Në Obiliq do t’i japim fund zhvatjes, interesave individuale e klanore në qeverisje

Intervista

Në Obiliq do t’i japim fund zhvatjes, interesave individuale e klanore në qeverisje

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 12 nëntor 2021 Në ora: 18:19
Albin Kurti dhe Halil Thaçi

Në zgjedhjet e kaluara mbetën në balotazh shumica nga komunat e Kosovës. Njëra nga këto komuna është edhe komuna e Obiliqit, ku balotazhi përcaktohet në mes Halil Thaçit nga LVV-ja dhe Xhafer Gashit nga Iniciativa qytetare për Obiliqin.

Kandidati për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth aktualiteti politik.

Thaçi deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve të kaluara tregojnë se qytetarët na kanë dhënë edhe një shansë që me 14 nëntor të dalim fitues.

Ai thotë se po vazhdojnë të takojnë çdo qytetar, madje ai tregon se i kanë shtuar edhe aktivitetet në rrjetet sociale.

I pyetur se pse Obiliqi ka nevojë për një kryetar si ai, Thaçi thekson se arsyet më të fuqishme janë se Obiliqi ka nevojë për një kryetar, i cili prioritet e ka që Obiliqin ta bëjë qytet urban, ta zhvillojë bujqësinë duke i subvencionuar bujqit, si dhe rininë ta bëjë pjesë aktive të ndryshimeve në këtë komunë.

Thaçi tutje ka folur edhe rreth koalicioneve me partitë tjera. Ai thekson se kanë bërë marrëveshje me të gjithë qytetarët dhe përkrahësit e partive politike, që ta largojnë keq-qeverisjen. Përveç kësaj, ai theksoi se në këto zgjedhje LVV-ja do të dal fituese në të gjitha komunat.

Ai ka përmendur edhe disa nga prioritetet që do t’i ketë gjatë mandatit në rast se del fitues në këto zgjedhje. Thaçi deklaroi se shumë sektorë kanë nevojë për ndryshime rrënjësore, e që disa më të rëndësishmet, sipas tij janë punësimi i qytetarëve në KEK, shërbimet shëndetësore, si dhe shtrirja e rrjetit të transportit publik.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit, a prisnit që do të shkoni në balotazh?

Halil Thaçi: Rezultati i zgjedhjeve të 17 tetorit është tregues se qytetarët e kanë vlerësuar lart kandidaturën tonë dhe na ka dhënë edhe një shansë që me 14 nëntor të dalim fitues. Në fakt ne prisnim që të dilnim fitues, por kundërshtari ynë politik ditën e premte dhe të shtunë, e besa edhe të dielën, përdori disa nga format më të ulëta të fushatës, duke shantazhuar e duke ofruar forma të ndryshme të pagesës për votë.

Image
Halil Thaçi

“Bota sot”: A jeni përgatitur për fushatën politike para balotazhit dhe si keni menduar t`i qaseni qytetarëve përgjatë kësaj jave?

Halil Thaçi: Ne nuk e kemi ndalur asnjëherë lidhjen me qytetarët tonë dhe vazhdimisht kemi qenë në vizita e takime me ta dhe njësoj do të vazhdojmë edhe këtë javë duke takuar secilin qytetar e duke trokitur çdo derë, qasja më e mirë është kur jeni afër qytetarëve dhe diskutoni për hallet e problemet e tyre, e që besoj se janë të mëdha në numër, por ne do të angazhohemi që t’i zgjidhim ato brenda mandatit tonë. Ne po ashtu kemi shtuar edhe aktivitetet në rrjete sociale duke paraqitur planet tona për qytetin e për secilin fshat, me paraqitje vizuale dhe pastaj duke organizuar takime pasdite për t’i diskutuar ato me qytetarët e projekteve përkatëse.

“Bota sot”: A mendoni se do të dilni fitues në këtë garë?

Halil Thaçi: Ne tashmë besojmë fuqishëm që do të jemi fitues të garës së 14 nëntorit, këtë po na e konfirmojnë çdo ditë qytetarët në terren me mikpritjen e tyre dhe me pranimin e projekteve tona. Kur kemi fushatë fer e të dinjitetshme ne gjithmonë fitojmë sepse ne kemi plan konkret e të detajuar për secilin cep të Obiliqit.

“Bota sot”: Pse mendoni që Obiliqi ka nevojë për një kryetar si ju?

Halil Thaçi: Obiliqi është diskriminuar qe dy dekada, pothuajse në të gjitha aspektet duke filluar nga çështjet ambientale, të infrastrukturës e deri te punësimi. Obiliqi ka nevojë për një kryetar, i cili ka prioritet që Obiliqin ta bëjë qytet urban, Qyqavicën atraksion turistik, bujqësinë ta zhvillojë duke i subvencionuar bujqit e duke ua hequr burokracitë për aplikim, arsimin përpos ta shoh si infrastrukturë të përkujdeset për atë që zhvillohet brenda mureve e që është cilësia, rininë si pjesën më të shëndoshë ta bëjë pjesë aktive të ndryshimeve në komunë, dhe një kryetar i cili është gardian për garantimin e të drejtave të punësimit të banorëve të Obiliqit, që janë diskriminuar kaq gjatë. Unë do të angazhohem maksimalisht për të gjithë këto problematika dhe besoj se janë arsye të fuqishme se pse Obiliqi ka nevojë për një kryetar si unë.

“Bota sot”: Si është disponimi i subjekteve tjera në komunën tuaj, a do t`iu përkrahin juve?

Halil Thaçi: Ne vazhdimisht kemi takime me anëtarët dhe simpatizantët e të gjitha partive politike, dhe ekziston një entuziazëm i madh për ndryshim, ku vazhdimisht përkrahja jonë po rritet e po zgjerohet.

“Bota sot”: A mendoni apo a keni bërë ndonjë marrëveshje me ndonjërën nga partitë tjera politike për koalicion para apo pas-zgjedhor, nëse po me cilën parti?

Halil Thaçi: Ne kemi bërë marrëveshje me të gjithë qytetarët dhe përkrahësit e partive politike pa dallim, që ta largojmë këtë keq-qeverisje që për fat të keq i kanë mbetur edhe pak ditë dhe për fat të mirë edhe pak ditë nuk do të jetë më.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga prioritetet që do t’i keni gjatë mandatit qeverisës?

Halil Thaçi:
Me të vërtetë ne kemi shumë sektorë, të cilët kanë nevojë për ndryshime rrënjësore, por disa nga më të rëndësishmet pa i anashkaluar edhe të tjerat janë:

1. Punësimi i qytetarëve në KEK, pasi që ua mundëson ligji për Obiliqin;

2. Obiliqi urban, ashtu që vendi ynë me të vërtetë ta ketë formën e një qyteti të bukur;

3. Zhvillimi i bujqësisë, duke i përkrahur bujqit e duke ua lehtësuar punën dhe shitjen e produkteve të tyre;

4. Arsimi cilësor, ku përpos që do të bëjmë infrastrukturë për mësim bashkëkohor, ne do të sigurohemi për cilësi, sepse arsimimi e edukimi i brezave s’ka alternativë.

5. Shëndetësi e shërbime shëndetësore të dinjitetshme, duke e zgjeruar numrin e qendrave shëndetësore e duke e zgjatur orarin e punës, duke rritur numrin e llojeve të analizave dhe duke u përkujdesur që asnjë medikament të mos mungojë.

6. Shtrirje të rrjetit të transportit publik, duke ofruar udhëtim në secilin fshat të Obiliqit, duke vendosur smart stacione dhe duke mbikëqyrur orarin e punës, ashtu që përpos që do të ketë autobusë shpesh do të ketë edhe saktësi në orar.


“Bota sot”: Si është qeverisur deri tani me komunën e Obiliqin dhe çka do të bëni ju ndryshe?

Halil Thaçi: Deri më tani pushteti lokal në Obiliq e ka vënë interesin individual dhe klanor para interesit qytetar, duke shfrytëzuar secilin mjet të Komunës për të përfituar për vete, pra duke zhvatur komunën dhe qytetarët e saj, duke përdorur ndërmarrjet publike për punësim të militantëve e duke iu dhënë tenderë miqve të tyre e familjarëve të tyre.

Unë kandidoj për komunën e Obiliqit, për t’ju shërbyer qytetarëve me nder e përgjegjësi e për t’i trajtuar të gjithë me barazi, do të angazhohem maksimalisht që qytetarët e mi të punësohen e të kenë të ardhura të dinjitetshme, të arsimohen e edukohen brezat, të kemi hapësira gjelbëruese të mjaftueshme dhe vende rekreative për rini, sepse rini do të thotë gjallëri.


“Bota sot”: Po në nivel të përgjithshëm, sa komuna mendoni se do t’i fitojë LVV në këto zgjedhje përkatësisht në balotazh?

Halil Thaçi: Në të gjitha komunat Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kandidat të jashtëzakonshëm dhe të gjithë e kanë përkrahjen e plotë të Kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, ndaj besoj se në të gjitha garat do të dalim fitues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat