Deputeti i VV-së: Në Kosovë nuk do të ketë Asociacion, këto janë pritjet nga dialogu me Serbinë

Intervista

Deputeti i VV-së: Në Kosovë nuk do të ketë Asociacion, këto janë pritjet nga dialogu me Serbinë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 28 qershor 2021 Në ora: 10:29
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur rreth aktualitetit politik në vend. Ai së pari ka deklaruar se në këtë mandaj si deputet është i fokusuar në Bujqësi, po ashtu edhe në avancimin e të rinjëve në tregun e punës, si dhe në garantimin e të drejtave në grave në shoqëri.

Më tej theksoi se tani përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është në vlugun më efikas se më parë, kjo e bëri paraqitja e Kurtit në Bruksel gjë që tregon se agjenda e Kosovës ka hyrë në rrugën e duhur, pastaj edhe sigurimi i vaksinave. Ndërsa, në vazhdimësi sipas Korenicës, qeveria duhet t’i kushtoj rëndësi investimeve në energjetikë, investimet në bujqësi dhe në teknologji.

Tutje ka potencuar edhe rreth dialogut, që sipas tij, kërkim falja e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, të pagjeturit dhe vendosja e drejtësisë për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre janë kërkesat më të domosdoshme për të ecur përpara me dialogun.

Image
Visar Korenica

Ndërsa, i pyetur se a duhet Qeveria e Kosovës të kërkojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi, ai ka theksuar se derisa Asociacioni është në kundërshtim me kushtetutën nuk mund të lejojmë as themelimin e tij, por mund të lejojmë vetëm themelimin e këshillit nacional të serbëve në Kosovë pa kompetenca ekzekutive njëjtë sikur që ekziston këshilli kombëtar i shqiptarëve në Serbi.

“Bota sot”: Në çfarë jeni i fokusuar në këtë mandat si deputet?

Visar Korenica: Gjatë mandatit tim bujqësia do të jetë në fokus, sepse shtresa më e neglizhuar janë bujqit, ngase qeverisjet e deritanishme kanë favorizuar oligarkët, e jo bujkun. Në këtë drejtim luftimi i pabarazisë sociale, lufta kundër krimit dhe nepotizmit do të jenë angazhimi im i pandalshëm në Kuvendin e Kosovës. Do të angazhohem po ashtu në fuqizimin dhe avancimin e të rinjve në tregun e punës dhe garantimin e të drejtave për gratë për barazi në shoqëri dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive fetare që stigmatizohen dhe paragjykohen sistematikisht në shoqërinë tonë.

Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend? Dhe çfarë duhet të ndryshohet nga Qeveria në vazhdimësi?

Visar Korenica: Aktualisht përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtarë është në vlugun më të madh dhe më efikas që kemi parë ndonjëherë në Kosovë. Përfaqësimi dinjitoz i kryeministrit tonë në Bruksel për dialogun e marrëdhënieve dy palëshe mes Kosovës dhe Serbisë, tregon se agjenda politike e Kosovës ka hyrë në binarë të duhur dhe me rëndësi ndërkombëtare dhe e gjithë vëmendja e BE-së dhe SHBA-së është drejtuar drejtë këtij dialogu. Pas vetëm dy muajsh nga marrja e mandatit qeverisës, qeveria Kurti arriti të siguroj mbi 1 milion doza të vaksinave kundër covid-19, kështu duke siguruar stabilitet të theksuar dhe duke ulur vdekshmërinë në zero raste si dhe duke ulur drastikisht numrin e infektimeve në vend me marrjen e masave adekuate kundër pandemisë. Nuk ka më ministra që udhëheqin nga kolltuku, por ka ministra që dalin në teren e prej ku angazhimet e tyre ndikojnë në ndryshimet e nevojshme që kërkohen. Këto 100 ditë të para për qeverinë ishin ditë me angazhim e përkushtim maksimal. Në anën tjetër, në vazhdimësi, qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë investimeve në energjetikë respektivisht në energji të ripërtërishme, investimet në agroturizëm, në bujqësi dhe në teknologji informative duke ju përshtatur konkurrencës së madhe në rajon, në mënyrë që Kosova të bëhet një treg konkurrent për t’i inkurajuar investitorët e jashtëm që të investojnë në Kosovë. Krijimi i vendeve të punës, mbështetja e sektorit privat, arsimi i duhur, drejtësi stabile dhe e drejta bashkë me shëndetësi të avancuar janë sektorë të rëndësisë së veçantë dhe pritjet të mëdha për qytetarët e Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga dialogu me Serbinë?

Visar Korenica: Për herë të parë qeveria e Kosovës ka agjendë të qartë duke ndërtuar konsensus nacional e shtetëror në lidhje me dialogun. Kërkim falja e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, të pagjeturit dhe vendosja e drejtësisë për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre janë kërkesat reale dhe të domosdoshme për të ecur përpara me dialogun dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët.

“Bota sot”: Por, nga zgjedhjet lokale çfarë prisni?

Visar Korenica: Zgjedhjet lokale në masë të madhe do përcillen me ndryshime që pasojnë nga zgjedhjet e përgjithshme. Gatishmëria e votuesve për ndryshim dhe vetëdija e lartë qytetare do të sjellin rezultate të nevojshme në të mirë të qytetarëve. Vlerësimet për udhëheqësit komunal nga vet votuesit nuk do të ndikohen nga malverzime siç ka ndodhur në të kaluarën me blerje të votave apo me shantazhe me humbjen e vendeve të punës. Do të fitojnë partitë me kandidatët më të mirë dhe listë më të kompletuar në nivel komunal. Presim që gjithçka të shkojë në mënyrë më të mirë të organizuar dhe pa incidente, dhe sigurisht presim qe Lëvizja Vetëvendosje, të fitojë në shumicën e komunave.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vizitën e kryeministrit Kurti në Paris?

Visar Korenica: Ishte hera e parë që kryeministri Kurti e takoi presidentin Macron dhe kjo do të thotë rikthimi i Francës në Ballkan për ta optimizuar rolin e saj dhe për të treguar interesimin e saj për pjesëmarrje në zgjidhjen e konflikteve mes palëve. Për Kosovën, Franca është një aleat i rëndësishëm dhe ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe çdo intensifikim dhe afrim me shtetin e Francës është i rëndësisë së veçantë në rrugën drejtë BE-së.

“Bota sot”: Si e komentoni takimin Kurti-Vuçiq? Çfarë mund të pritet tutje?

Visar Korenica: Ashtu siç e tha edhe kreu i diplomacisë evropiane z.Borrell, dialogu nuk do të jetë i lehtë. Takimi ishte i nivelit të lartë dhe pak para se të bëhej vizita e presidentit amerikan Joe Biden në BE, i cili ka kërkuar njohjen reciproke nga të dyja palët. Në këtë drejtim, pres që të gjitha takimet te përfundojnë me argumentime të fuqishme te pozicionit tonë karshi Serbisë, derisa në vazhdimësi diplomacia jonë duhet të jetë aktive duke siguruar mbështetje dhe përkrahje edhe të vendeve tjera që nuk e kanë njohur Kosovën si dhe intensifikim të shtuar për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Rezultati i dialogut do të përcaktojë edhe të ardhmen evropiane të të dyja vendeve. Është e pritshme që pala e kundërt të kërkojë sa më shumë ndikim në Kosovë përmes asociacionit të komunave me shumicë serbe, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga kryeministri ynë duke potencuar që nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Pala serbe e ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit tonë z.Kurti që Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës. Ky propozim ishte një fitore në tavolinë, sepse kështu me këtë refuzim që bëri Vuçiq, tregon për mos gatishmërinë e palës serbe për të vazhduar para me hapa konkret në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Bota sot”: Si duhet vepruar me Asociacionin e komunave serbe, derisa po kërkohet formimi i tij?

Visar Korenica: Asociacioni si i tillë, edhe pse i nënshkruar nga qeveria jonë në vitin 2013 nga ish kryeministri Isa Mustafa, është vërtetuar që është në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, dhe këtë e ka vërtetuar aktgjykimi i gjykatës sonë dhe si i tillë nuk mund të zbatohet në Kosovë. Pra, në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion njëetnik, por duhet t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie. Jam thellësisht i bindur që nuk do të lejohet një gjë e tillë, sepse kështu do të cenohej sovraniteti i plotë i republikës

“Bota sot”: A duhet Qeveria e Kosovës të kërkojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi?

Visar Korenica: Derisa Asociacioni është në kundërshtim me kushtetutën tonë nuk mund të lejojmë themelimin e tij, por, ajo çfarë mund të lejojmë në bazë të reciprocitetit është themelimi i këshillit nacional të serbëve në Kosovë pa kompetenca ekzekutive njëjtë sikur që ekziston këshilli kombëtar i shqiptarëve në Serbi.

“Bota sot”: Albert Zogaj është zgjedhur kryesuesi i KGJK-së dhe i njëjti është edhe kryetar i Komisionit të Provimit të Jurisprudencës. A është e drejtë që një zyrtar i lartë të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të organeve të institucioneve të tjera publike?

Visar Korenica: Si qeveri e re, jemi zgjedhur nga populli për të sjellë tjetër standard në qeverisje duke zbatuar në plotëni ligjet në fuqi dhe duke mos lejuar shkeljet të cilat mund të ndikojnë në performancën e dobët në pozicione drejtuese. z. Zogaj është zgjedhur kryetar i Komisionit të Provimit të Jurispodencës dhe i njëjti nuk do të kompensohet për punën në këtë komision bashkë me dy anëtarë tjerë të emëruar, një gjë e tillë nuk ka ndodh më parë dhe neni 18 paragrafi 6 i ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës e sqaron këtë vendim siç edhe e sqaroi në kuvend ministrja Haxhiu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat