Deputeti i VV-së tregon se çfarë i bëri të qartë Kurti Vuçiqit në takimin e 19 korrikut

Intervista

Deputeti i VV-së tregon se çfarë i bëri të qartë Kurti Vuçiqit në takimin e 19 korrikut

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 12 gusht 2021 Në ora: 21:54
Milazim Salijaj dhe Albin Kurti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj në intervistën e dhënë për gaztën “Bota sot”, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë, Qeverinë Kurti, dhe qëndrimin për “Ballkanin e hapur”.

Poashtu, Salijaj ka treguar nëse do të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Kaçanikut.

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet politike në vend?

Milazim Salijaj: Zhvillimet politike në vend janë në rrjedha normale, pa diçka të rëndësishme që vlen të theksohet. Mazhoranca dhe opozita duhet që të bashkëpunojnë për çështje që kanë të bëjnë me interesin vital të shtetit si dhe për çështje të interesit të përgjithshëm shtetërorë e që kanë të bëjnë edhe me faktorin ndërkombëtarë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeverisë deri tani?

Milazim Salijaj: Puna e Qeverisë deri më tani është në nivelin e duhur, pasi që ishte e nevojshme të bëhej skanimi i gjendjes paraprake nëpër sektorë të ndryshëm, e kjo normal që ka marrë kohë dhe tani çdo gjë po ecën sipas planifikimeve të punëve të Qeverisë. Raporti mbi 100 ditshin e Qeverisë dhe të arriturat nëpër sektorët e ndryshëm tregon përkushtimin e Qeverisë për ndryshim dhe për vetë planin qeverisës.

“Bota sot”: Në çfarë jeni i fokusuar në këtë mandat si deputet?

Milazim Salijaj: Gjatë këtij mandati do të angazhohem për avancimin e politikave sociale, mbështetjen e të punësuarve në sektorin privat, në zbatimin e të drejtave të tyre konform ligjit të punës si dhe duke i përkrahur kategoritë me asistencë sociale. Pra në fillim të mandatit tim isha i fokusuar në këto çfarë ceka më lartë, por me që tani jam pjesë e Komisionit Funksional për Bujqësi Pylltari Zhvillim Rural Ambient dhe Infrastrukturë, fokusi im gjithashtu do të jetë në çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin. Si pjesë e këtij Komisioni do të angazhohem për një mjedis të pastër, me theks të veçantë në ruajtjen e ajrit dhe të ujit nga ndotësit e ndryshëm.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend? Dhe çfarë duhet të ndryshohet nga Qeveria në vazhdim?

Milazim Salijaj:
Gjendja aktuale politike në vend është e mirë. Pas 100 ditshit të Qeverisë shihen hapa konkretë në ndryshimin pozitiv të gjendjes në përgjithësi. Opozita normal duhet të bëjë punën e vetë me opozitarizëm, por jo edhe duke kundërshtuar në vazhdimësi gati çdo gjë që vije nga mazhoranca. Konstruktiviteti për interesin e përgjithshëm qytetarë do të ishte një model i reflektimit pozitiv.

“Bota sot”: Kryeministri Albin Kurti është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Si e vlerësoni paraqitjen e tij?

Milazim Salijaj:
Kryeministri z. Albin Kurti është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe si asnjëherë më parë ka dëshmuar me paraqitjen e tij se Kosova tanimë është Shtet i Pavarur, dhe nga ky realitet mund edhe të bisedojmë për tema të ndryshme si dy shtete fqinje që prioritet kanë problemet dhe hallet e qytetarëve të të dyja shteteve.

Madje Kryeministri Albin Kurti i tregoi Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se territori i Kosovës është tkurrur mjaftë në etapa të ndryshme të historisë, duke përfshirë edhe gjenocidin mbi popullin Shqiptarë gjatë këtyre periudhave.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga dialogu me Serbinë?

Milazim Salijaj:
Asgjë të re në këtë drejtim. Serbia paraprakisht duhet të demokratizohet dhe të ketë qasje krejt ndryshe ndaj Kosovës, duke e pranuar realitetin e ri, de fakto dhe de jure se Kosova është Shtet i Pavarur me territor dhe sovranitet të plotë. Momentin që Serbia e pranon këtë realitet që ka një fqinjë të quajtur Republika e Kosovës atëherë do të ketë mundësi dhe nevojë për dialog.

“Bota sot”: Si e komentoni Minishengenin. i cili tani ka ndërruar në ”Ballkanin e Hapur”?

Milazim Salijaj:
Minishengeni si i tillë është projekt i dështuar dhe këto janë përpjekje të vazhdueshme të Serbisë për të mjegulluar terrenin dhe për të fituar në kohë.

Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi si dhe Kosova duhet ta kenë synim integrimin në Bashkimin Evropian e jo minishengena që në fakt e pa-qartësojnë dhe e ngadalësojnë anëtarësimin në BE.

“Bota sot”: Sa ka shpresa që së shpejti mund të arrihet marrëveshja finale me njohje reciproke nga Serbia?

Milazim Salijaj:
Për momentin shumë pak ose aspak, nuk ka shpresë që të ndodhë marrëveshja finale që nënkupton edhe njohjen reciproke nga Serbi. Serbia paraprakisht duhet ta pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë me qëllim që pastaj të jetë e relaksuar për t`i pranuar të gjitha dëmet shekullore që i ka shkaktuar Kosovës dhe popullit të saj e në fund edhe njohje reciproke.

“Bota sot”: Së shpejti pritet të mbahen zgjedhjet komunale, cilat janë pritjet tuaja për Lëvizjen Vetëvendosje?

Milazim Salijaj
: Pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit dhe qeverisjes së mirë në 100 ditëshin e parë të Qeverisë Kurti, diagrami për Lëvizjen Vetëvendosje sipas perceptimit qytetarë për vazhdimin e ndryshimit edhe në nivelin lokal ka një ngritje të vazhdueshme, që do të jetë përcaktues direkt i zgjedhjeve komunale të 17 Tetorit.

“Bota sot”: A mund të jeni ju kandidat nga VV-ja për kryetarë të Komunës nga e cila vini ju?

Milazim Salijaj:
Fatmirësisht Lëvizja Vetëvendosje ka një potencial të dëshmuar intelektualësh dhe kuadrosh që janë të gatshëm për marrjen e përgjegjësive edhe në nivelin lokal. Andaj duke u nisur nga ky fakt dhe potencial që ka Lëvizja, unë nuk do të jem kandidat për kryetarë të komunës prej nga vije. Interesi i komunës dhe qytetarëve të saj është që të kemi përfaqësim në nivelin qendrorë të cilin përfaqësim nuk e kishim për një kohë të gjatë dhe me votën dhe vullnetin e qytetarëve për ndryshim ia arritëm në zgjedhjet e 14 Shkurtit të vitit 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat