Ish-ministri me kritika për menaxhimin e pandemisë: Sikur të mos ishin donacionet, ende nuk do të fillonim me vaksinimin

Intervista

Ish-ministri me kritika për menaxhimin e pandemisë: Sikur të mos ishin donacionet, ende nuk do të fillonim me vaksinimin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 qershor 2021 Në ora: 18:54
Imet Rrahmani

Ish-ministri Shëndetësisë, Imet Rrahmani, aktualisht anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar institucionet politike në vend për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Rrahmani ka thënë se masat që janë ndërruar nga ekzekutivi kanë qenë shumë kozmetike dhe të bëra vetëm për përfitime momentale.

Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, Rrahmani ka deklaruar se puna e deritanishme e qeverisë aktuale nuk është aspak për t’u vlerësuar. Ndërsa, është shprehur i bindur se sikur të mos ishin donacionet nga vendet mike, edhe me tej nuk do të fillonim me vaksinim.

“Jam i bindur se ne ende nuk do të fillonim me vaksinimin sikur të mos ishin donacionet dhe marrëdhëniet e mira me institucionet ndërkombëtare, jo vetëm shëndetësore, që janë kultivuar me vite”, ka deklaruar ndër të tjerash anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në këtë intervistë, Rrahmani ka folur edhe për fillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në shfrytëzimin e gatishmërisë së SHBA-ve dhe BE-së në arritjen e marrëveshjes përfundimtare që qon te njohja e ndërsjellët.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: z. Rrahmani çfarë vlerësimi keni për punën e deritanishme të Qeverisë Kurti?

Imet Rrahmani: Aspak i mirë. Sikur rruga e ardhjes në pushtet e kësaj qeverie të ishte e trasuar mbi bazën e një programi përmbajtjesor dhe realist e jo mbi kauza të pavërteta dhe jo të qëndrueshme, atëherë kishin me u pranuar arsyetime të stilit “se ky është fillimi”, “ju duhet pak kohë”, “nuk mund të punohet me njerëzit e mëhershëm”, etj. etj. Por, propaganda shumëvjeçare për mohimin e çfarëdo të arriture dhe degradimin e skajshëm të imazhit të institucioneve të shtetit, natyrshëm i ka rritur pritshmëritë joreale që po qojnë drejtë një dëshpërimi të madh që ka rrezik të mos ketë mundësi të menaxhohet në një të ardhme. Shumica e qytetarëve të Kosovës besuan se me largimin e partive që qeverisën me vendin, zgjidhjet e krejt atyre problemeve do të ndodhin shpejt sepse fajtor për to ishte emri i një apo dy politikanëve ose një apo dy partive, e jo mundësitë e kufizuara dhe reale të një shteti të ri si Kosova. Tash, u pa që objektiv kanë pasur marrjen e pushtetit dhe zhvillimin e shtetit. Sot as shkopi magjik nuk i ndihmon qeverisë aktuale sepse propaganda e tyre ka krijuar ambient të tillë mosbesimi në institucione gjë që edhe mrekullitë nuk përmbushin pritshmërinë.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për menaxhimin që Qeveria Kurti dhe ministri Arben Vitia i ka bërë pandemisë?

Imet Rrahmani: Masat që janë ndërruar kanë qenë shumë kozmetike dhe për kalkulime, e për përfitime momentale. Së pari më shumë se dy javë nuk u veprua asgjë me arsyetimin se po analizohet situata a në fakt ishte pritje që vetvetiu të kalojë vala e numrit të madh të rasteve, pastaj u ndërmorën masa kufizuese që ishin pa efekt dhe mund të them edhe me përmasa qesharake. Mbylleshin lokalet e grumbullimi në hapësira të hapura ishte maksimal. Nuk kemi parë koordinim të institucioneve të shtetit. Masat thjesht respektoheshin nga vullneti i individëve ose nga frika për sëmundjen. Ra numri i të infektuarve atëherë kur shifrat uleshin edhe ne shtetet e regjionit. Shto këtu edhe dyshimin në manipulimin e shifrave dhe skandalin e mos nënshkrimit të para kontratës për vaksina deri te kërcënimi i hapur i medieve. Të gjitha këto flasin që qeveria nuk ka pasur plan dhe strategji veprimi dhe se ndikimi i vendimeve të saj në mbarëvajtjen e proceseve rreth pandemisë ishte zero. Të e kujtojmë menaxhimin e dozave të para të vaksinave, tollovive dhe stërzgjatja e aplikimit të tyre me arsyetimin se “kemi kohë mjaftueshëm deri sa të na vijnë vaksinat tjera”. Gjatë tërë kësaj kohe rol të pamohueshëm dhe për t’u admiruar kanë shfaqur profesionistët shëndetësor dhe IKSHPK-ja, që shpesh të vetmuar dhe brenda mundësive dhe kompetencave që kanë, bënë maksimumin. Vendi ynë ishte ndër të fundit që ka siguruar vaksinat anti-Covid.

“Bota sot”: A ka mundur të bëhet më shumë për sigurimin këtyre vaksinave?

Imet Rrahmani: Te sigurimi i vaksinave duhet pa situatën pak më realisht se sa që shpesh po paraqitet ne opinion. Kosova në fazat e para të angazhimit për sigurimin e vaksinave ka pasur shumë vështirësi si shtet i vogël që jemi dhe me pengesa shumë. Natyrshëm në situata të tilla globale vendet e fuqishme janë mbizotëruese të tregut. Mendoj se njëri nga gabimet tona ishte mos kyçja e qeverisë si tërësi dhe që nga fillimi në procesin e sigurimit të vaksinave, dhe krijohej përshtypja se kjo punë po bëhej vetëm nga Ministria e Shëndetësisë. Pastaj, ndodhën ato gjërat rreth mos nënshkrimit të kontratave dhe tentimi i përfitimeve politike në dëm të kohës dhe shëndetit publik. Jam i bindur se ne ende nuk do të fillonim me vaksinimin sikur të mos ishin donacionet dhe marrëdhëniet e mira me institucionet ndërkombëtare, jo vetëm shëndetësore, që janë kultivuar me vite.

“Bota sot”: Kohët e fundit ka rënë ndjeshëm numri i infektimeve. Është normale një gjë e tillë?

Imet Rrahmani: Unë nuk jam ekspert i shëndetit publik, por nga përvoja e ekspertëve tanë dhe nga ajo çka po shohim nëpër botë, Kosova asnjë moment nuk ka bërë dallim nga vendet tjera e aq më pak nga regjioni. Unë do të doja që dikur të jepen shpjegime me argumente shkencore se si dhe çka ka ndodhur te ne me numrin e të infektuarve, rritjet dhe zvogëlimin, sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë, si u trajtuan pacientët dhe çka kemi mundur me mirë e çka jo. Uroj që dhimbjet dhe vuajtjet e qytetarëve të Kosovës nga Covid 19 të jenë ka fundi dhe të jetojmë normalisht.

“Bota sot”: Kalojmë pak te dialogu Kosovë-Serbi. Tashmë kemi parë takimin e parë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Sa besoni se qeveria është e përgatitur për këtë proces?

Imet Rrahmani: Besoj që të gjithë tashmë e dimë që ky proces duhet të mbyllet dhe të mos kontribuohet ruajtjes së gjendjes se tanishme të status qos. Shtyrja e procesit i konvenon vetëm Serbisë dhe kundërshtarëve të shtetit të Kosovës. Qeveria duhet të fokusohet në shfrytëzimin e gatishmërisë së SHBA-ve dhe BE-së në arritjen e marrëveshjes përfundimtare që qon te njohja e ndërsjellët. Duhet të mos humbet kohë me improvizime dhe shfaqje të patriotizmit kokëfortë edhe aty ku nuk duhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat