Sërish kryetar i Podujevës/Bulliqi flet për koalicionet e mundshme, tregon arsyet që sollën rezultatin e VV-së

Intervista

Sërish kryetar i Podujevës/Bulliqi flet për koalicionet e mundshme, tregon arsyet që sollën rezultatin e VV-së

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 20 nëntor 2021 Në ora: 18:02
Albin Kurti dhe Shpejtim Bulliqi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Shpejtim Bulliqi ka fituar zgjedhjet lokale në raundin e dytë me 14 nëntor.

Ai mposhti kundërkandidatin nga radhët e LDK-së, Ekrem Hysenin.

Në një intervistë për “Bota sot”, ai ka folur për fitoren dhe për punët që do t’i bëjë në Podujevë.

Sa i përket koaliconeve, Bulliqi ka thënë se do të jetë i hapur e bashkëpunues me të gjithë.

Derisa për fitoren në raundin e dytë e jo të parin, e arsyeton duke thënë se ndoshta nuk kanë punuar mjaftueshëm.

Ai ka siguruar qytetarët e Podujevës që nga qeverisja e tyre të presin trajtim të barabartë dhe shërbime efikase.

Ndërsa në anën tjetër, për rezultatin e VV-së ka thënë se do të ulen dhe analizojnë shkaqet, derisa ka përmendur dhe sulmet ndaj figurave qendrore të partisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Bulliqi cili është komenti juaj për fitoren në Podujevë, sa e vështirë ishte arritja e fitores?

Shpejtim Bulliqi: Sa i përket fitores sonë, në raundin e dytë ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë, e gjithë struktura është aktivizuar dhe kemi kontaktuar shumë qytetarët dhe ia kemi dalë të korrim sukses.

“Bota sot”: A ishte një fitore më vështirë e arritshme se kur u zgjodhët herën e parë, edhe pse ishte fitore pa balotazh?

Shpejtim Bulliqi: Fitorja e tanishme ka kërkuar mund e angazhim më të madh të secilit sepse edhe fushata ishte më e gjatë, por jam i lumtur sot që përpjekja jonë e përditshme në takimet me qytetarë duke prezantuar punët e mira dhe zotimet tona për mandatin e plotë pati sukses.

“Bota sot”: Në raundin e parë zgjedhor të 17 tetorit nuk dolët të parët, a kishit dyshime se mund të ndodhte e njëjta gjë në balotazh?

Shpejtim Bulliqi: Në raundin e parë ne nuk kemi punuar ndoshta mjaftueshëm në fushatë dhe kemi besuar që puna jonë e mirë e qeverisjes për këta muaj do të ndikojë që të fitojmë pa ndonjë telashe të madhe në zgjedhjet e 17 tetorit. Gjithashtu matjet që ishin bërë disa herë në Komunën e Podujevës na nxirrnin fitues të padiskutueshëm, andaj kjo ka ndikuar paksa të jemi më pasiv e kjo na dërgoi në rezultat jo të kënaqshëm në raundin e parë.

“Bota sot”: Cilët janë faktorët që çuan në këtë lloj vështirësie për fitore?

Shpejtim Bulliqi: I përmenda disa prej shkaqeve kryesore më lart.

“Bota sot”: Nga erdhën këto vështirësi, që LVV jo vetëm ka fituar më së paku komuna, por ka një rrjedhje tepër të madhe të votave krahasuar me zgjedhjet e fundit nacionale, pavarësisht natyrës së ndryshme?

Shpejtim Bulliqi: Nuk mund të krahasohen zgjedhjet nacionale me ato lokale. Përkundër kësaj ne si subjekt politik duhet të ulemi e t'i analizojmë shkaqet që kanë dërguar deri tek ky rezultat jo i kënaqshëm në zgjedhjet lokale. Po ashtu lufta speciale që është zhvilluar ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! në nivel nacional e sulmet e përditshme ndaj figurave qendrore nga ana e mediave e bizneseve e rrjetit të strukturar që i kanë humbur disa prej privilegjeve nga pushtetet e kaluara ka pasur efekt në këtë rezultat.

“Bota sot”: Çfarë duhet të presin qytetarët nga qeverisja juaj?

Shpejtim Bulliqi: Qytetarët e Podujevës duhet të presin nga qeverisja jonë trajtim të barabartë dhe shërbime efikase.

“Bota sot”: A keni plan të bëni koalicion me ndonjë parti për ta krijuar shumicën në Kuvend?

Shpejtim Bulliqi: Ne do t'i analizojmë rrethanat që gjendemi dhe të shohim se me kë mund të bashkëpunojmë më lehtë për të implementuar programin tonë qeverisës.

“Bota sot: Cilat janë disa nga projektet që do t’i jetësoni në mandatin tuaj?

Shpejtim Bulliqi: Ato që kemi prezantuar gjatë fushatës zgjedhore janë projektet kryesore që do të jenë edhe puna jonë e përditshme për t'i realizuar si: urgjenca e qytetit, zona industriale, parkingu nëntoksor, dixhitalizimi i institucioneve arsimore etj.

“Bota sot”: Keni thënë se “Vullneti qytetar nuk përmbyset nga paratë e pista”, për kë e kishit fjalën, kush mendoni se ka bërë gjëra të tilla?

Shpejtim Bulliqi: E kisha fjalën për bizneset dhe biznesmenët që kanë investuar shumë para kundrejt nesh për të na mposhtur në këtë garë zgjedhore, me qëllimin e përfitimit të tyre personal në rast të fitores së kundërkandidatit.

“Bota sot”: Si e komentoni dorëheqjen e kryetarit të degës në Podujevë, dhe si do të vazhdohet, është gjetur pasuesi?

Shpejtim Bulliqi: Dorëheqja e kryetarit të Qendrës, z. Bajram Ajeti na pikëlloi të gjithëve, sepse kontributi i tij ishte i madh në forcimin dhe zgjerimin e organizatës tonë, por ai e ka bërë një moshë dhe pasi kemi korrur sukses e ka konsideruar të rrugës t'i përkushtohet më shumë familjes e miqve.

“Bota sot”: Cilat do të jenë raportet apo marrëdhëniet e juaja me partitë, që humbën?

Shpejtim Bulliqi: Unë do të jem konstruktiv me të gjitha subjektet politike sepse ato përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe të punojë me të gjithë në interes të shtyrjes përpara të projekteve të rëndësishme për komunën tonë.

“Bota sot”: Me cilën mendoni ta keni partner në qeverisje?

Shpejtim Bulliqi: Ende nuk është vendosur një gjë e tillë, por do të jem i hapur e bashkëpunues me të gjithë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat