Alush Gashi flet për “Bota sot”: Është koha që të arrihet marrëveshje me njohje reciproke, kështu mund të përmbyllet suksesshëm

Intervista

Alush Gashi flet për “Bota sot”: Është koha që të arrihet marrëveshje me njohje reciproke, kështu mund të përmbyllet suksesshëm

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 korrik 2021 Në ora: 10:54
Prof.Dr. Alush Gashi

Alush Gashi, ish-ministër i Shëndetësisë dhe njëherësh ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova, ka kritikuar Qeverinë Kurti për 100 ditët e para të qeverisjes. Ai ka thënë deri më tani nuk është parë vullnet për qeverisje.

Gashi në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se nga qeveria aktuale nuk mund të pritet që të ndodhë realizimi i premtimeve elektorale, andaj, ai ka paralajmëruar se kur nuk realizohen premtimet, edhe zhgënjimi i qytetarëve do të jetë i madh.

Sa i përket fillimit të dialogut me Serbinë, Gashi ka bërë me dije se në interes të vendit është mbyllja e këtij procesi me arritjen e një marrëveshje për ta siguruar njohjen nga Serbia. Sipas tij, ky proces mund të mbyllet suksesshëm nëse Kosova punon ngushtë më Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj.

Gashi mendon se është koha që të arrihet marrëveshje më njohje reciproke dhe shtensionim të raporteve mes dy vendeve.

Kurse, lidhur me reformat e filluara në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Gashi ka theksuar se është evidente rritja e interesimit për këtë parti.

Intervista e plotë:

Image
Prof.Dr. Alush Gashi

“Bota sot”: z. Gashi, ka ndodhur takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, AleksandarVuçiq, në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi. Si e vlerësoni këtë takim?

Alush Gashi: Ju pyetjen e shtroni si dialog, por këtu kemi të bëjmë më shumë me negociata.

Para takimit ishte përpjekje e mohimit publik të memories institucionale lidhur me dialog/negociata. Dëgjuam deklarime se nuk ka të dhëna për dialog/negociata, se duhet kohë për të mësuar për atë se çka ka bërë Qeveria paraprake. Mohohej ajo qe ishte parë, para kamerave, kur Kryeministri në shkuarje i ofron Kryeministrit në ardhje Raportin e shkruar për të gjitha punët e bëra, në kuadër të saj edhe të ecurisë së dialogut/negociatave. Raport që më vonë u bë publike për gjithë te interesuarit. Ndërsa, sa i përket asaj çka është biseduar në takim nuk jam në dijeni përveç deklarimeve në mediume.

“Bota sot”: Në ketë̈ takim shefi i Qeverisë së Kosovës ka bërë edhe disa kërkesa, të cilat janë̈ refuzuar nga kreu i shtetit serb. Cili është̈ vlerësimi juaj për këto propozime?

Alush Gashi: Nuk kam pasur rast të shoh dokument lidhur me këtë, e as ndonjë paraqitje në Kuvend të Kosovës. Andaj, nuk është korrekte të jepen vlerësime vetëm në bazë të deklaratave mediale. Natyrisht që palët kanë të drejtë të bëjnë propozime dhe të ketë pikëpamje lidhur me propozime.

Është evidente se negociatat janë detyrim ndërkombëtar, për këtë ka vendime të institucioneve më të larta të BE-së me të cilat Kosova ishte pajtuar dhe ka dërguar delegacion me autorizime Kushtetuese.

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga BE-ja zhvillohen me se një dekadë. Është debatuar në Kuvendin e Kosovës, miratuar rezolutë dhe një marrëveshje e arritur mes palëve është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Pra, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga BE-ja janë te strukturuara, nuk janë veprime “ad-hoc”. Disa shtete vendimin për njohje te shtetësisë së Kosovës e lidhin me arritje të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, arritja e marrëveshjes është ne interes te Kosovës.

Në marrëdhënie ndërkombëtare duhet kujdes, respektim dhe zbatim të obligimeve të marruara. Veprimet që mund të zvarrisin arritjen a marrëveshjes kënaqin qëllimin e palës tjetër (Serbisë), e cila fare nuk është e interesuar për arritje të marrëveshjes dhe njohje të pavarësisë së Kosovës. Beogradi është në dijeni se delegacioni i Kosovës për negociata me Serbin ka detyrime nga vendimet e Kuvendit te Kosovës: respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtjen e unitaritetit dhe njohjen reciproke.

Zgjuarsia e delegacionit tonë do shihet në aftës për arritje të marrëveshjes në bazë të parimeve të mandatuara nga Kuvendi. Nuk kishte me qenë e dobishme, që sa herë të ndërrohet Qeveria të ndërrohen aleatet dhe parimet në bisedime/negociata.

“Bota sot”: Në bazë të zhvillimeve që ndodhën në takimin e parë mes Kurtit e Vuçiq, mendoni se në procesin e dialogut me Serbinë̈ mund të këtë ndonjë̈ marrëveshje të shpejtë?

Alush Gashi: Është në interes të vendit tonë mbyllja e këtij procesi me arritje të marrëveshjes me njohje. Interesi i palës tjetër është që çështjet të mbesin të hapura, bisedimet mos të përfundojnë me marrëveshje. Procesi mund të mbyllet suksesshëm nëse Kosova punon ngushtë më ShBA-të dhe aleatet e tyre. Injorimi dhe kryeneçësia ndaj partnerëve strategjik sjellë dështim dhe pasoja.

Ju përkujtoj së në negociata fiton atë që je i aftë të negociosh, jo atë që mendon së të takon. Andaj, në negociata duhet shkuar i përgatitur.

Delegacioni i Kosovës është në pozitë të volitshme, sepse ne mandatin negociues për pakicën serbe i pranon standardet më të larta të vendeve me demokraci të konsoliduar. Delegacioni ynë të jetë pro aktivë, që sa më parë të përfundojë ky proces.

Nuk duhet harruar së të arriturat e deritanishme në Kosovë, janë të arritura edhe fal angazhimit të partnerëve tonë strategjik. Andaj, në këtë kohë shumë të rëndësishme duhet punuar së bashku më partnerët dhe në asnjë mënyrë mos të neglizhohen këshillat dhe përpjekjet e tyre.

Për një dekadë negociatat kanë shërbyer për menaxhim të mosbesimit. Është koha që të arrihet marrëveshje më njohje reciproke dhe shtensionim të raporteve mes dy vendeve.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë Kurti?

Alush Gashi: Nuk është parë vullnet për qeverisje. Grupi Parlamentar i LDK së është i pakënaqur me punën e kësaj qeverie.

“Bota sot”: Për këtë 100 ditësh sa është parë, mendoni se ekzekutivi aktual do t’u përmbahet premtimeve të dhëna gjatë fushatës?

Alush Gashi: Kur nuk realizohen premtimet, zhgënjimi është i madh. Është evidente se realizimi i premtimeve është shumë larg.

“Bota sot”: Si i keni parë reformat në Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Alush Gashi: Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së i ka miratuar të gjitha propozimet e Kryetarit të posa zgjedhur, që kanë të bëjnë me modernizim të komunikimit dhe funksionimit si dhe përgjegjës para sfidave të kohës. Është evidente rritja e interesimit për LDK-në. Natyrisht se në një nga takimet e radhës të Këshillit te Përgjithshëm mund të analizohet puna e bërë.

Nga Grupi Parlamentar i LDK-së pritet të jetë më i zëshëm në Kuvendin e Kosovës.

“Bota sot”: Ditë më parë keni themeluar edhe Institutin për Marrëdhënie me Jashtë. Mund të na shpjegoni z. Gashi se cili do të jetë roli i këtij Instituti?

Alush Gashi: Ne marrëdhënie ndërkombëtare krijimi dhe mbajtja e kontakteve është esenciale. Do bëjmë përpjekje për të ofruar njohuri për bashkëpunim si dhe mundësi për ndarje te përvojës dhe mbështetje për diplomatët e rinj të fushave te ndryshme përmes programit tonë të Akademisë Diplomatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat