Garë interesante në Kaçanik/Ilazi flet për projektet e tij - tregon nëse do të bëjë koalicion me ndonjë parti

Intervista

Garë interesante në Kaçanik/Ilazi flet për projektet e tij - tregon nëse do të bëjë koalicion me ndonjë parti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 nëntor 2021 Në ora: 13:46
Besim Ilazi

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit ishin plot befasi dhe të papritura.

22 komuna shkuan në raundin e dytë të zgjedhjeve, ndër to edhe komuna e Kaçanikut.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur kryetari i Kaçanikut, njëherësh kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Besim Ilazi.

Ilazi synon edhe një tjetër mandat, pas raundit të dytë të zgjedhjeve që pritet të mbahet me 14 nëntor.

Fillimisht, ai tha se në Komunën e Kaçanikut procesi është zhvilluar i qetë dhe tashmë komuna e tyre është model në organizimin e mirë të zgjedhjeve.

Ilazi tha se pret fitore në raundin e dytë, që të vazhdojë aty ku ka mbetur me projektet e tij.

Kurse, sa i përket koalicioneve, Ilazi deklaroi se do të bëhen pas përfundimit të zgjedhjeve.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni në përgjithësi procesin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit?

Besim Ilazi: Kosova në përgjithësi ka kohë që ka krijuar një standard të mirë të organizimit të zgjedhjeve. Edhe këtë herë, zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike. Ndërsa edhe në Komunën e Kaçanikut procesi është zhvilluar i qetë, dhe tashmë komuna jonë është model në organizimin e mirë të zgjedhjeve.
“Bota sot”: A ka qenë i pritshëm rezultati në komunën e Kaçanikut?

Besim Ilazi: Rezultatet mund të presim nga më të ndryshmet, por në fund qytetarët janë ata që japin fjalën e fundit. Bazuar në punën dhe angazhimin tonë katër vjeçar, sigurisht që kemi pritur edhe fitoren tonë. Andaj edhe në raundin e dytë presim fitoren, që të vazhdojmë aty ku kemi mbetur me projekte dhe punë të mira. Por këtë më së miri do ta vendosin qytetarët përmes votës së lirë.

“Bota sot”: A do të bëni koalicion me ndonjë parti?

Besim Ilazi: Koalicionet do të bëhen pas zgjedhjeve.

“Bota sot”: Cila mendoni se ka qenë arsyeja kryesore që ju kanë mbështetur qytetarët e Kaçanikut?

Besim Ilazi: Puna jonë e pastër, llogaridhënëse dhe transparente. Për mbi 9 vite të qeverisjes nuk jemi përballur me asnjë aktakuzë as nga ana e ekzekutivit dhe as nga ana e zyrtarëve komunal.

“Bota sot”: Cilat janë tri prioritet tuaj në programin tuaj qeverisës?

Besim Ilazi: Komuna e Kaçanikut si një komunë e vogël, me një buxhet të kufizuar, është ballafaquar me probleme të shumta sociale e ekonomike. Prioritet i imi, me të marrë mandatin si Kryetar Komune, ka qenë rregullimi i infrastrukturës rrugore, arsimore e shëndetësore. Gjatë mandateve qeverisëse, kemi punuar dhe kemi qenë të fokusuar në ndërtim dhe rregullim të rrugëve me tërë infrastrukturën përcjellëse, kemi vendosur sistem modern infrastrukturorë nëpër shkolla përmes ndërtimit të objekteve të reja shkollore si dhe renovim të atyre ekzistuese.

Rregullimi i infrastrukturës shëndetësorë po ashtu ka qenë prioritetet i qeverisjes lokale, ku në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me Caritasin dhe Ministrinë e Shëndetësisë, kemi ndërtuar një objekt modern të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila mbetet model për shumë Komuna të tjera.

Po ashtu kategoritë e rasteve të rënda sociale janë trajtuar me prioritet. Mijëra qytetarë gjatë mandatit qeverisës, kanë përfituar nga Komuna ndihmë momentale, ndërsa një fond i veçantë është ndarë edhe për të sëmurët me gjendje të rëndë ekonomike. Si Kryetar Komunë asnjëherë nuk kam shfrytëzuar bonuset që i kemi në dispozicion, si dhe nuk kam shfrytëzuar asnjë mëditje e cila na lejohet, por këto mjete janë orientuar për rastet sociale, ku çdo ditë pranojmë kërkesa për ndihmë. Ndërsa e fundit, por aspak më e rëndësishme, kjo qeverisje lokale do të mbahet mend si një ekzekutiv i pa korruptuar, ku deri më tani nuk kemi asnjë rast të dyshimtë apo aktakuzë të ngritur për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ana e ekzekutivit Komunal, për 9 vite qeverisje nën udhëheqjen time. Do të vazhdojmë punën tonë në kompletimin e infrastrukturës shkollore, përmbylljen e investimeve infrastrukturore si dhe zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e turizmit.

“Bota sot”: Në tërësi të komunave, a mendoni se PDK ka korrur sukses në këto zgjedhje lokale?

Besim Ilazi: Partia demokratike e Kosovës mund të konsiderohet si fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, ka shënuar rritje në 4.5 %.

“Bota sot”: Cila ka qenë befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve?

Besim Ilazi: Befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve ka qenë Komuna Hani i Elezit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat