Shpejtim Bulliqi flet për rezultatin e zgjedhjeve, tregon arsyet që e dërguan në balotazh dhe mundësinë për koalicione

Intervista

Shpejtim Bulliqi flet për rezultatin e zgjedhjeve, tregon arsyet që e dërguan në balotazh dhe mundësinë për koalicione

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 tetor 2021 Në ora: 18:04
Ekrem Hyseni, Shpejtim Bulliqi

Nuk kanë kaluar as edhe një javë që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale në vend.

Këto zgjedhje arritën të dërgojnë në balotazh në shumicën e komunave, shkruan “Bota sot”.

Një nga komunat është edhe ajo e Podujevës, me kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni dhe kryetarin aktual nga LVV, Shpejtim Bulliqi.

Në lidhje me rezultatet në këtë komunë dhe planet që ka për zgjedhjet e ardhshme më 14 nëntor, ekskluzivisht ka folur për “Bota sot”, Shpejtim Bulliqi.

Ai shprehet se rezultatet që dolën nga këto zgjedhje nuk ishin të pritshme, pasi sipas tij LVV ka punuar mjaft shumë mirëpo ky rezultat sipas tij ka ardhur si pasojë e mos fokusimit në fushatë parazgjedhore.

Siç dihet tashmë LVV në shumicën e komunave është në balotazh, Bulliqi për këtë thotë se nuk ka të bëjë me rënie mirëpo ngritje, nëse i krahasojmë me zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Mirëpo, pavarësisht se kryetari aktual është në balotazh, ai është i bindur se do të fitojë në raundin e dytë me 14 nëntor. Po ashtu, fitues gjithashtu ai sheh edhe Arben Vitinë dhe të gjithë kandidatët e tjerë që gjenden në balotazh nga VV.

Ndërsa, i pyetur nëse LVV ka vija të kuqe me ndonjë parti politike, ai thekson që nuk janë duke e menduar çështjen e koalicioneve pasi sipas tij, VV do të dalë me një fitore të madhe në balotazh.

E në rast të fitores nga ana e kundërkandidatit, Bulliqi ka thënë se do ta urojë atë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni rezultatin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit?

Shpejtim Bulliqi: Për ne nuk ishte rezultat i pritshëm sepse kemi punuar jashtëzakonisht shumë në projekte në interes të qytetarëve, por mendoj që na ka kushtuar për shkak se nuk jemi fokusuar mjaftueshëm në fushatë dhe në promovim të punëve të mira që kemi realizuar.

“Bota sot”: Z.Bulliqi, si e keni parë LVV në këto zgjedhje, pasi në të gjitha komunat është në balotazh? Sipas jush, a pësoi rënie?

Shpejtim Bulliqi: Si Lëvizje VV, ne kemi shënuar rritje krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017. Ne të gjithë e dimë se zgjedhjet lokale dallojnë jashtëzakonisht shumë nga zgjedhjet qendrore. Unë besoj fuqishëm se në shumicën e komunave ku Lëvizja është në balotazh edhe do të fitojë. Ne jemi duke hartuar strategjinë e re të fushatës e cila do të jetë intensive dhe besoj fuqishëm se do të kemi sukses në shumicën e komunave ku jemi në garë.

“Bota sot”: Nga rezultatet preliminare qyteti i Podujevës pritet të shkojë në balotazh. A pritni të fitoni në balotazh ndaj LDK-së?

Shpejtim Bulliqi: Jam i bindur që me një fushatë dinjitoze ne do të jemi fitues më 14 nëntor në Podujevë.

“Bota sot”: A mendoni që kanë shkuar zgjedhjet lokale në mënyrë demokratike?

Shpejtim Bulliqi: Zgjedhjet lokale në Podujevë si asnjëherë më parë janë investuar shumë para e kanë punuar shumë kundërshtarët në propaganda, shpifje e trillime dhe siç duket kjo ka pas efektin e saj duke na dërguar në balotazh, por unë besoj se tash me një fushatë intensive tonën dhe me angazhim maksimal të të gjithë anëtarësisë, ne do të kemi sukses në balotazhin e 14 nëntorit.

“Bota sot”: Edhe në qytetin e Prishtinës LVV është në balotazh, a mendoni që Arben Vitia do të arrijë të sjellë fitore?

Shpejtim Bulliqi: Gjithashtu në Prishtinë është punuar jashtëzakonisht shumë kundrejt Arben Vitisë dhe Lëvizjes VV, me mjetet që kanë investuar, me propagandën mediatike që është bërë dhe me inskenimet që kanë ndodhur atje, e kanë dëmtuar fushatën tonë dinjitoze në Prishtinë. Por në Prishtinë dallimi është shumë i madh mes të parit dhe të dytit dhe unë besoj fort se Arben Vitia bindshëm do të fitojë garën për të parin e kryeqytetit.

“Bota sot”: A ka VV vija të kuqe me ndonjë parti politike në rast se kërkohet një koalicion?

Shpejtim Bulliqi: Tash për tash nuk jemi duke diskutuar për çështje të koalicioneve, ne jemi duke skenuar gjendjen reale dhe lëshimet tona, me qëllim të përmirësimit të kësaj situate dhe të arrijmë një fitore të madhe më 14 nëntor.

“Bota sot”: Po në komunat tjera që janë në balotazh, cilat janë pritjet?

Shpejtim Bulliqi: Siç thash më herët, unë besoj që në shumicën prej komunave, ku Lëvizja VV është në balotazh besoj do të fitojë, duke përfshirë komunat e mëdha si Prishtina, Prizreni, Podujeva, Gjilani dhe ka gjasa të mëdha të fitojë edhe Gjakovën.

“Bota sot”: Nëse fiton LDK-ja në balotazh, a do ta pranoni humbjen dhe a do ta uroni kundërkandidatin?

Shpejtim Bulliqi: Nuk besoj që do të ndodh një gjë e tillë. Sidoqoftë, unë do ta uroj kundërshtarin në rast të fitores së tij.

“Bota sot”: Sa ka ndikuar situata pandemike në daljen e qytetarëve në këto zgjedhje?

Shpejtim Bulliqi: Duke krahasuar edhe me zgjedhjet e kaluara nuk kam vërejtur që ka pasur ndonjë ndikim të dukshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat