Shpejtim Bulliqi flet për projektin që ia anuloi ish ministri Zemaj, tregon a do të kandidojë për kryetar të Podujevës

Intervista

Shpejtim Bulliqi flet për projektin që ia anuloi ish ministri Zemaj, tregon a do të kandidojë për kryetar të Podujevës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 qershor 2021 Në ora: 19:24
Shpejtim Bulliqi

Në muajin tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë. Disa nga partitë kanë filluar dhe kandidimin e personave që synojnë postin e të parit të komunës së caktuar.

Por, nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kemi emra për kandidatë.

Kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi në një intervistë për “Bota sot” ka folur për qeverisjen lokale dhe punët në Podujevë.

Se a do të kandidojë sërish për kryetar komune, Bulliqi ka thënë se ende është herët të flitet për një gjë të tillë edhe pse asnjëherë nuk i kam ikë përgjegjësive që më kanë deleguar.

Sa i përket punëve në Komunë kryetari Bulliqi i ka thënë se edhe pse telashet i kanë trashëguar nga qeverisja paraprake, po punojnë maksimalisht për t'ju ofruar sa më shumë shërbime qytetarëve në secilën fushë.

Bulliqi ka treguar dhe për projektin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës që ish ministri Armend Zemaj e kishte anuluar, sipas tij si formë e hakmarrjes ndaj qytetarëve llapjanë për ndëshkimin që i ka bërë partisë në pushtet me 29 nëntor.

Kurse për qeverisjen e kryeministrit Kurti është shprehur se tani kemi një stabilitet institucional dhe kjo situatë po i krijon mundësi Qeverisë për të punuar lirshëm e pa presion, është ende herët për të dhënë një vlerësim të saktë, por sipas tij sinjalet janë pozitive dhe pres shumë punë të mira nga Qeveria Kurti.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si po ecën puna në komunën tuaj?

Shpejtim Bulliqi: Puna në Komunën e Podujevës po ec mirë, përkundër shumë sfidave dhe telasheve që i kemi trashëguar, ne po ballafaqohemi me problemet dhe po punojmë me të gjitha kapacitetet për të vënë rend dhe rregull në administratën komunale, ku shërbimet për qytetarët të jenë sa më efikase dhe komuna t'i trajtojë qytetarët në mënyrë të barabartë.

“Bota sot”: Në çfarë gjendje e keni gjetur komunën e Podujevës kur keni marrë detyrën e kryetarit?

Shpejtim Bulliqi: Ne jemi qeverisje e re komunale, dje i kemi bërë gjashtë muaj të qeverisjes dhe prej ditës së parë që kam pranuar mandatin e kryetarit të komunës, bashkë me stafin tim po punojmë maksimalisht për t'ju ofruar sa më shumë shërbime qytetarëve në secilën fushë. Ne e kemi trashëguar pushtetin nga një parti politike që ka udhëhequr për 20 vjet me radhë në Podujevë, ata kanë krijuar një rrjet të gjerë të klienteles dhe po ballafaqohemi përditë që këtë sistem të krijuar ta ndryshojmë e të instalojmë sistemin e meritokracisë dhe mundësive të barabarta për qytetarët llapjanë.

“Bota sot”: Cilat janë punët që keni bërë si kryetar i Podujevës deri tani?

Shpejtim Bulliqi: Ne kemi filluar shumë reforma duke filluar nga administrata komunale ku kemi bërë digjitalizimin e saj në secilin sektor dhe kemi vë rend dhe rregull, tash e tutje qytetarët shërbimet në administratën komunale i kryejnë shpejt dhe në mënyrë efikase, pastaj shërbimet shëndetësore janë shtuar me shërbime të reja dhe efikase, kemi funksionalizuar shumë aparatura që e kursejnë buxhetin e qytetarëve, kemi shtuar kapacitetet për trajtimin e pacientëve me COVID, po ashtu shërbimet paliative (personat e palëvizshëm) tashmë iu ofrohet tretmani në shtëpi. Disa masa i kemi ndërmarr në arsim duke filluar me depolitizimin e shkollave dhe kemi iniciuar disa masa për të ngritur cilësinë në arsim. Kam zhvilluar shumë takime me investitorë të ndryshëm të huaj e vendorë për të parë mundësinë e investimeve në Komunën tonë me qëllimin e vetëm për të hapur ndonjë fabrikë e zbutur papunësinë. Kemi hapur komunën, tash qytetarët e ndjejnë komunën si të tyre, ku për nevojat dhe kërkesat e tyre tashmë kanë adresë që i trajton me seriozitet ato.

“Bota sot”: Çfarë ka ndodhur me projektin për Spitalin e ri në Podujevë, cili është hapi juaj në këtë drejtim?

Shpejtim Bulliqi: Projekti i Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës është anuluar për këtë vit si projekt nga ish ministri Zemaj, si formë e hakmarrjes ndaj qytetarëve llapjanë për ndëshkimin që i ka bërë partisë në pushtet me 29 nëntor. Ndërsa unë posa e kam pranuar këtë lajm për anulimin e këtij projekti, i kam shkruar letër ish ministrit Zemaj dhe drejtorit të ShSKUK për të shprehur indinjatën time dhe kam kërkuar arsyeshmëri për anulim të këtij projekti, por kam hasur në vesh të shurdhur. Gjatë takimeve që kam zhvilluar me Ministrin Vitia, temë kryesore e bisedave tona ishte ndërtimi i Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës që është shumë i nevojshëm për qytetarët tanë dhe diskutuam për mundësinë e financimit nga ana e MSH.

“Bota sot”: Si qëndron situata me pandemi në komunën tuaj?

Shpejtim Bulliqi: Situata me pandeminë në Komunën e Podujevës tashmë është më e relaksuar, raste aktive i kemi vetëm 4 raste dhe ngadalë po hyjmë në fazën e normalizimit. Në QKMF ka filluar vaksinimi, ku janë bërë mbi 2600 vaksinime të qytetarëve të moshave të shtyra. Po ashtu është bërë gati Qendra e Vaksinimit Masiv që pritet të fillojë nga data 15 qershor.

“Bota sot”: A do të kandidoni sërish për kryetar komune, nëse po cilat janë disa nga projektet të cilat do t’i shtyni përpara?

Shpejtim Bulliqi: Lëvizja Vetëvendosje i ka organet e saj dhe përmes organeve të saj zgjidhet kandidati për kryetar komune, ende është herët të flitet për një gjë të tillë. Unë asnjëherë nuk i kam ikur përgjegjësive që më kanë deleguar. Vullnetin e kam të vazhdoj reformat që i kemi filluar bashkë me ekipin tim, kurse për projektet që do t’i shtyjmë në mandatin e ardhshëm janë investimet në arsim dhe shëndetësi.

“Bota sot”: Çfarë rezultati prisni në zgjedhjet lokale të cilat janë caktuar të mbahen në muajin tetor?

Shpejtim Bulliqi: Qytetarët kanë filluar të shohin ndryshime, ata po ndjehen më të lirë dhe po e shohin vullnetin tonë të madh për reformat që i kemi nisur. Unë besoj se qytetarët do ta vlerësojnë punën dhe angazhimin tonë dhe nuk besoj që do të kemi telashe për të fituar mandatin e plotë, pra pres fitore bindëse në zgjedhjet lokale të tetorit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në përgjithësi?

Shpejtim Bulliqi: Po më gëzon fakti që tash kemi stabilitet institucional dhe qeveria ka filluar disa reforma që janë hapa pozitiv, po ashtu inicimi i disa procedurave të reformave në drejtësi, arsim e fusha të tjera janë shpresëdhënëse për të ardhmen.

“Bota sot”: Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, çfarë prisni se do të ndodh?

Shpejtim Bulliqi: Unë besoj që Qeveria Kurti ka përgatitur platformë mirë të përgatitur të dialogut, përkundër që ka shumë sfida e vështirësi edhe nga e kaluara, por besoj që me njerëzit më me përvojë më kredibil do t’i adresojnë shumë çështje me interes për Kosovën dhe do t’i japin një epilog këtij dialogu në favor të Kosovës.

“Bota sot”: Si po e vlerësoni punën e kryeministrti Kurti ende pa arritur 100 ditëshin?

Shpejtim Bulliqi: E përmenda se jam i lumtur që tash kemi një stabilitet institucional dhe kjo situatë po i krijon mundësi Qeverisë për të punuar lirshëm e pa presion, është ende herët për të dhënë një vlerësim të saktë, por sinjalet janë pozitive dhe pres shumë punë të mira nga Qeveria Kurti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat