Nuk na duhet një ushtri vetëm në letër, por një ushtri e përgatitur dhe e pajisur mirë!

Intervista

Nuk na duhet një ushtri vetëm në letër, por një ushtri e përgatitur dhe e pajisur mirë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 dhjetor 2021 Në ora: 07:56
FSK

Kosova ndodhet në një moment delikat të historisë së saj të re, si shtet i pavarur. Serbia, vazhdon të provokojë në kufi me tërë arsenalin e saj, aeroplanët më të avancuar dhe tanke, dhe me kërcënime deklarative.

Njëkohësisht ky shtet ka deklaruar se ka fuqi ushtarake gati dyfish më të madhe se sa Kroacia e Shqipëria së bashku.

Kosova teksa ka filluar të ndajë më shumë buxhet, dhe t’i rrisë investimet. Ndërkohë, ministri Mbrojtjes i ka kërkuar publikisht SHBA-ve ta themelojnë një bazë ushtarake të përhershme në Kosovë, dhe po ashtu i ka ofruar atyre, që të investojnë në industri ushtarake në Kosovë, në mënyrë që vendi ynë të bëhet qendër rajonale e prodhimit të armatimit.

Situata në vend po vazhdon të jetë dinamike, duke përfshirë këtu situatën pandemike dhe politike.

Për këto dhe çështje të tjera ne biseduam në një intervistë për gazetën “Bota sot” me deputetin e LVV-së, z.Enver Dugolli, i cili është anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Ai ka folur edhe për zgjedhjet lokale që LVV-në e nxorën larg pritshmërive të tyre.

Ndërsa, në lidhje me kërkesën për rritjen e buxhetit për FSK-në, deputeti këtë e sheh shumë të arsyeshme dhe mjaft pozitive duke shtuar që një buxhet i rritur do ta ndihmonte mjaft shumë ushtrinë tonë.

I pyetur për fitoren e kandidatit Rama karshi Vitisë, deputeti thotë se kjo fitore ka arritur për shkak të ndihmës që kanë dhënë edhe partitë e tjera politike pasi kandidati Vitia ishte më i përgatitur.

Në bisedë e sipër ai flet edhe për kërkesën e Qeverisë për një bazë të re ushtarake, të përhershme në Kosovë të Amerikës, e që sipas tij bazën amerikane në Bondstill ne e konsiderojmë të përhershme, pa marr parasysh se ajo për momentin funksionon si pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike pas zgjedhjeve lokale në vend?

Enver Dugolli: Situata politike është e njëjta. Qeveria dhe Parlamenti po reflekton vullnetin qytetar të shprehur me 14 shkurt, po kryejnë detyrat dhe funksionet e tyre, dhe një opozitë e cila gjithashtu është refleksion i vullnetit të qytetarëve me mandatet e fituara.

Image
Deputeti nga radhët e LVV-së, Enver Dugolli

“Bota sot”: Në këto zgjedhje LVV-ja pat rënie krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Si e vlerësoni këtë?

Enver Dugolli: Krahasuar me zgjedhjet lokale të kaluara të vitit 2017, atëherë mund të themi se kemi rritje edhe në nivelin lokal. Pra, jemi partia e parë me numrin e votave qytetare të fituara, por nuk jemi partia që ka fituar më së shumti komuna. Natyrisht, edhe ne kemi pritur rezultate më të mira dhe nuk jemi të kënaqur me këtë që kemi arritur, por jo gjithmonë përkthehet fryma e zgjedhjeve nacionale në ato lokale.

“Bota sot”: Si i komentoni këto rezultate? Cilët mendoni që kanë qenë faktorët që partitë e tjera kanë pasur ngritje të elektoratit?

Enver Dugolli: Së pari dua ta ritheksojë që rezultati nuk është në proporcion me pritjet tona, por një gjë duhet pasur parasysh. Duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje!, ishte e impenjuar më shumë me temat e nivelit qendror dhe duke pasuar përgjegjësi ekzekutive në këtë nivel, nuk ka arrit të depërtojë shumë edhe në nivelin lokal. Partitë e vjetra kanë bashkëpunuar shume bukur mes veti dhe kane arritur të ndërtojnë një diskurs antiLVV duke u bërë bashkë jo rrallë edhe në ato vende ku nuk është pritur një bashkëpunim i tillë.

Këtu nuk duhet lënë pa përmendur edhe disa dobësi organizative që na kanë përcjell, diku me kandidat jo shumë të qëlluar e diku me relaksim të tepruar pa arritë që të depërtojmë me shtjellimin e programit tek më shumë qytetar. Këto janë ato pak elemente qe mund të vë në pah, por janë organet e Lëvizjes ato që po punojnë në vijimësi për identifikimin e lëshimeve dhe situatës që kaluam në këtë proces zgjedhor.

“Bota sot”: Z. Dugolli, ju jeni pjesë e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, cilat duhet të jenë rekomandimet e radhës për ndryshimin apo plotësimin e ligjeve në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit?

Enver Dugolli: Ne po punojmë në dy rrafshe si Komision. E para po mbikëqyrim zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, dhe po përcjellim agjendën legjislative të Qeverisë me ligjet dhe nismat tjera që na vijnë në Komision. Natyrisht, e kuptojmë se Qeveria ka një plan legjislativ të hartuar sipas nevojave dhe programit qeverisës dhe ne po japim kontributin tonë në mënyrë që ato ligje të jenë sa më të mira dhe të zbatueshme. Kontributi i anëtarëve të Komisionit është shumëdimensional dhe nga këndvështrime edhe të opozitës dhe kjo e bënë punën tonë të veçantë.

“Bota sot”: Së fundmi keni miratuar projektligjin nr.08/L-036 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Si zëvendëskryetar i parë i Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes a mund të dimë më shumë rreth këtij Projektligji?

Enver Dugolli: Plotësim-ndryshimi i Ligjit për dërgimin e FSK-së jashtë vendi, ka ardhur si propozim nga Qeveria, gjegjësisht nga Ministria e Mbrojtjes si rezultat i miratimit të tri ligjeve bazike të bëra në Parlamentin e Kosovës. Për Ministrinë Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës me mision të ri dhe Ligjin e Shërbimit në FSK. Pra thjesht, ka lindë nevoja e adaptimit të procedurave dhe misionit sipas tri ligjeve bazike.

“Bota sot”: Gjithashtu, është kërkuar edhe rritja e buxhetit për FSK-në, a mendoni që Qeveria do të arrijë të miratojë këtë kërkesë?

Enver Dugolli: Është lajm shumë i mirë që Qeveria e ka kthyer me të drejtë vëmendjen nga Forca e Sigurisë sonë, sepse gjithmonë kemi thënë se nuk na duhet një ushtri vetëm në letër, por një ushtri e përgatitur dhe e pajisur mirë, por e cila kërkon mbështetje me buxhet dhe vëmendje të vazhdueshme institucionale. Për herë të parë për FSK-në është nda një buxhet mbi 100 milionë euro me projeksion që në tri vitet e ardhshme të arrijmë një standard mbështetje prej 2% të Bruto Produktit Kombëtar, të cilin e kërkojnë dhe zbatojnë vendet anëtare të NATO-s.

“Bota sot”: Në balotazhin e 14 nëntorit fitues në kryeqytetin e vendit doli të jetë kandidati i LDK-së, Përparim Rama. Si e komentoni fitoren e tij, cilët mund të jenë arsyet e fitores?

Enver Dugolli: E para, ne kishim kandidatin më të mirë dhe më të përgatitur, i cili kishte dëshmuar përkushtim shumë të madh në menaxhimin e Pandemisë, mirëpo situata me pandeminë dhe preokupimi i madh i tij me situatën në vend, nuk i dha mundësi më herët që të bënte fushatën e duhur dhe si rezultat i futjes me vonesë në fushatë, nuk arriti të depërtonte te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kryeqytetit, ndërsa në anën tjetër kishte një mobilizim tejet të madh të të gjithëve kundër LV-së dhe Arben Vitisë. Pra, në Komunën e Prishtinës kishim LV-në me Arben Vitinë dhe Përparim Ramen me LDK, PDK, AAK, AKR, LB etj....

“Bota sot”: Së fundmi Senati konfirmoi z. Jeffrey M. Hovenier në postin e ambasadorit amerikan në Kosovë. Si mendoni që mund të rrjedhin disa çështje pas emërimit të Hovenierit?

Enver Dugolli: Angazhimi i SHBA-ve për Kosovën është tejet jetik për ne. Sidomos tani kur kemi një administratë dhe qeveri të udhëhequr nga z. Biden i cili është njohësi dhe miku më i madh i shqiptareve. Prandaj, në këtë rrafsh ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer edhe me ambasadorin e ri dhe i urojmë mirëseardhje në Kosovë. Me SHBA-të kemi raporte të ndërtuara mbi bazën e besimit reciprok dhe të palëkundur drejt fuqizimit të shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: A i duhet Kosovës infrastrukturë ligjore e re që të realizohet kërkesa e Qeverisë për një bazë të re ushtarake të përhershme të Amerikës në Kosovë?

Enver Dugolli: Shteti i Kosovës është projekt i yni i përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj në këtë rrafsh ne e konsiderojmë krejt aspekt formal dhe procedural miratimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore për një bazë të përhershme të SHBA-ve në Kosovë. Në fakt, bazën amerikane në Bondstill ne e konsiderojmë të përhershme, pa marr parasysh se ajo për momentin funksionon si pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë.

“Bota sot”: Brenda sa kohe do të mund të realizohet projekti për ta bërë Kosovën një vend të industrisë ushtarake amerikane, me fuqi rajonale?

Enver Dugolli: Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ushtrinë Amerikane ne bashkëpunojmë mbi baza të partneritetit dhe besueshmërisë, prandaj çdo vendim për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, i paraprin një analizë dhe ekspertizë profesionale e bazuar në nevojat tona të përbashkëta.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat