Flet drejtori i ATK-së: Këta janë ‘vjedhësit’ më të mëdhenj në Kosovë nga tatimet, zbuluam 2.1 milionë euro shmangie nga tatimi

Intervista

Flet drejtori i ATK-së: Këta janë ‘vjedhësit’ më të mëdhenj në Kosovë nga tatimet, zbuluam 2.1 milionë euro shmangie nga tatimi

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 dhjetor 2021 Në ora: 08:08
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka folur për karakteristikat e këtij viti që e kanë shoqëruar ATK-në. Murtezaj thotë se ka qenë vit shumë i suksesshëm si në performancen e inkasimit të të hyrave ashtu edhe në efektivitetin e mbledhjes së borxheve dhe trajtimin e tyre, por edhe vazhdimin e ngritjes së shërbimeve digjitale për tatimpaguesit. Ai ka përmendur po ashtu edhe personat që më së tepërmi i ikin tatimit në Kosovë, dhe aksioneve që janë ndërmarrë në këtë drejtim. Murtezaj tregon nëse ATK-ja ushtron veprimin e saj edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Bota sot”: Si e përmbylli ATK-ja vitin 2021?

Ilir Murtezaj: Administrata Tatimore e Kosovës ka pasur një vit jashtëzakonisht të suksesshëm, si në performancen e inkasimit të të hyrave ashtu edhe në efektivitetin e mbledhjes së borxheve dhe trajtimin e tyre, por edhe vazhdimin e ngritjes së shërbimeve digjitale për tatimpaguesit. Veç tjerash këtë vit është punuar shumë në rritjen e llogaridhënies së punonjësve të institucionit të ATK-së. Të gjitha këto janë akterë të rëndësishëm në ruajtjen e integritetit të ATK-së, por edhe në rritjen e besimit të qytetarëve/tatimpaguesve për punën që bënë ATK-ja. Për periudhën Janar-Nëntor 2021 ATK ka arritur që të inkasoj 552.7 milionë € tatime, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 126.06 milionë € apo 29.5 %. Ndërsa, në krahasim me planin kemi rritje për 41.6 milionë € apo 8.2%.

“Bota sot”: Keni deklaruar se do të bëhet ndryshimi i ligjit për verifikimin e tatimpaguesve, ҫfarë nënkupton kjo?

Ilir Murtezaj: Në fakt hartimi i ligjeve dhe politikave fiskale bëhen nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ndërsa ATK është agjencion ekzekutiv, i cili vetëm implementon ligjet tatimore.

“Bota sot”: Kush janë ‘vjedhësit’ më të mëdhenj në Kosovë nga tatimet?

Ilir Murtezaj: Shmangia tatimore ose evazioni tatimor është dukuri e cila edhe në shtetet më të zhvilluara është prezente, por ne si institucion jemi duke vepruar me të gjitha kapacitetet që kemi në dispozicion që shmangësit e obligimeve tatimore t’i identifikojmë dhe t’i fusim në sistem të rregullt, sikurse pjesa tjetër e tatimpaguesve që kryejnë me kohë obligimet tatimore. Ne kemi të themeluar Departamentin për Hetime Tatimore dhe Inteligjencë, e cila investigon çdo rast të dyshuar për shmangie tatimore, ku vetëm për periudhën raportuese Janar-Nëntor 2021 kemi zhvilluar 68 aktivitete për shmangie tatimore, si dhe janë kryer 3 bastisje, 10 aksione të zhvilluara në asistim të Policisë së Kosovës. Të gjitha këto kanë dhënë rezultate hetimore ku janë konstatuar 2.1 milionë euro shmangie nga tatimi.

“Bota sot”: Flitet se shumë njerëz të estradës nuk paguajnë tatimin varësisht nga fitimet e tyre, sa është e vërtetë kjo?

Ilir Murtezaj: Estrada kosovare paguan tatim sipas normave që përcaktohen me ligj për këtë aktivitet, ku vetëm në këtë periudhë Janar-Nëntor 2021 janë paguar 408,029 euro tatime dhe janë deklaruar 7.6 milionë euro qarkullim. Po ashtu, edhe tek kjo kategori kemi pas inspektime dhe si rezultat janë lëshuar 89 gjoba. Mirëpo, duhet theksuar fakti se kjo kategori e bizneseve nga viti 2020 deri më tani nuk është se kanë zhvilluar aktivitetin e tyre sikurse duhet, si shkak i masave anti COVID.

“Bota sot”: A ka raste që drejtësia merret me ata persona që i ikin tatimit?

Ilir Murtezaj: Ne si institucion kemi iniciuar disa rast kur pas të gjitha procedurave të ndjekura kemi vërtetuar që persona të caktuar me ose pa dashje i janë shmangur tatimit, raste si këto janë në ndjekje penale nga organet e drejtësisë.

“Bota sot”: Sa inspektorë ka ATK-ja në territorin e Kosovës dhe sa është i mjaftueshëm ky numër?

Ilir Murtezaj: Ju besoj e dini pasi që shpesh e kemi përmend që ATK-ja ka nevojë për së paku edhe 100 inspektor me të cilët do të arrinte të ketë mbulueshmëri të gjithë territorit të Republikës së Kosovës. Aktualisht kemi 312 inspektorë tatimor.

“Bota sot”: Sa i përket pjesës së veriut, a keni shtrirje si ATK dhe a ka rezistim nga ana e tyre për t’i deklaruar tatimet?

Ilir Murtezaj: ATK-ja e ka të shtrirë aktivitetin e saj edhe në pjesën veriore, mirëpo jo aq sa duhet dhe sa ka nevojë, pasi që marr parasysh situatën që është e krijuar në atë pjesë, ne shpesh aktivitetet tona duhet t’i zhvillojmë në asistim të Policisë së Kosovës. Sigurisht, edhe bizneset nga atje kryejnë obligimet tatimore, por e thashë që ka nevojë edhe më shumë që të bëhet për atë pjesë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat