Profesori francez: Nëse Kurti dhe Vuçiq qëndrojnë në pozicione të rrepta nacionaliste, dialogu nuk do të ketë sukses

Intervista

Profesori francez: Nëse Kurti dhe Vuçiq qëndrojnë në pozicione të rrepta nacionaliste, dialogu nuk do të ketë sukses

Më: 10 maj 2021 Në ora: 13:31
Christian Lequesne

Profesori eminent i Shkencave të Politikës Evropiane dhe Ndërkombëtare në “Science Po” në Paris, Christian Lequesne, në një intervistë ekskluzive për Agjencinë e lajmeve KosovaPress deklaroi se dialogu nuk do të ketë sukses në rast se Kurti dhe Vuçiq qëndrojnë në pozicione të rrepta nacionaliste.

Dialogu, i cili pritet të rifillojë në gjysmën e qershorit, është jetik nëse dy vendet duan të ecin përpara. Profesori Lequesne nuk mendon se suksesi i dialogut do të çonte në automatizëm dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën, por shprehet i sigurt se pa dialog asnjë përparim drejt këtij qëllimi nuk do të bëhet.

Ai po ashtu nuk e sheh si të mundur dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën nëse nuk ka ndonjë lëvizje pesë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Profesori Lequesne flet edhe për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe qëndrimin skeptik të vendit të tij për këtë çështje.

INTERVISTA E PLOTË:

KosovaPress: Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është njoftuar të rifillojë këto javë, ndërsa Bashkimi Evropian gjithashtu ka rifituar rolin e tij udhëheqës në këtë proces. Si ekspert i politikës së jashtme të BE-së, a mendoni se BE-ja ka potencialin të jetë lider dhe t'i japë drejtim këtij procesi?

Profesor Lequesne: Po, mendoj. BE tashmë ka marrë një rol vendimtar në marrëveshjen e normalizimit të vitit 2013 (Marrëveshja e Brukselit). Sigurisht, aktori tjetër i rëndësishëm është SHBA, duke parë rolin e saj si një mbrojtës i Kosovës. Me Biden, marrëdhëniet midis BE-së dhe SHBA-ve janë përmirësuar në çështjet e politikës së jashtme. Mund të mendojmë se ata nuk do ta kenë problem koordinimin dhe bashkëpunimin në dialogun Kosovë - Serbi.

KosovaPress: I Dërguari i Bashkimit Evropian për Dialog, Z. Lajcak, bëri një deklaratë joshëse për Kosovën, duke premtuar se në rast të suksesit në procesin e negociatave, Kosova do të merrte statusin e kandidatit për anëtarësim në BE-së. Si ekspert i politikave të zgjerimit të BE-së, e shihni këtë vetëm si një premtim joshës apo mund të ndodhë vërtet?

Profesor Lequesne: Nuk ka asgjë automatike pasi statusi i kandidatit për në BE duhet të miratohet me unanimitet nga vendet anëtare të BE-së. Askush nuk mund të thotë akoma nëse çdo shtet anëtar do të thotë po. Por ajo që është e sigurt është se pa dialog, përparimi drejt statusit të kandidatit është i pamundur. Problemi është se dialogu varet nga të dy palët. Nuk jam i sigurt që Beogradi, i cili ka hapur negociatat, është aq i interesuar që Prishtina ta ketë të njëjtin trajtim.

KosovaPress: Sinjalet premtuese nga lidershipi evropian për Kosovën, a ndërlidhen me dyshimet se lidershipi i ri kosovar do të jetë më i vështirë si palë negociuese pasi ka paralajmëruar vigjilencë më të madhe në lidhje me dialogun?

Profesor Lequesne: Është përgjegjësi e kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij të dinë nëse duan dialog apo jo. E kuptoj që ata me asnjë kusht nuk duan dialog. Unë e kuptoj dëshirën e qeverisë kosovare për të pasur fillimisht negociata me pakicën serbe. Por në një pikë të caktuar, marrëveshja është e mundur vetëm nëse ka një fleksibilitet në Prishtinë dhe Beograd. Nëse Kurti dhe Vuçiç qëndrojnë në pozicione të rrepta nacionaliste, dialogu nuk do të ketë sukses.

KosovaPress: Rrjedhimisht, a duhet që Bashkimi Evropian të kërkojë nga pesë vendet anëtare që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë?

Profesor Lequesne: Sinqerisht, nuk e shoh se si është e mundur pranimi i statusit të vendit kandidat nëse nuk ka ndonjë lëvizje nga këto pesë shtete. Siç e dini, këto shtete anëtare të BE-së refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës kryesisht për arsye të brendshme, në veçanti duke mos dhënë ide për emancipim të pakicave të tyre kombëtare për tre prej tyre: Katalanët në Spanjë, hungarezët në Sllovaki dhe Rumani. Nëse vendet e mëdha anëtare të BE-së (veçanërisht Franca dhe Gjermania) duan një lëvizje, kjo pyetje do të jetë sigurisht një negociatë brenda-BE-së.

KosovaPress: Në intervistën e vitit të kaluar, ju më thatë se BE kurrë nuk do të pranonte Kosovën dhe Serbinë si anëtare pa e njohur sovranitetin e njëri-tjetrit. Sipas mendimit tuaj, a është ky qëllimi kryesor i Bashkimit Evropian, për të arritur një zgjidhje përfundimtare të problemit midis këtyre dy vendeve?

Profesor Lequesne: Nuk është qëllimi kryesor në një periudhë afatshkurtër, sepse disa shtete anëtare të BE-së nuk duan të nxitojnë për zgjerimin, për arsye që kanë të bëjnë kryesisht me ngurrimin e opinioneve të tyre publike. Në vendin tim, në Francë, zgjerimi nuk shihet aspak nga publiku si përparësi. Por një gjë është e sigurt: BE nuk mund të pranojë shtete të reja anëtare që nuk e njohin njëri-tjetrin. Ky është një kusht themelor.

KosovaPress: Si e shihni personalisht epilogun e dialogut dhe kur mund të ketë epilog?

Profesor Lequesne: Nuk mendoj se epilogu është për nesër. BE ka shumë reforma të brendshme për të zgjidhur përpara se të shqyrtojë një zgjerim në të ardhmen. Kështu që, do të duhet kohë. Sidoqoftë, strategjia e pritjes së BE-së nuk është pa rrezik. Nëse premtoni e nuk e realizoni, krijoni shumë zhgënjim. Ju gjithashtu krijoni hapësira për konkurrentët. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, është e qartë se ndikimi i Rusisë, Kinës dhe Turqisë përfiton nga vonesa e BE-së. Shqetësimi im është se këto vende mund të japin ndihmë ekonomike por nuk janë aspak të interesuara për demokratizimin.

KosovaPress: Kohët e fundit, nga deputetët e evropianë, por edhe nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, në këtë rast nga Qeveria gjermane, ka sinjale pozitive rreth liberalizimit të vizave për kosovarët. Ndërsa Franca ende nuk ka dhënë sinjale pozitive dhe perceptimi këtu në Kosovë është se Franca mbetet një shtet bllokues i liberalizimit të vizave për kosovarët. A është kjo e vërtetë?

Profesor Lequesne: Si në çdo vend anëtar të BE-së, në Francë keni një debat të fortë mbi migracionin. Pranimi i liberalizimit të ri të vizave kërkon të marrë në konsideratë këtë kufizim të brendshëm. Nga ana tjetër, unë e kuptoj që kosovarët po shkojnë më shumë në vendet e tjera anëtare të BE-së sesa në Francë, veçanërisht në Gjermani dhe Austri. Kemi po ashtu edhe Zvicrën që është një shtet anëtar i BE-së. Pra konkretisht, liberalizimi i vizave mund të ketë efekte të kufizuara në Francë. Por me siguri Franca dëshiron së pari të shoh zhvillimin e dialogut para se të pranojë liberalizimin. Në këtë rast, është refleks diplomatik.

KosovaPress: Sipas mendimit tuaj, kur mund të ketë liberalizim të vizave për kosovarët dhe kur mundet Kosova të marrë statusin e një vendi kandidat?

Profesor Lequesne: Më falni por nuk po lexoj në një top kristali. Është e pamundur që unë të të jap një datë. Por ajo që jam i sigurt është se kushti kryesor i progresit është dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit. Nëse ky dialog nuk ecën përpara, asgjë nuk do të ndryshojë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat