Lista e zezë i hapi rrugën eleminimit të krimit në veri dhe në Kosovë / Deputeti pret prokurorinë të bëjë aktakuzat

Intervista

Lista e zezë i hapi rrugën eleminimit të krimit në veri dhe në Kosovë / Deputeti pret prokurorinë të bëjë aktakuzat

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 dhjetor 2021 Në ora: 12:44
Deptueti i VV-së Alban Bajrami

Situata në vend pas zgjedhjeve lokale, po vazhdon të jetë delikate.

Përveç situatës politike, një situatë e cila po prek qytetarët në vend është situata pandemike, e cila nuk po arrinë të largohet assesi.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV-së, Alban Bajrami.

Ai situatën aktuale në vend e sheh të balancuar në mes opozitës dhe pozitës, ndërsa për rënien e votave të LVV-së, deputeti thotë se do të duhej të kishim qenë më të kujdesshëm.

Deputeti Bajrami është anëtarë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, i cili na tregoi që Ligji për personat e zhdukur me dhunë është në punë e sipër dhe se si komision jemi duke u angazhuar që sa më parë ta dërgojm në Kuvend.

Në bisedë e sipër deputeti u pyet për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili tregoi që qëndrimi i tyre është negativ dhe se nuk janë pro krijimit të pasi vetëm mund ta destabilizojnë Kosovën.

Ndërsa një temë me rëndësi që këto ditë po debatohet është vendimi i SHBA-ve, i cili ka identifikuar një grup ndërkombëtar të krimit të organizuar i udhëhequr nga serbë, me bazë në veri të Kosovës, anëtarët e të cilit i ka futur në listë të zezë. Në mesin e tyre Zvonko Veselinoviq, dhe Millan Radojçiq, për të cilët deputeti thotë se duhet të arrestohen.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si i shihni zhvillimet politike pas zgjedhjeve lokale?

Alban Bajrami: Tashmë gati secila parti politike kanë marrë përgjegjësi, pozita më shumë në nivel qendror, kurse opozita ka dal mirë në nivel lokal. Kjo ka krijuar një balancim të skenës politike deri diku dhe se tani opozita do të duhet që përveç kritikës kundrejt nesh të koncentrohet edhe në punë në nivelin lokal sepse ka shumë punë në vend.

“Bota sot”: LVV-ja në këto zgjedhje lokale pësoi rënie krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit. Cilët janë sipas jush faktorët që ndikuan në rezultatin e dobët krahasuar me zgjedhjet e shkurtit?

Alban Bajrami: Janë shumë faktorë, është dashtë të kemi një përzgjedhje më të kujdesshme, gjithashtu partitë opozitare u bashkuan të gjithë në një front kundër nesh e që në nivel lokal ndikon shumë.

“Bota sot”: Z. Bajrami ju jeni pjesë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. A mund të na tregoni se sa afër është të aprovohet ligji për persona të pagjetur?

Alban Bajrami: Të Pagjeturit tashmë janë vendosur si kusht për dialog nga Qeveria e Kosovës. Është përmendur në disa rast nga Kryeministri Kurti, por edhe të tjerët se pa zbardhjen e fatit për të pagjeturit nuk mund të ketë marrëveshje finale. Ligji për personat e zhdukur me dhunë është në punë e sipër dhe se ne si komision jemi duke u angazhuar që sa më parë ta dërgojmë në Kuvend pasi që kemi një dakordancë prej të gjitha partive dhe se besoj do të bëhet shpejtë.

“Bota sot”: Një temë me rëndësi kohëve të fundit mbetet krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën Serbia po insiston të formohet me kompetenca ekzekutive, sipas marrëveshjeve 2013 dhe 2015. Kjo ka gjetur përkrahje edhe tek përfaqësuesit e BE-së, si Borelli etj. Cila është zgjidhja, a do të formohet dhe në çfarë cilësi një asociacion për komunat serbe?

Alban Bajrami: “Zajednica” si e kemi cilësuar në 2013 dhe 2015 mbetet një Jo e madhe për ne kundrejt Serbisë, qytetarët serb të Kosovës fare nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë dhe kjo mbetet vazhdimisht një kërkesë e Serbisë për destabilizimin e Kosovës.

“Bota sot”: SHBA-ja gjithashtu së fundmi ka futur në listën e zezë Radoiçiqin dhe Veselinoviqin si krerë të grupit ndërkombëtar të krimit të organizuar. Si e komentoni këtë vendim të SHBA-ve?

Alban Bajrami: Veprim që hapë rrugë për eleminimin e krimit në Kosovë, tash kur SHBA e ka parë që Veselinoviçi nuk është më partner i Qeverisë i është hapë rruga për ta futur në listën e zezë për të cilën është dashtë moti kohë të gjendej në atë listë.

“Bota sot”: A do të ketë arrestime edhe të anëtarëve të grupeve shqiptare që bashkëveprojnë me këtë grup kriminal serb, por edhe me të tjerë?

Alban Bajrami: Arrestimet tash janë në dorë të prokurorisë për të ngritur akuzat, të cilat veçse SHBA-ja ua ka hapur rrugën. Pastaj policia besoj është e gatshme dhe se do të veprojë sikurse është duke vepruar tani me arrestime të shumë grupeve të tilla.

“Bota sot”: Ndërsa, situata pandemike po vazhdon të mbetet delikate. Si po menaxhohet kjo situatë nga Qeveria, a ka informacione nëse virusi i ri Omicron mund të na rrezikojë?

Alban Bajrami: Qeveria Kurti pati premtuar që deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% të popullatës dhe se kjo shifër është arritë para 1 jave, duke e vendosur Kosovën në vendin e parë në Ballkan për imunizim të masës. Sigurisht një shifër e tillë na bënë më të sigurt në raport me versionin e ri të Omicron.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat