Alma Lama paralajmëron për rrezikun: Asociacioni me kompetenca ekzekutive e bënë Serbinë lojtare të fuqishme në territorin e Kosovës

Intervista

Alma Lama paralajmëron për rrezikun: Asociacioni me kompetenca ekzekutive e bënë Serbinë lojtare të fuqishme në territorin e Kosovës

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 14 dhjetor 2021 Në ora: 08:07
Alma Lama

Ish-ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur për situatën politike, dialogun me Serbinë si dhe për diplomacinë.

Lama ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë marrëveshjen e vitit 2015 mbi parimet e themelimit të asociacionit, përbën një bazë të fortë legale për të hartuar një statut pa kompetenca ekzekutive.

Ajo ka thënë se presioni për asociacionin do të rritet edhe më shumë në muajt në vijim, por se Kryeministri duhet të gjejë zgjidhje në interes të Kosovës, pa u konfrontuar me miqtë tanë ndërkombëtarë, as me BE-në dhe as me SHBA-në.

Lama ka folur edhe për projektin “Ballkani i hapur”, raportet Kosovë-Shqipëri etj.

Sipas ish-ambasadores duhet bashkëpunim më i ngushtë me shtetet e Kuintit që ato të ndihmojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet influencës që kanë në rajone të ndryshme të botës.

Po ashtu, ajo ka hedhur kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me emërimet e fundit të ambasadorëve.

“Bota sot”: Zonja Lama, si i vlerësoni qëndrimet e qeverisë aktuale në raport me dialogun me Serbinë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe?

Alma Lama: Mendoj se qeveria Kurti ka mungesë të theksuar të sjelljeve diplomatike, mungesë përvoje dhe shumë popullizëm. Është e kotë të themi se kanë ndërruar qëndrimet për dialogun, të cilin dikur e kundërshtonin se nuk duhet të merret pjesë në të, ndërsa kundërshtimi i asociacionit në tërësi është e vetmja kauzë që i ka mbetur për të bërë fushatë elektorale në të ardhmen. Mendoj se themelimi i asociacionit është obligim, pasi bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare që Kosova e ka nënshkruar dhe e ka miratuar në Parlament, që është marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, por që qeveria nuk është e detyruar t’i delegojë kompetenca ekzekutive. Tashmë është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë marrëveshjen e vitit 2015 mbi parimet e themelimit të asociacionit, që do të shërbente për statutin e tij, kështu që ka një bazë të fortë legale për të hartuar një statut, pa kompetenca ekzekutive. Por, duke pasur parasysh qëllimet territoriale të Serbisë, respektimi i marrëveshjes për asociacionin mund të kërkohet të jetë pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë.

“Bota sot”: Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell publikisht shprehu mospajtim me kryeministrin Kurti sa i përket obligimit të Kosovës për ngritjen e Asociacionit, si e komentoni ju këtë situatë?

Alma Lama: Siç e thashë më sipër, kërkohet respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe Kosova nuk mund të devijojë nga obligimet që ka marrë, por kurrsesi nuk duhet të bëjë më shumë koncesione sesa janë bërë deri tani. Përfaqësuesi i lartë i BE-së e ka për detyrë të kërkojë respektimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, por një gjë e tillë duhet t’i kërkohet edhe Serbisë, e cila vazhdon të sillet si një shtet që nuk pranon t’i nënshtrohet rendit ndërkombëtar, kur nuk i intereson.

“Bota sot”: Po ashtu, në të njëjtën vijë me BE-në lidhur me asociacionin është dhe SHBA-ja, mendoni se është rritur presioni dhe si e shihni epilogun?

Alma Lama: SHBA-ja ka kërkuar qartësisht që Kosova të jetë një vend ku respektohen ligjet dhe vendimet e gjykatave gjë që do të thotë të respektohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për asociacionin, vendim i cili ka konstatuar se marrëveshja e vitit 2015 për parimet themeluese ka qenë në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës, dhe ato duhet të eliminohen. Mendoj se presioni është rritur dhe do të rritet edhe më shumë në muajt në vijim, por kryeministri nuk e ka marrë pushtetin vetëm për privilegjet e tij, por edhe për vendimet e vështira dhe ai duhet të gjejë zgjidhje në interes të Kosovës, pa u konfrontuar me miqtë tanë ndërkombëtarë, as me BE-në dhe as me SHBA-në.

“Bota sot”: Si e shihni emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor. Britania ka shprehur rezerva për mënyrën si është miratuar asociacioni, pra nuk e këshillon të jetë njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive?

Alma Lama: Emërimin nga ana e Britanisë të gjeneral Sir Stuart Pech Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe ish-shef i shtabit të ushtrisë britanike si i dërguar për Ballkanin Perëndimor, e shoh si një sinjal të qartë se Britania e sheh me prioritet rajonin e Ballkanit edhe tani që nuk është më pjesë e BE-së dhe se ka interesa të drejtpërdrejta sidomos në fushën e sigurisë. Ata janë të shqetësuar për shtrirjen e influencës ruse apo kineze në rajon si dhe të ndonjë fuqie tjetër rajonale me agjenda antidemokratike e antipërendimore. Prandaj një emërim i një niveli kaq të lartë ushtarak është një lajm i mirë për ne dhe sigurinë rajonale. Britania ka qëndrime shumë më të forta antiruse si shumica e shteteve të BE-së dhe madje edhe se vetë amerikanët, dhe këtë po e shohim në qëndrimet e saj ndaj konfliktit në Ukrainë, ku po kundërshton edhe me mbrojtje ushtarake kërcënimet që vijnë nga Rusia.

Bota sot”: Si e shihni ju në fund të procesit marrëveshjen për asociacion, si ajo e vitit 2015, si ajo e 2015-ës por pa 23 pikat që ishin në kundërshtim me Kushtetutën apo...?

Alma Lama: Do të ishte fatale që asociacioni të kishte pika të ngjashme në statut me ato të marrëveshjes 2015. Qartazi i ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, dhe si të tilla nuk mund të implementohen. Baza e statutit duhet të jetë në marrëveshjen e vitit 2013 që thotë se që asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisje lokale, ku neni 10 i saj flet për mundësinë e krijimit të asociacioneve ndërmjet komunave. Mirëpo, Kosova nuk mund të lejojë një nivel të tretë të pushtetit, mes atij qendror dhe lokal, sepse kjo do ta destabilizonte tërësisht funksionimin e shtetit dhe të çimentonte ndarjen etnike. Nga ana tjetër do i jepte mundësi Serbisë të bëhet lojtar i fuqishëm në territorin e Kosovës.

“Bota sot”: Me këtë ritëm dhe këto zhvillime a mund të kemi së shpejti marrëveshje përfundimtare me Serbinë apo jemi larg kësaj?

Alma Lama: Besoj se qëllimi është që një marrëveshje të arrihet brenda mandatit të presidentit Biden. A do të jetë e mundur, kjo është vështirë të thuhet pasi Serbia nuk është e gatshme ta njohë Kosovën, dhe një marrëveshje pa njohje nuk mund të quhet as përfundimtare dhe as pajtuese.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për projektin “Ballkani i hapur” ku Kosova po refuzon të përfshihet, mendoni se është veprim i duhur ky refuzim?

Alma Lama: “Ballkani i hapur” është një iniciativë rajonale që këtë herë vjen nga vetë shtetet e rajonit dhe jo nga BE-ja apo aktorë te tjerë ndërkombëtarë. Si e tillë është e shoqëruar me mosbesim të thellë pasi Serbia është një nga promotorët, edhe pse duket se kryeministri Rama është njeriu kryesor i kësaj iniciative. Problemi është se asnjë iniciativë rajonale nuk ka shans të ketë sukses në Ballkan pa u zgjidhur konflikti Kosovë - Serbi. Marrëveshjet që parashikohen të nënshkruhen ndërmjet shteteve në këtë projekt, Kosova i ka nënshkruar me Serbinë gjatë negociatave dhjetë vjeçare për normalizimin e raporteve. Po ashtu qeveritë e mëparshme të Kosovës kanë pranuar idenë e tregut te përbashkët rajonal si pjesë e procesit të Berlinit, por Ballkani i Hapur më shumë shihet si projekt politik, sesa ekonomik, kështu që nuk mund të jetësohet. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk besojnë në këtë projekt, kështu që është vështirë të flitet për sukses. Nga ana tjetër ky projekt ende nuk ka ngritur një strukturë institucionesh për implementim.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e qeverisë aktuale të Shqipërisë në raport me Kosovën?

Alma Lama: Mendoj se ka pasur përplasje të panevojshme që kanë kulmuar me pjesëmarrjen e LVV-së në zgjedhjet në Shqipëri, një akt i paprecedent i ndërhyrjes në punët e brendshme. Aktualisht do i cilësoja raporte të ftohta me shumë hezitim, por që duhet të ndryshojnë sa më parë. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët sa më parë.

“Bota sot”: Po marrëveshjet në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive si i keni parë?

Alma Lama: Këto marrëveshje janë të mira, por shpresojmë të realizohen. Tashmë ka një numër shumë të madh marrëveshjesh, por nëpër vite gjërat pak kanë lëvizur.

“Bota sot”: Jemi dëshmitarë se Serbia po tregohet mjaft agresive në lobimin saj kundër shtetit të Kosovës. Po kështu kemi parë aktivitet të shtuar të saj në SHBA gjatë kohëve të fundit, sipas jush si do të duhej të kundërpërgjigjet Kosova në raport me këto sjellje?

Alma Lama: Kosova duhet ti përgjigjet me ofensivë diplomatike, por këtë se bën dot sepse Ministria e Jashtme është pothuaj jofunksionale. Nuk ka ambasadorë nëpër ambasada dhe disa të emëruar janë miq e shokë të këtyre që i kanë zgjedhur, pa eksperiencë diplomatike, kështu që nuk pres ndonjë gjë të madhe. Ministrja e jashtme duket se s`ka as minimumin e njohurive në këtë fushë, ndërsa Kryeministri preferon konfrontimin në vend të lobimit. Ai flet për zgjedhjet në Kosovë, edhe kur zhvillon takime në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Cilat janë mundësitë që Kosova të paguaj për lobim në favor të shtetësisë së saj?

Alma Lama: Lobimi duhet të jetë zyrtar, jo me pagesa si në stilin e Pacollit. Njohjet nuk duhet të blihen sepse ato nuk janë të qëndrueshme. Njohjet duhet të jenë parimore. Sepse diplomacinë e valixheve që e përdor Daçiqi, nuk e respekton askush.

“Bota sot”: A mundet Qeveria e Kosovës të ndaj buxhet dhe të angazhojë kompani të specializuara për lobim në SHBA dhe sa është e nevojshme një fushatë e tillë?

Alma Lama: Nuk besoj se ka nevojë. Është lobi shqiptar atje që për dekada e ka kryer këtë punë në mënyrë të jashtëzakonshme. SHBA-ja është partner. Praktikat e mëhershme të lobimit, ku është abuzuar me fondet e shtetit janë bëre për qëllime personale.

“Bota sot”: Cila do të ishte mënyra më e mirë që Kosova të lobonte për shtetësinë e saj dhe sa shfrytëzohen mekanizmat e tillë nga institucionet?

Alma Lama: Mendoj se duhet bashkëpunim më i ngushtë me shtetet e Kuintit që të ndihmojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet influencës që kanë në rajone të ndryshme të botës. Po kështu, tashmë Kosova ka shtrirë rrjetin e saj diplomatik në të gjitha kontinentet dhe do të duhej të ishte më aktive. Edhe bashkëpunimi me Shqipërinë në ato vende ku mund të kontribuojë, është me shumë rëndësi.

“Bota sot”: Si ish ambasadore e Kosovës në Itali, si e vlerësoni punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme?

Alma Lama: Shumë të dobët në të gjitha kuptimet, veçanërisht, në nivelin e drejtimit politik. Ka vite që Ministria e Punëve të Jashtme drejtohet nga njerëz jo-kompetentë apo personalitete të dyshimta, që i përdorin pozitat për interesat e tyre të biznesit, duke dëmtuar rëndë interesat e Kosovës. Nga ana tjetër, në ministri ka personalitete që punojnë, diplomatë të mirë që kanë bërë edhe përvojë, por fatkeqësisht ende mbi-zotërojnë njerëzit e punësuar pa kritere nga qeveritë e kaluara, dhe tani emërimet që po bëhen janë në të njëjtën logjikë, shokë, miq apo mbështetës, pa ndonjë kriter profesional. Në fakt Ministria ka nevojë të punësojë si diplomatë të karrierës njerëz të tjerë, që janë shquar në punën e tyre që lidhet me marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Bota sot”: Sa është aktive kjo ministri në politikën e jashtme?

Alma Lama: Deri tani kemi parë ministren Gërvalla që bën gafa, duke ulur imazhin e Kosovës. E njëjta dikur hidhte baltë mbi personalitete të dëshmuara politike dhe mediat fatkeqësisht duke iu dhënë hapësirë njerëzve të tillë, krijuan personalitete të rrejshme që në zgjedhjet e fundit iu servirën publikut me pompozitet dhe morën shumë vota dhe poste të larta. Problemi është se personalitet e fryra nga mediat nuk mund të rezistojnë gjatë nëse nuk janë kompetentë, dhe jo vetëm që zhgënjejnë votuesit, por dëmtojnë edhe interesat e shtetit.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për emërimet e reja të ambasadorëve?

Alma Lama: Mendoj se vazhdon emërimi i miqve e shokëve, apo aty që kanë shërbyer për të sjellë në pushtet ata që sot bëjnë emërime. Po ashtu janë shpërblyer njerëz që në të shkuarën kanë keqpërdorur mediat për të njollosur diplomatë e ambasadorë të Kosovës, pikërisht tani me poste ambasadorësh. Dhe kjo është e turpshme si nga ana e ministres së jashtme, ashtu edhe e presidentes, pasi sipas informatave që kam, kryeministri Kurti nuk po përzihet shumë në emërimet diplomatike. Një vend që denigron ambasadorët dhe më pas i promovon denigruesit, dëshmon se është larg krijimit të një tradite institucionale dhe të një shteti serioz.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat