Jusuf Buxhovi flet për “Bota sot”: Lumir Abdixhiku dhe ekipi i tij ka një barrë të madhe përpara - dialogu me Serbinë nuk është çështje partiake

Intervista

Jusuf Buxhovi flet për “Bota sot”: Lumir Abdixhiku dhe ekipi i tij ka një barrë të madhe përpara - dialogu me Serbinë nuk është çështje partiake

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 qershor 2021 Në ora: 18:14
Jusuf Buxhovi

Historiani Jusuf Buxhovi vlerëson se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë përgjegjësi historike që ndryshimin e filluar politik ta vejnë në binarë afatgjatë, të ç’kapjes së shteti nga strukturat kriminale të etabluara në institucione dhe njëherësh të krijojnë mundësi që shteti i Kosovës të lirohet nga anatema e shtetit të përkohshëm apo të dështuar, që ia sollën politikat e deritanishme.

Në këtë intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, Buxhovi ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme në LDK, nuk paraqesin ndonjë ndryshim, përkundër largimit nga kreu i saj drejtues i garniturës që për vite e katandisi partinë dhe e solli në këtë gjendje.

Sipas Buxhovit, Lidhja Demokratike e Kosovës veproi mirë kur si parti institucionale u soll gjatë zgjedhjes së Presidentes, gjë që me eliminimin e zgjedhjeve të parakohshme mundësoi që Qeveria Kurti të marrë mandatin që ia dhanë votuesit.

Në këtë intervistë për “Bota sot”, Buxhovi ka bërë me dije se LDK-ja, opozitarizmin duhet ta kthejë në një mundësi për t’u profilizuar si parti e djathë dhe si e tillë të luftojë për pushtet dhe assesi që t’i bashkohet aksionizmit për marrjen e pushtetit sa më parë dhe me çdo kusht.

Kurse, sa i përket dialogut me Serbinë, historiani Buxhovi ka thënë se kjo nuk është çështje partiake, por shtetërore, ku të gjithë duhet të marrin pjesë dhe të ndihmojnë që ai të jetë në dobi të Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës në mars të këtij viti mbajti edhe zgjedhjet e brendshme, ku zgjodhi kryetarin dhe Kryesinë e re. Si i keni parë këto ndryshime?

Jusuf Buxhovi: Zgjedhjet e brendshme në LDK, nuk paraqesin ndonjë ndryshim, përkundër largimit nga kreu i saj drejtues i garniturës që për vite e katandisi partinë dhe e solli në këtë gjendje, nga një parti historike, që bartë barrën e shtetndërtimit dhe i ndihmoi më së shumti këtij procesi, të një partie thuajse minore. Sidoqoftë, ndryshimet për të cilat po flitni, ishin të domosdoshme dhe të dobishme madje për faktin se i hapin rrugën atij ndryshimit të njëmend, që duhet të ndodh që partia të rikthehet aty ku duhet dhe ku e ka vendin. Pra, fjala është për krijimin e parakushteve për fillimin e ndryshimit, që duhet të pasqyrohet me reforma të thella në parti, të cilat nuk janë as të lehta e as të atypëratyshme, kur dihet se për vite të tëra partia është drejtuar nga klane dhe feude, të cilat, kanë punuar bashkërisht me grupet dhe klanet e ngjashme nga partitë tjera (kryesisht nga PDK dhe AAK) për t’u kthyer në përfitues të pushtetit.

“Bota sot”: z. Lumir Abdixhiku dhe Kryesia e re e LDK-së po tregohet mjaftë konstruktive deri më tani. Mendoni se po vepron mirë kjo parti me këtë qasje?

Jusuf Buxhovi: Abdixhiku dhe ekipi i tij ka një barrë të madhe përpara, një si gur Sizifi, me të cilin do të sfidohet sa më shumë që të vërë në binarë ndryshimin nëpërmes reformave me të cilat partia historike ndryshimin nga brenda dhe ndryshimin politik në jetën parlamentare dhe në përgjithësi ndryshimin në jetën shoqërore do ta shohë si një kauzë afatgjate me të cilën do të rikthehet shteti i ligjit, kriminalitetit si dhe veprimet tjera që vendin e kanë sjellë në një gjendje të tillë. Në këtë rikthim, LDK, duhet të profilizohet si parti e djathtë, në mënyrë që të krijojë baraspeshën e domosdoshme në skenën politike, ku ajo tashmë me fitoren absolute të Vetëvendosjes, kryesisht është e majtë. Si e tillë ajo duhet të profilizohet në opozitë, paçka se partitë tjera të taborit opozitarë, pa ndonjë profil të qartë, dhe me probleme të mëdha të brendshme, mund ta pengojnë në këtë drejtim. Sidoqoftë, LDK, opozitarizmin duhet ta kthejë në një mundësi për t’u profilizuar si parti e djathë dhe si e tillë të luftojë për pushtet dhe assesi që t’i bashkohet aksionizmit për marrjen e pushtetit sa më parë dhe me çdo kusht, siç ka ndodhur në të kaluarën qoftë edhe me arsyetimet “e partisë institucionale”, gjë që ka qenë vetëm një mashtrim i kreut të saj për pjesëmarrje në pushtet me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete.

“Bota sot”: z. Buxhovi, kryeministri i Kosovës, z. Abin Kurti, ditë më parë ka ftuar në takim liderët e partive opozitare për të diskutuar për dialogun me Serbinë, dhe çështje të tjera në interes për vendin. Lideri i LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, e ka pranuar ftesën. Si e keni parë këtë përpjekje të kreut të ekzekutivit?

Jusuf Buxhovi: Roli i LDK-së si opozitë, po ashtu duhet parë në funksion të forcimit të qeverisjes së mirë dhe të krijimit të rrethanave për veprim të përbashkët në raport me jashtë, veçmas me Serbinë, siç është rasti i tanishëm. LDK ka vepruar mirë kur si parti institucionale u soll gjatë zgjedhjes së Presidentes gjë që me eliminimin e zgjedhjeve të parakohshme, siç kërkoheshin ngado e për këtë të fajësohej LDK-ja, mundësoi që Qeveria Kurti të marrë mandatin që ia dhanë votuesit, pikërisht në emër të një ndryshimi që do të largonte keqqeverisjen dhe krimin e organizuar. Qasja konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, LDK-në e detyron edhe nga shkak, se një pjesë të madhe të problemeve me të cilat do të ballafaqohet Kurti dhe në përgjithësi Kosova, vijë nga sjellja e deridjeshme e LDK-së në qeverisje me PDK-në kur diskursin e raporteve me Serbinë e zhvendosi nga zgjidhja e problemit të pakicës serbe në Kosovë dhe të krijimit të rrethanave për integrim të tyre, që pengohej nga Beogradi me mbajtjen e strukturave paralele në veri, te kthimi i ndikimit politik të Beogradit në Kosovë me anën e krijimit të “Listës serbe” (një marionete të Beogradit), që për çmim pati eliminimin e partive të serbëve të Kosovës nga jeta politike dhe parlamentare madje edhe me masa brutale. Dëmet e mëdha të kësaj natyre, që janë dëme shtetit të Kosovës, LDK-ja e tanishme ka për detyrë t’i riparojë duke bashkëpunuar me Qeverisjen e Kurtit.

“Bota Sot”: Pasi jemi te dialogu me Serbinë. A duhet t’i bashkohet opozita qeverisë në dialog, dhe a e vështirëson situatën qarkullimi i disa “non papers” për lëvizjen e kufijve në Ballkan?

Jusuf Buxhovi: Dialogu me Serbinë nuk është çështje partiake, por shtetërore, ku të gjithë duhet të marrin pjesë dhe të ndihmojnë që ai të jetë në dobi të Kosovës, veçmas kur i deritanishmi ka filluar keq, ka vazhduar me marrëveshje të dëmshme dhe skenare, që siç u tha, në emër të marrëveshjeve “historike”, nuk kanë përjashtuar edhe hedhjen e shtetit në pazar. Edhe pse qeveria e ka përgjegjësinë e dialogut me Serbinë, opozita nuk duhet të sillet sikur nuk po ndodh gjë dhe të presë që “nga gabimet” e mundshme në rrethanat kur ndërkombëtarët për kompromise, të cilat janë të pashmangshme kur dihet se disave ua kanë krijuar platformën qeverisjet e kaluara (Thaçi/Mustafa) me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, mbetët e vetmuar, në mënyrë që të fitohen poena.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e deritanishme të opozitës. Mendoni se po e bën mirë punën e saj karshi një pushteti që ka mbi 50 për qind të mandateve?

Jusuf Buxhovi: Është herët për t’u vlerësuar si puna e pozitës, po edhe e opozitës. Duhet pritur së paku një vit për ndonjë vlerësim real. Por, sa i përket opozitës, mund të thuhet lirisht se nuk ka mundësi të paraqesë një kohezion të domosdoshëm opozitar çfarë i duhet vendit në rrethanat kur Vetëvendosja ka shumicën parlamentare dhe mund të sillet si të dojë, për faktin se konstalacioni partiak është shpërputhës dhe pa gjasa që të ketë unitet minimal. Kur thuhet kështu, kihet parasysh se parti e dytë është PDK-ja me probleme të mëdha të brendshme sa nga vakumi që iu shkaktua nga Haga dhe sa nga pengu i grupeve të caktuara nga brenda, të shumtën despotike, që nuk lejojnë ndryshim dhe reforma veçmas kadrovike, nga frika e humbjes së pushtetit. Në këto rrethana, pra e bllokuar, PDK nuk mund të jetë bartëse e opozitarizmit. Ngjashëm mund të thuhet edhe për AAK-në, së cilës po ashtu i duhen reforma të thella të brendshme për të mbijetuar madje. Në këtë rrethanë, LDK-ja, si parti e djathtë, ka barrën e opozitarizmit të dyfishtë: në raport me qeverisjen e majtë, po edhe me simotrat në opozitë, që përkundër deklarimeve “djathtiste”, për nga strukturimi i brendshëm dhe forca e grupeve të caktuara në to, mbetën në amallgamit e një despotizmi politik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat