lënë për të dëshiruar

Intervista

Reformat e deritashme në LDK lënë për të dëshiruar

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 maj 2021 Në ora: 16:31
LDK; foto ilustrim

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Saim Tahiraj, ka bërë me dije se rezultati i dobët i këtij subjekti politik në zgjedhjet e fundit është si pasojë e gabimeve që lidershipi i LDK-së ka bërë në vazhdimësi. Ai ka vlerësuar faktori vendimtar në rënien e LDK-së ishte shkëputja nga baza e saj.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se Kryesia e re LDK-së duhet të punojë shumë në teren me anëtarësinë e cila i mbeti besnike partisë në momentet më të vështira.

Tahiraj të gabueshme e mendon anashkalimin që i është bërë veprimtarëve dhe kuadrove profesionale që mbi 30 vite kanë kontribuuar në LDK dhe futjen në Kryesi të personave që dje u anëtarësuan në këtë subjekt politik.

Image
Saim Tahiraj

Kurse, rolin e LDK-së në opozitë, Tahiraj e konsideron si shumë të dobët. Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës mendon se kjo parti duhet të jetë kujdestare e zgjuar në çdo kohë dhe moment, dhe t’i shënojë skandale, gabimet dhe vendimet arbitrare.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e fundit, përjetoi rezultatin më të dobët të saj prej se është themeluar. Keni arritur të kuptoni, ku gaboi kjo parti?

Saim Tahiraj: Rezultati tejet i dobët i LDK-së në zgjedhjet e fundit, është si pasojë e gabimeve që në vazhdimësi i bëri lidershipi i saj. Kujtojmë fillimin e tyre që nga kuvendi i karrigeve ku LDK u nda në dyshë, për shkakun e gabimeve të dy figurave kryesore të LDK-së, Nexhat Dacit dhe Fatmir Sejdiut. Natyrisht se këtu ndikuan edhe faktorë të tjerë, por, mos menaxhimi i duhur i problemeve ekzistuese shkaktoj edhe ndarjen e cila la pasoja të pariparueshme në vazhdimësi. Si faktor tjetër shumë i rëndësishëm që shkaktoi revoltë të anëtarësia e LDK-së, e cila u shndërrua në dënim me votë, ishin koalicionet e panatyrshme me parti të caktuara. Këtu do veçoja koalicioni me PDK-në, parti ndaj të cilës anëtarësia e LDK-së kishte një urrejtje të jashtëzakonshme për shkak të vrasjeve politike që ndodhën ndaj figurave të rëndësishme të LDK-së. Ajo akuzonte lidershipin e PDK-së dhe pjellën e saj SHIK-un si urdhërdhënëse dhe organizatorë të këtyre vrasjeve. Në fakt gishtin akuzues ndaj tyre e drejtonte edhe lidershipi i LDK-së, por vetëm në fushata elektorale dhe pastaj harronte duke bërë koalicione pa pyetur për revoltën e anëtarësisë së saj. Faktor tjetër ishte edhe rebelimi i Vjosa Osmanit i cili buronte nga egoizmi, inati dhe karrierizmi i shfrenuar ku tradhtoi shtëpinë e vet politike dhe shkoi te kundërshtari më i madh politik i LDK-së, te VV-ja. Natyrisht se me vete mori një numër të konsiderueshëm të anëtarësisë së LDK-së me mashtrimin e madh se ajo është rruga e vërtetë e Rugovizmit. Faktori tjetër, i cili ishte edhe vendimtar në rënien e LDK-së ishte shkëputja nga baza. Lidershipi i LDK-së krijoi një strukturë që shtrihej horizontalisht në mbarë organizimin e saj, dhe komandohej vertikalisht nga një klan i caktuar më në krye Isa Mustafën. Të gjitha vendimet e këtij klani, kalonin shumë lehtë në këto struktura partiake pa pyetur fare për mendimet dhe qëndrimet e anëtarësisë së saj. Kjo formë diktatoriale e veprimit, të klanit Mustafa i acaroi tej mase raportet me anëtarësinë e LDK-së e cila shpërthejë me dënim maksimal duke i përgjysmuar votat e LDK-së.

“Bota sot”: Pas këtij rezultati, ky subjekt politik ka bërë edhe disa reforma të brendshme në Kryesi, derisa ka paralajmëruar edhe për ndryshime të tjera nëpër degë. Si e keni parë gjithë këto ndryshime?

Saim Tahiraj: Rezultati tejet i dobët i LDK-së ishte dënim meritor i anëtarësisë së saj, ndaj gabimeve të lidershipit dhe kryeneçësisë së saj, për të vazhduar me to, si pasojë detyrimisht u largua nga kreu i partisë. Mbajtja e kuvendit zgjedhor të LDK-së ku u zgjodh kryetari nga tri kandidatura që kishin kandiduar, ishte një mesazh i mirë që ngjalli shpresën se në LDK po fillon e mbara. Zgjedhja e kryesisë së LDK-së, edhe pse pati ndryshime që duhet vlerësuar dhe përshëndetur, pati edhe gabimet që nuk u priten mirë nga anëtarësia e saj e gjerë. Të anashkalohen veprimtarë dhe kuadro profesionale që mbi 30 vite kontribuuan në LDK, dhe të futen në kryesi persona që dje u anëtarësuan në LDK, është jo parimore dhe e papranueshme. Pa kaluar fare nëpër filtrat e strukturës organizative të LDK-së, dje anëtarësohet dhe sot hopa e nënkryetar i LDK-së. Kjo nuk është reformë por fyerje për shumë veprimtarë besnik, shumëvjeçarë të LDK-së. Reforma e vërtetë duhet filluar nga baza, nëndegët dhe degët dhe nga atje të vije reforma në kuvend, Këshillë të Përgjithshëm dhe Kryesi qendrore. Këtë e pati premtuar edhe kryetari në disa intervista, se duhet të kthehemi në bazë, madje konsideronte se gabimi kryesorë që solli këtë rënie drastike të LDK-së, ishte pikërisht shkëputja me bazën. Një gjë të tillë nuk e bëri, së paku deri më sot jo, bile ai dhe kryesia morën një vendim në kundërshtim me vullnetin e anëtarësisë, votimin e Presidentit. Uroj dhe shpresoj që sa më parë t’i kthehen bazës dhe të marrin mendimet dhe shqetësimet e anëtarësisë besnike të LDK-së për të vazhduar më tutje. Vetëm baza nuk të lejon të gabosh, aty është çelësi i suksesit, nga aty fillon reforma real.

“Bota sot”: LDK-ja tashmë në krye të saj ka Lumir Abdixhikun. Cili është mendimi i juaj për liderin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës? Sa ka gjasa që me Abdixhikun në krye të partisë të kthehet lavdia e dikurshme e këtij subjekti?

Saim Tahiraj: Ardhja e z. Lumir Abdixhiku në krye të LDK-së, nga një pjesë e madhe e anëtarësisë besnike të LDK-së u prit shumë mirë, me një shpresë se po fillon rehabilitimi dhe rikthimi i LDK-së në piedestalin që i takon dhe e meriton. Një kuadër i ri, i shkolluar jashtë shtetit, me një përgatitje të lartë profesionale, shumë ambicioz dhe vizionarë në arritjen qëllimeve, ishin dhe mbeten karakteristikat e tij që te anëtarësia e LDK-së ngjallen dhe mbajnë shpresën për një suksese të LDK-së. Pavarësisht kësaj pati edhe të tjerë që ishin dhe mbeten skeptik për disa arsye. Zhvillimet e deritashme në LDK lënë shumë për të dëshiruar. Deri më tani nuk ka reforma substanciale por vetëm një fasadë, çka shpresën e madhe për ndryshim te anëtarësisë së LDK-së e bënë të dyshimtë dhe me të drejtë janë të pakënaqur. I mbetet për të bërë shumë kryetarit Abdixhiku që të fitojë besimin e anëtarësisë besnike të LDK-së, këtu duhet të përqendrohet vëmendja e tij fillimisht e jo kthimin e atyre që dezertuan nga LDK-ja.

“Bota sot”: Çfarë duhet të bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës për t’i rikthyer votuesit e humbur?

Saim Tahiraj: Fillimisht duhet punuar shumë në teren me këtë anëtarësi e cila i mbeti besnike LDK-së në momentet më të vështira. Është jetike për LDK-në që kjo anëtarësi të ruhet e paluhatur, për t’ia arritur kjo duhet të sqarohet dhe të arsyetohet votimi i Presidentit i cili ishte kundër vullnetit të tyre. Vazhdimi i reformave nga baza duke biseduar dhe afruar të gjithë ata që i linçuan, përjashtuan, anashkaluan, injoruan dhe nënçmuan me vite të tëra. Kjo logjikë përjashtuese, linçuese dhe nënçmuese duhet të përfundoj sa më parë dhe kurrë më mos të përsëritet. Të fillohet me degën e LDK-së në Gjakovë, ku dhe filloi kjo logjikë shkatërruese, për të vazhduar në tërë Kosovën dhe në mërgatë. Të bisedohet me persona autoritativ të cilët tërë jetën ja kushtuan luftës dhe veprimtarisë për liri dhe pavarësi. Gjithashtu familjarëve të heronjve dhe dëshmorëve t’ju kushtohet një kujdes i veçantë gjë e cila ka munguar deri më tani. Ka ardhur koha që lidershipi i LDK-së të marrë guximin dhe t’i dali në ballë mbrojtjes së rezistencës së armatosur që nga viti 1991 e gjerë në përfundimin e luftës së hapur në Kosovë. Si themelues i atyre institucioneve të cilat drejtuan atë rezistencë dhe luftën e hapur, LDK ka përgjegjësi historike ta mbrojë me fanatizëm dhe ta thotë haptas e më shumë guxim se ishte themeluese dhe drejtuese e tyre. Mjaft më që njëzet vite me gënjeshtra dhe mashtrime se pronar i saj ishte LPK. Ky ishte dhe vazhdon të jetë gabimi fatal i LDK-së, ajo duhet të jetë pronare e krijesës së saj. Figurat kryesore që i prinë dhe drejtuan atë rezistencë, LDK i la pas dore, kjo duhet të marri fund dhe t’i nderojë duke i vendosur në vendin që meritojnë . Nëse lidershipi i ri i LDK-së arrin që këto gabime t’i përmirësojë, janë shumë i bindur se sukseset do janë të mëdha. Ky do ishte shtrati i vërtetë nëpër të cilin do rrugëton suksesshëm LDK.

“Bota sot”: Cila është gjendja e LDK-së në diasporë?

Saim Tahiraj: Gjendja e degëve të LDK-së në mërgatë është shumë e keqe, ajo është reflektim i gjendjes së përgjithshme të LDK-së në Kosovë. Klani Mustafa ndikoi përmes emisarëve që të përçahet, të ndahet në grupacione të ndryshme të cilat punonin për klanin e caktuar. Po flas vetëm për degën e LDK-së në Zvicër pasi e njoh mirë. Klani në fjalë arriti që degën e LDK-së në Zvicër, dikur dega më fuqishme në mërgatë ta përçajë, ta margjinalizojë dhe ta sjellë në atë gjendje sa të flas një grup prej 5-6 personave në emër të kësaj dege si kryesi e degës. Kjo Kryesi është më tepër se gjysmake, nuk është legjitime sepse nuk përfaqëson më tepër se gjysmën e nëndegëve dhe anëtarësisë së tyre. Treguesi më i mirë që vërteton këtë, është rezultati në zgjedhjet e fundit i cili është më tepër se katastrofal. Shikoni numrin e votave nga Zvicra që kanë tre kandidatë për deputet, të emëruar në mënyrë arbitrare nga klani në fjalë me të ashtuquajturën kryesi gjysmake. Kjo logjikë e udhëheqjes me klane duhet të ndërpritet menjëherë, dhe personat përgjegjës për situatën e krijuar duhet të japin dorëheqje. Kryesia gjysmake dhe jo legjitime e degës së LDK-së në Zvicër duhet që sa më parë të jap dorëheqje, të krijohet një grup punues që do i përgatit zgjedhjet në të gjitha nivelet. Kjo është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe të fillohet nga reforma dhe prosperiteti. Çdo veprim tjetër kozmetik do jetë zgjatje e krizës dhe thellim i saj. Vendimi i fundit i kësaj Kryesie gjysmake dhe jo legjitime që formohen katër degë të LDK-së në Zvicër është i pavetëdijshëm, kundër statutare, madje do thosha edhe qesharak.

“Bota sot”: Ndërsa, nga ana tjetër po bëhet një muaj që Qeveria Kurti ka marrë detyrën, por ende nuk e ka paraqitur planin qeverisës. Si vlerësoni punën e deritanishme të kësaj qeverie?

Saim Tahiraj: Puna e gjertanishme e kësaj qeverie është katastrofale, skandalet e njëpasnjëshme, qofshin ato të në qeverisjen e vendit e gjithashtu ato nivelin ndërkombëtar. Kjo qeveri erdhi pa program, i tërë programi i saj ishte “Ndryshimi” dhe “Guxo”. Po për cilin “ndryshim” bëhej fjalë? Tani po e dëshmon me veprimet e veta, të ç’kapjes së pushtetit dhe rikapjes me militantë partiak dhe familjarë, me zbritje pagash të kategorive sociale më të varfra, menaxhimi shumë i dobët i pandemisë, mos sigurimi i vaksinave, lufta kundër medieve etj. Skandali “suigeneris”, kryeministri i një vendi voton në shtetin fqinjë, duke ja shtuar kësaj edhe fushatën elektorale ku mori pjesë me suitën e tij. Ndërsa “guxo” vepron në stilin; hesht dhe mos guxo të flasësh ndaj këtyre skandaleve. Ky është dhe vazhdon të jetë programi i Qeverisë Kurti, të gjitha institucionet e shtetit t’i ketë nën kontroll të rreptë, ato të pavarura, mediet dhe shoqërinë civile. Një diktaturë e re në mesë të Evropës demokratike.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tua nga kjo qeveri?

Saim Tahiraj: Duke shikuar aktivitetin politik të Albin Kurtit në vazhdimësi, ka vetëm dhunë, shkatërrim, vrasje dhe kriminalitet që i demonstroj në rrugë kundër institucioneve të shtetit. Të gjitha këto veprime kriminale i përdori për të ardhur në krye të shtetit që kurrë nuk e njohu. Ishte kundër të gjitha marrëveshjeve dhe vendimeve që sollën formimin e shtetit të Kosovë. Mohoi dhe luftoi të gjitha të arriturat në shtet-ndërtim dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Me ardhjen e tij në krye të shtetit që kurrë nuk e njohu, i harroi të gjitha veprimet që bëri kundër këtij shteti dhe tani përpiqet të paraqitet si një njeri krejtësisht tjetër. Sado që përpiqet të paraqitet si një politikan i reformuar dhe një “burrështetas demokrat”, ai për ne mbetet i njëjti, vetëm maskën ka ndryshe, andaj asnjëherë nuk mundë t’i besohet. Nga ky njeri i dhunës kurrë nuk mund të pres diçka të mirë për shtetin dhe popullin tonë. Pres vetëm skandale dhe veprime diktatoriale që do e dëmtojnë shtetin si në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar duke na izoluar. Rikapje të pushtetit me militantë partiak, nepotizmi duke punësuar familjar të udhëheqëse të VV-së. Pastrim me fshesë të kundërshtarëve politik nga institucionet e shtetit, ç’fuqizim të vendimeve të qeverisë paraprake, e shumë veprime tjera arbitrare, janë fillimi i një diktature të re që po vendoset në Kosovë. Atëherë çfarë mundë të pritet diçka e mirë për vendin dhe popullin nga një diktaturë me një diktator në krye.

“Bota sot”: Kritika për Qeverinë Kurti ka edhe opozita e tanishme. Cili është vlerësimi juaj për aktivitetin e deritanishëm të opozitës?

Saim Tahiraj: Duke shikuar të gjitha skandalet dhe veprimet arbitrare të Qeverisë Kurti, dy veprimi opozitarë për t’i demaskuar dhe kundërshtuar, mendoj se është i varfër. Veprimi opozitar i LDK-së, partisë që i takoj, ndaj kësaj qeverisje me kaq shumë skandale dhe veprime diktatoriale, lenë shumë për të dëshiruar. Roli opozitar i LDK-së është shumë i dobët, së paku deri më tani. Ajo duhet të jetë kujdestare e zgjuar në çdo kohë dhe moment dhe t’i shënojë skandale, gabimet, vendimet arbitrare, manipulimi me pushtetin dhe shumë veprime tjera, t’i demaskojë para publikut dhe pa kompromis t’i luftoj ato. Detyrë mbi detyrat është që LDK t’i çjerri maskën kësaj organizate politike të ekstremit të majtë dhe diktatorit të tyre Kurti, në mënyrë që populli të lirohet nga demagogjia e tyre dhe t’i kthehet realitetit. Sa më shumë që t’i shkurtohet jeta kësaj qeverie diktatoriale është sukses dhe fitore për Kosovës, kjo është detyra kryesore e opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat