Deputeti i VV-së tregon 4 kushtet e Qeverisë për marrëveshje finale me Serbinë, flet për rrezikun për ndryshim kufijsh

Intervista

Deputeti i VV-së tregon 4 kushtet e Qeverisë për marrëveshje finale me Serbinë, flet për rrezikun për ndryshim kufijsh

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 qershor 2021 Në ora: 14:45
Fitim Haziri dhe Albin Kurti

Deputeti i Vetëvendosjes Fitim Haziri në një intervistë për “Bota sot” ka folur për situatën politike në përgjithësi në Kosovë.

Ai për qeverisjen e kryeministrit Albin Kurtit, ka përmendur disa nga rezultatet e mira të punës së tij të cilat i cilëson suksese duke premtuar që javëve dhe muajve në vazhdim, këto suksese do të shtohen.

Sa i përket zgjedhjeve lokale nëse ai do të kandidojë për të parin e Podujevës, ai e ka mohuar një gjë të tillë, duke shtuar se do të jetë deputet për gjatë gjithë mandatit.

Ai me bindje pret që në zgjedhjet lokale Vetëvendosje do të fitojë edhe më bindshëm se që ishte fitorja e 14 shkurtit, pret që të marrin shumicën e komunave.

Haziri ka thënë se Qeveria është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje finale me Serbinë qysh nesër, nëse Serbia pranon pavarësinë e Kosovës, nuk kërkon Asociacion të komunave serbe, nuk shpreh ambicie për territor dhe e respekton kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.

Por, ai thotë se Serbia duket se nuk është e gatshme për këtë, andaj Kosova dëshiron dialog me parime, derisa shton se nuk ka rrezik për ndryshim të kufijve.

Ndërsa, lidhur me situatën pandemike, Haziri ka thënë se ndër shkaqet për rënien e rasteve ndër to është edhe kufizimi i masave që ndodhi para disa javëve, por kjo nuk do të thotë që duhet të çlirohemi totalisht sepse virusi ende është mes nesh.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale politike në vend?

Fitim Haziri: Situata politike në vend, është më mirë se kurdoherë më parë. Kemi një mazhorancë e cila ka filluar që t'i vë në funksion mekanizmat e shtetit ashtu siç duhet. Për herë të parë, dialogu me Serbinë është duke u përgatitur në bazë të parimeve që e garantojnë edhe aspektin territorial, por edhe atë kushtetues të vendit. Kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit për tema nacionale. Jemi të gatshëm që për këto tema, të konsultohemi me gjithë spektrin politik dhe jo vetëm.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti për më shumë se 50 ditë qeverisje?

Fitim Haziri: Sigurimi i 1.2 milionë vaksinave Pfizer, përgatitja e dialogut me Serbinë, ndalja e disa kontratave që dëmtuan miliona euro buxhetin e vendit, nisja e rezultateve kundër krimit dhe korrupsionit, përgatitja e padisë ndaj Serbisë, janë vetëm disa nga rezultatet e qeverisë Kurti 2, në pak ditë të saj. Natyrisht që javëve dhe muajve dhe viteve në vazhdim, këto suksese do të shtohen.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për “non-paper-at” që u publikuan së fundmi? A ekziston ende rreziku i ndryshimit të kufijve?

Fitim Haziri: Rreziku i ndryshimit të kufijve jam i bindur që nuk ekziston. Së pari kemi një kryeministër i cili nuk është në asnjë formë pro kësaj ideje. Pastaj, mbështetësit e kësaj ideje tashmë nuk janë në pozitat institucionale siç ishin në të kaluarën. Është e rëndësishme që të ruhet tërësia territoriale e Republikës së Kosovës dhe jam thellësisht i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë. Kemi një qeveri e cila edhe në kohën sa ka qenë në opozitë, ka qenë kundër kësaj ideje dhe vazhdon të jetë sot dhe do të jetë edhe nesër.

“Bota sot”: A prisni që në mandatin e kryeministrit Kurti mund të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi?

Fitim Haziri: Lidhur me këtë janë disa faktorë, shumica e të cilëve nuk varen nga ne. Ne jemi të gatshëm qysh nesër të nënshkruajmë marrëveshje me Serbinë për njohje të ndërsjellë. Nëse ata e pranojnë pavarësinë e Kosovës, nuk kërkojnë asociacion të komunave serbe, nuk shprehin ambicie për territor, e respektojnë kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës, qysh nesër jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje. Mirëpo, një gjë e tillë duket e papranueshme për ta. Kështu që, e rëndësishme për ne është që më mos të ketë dialog pa parime e me qëllime të dëmshme për vendin. Kemi një kryeministër dhe një qeveri e cila nuk është e interesuar e as e gatshme që në kurriz të një marrëveshje t'i sjellë dëme të tjera vendit tonë. Nuk pranojmë "Zajednica" e shkëmbime territoresh. Përtej kësaj, për herë të parë që nga paslufta, qeveria e Republikës së Kosovës, është duke përgatitur padi për gjenocidin që Serbia e ka bërë në Kosovë. Para se të kemi marrëveshje, Serbia duhet ta merr faturën e të bëmave të saj para dhe gjatë luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës. Duhet të paditet për krimet që na ka bërë dhe pastaj të shohim se si do të jetë reflektimi i saj.

“Bota sot”: Si e vlerësoni paraqitjen e presidentes Osmanin me liderët e Ballkanit në Slloveni?

Fitmi Haziri: Si zotëri Kurti, ashtu edhe zonja Osmani, paraqitjet karshi nismave rajonale e evropiane i kanë të mira. Kemi dëgjuar rrallë, që liderët shtetëror të flasin të vërtetën e hidhur të asaj që Serbia ka bërë në Kosovë. Duhet përsëritur e stërpërsëritur krimet dhe gjenocidin që ka ndodhur gjatë viteve 1998-1999. Gjithashtu, një e vërtetë tjetër është fakti që sot në Serbi kemi një klasë politike në pushtet që kanë qenë pjesë e pushtetit të Millosheviqit që i ka kryer këto krime. Këto i kemi borxh t'ua themi në sy para secilit samit e secilit takim.

“Bota sot”: Keni qenë më i votuari në Komunën e Podujevës, a do të kandidoni për kryetar në zgjedhjet lokale?

Fitim Haziri: Angazhimi im në politikë nuk ka qenë kurrë i lidhur me pozita. Nuk do të jetë as në të ardhmen. Në dy palë zgjedhje, shumica e votave që janë dhënë për mua si kandidat kanë qenë nga Podujeva. Jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë fakt dhe shumë falënderues. Falë besimit të tyre të dhënë në zgjedhjet e 14 shkurtit, sot jam deputet në mandatin e dytë. Kështu që, këtë besim po tentoj ta kryej me nder e përgjegjësi. Besimin e tyre do e dërgojë deri në fund të mandatit. Do të jem deputet i Republikës së Kosovës përgjatë gjithë mandatit. Nuk do jem kandidat për kryetar të Podujevës.

“Bota sot”: Duke e pasur parasysh rezultatin e LVV-së nga zgjedhjet e 14 shkurtit, çfarë prisni nga ato lokale në përgjithësi si parti?

Fitim Haziri: Në zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti, pres fitore të Lëvizjes Vetëvendosje në shumicën e komunave të vendit. Besoj që ne si subjekt politik, do t'i kemi ekipet më të mira të mundshme për të garuar dhe për të fituar edhe më bindshëm se që ishte fitorja e 14 shkurtit. Jam i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Bota sot”: Numri i infektimeve ka rënë ditëve të fundit që është diçka pozitive, çfarë mendoni se kanë ndikuar?

Fitim Haziri: Mendoj që kanë qenë disa shkaktarë. Njëra ndër to është edhe kufizimi i masave që ndodhi para disa javëve. E rëndësishme është që sot kemi shumë më pak viktima dhe raste të reja. Kjo nuk do të thotë që duhet të çlirohemi totalisht sepse virusi ende është mes nesh. Por, me plane konkrete, disiplinë nga të gjithë ne, mendoj që do ta mposhtim edhe këtë pandemi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat