Hyseni paralajmëron agresion dhe luftëra të reja nëse Serbia nuk pranon kërkesën e Kosovës: Ja si duhet të veprojë Kurti

Intervista

Hyseni paralajmëron agresion dhe luftëra të reja nëse Serbia nuk pranon kërkesën e Kosovës: Ja si duhet të veprojë Kurti

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 korrik 2021 Në ora: 22:12
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq, dialogu në Bruksel

Nënkryetari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, në Nju-Jork, SHBA, Mehdi Hyseni, ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, profesor doktori ka thënë se nëse Serbia nuk pranon gjenocidet e saj mbi shqiptarët, kjo do të thotë se është e gatshme për agresione dhe për luftëra të reja me shqiptarët në Ballkan.

Hyseni ka theksuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duhet që presidentit serb Aleksandar Vuçiq, t’ia parashtrojë edhe në takimin e radhës kërkesën për njohjen e tre gjenocideve të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Image
Mehdi Hyseni

Ai ka thënë se nëse Vuçiq refuzon që të hapet kjo temë në dialogun në Bruksel, Kurti duhet të kërkojë nga SHBA-ja dhe BE-ja që gjenocidi serb të jetë objekt shqyrtimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kërkesën-padinë në emër të Kosovës, duhet t’ia dërgojë Qeveria e Shqipërisë, duke qenë se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

Sipas tij, nëse Serbia shmang dënimin për gjenocidet, ajo do të dilte fitimtare në dialog me Kosovën dhe ajo me të gjitha mjetet e saj juridike, politike dhe ushtarake (me ndihmën e Rusisë dhe të Kinës) do të bënte përpjekje, që të ndërhyjë ushtarakisht për rikthimin e ish-kolonisë së saj, Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Hyseni, ju e keni përcjell më vëmendje të veçantë veprimtarinë e Albin Kurtit. Si e komentoni fitoren e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Mehdi Hyseni: Para se të them opinionin tim lidhur me dialogun e ri të Brukselit (qershor-korrik 2021), dëshiroj t’i vë në dijeni lexuesit se Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje i njoh mirë në kuptimin pozitiv politik, demokratik dhe kombëtar, sepse veprimtarinë e tyre e kam ndjekur me vëmendje të merituar që nga viti 2007 e deri më sot. Në këtë “temë” kam publikuar shumë komente dhe analiza profesionale, që përbëjnë një libër voluminoz sikur të ishte botuar. Në këtë kontekst, pata theksuar se Albin Kurti me LVV-në, është opozita politike më e fuqishme në Ballkan (mbase kishte program të qartë politik e kombëtar për ndërtimin dhe demokratizimin e vendit, si dhe për zgjidhjen e shumë problemeve në fushën e ligjit dhe të drejtësisë, të arsimit dhe të edukimit, të zhvillimit ekonomik, të punësimit, të zhdukjes së varfërisë, të eksodit sistematik dhe të përparimit të gjithmbarshëm të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran). Mirëpo, për fat të keq, oponentët politikë nepotistë, të korruptuar dhe oligarkistë e absolutistë në pushtet (pozitë), e luftuan , e kundërshtuan dhe e shpifnin përpara popullit dhe përpara partnerëve evropiano-perëndimorë, se “Albin Kurti me LVV-në ishin antiamerikanë”. Pikërisht, kjo shpifje e ndyrë dhe, pa asnjë mbështetje argumentuese, bëri që Albin Kurti dhe LVV-ja të ngelnin në opozitë jo më pak se 14 vjet. Kjo ishte një humbje e madhe për shtetin e ri të Kosovës, sepse gjatë asaj kohe, drejtuesit e saj burokratikë , sektaristë dhe autoritarë, Kosovën e shndërruan në një “koloni” private të tyre sipas interesave klanore, partiake dhe provincialiste, me ç’rast përfituan edhe pasuri, edhe pushtet të pakufizuar, duke u bërë milionerë në kurrizin e popullit të varfëruar dhe të shfrytëzuar dhe të vlerave të luftës së UÇK-së, e cila flijoi dhe bëri luftën e drejtë për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës.

Kjo agoni dhe gjendje e mjerueshme e popullit të Kosovës zgjati deri më 14 shkurt 2021, kur në zgjedhjet parlamentare , vota demokratike dhe e lirë plebishitare mbi “50 %” e zgjodhi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për ta drejtuar shtetin e Kosovës, duke zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e saj në interesin e përgjithshëm të sovranit, jo të individëve dhe të grupeve të ndryshme të interesit sipas “klisheve” të kultit të individit dhe të despotizmit feudal afrikan. Pra, për fatin tonë, më 14 shkurt 2021 fitoi drejtësia dhe demokracia, kërkesa referendumiane e popullit për ndryshime pozitive në favorin e interesit të përgjithshëm të te gjithë qytetarëve, të shtetit të së drejtës , të demokracisë, të barazisë, të humanizmit dhe të mirëqenies si vlera universale.

“Bota sot”: Z. Kundërshtarët politikë Kurtin e kanë quajtur “anti-amerikan”?

Mehdi Hyseni: Albin Kurti është një nga liderët politikë më seriozë dhe më të zotë në Ballkan. Është me Amerikën, me BE-në dhe me NATO-n, jo anasjelltas, siç gënjenin dhe shpifnin oponentët e tij të dikurshëm.

Prandaj, duhet të mbështet pa asnjë rezervë (si në kuptimin e ngushtë të politikës së brendshme, ashtu edhe në atë të politikës ndërkombëtare), mbase është fat i madh, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Ballkanin, sepse ka program dhe vizion të shëndoshë se si të mëkëmbet interesi i përgjithshëm kombëtar shqiptar, ashtu edhe ai rajonal ballkanik, që të gjenden forma të përshtatshme dhe reciproke për bashkëpunimin, integrimin dhe koekzistencën paqësore, që këto vlera universale patjetër do të çonin në pajtimin e popujve të armiqësuar të Ballkanit. Mbi të gjitha Albin Kurti është parimor, paqësor dhe demokrat i dëshmuar, që ka provuar se është kundër përdorimit të politikës së forcës, si formë e luftës së ftohtë, kundër politikës kolonialiste serbo-sllave, hegjemoniste dhe militariste në Ballkan. Këtë vizion altruist dhe humanist, së fundi e provoi edhe pranimi dhe takimi me kryeliderin politik të Lidhjes Socialdemokratike të Vojvodinës, Nenad Çanak në zyrën e tij qeveritare në Prishtinë, me ç’rast biseduan për përshpejtimin e procedurës ligjore për “1647” viktima të zhdukura, gjatë luftës pushtuese të Serbisë në Kosovë (1989-1999).

“Bota sot”: Z. Hyseni, si e komentoni takimin e dytë ballë për ballë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq?

Mehdi Hyseni: Dialogu i Brukselit nuk mund të zgjidhë konfliktin kolonial 100-vjeçar të Kosovës dhe të Serbisë! Këtë e kam thënë me dhjetëra e qindra herë në shkrimet e mia të deritashme (2011-2021). Mirëpo, çfarë të bëjmë, kanë ardhur kohë të liga ku anti-vlerat e kanë “fjalën kryesore” në çdo pore të jetës, askush nuk e vret mendjen për mëkëmbjen dhe për afirmimin e vlerave të njëmendta të shoqërisë së sotme. Prandaj, fare nuk është e çuditshme dhe befasuese, pse qe më se 20 vjet Kosova , dhe jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria po përjetojnë “katarzën” politike, demokratike, juridike dhe sociale, sepse “privatnikët politikë”(drejtues të shtetit) në format më bizare, më anti-humane dhe më anti-ligjore i kanë izoluar dhe diferencuar vlerat e njëmendta kombëtare shqiptare dhe ndërkombëtare (1990-2021).

Ja në fund, në krye të Qeverisë së Kosovës, erdhi Kisinxheri shqiptar , Albin Kurti. Këtë e pata paralajmëruar që para një dekade. Por, disa liderë politikë të korruptuar në pushtet (duke menduar se gjithmonë ashtu do t’u shkonte kungulli mbi ujë), e shpifnin si antiamerikan!?

Mirëpo, Kisinxheri kosovar nuk u tërhoq nga lufta e egër politike me shpifësit e tij, dhe në fund, më 14 shkurt 2021, në mënyrë plebishitare fitoi mbi “50” të votave të qytetarëve. Pikërisht kjo fitore e thellë, i bindi edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, para së gjithash Amerikën, se Albin Kurti ishte me popullin dhe me Amerikën, jo ashtu siç gënjenin dhe shpifnin rrencat e korruptuar në pushtet, që të vetmin qëllim e kishin mos prekjen e tyre në kolltukët e pushtetit.

“Bota sot”: A duhet Serbia ta pranojë të kaluarën, për të përmbyllur marrëveshjen përfundimtare me Kosovën?

Mehdi Hyseni: Nëse Serbia nuk pranon gjenocidet e saj, kjo do të thotë se është e gatshme për agresione dhe për luftëra të reja me shqiptarët në Ballkan!

Ky është rreziku që e pret Kosovën, Shqipërinë dhe tërë Ballkanin, nëse Serbia nuk jep llogari para OKB-së për gjenocidet e kryera ndaj shqiptarëve (1878-2021).

Prandaj (logjikisht dhe ligjërisht) nuk mund të ketë dialog me Beogradin, pa zbardhjen-ndërkombëtarizimin e të gjitha gjenocideve të Serbisë ndaj shqiptarëve, ashtu siç ka kërkuar Albin Kurti nga homologu i tij, Aleksandër Vuçiq në takimin e dytë me të në Bruksel, më 19 korrik 2021!

Vazhdimin e dialogut të Brukselit po e quaj të ri për nga “temat” dhe nga “dizajni” politik dhe diplomatik, sepse me pjesëmarrjen e kryeministrit të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në tërësi ka ndryshuar “formati” paraprak i dialogut të dështuar 10-vejçar (2011-2021).

Me përfaqësimin e Albin Kurtit në negociatat dypalëshe serbo-shqiptare në Bruksel, mund të them se Kosova ka shpëtuar nga copëtimi dhe rikolonizimi i saj nga Serbia ish-kolonialiste dhe gjenocidale, mbase kryeministri i Kosovës nuk do të pranojë asnjë “formulë” , asnjë diktat dhe, asnjë ultimatum të Aleksandër Vuçiqit, që do të ndikonin drejtpërdrejt ose zhdrejtazi në mohimin e statusit të pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës. Kjo është fatbardhësi për popullin e Kosovës, pavarësisht nga anatemat dhe allakritikat kuturu joprofesionale dhe jo objektive të “robotëve politikë” dhe të disa skribomanëve, të cilët po e gënjejnë dhe po e mashtrojnë opinionin e gjerë publik kinse kryeministri Albin Kurtit “ka ndryshuar agjendën e dialogut”!?

Po, çfarë “agjende” ka pasur ai farë dialogu, i cili plot një dekadë prodhoi vetëm gënjeshtra, mashtrime, manipulime, dezinformime, harxhime të buxhetit nga taksapaguesit e Kosovës, si dhe premtime të rreme, se gjoja do të mbyllej me “njohjen e Kosovës” nga ana e Serbisë!

Por asgjë konkrete dhe në të mirë të Kosovës së pavarur nuk doli nga Dialogu i Brukselit, në të cilin Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kishin nënshkruar edhe Marrëveshjen famëkeqe për formimin e “Srpska Zajedinës” brenda shtetit dhe territorit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Mirëpo, fati që sot atë marrëveshje e ka bllokuar kryeministri Albin Kurti. Ndryshe, po të formohej “Srpska Zajednica”, domethënë “Republika Serbe” e Bosnjës së Radovan Karaxhiqit, e Ratko Mladiqit, e Bilana Plavshiqit dhe e Momçilo Kraijshnikut… dhe e Milorad Dodikut ( e cila krijua me gjenocid, e cila është ilegale, sepse nuk njihet nga e drejta ndërkombëtare ngaqë është formuar me force), pa asnjë dyshim se Kosova brenda një kohe shumë të shkurtër, do të zhbëhej si shtet, që do të përfundonte sërish nën kthetrat e sundimit kolonial të përgjakshëm dhe gjenocidal të Serbisë së Madhe (1912-1999).

“Bota sot”: Kurti ka treguar se Vuçiq ia ka refuzuar marrëveshjen për paqe dhe librat për tri gjenocidet serbe mbi shqiptarët. Si e vlerësoni qasjen e kryeministrit Kurti?

Mehdi Hyseni: Pas dy shekujsh (XIX dhe XX), Albin Kurti është i pari burrë shteti shqiptar, që në praninë e emisarëve special të BE-së, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak në takimin e dytë në Bruksel , presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ia tha botërisht se Serbia e tij ka kryer “3 gjenocide ndaj shqiptarëve, gjatë viteve 1878-2021”. Për të dëshmuar këtë të vërtetë të hidhur historike, Albini ia ofroi 3 libra, por këtë dhuratë të çmueshme, nuk e pranoi Aleksandër Vuçiqi, dhe i tërbuar largohet nga takimi me Albin Kurtin, duke e akuzuar se gjoja ky “kishte devijuar” nga agjenda e bisedimeve të deritashme, duke u hedhur në shekullin XIX.

Për këtë të vërtetë të dokumentuar historike, të paraqitur nga kryeministri Albin Kurti, më 19 korrik 2021 në Bruksel, unë kam shkruar që nga viti 1990 e, edhe sot (dekada e tretë, viti 2021 e shekullit XXI), se pa ndërkombëtarizimin (shqyrtimin) e të gjitha gjenocideve koloniale serbo-malazeze dhe greke ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë Etnike, nuk ka gjasë të arrihet asnjë pajtim paqësor me Beogradin, me Podgoricën dhe me Athinën. Thjesht për faktin se këto shtete kolonialiste, asnjëherë deri më sot nuk kanë pranuar para Evropës dhe para Kombeve të Bashkuara (1945-2021) se kanë kryer krime gjenocidale ndaj shqiptarëve, me qëllim të shfarosjes së tyre edhe si komb, edhe si shtet, edhe si nocion gjeografik në Ballkan.

Prandaj, as BE-ja, as Amerika, as OKB-ja, as NATO-ja, të mos tremben fare, pse kryeministri Albin Kurti me plot të drejtë ia tha në sy të vërtetën presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se në procesin e këtij dialogu, duhet të debatohet (edhe për “3 gjenocidet e Serbisë ndaj shqiptarëve, të kryera gjatë viteve 1878-2021)në frymën e ligjshme të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara (1945-2021), sepse pa ndriçimin e tyre në këtë vështrim të instrumenteve juridike ndërkombëtare, vështirë se mund të kalohet në tema të tjera, që të arrihej ndonjë marrëveshje kompromisi politik mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Bota sot”: A duhet ndërkombëtarët të marrin masa ligjore për të ndëshkuar Serbinë për “3 gjenocidet”?

Mehdi Hyseni: Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk merr parasysh krimet e gjenocidit kolonial të Serbisë (1878-2021), atëherë çdo dialog apo multidialog me Serbinë, do të ishte vetëm në mbrojtjen e interesave të politikës kolonialiste dhe neokolonialiste gjenocidale të Serbisë.

Pra, me një fjalë, nëse BE-ja, OKB-ja dhe Amerika nuk marrin masa ligjore për t’i ndëshkuar “3 gjenocidet e Serbisë të viteve 1878-2021”, atëherë, s’ka asnjë dilemë se Serbia do të vazhdonte “këngën” dhe “zejen” e vjetër të politikës së saj kërcënuese, kolonialiste dhe militariste nga pozita e forcës, duke kërkuar nga Amerika, nga BE-ja dhe nga OKB-ja, që Kosovën ta rikthenin nën sovranitetin e dikurshëm kolonial-gjenocidal të Serbisë (1912-1999).

Mirëpo, kjo do të ishte padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës së pavarur dhe sovrane, të cilën deri tani e kanë njohur mbi 100 shtete të OKB-së (2008-2021).

Pra, nëse OKB-ja, BE-ja dhe Amerika nuk i shtrojnë për debat ndërkombëtar (“3 gjenocidet e Serbisë (1878-2021”) ndaj shqiptarëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, atëherë vazhdimi i çdo dialogu a multidialogu me Beogradin zyrtar, do të jetë humbje dhe fatalitet për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, si dhe, njëherazi, edhe për statusin kolonial të shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë.

Duke qenë se krimet e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve (1878-2021) sipas konventave, marrëveshjeve, protokolleve, rezolutave dhe deklaratave të OKB-së dhe normave, rregullave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare nuk parashkruhen (domethënë nuk u kalon afati kohor), por në çdo kohë janë të dënueshme, pavarësisht se cili shtet i ka kryer ato ndaj ndonjë shteti tjetër.

Andaj, pse edhe gjenocidet e Serbisë ndaj shqiptarëve në Ballkan (1878-2021) të mos i nënshtrohen procedurës juridike ligjore ndërkombëtare të ndëshkimit të tyre nga ana e OKB-së?

Deri kur Serbia do të amnistohet nga të gjitha gjenocidet e saj ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike në Ballkan?!

Nuk ka asnjë dyshim se toleranca dhe amnistimi i gjenocideve të Serbisë ndaj shqiptarëve, ndaj kroatëve dhe ndaj myslimanëve boshnjakë fqinj, është shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e Rendit Juridik Pozitiv Ndërkombëtar!

Pse standarde të shumëfishta ndaj krimeve të gjenocidit, pse të mos vlejnë të njëjtat rregulla, parime dhe standard ligjore juridike ndërkombëtare edhe për dënimin e krimeve të gjenocideve të Serbisë në zemër të Evropës së civilizuar e demokratike?

Fundja, edhe pse kanë kaluar më se 2 shekuj (XIX –XX), OKB-ja ka shansin historik, që tani të involvohet në Dialogun e Brukselit, duke kërkuar urgjentisht, që ai të rivendoset në Asamblenë e Përgjithshme të saj, sepse vetëm ky Organ i OKB-së është me kompetencë, i autorizuar dhe meritor që në “Rend Dite” ta shtrojë shqyrtimin e krimeve të gjenocideve të Serbisë, të kryera ndaj shqiptarëve, dy shekuj më parë(XIX dhe XX), si dhe gjenocidin e saj të fundit në Kosovë (1989-1999).

“Bota sot”: Si i komentoni akuzat e Vuçiqit se Kurti po del jashtë agjendës së tij, duke minuar dialogun?

Mehdi Hyseni: Pavarësisht nga akuzat boshe të presidentit serb Vuçiq, se gjoja Albin Kurti “po minon dialogun e Brukselit, duke dalë nga temat e agjendës së tij”, ngase po kundërshton që të ballafaqohet me krimet e gjenocidit të Serbisë, kryeministri Albin Kurti nuk është fajtor i dështimit të 2 takimeve në Bruksel, por vet presidenti serb A.Vuçiq me destruktivitetin dhe me arrogancën e tij antidiplomatike, se gjoja Serbia nuk ka kryer krime të gjenocidit ndaj shqiptarëve, gjë që kjo është një gënjeshtër sui generis, e thekur në “stilin” e rrenave shumëshekullore të shtetarëve, të akademikëve, të shkrimtarëve, të poetëve, të shkencëtarëve, të publicistëve, të gazetarëve dhe të klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe (1389-2021).

“Bota sot”: Si duhet të veprojë kryeministri Kurti, nëse Vuçiq kundërshton vazhdimin e dialogut duke mohuar të kaluarën?

Mehdi Hyseni: Megjithëkëtë kundërshtim, aversionin dhe alergjinë politiko-propagandistike të A. Vuçiqit, me qëllim të mohimit dhe të murkullimit të mëtejshëm të krimeve të gjenocideve serbe në sy të bashkësisë ndërkombëtare, edhe në takimin e tretë të palëve negociuese në Bruksel (nëse mbahet), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shtrojë të njëjtën Kërkesë për presidentin serb Aleksandër Vuçiq, që të debatojnë për krimet e fshehura shekullore të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.

Ndryshe, po ritheksoj , nëse Vuçiqi do të refuzojë, që të mos hapet kjo “temë” në Dialogun e Brukselit, atëherë kryeministrit Albin Kurti nuk i mbetet tjetër veçse të kërkojë nga Amerika dhe nga BE-ja, që gjenocidi serb të jetë objekt shqyrtimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Këtë Kërkesë-padi, patjetër, do të duhej që Qeveria e Shqipërisë t’ia dërgonte Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke qenë se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

Ndryshe (nëse nuk ndodh një e gjë e tillë e ligjshme dhe e pashmangshme për dënimin e gjenocideve serbe), Serbia do të dilte fitimtare në Dialogun e Brukselit, nëse BE-ja nuk merr parasysh kryerjen e gjenocideve të saj ndaj shqiptarëve. Me një fjalë, nëse Amerika, OKB-ja nuk e ndëshkojnë Serbinë për
“3 gjenocidet” e saj, të kryera ndaj shqiptarëve, atëherë Serbia me të gjitha mjetet e saj juridike, politike dhe ushtarake (me ndihmën e Rusisë dhe të Kinës etj.), do të bëjë përpjekje, që të ndërhyjë ushtarakisht për rikthimin e ish-kolonisë së saj, Kosovës nën Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999).

Sa më sipër, nëse OKB-ja dhe BE-ja nuk marrin në konsideratë Kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për penalizmin e ligjshëm të “3 gjenocideve të Serbisë ndaj shqiptarëve, gjatë viteve 1878 -2021”, atëherë askush nuk e ka atë të drejtë morale e as ligjore, që ta fajësojë kryeministrin Albin Kurti për “destruktivitet” dhe për dështimin e Dialogut të Brukselit.

“Bota sot”: Cili duhet të jetë roli i Tiranës zyrtare në këtë çështje?

Mehdi Hyseni: Nëse ende ka drejtësi ndërkombëtare, tani OKB-ja është në potez dhe e ka fjalën kryesore dhe meritore, që Serbinë ta “shkundë” nga të gjitha krimet e gjenocideve të saj ndaj shqiptarëve në Ballkan (1878-20211). Pra, tani është çasti historik, që doktrinën e filozofisë politike të koekzistencës paqësore të kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ta mbështetin me ngulm dhe ligjërisht Amerika, OKB-ja, BE-ja , NATO-ja, sepse pa dënimin e të gjitha gjenocideve të Serbisë, të kryera ndaj shqiptarëve (ashtu siç ka kërkuar kryeministri Albin Kurti nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk mund të kurrfarë dialogu apo multidialogu me Beogradin zyrtar. Ky do të duhej të ishte edhe qëndrimi dhe vendimi politik, diplomatik, kombëtar, shtetëror dhe ndërkombëtar i Tiranës së sotme zyrtare në mbështetjen e parezervë dhe të njëzëshme të Kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për ndëshkimin e të gjitha gjenocideve serb ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë Etnike në Ballkan (1878-2021).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat