Ekskluzive: Presidenti Rugova ka qenë i involvuar direkt në përgatitjen e formacioneve të para luftarake në Shqipëri - Flet studiuesi Rraci

Intervista

Ekskluzive: Presidenti Rugova ka qenë i involvuar direkt në përgatitjen e formacioneve të para luftarake në Shqipëri - Flet studiuesi Rraci

Nga: Idriz Morina Më: 21 janar 2022 Në ora: 16:22
Presidenti Rugova, në mbrojtje në këtë rast nga Besnik Rraci

Në një rrëfim të veçantë për presidentin Ibrahim Rugova, flet studiuesi i ri “Lëvizjes paqësore, të cilën e udhëhoqi Ibrahim Rugova, Besnik Rraci, i cili ka shërbyer në sigurimin fizik të presidentit Rugova deri në shuarjen e tij, 16 vjet më parë në rezidencën Presidenciale në Velani.

Historiani Besnik Rraci, aktualisht është duke doktoruar pikërisht në studimin e politikës paqësore të presidentit Rugova dhe LDK-së, ndërsa e ka të mbrojtur një tezë masteri në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Besnik Rraci, pasi presidenti mbylli sytë, si shumica e atyre që ishin në shërbim të Presidentit Rugova, u desh të largohen nga aty, ndërsa ky zgjodhi t’i vazhdojë dhe tani t’i thellojë studimet në profesionin e tij, në histori.

Sipas studiuesit Rraci, Rugova nuk është siç dëshirojnë ta prezantojnë disa figura publike kundërshtare dhe madje edhe ‘studiues’ të fushave të tjera, se ishte një ‘pacifist’ që ‘kundërshtoi’ luftën, në të vërtetë Rugova me vendimet e tij fillimisht në krye të LDK-së, kishte bërë që të stërviteshin në Shqipëri grupet e para për luftë, në krye me Sali Çekajn, Adem Jasharin dhe heronj të tjerë.

“Bota sot”: Si e kujtoni ditën e shkuarjes në amshim të presidentit Rugova?

Besnik Rraci: Ditën kur presidenti Rugova ka ndërruar jetë, për fatin tim të mirë apo të keq, kam qenë në ndërrim atë ditë të ftohtë të 21 janarit të vitit 2006. E kujtoj si një ditë të zymtë, kur mbërritëm në mëngjes rreth orës 07:30 së bashku me Muhamet Demollin. Aty pamë veturën e mjekut personal të Presidentit Rugova, dr.Afrim Gashit që kishte ardhur më herët, pasi, siç morëm vesh ju kishte përkeqësuar gjendja Kryetarit gjatë natës. Shpresa jonë e vetme ishin mjekët amerikan që pritej të vinin nga Bondstilli, të cilët për hir të së vërtetës nuk u vonuan shumë (por neve ajo orë na u duk sa një ditë). Por, siç duket as ndihma e mjekëve amerikan nuk mundi ta parandalonte vdekjen e Presidentit Rugova, i cili i mbylli sytë përgjithmonë rreth orës 11:38 minuta, me 21 janar të vitit 2006, duke na lënë një boshllëk të madh në momentet më të vështira që do të definohej statusi final i Kosovës, edhe pse ai e kishte dërguar Kosovën në binaret e Pavarësisë me punën dhe angazhimin e tij të pashoq për rreth 17 vite, por për ironi nuk mundi ta përjetoj njohjen formale të pavarësisë për të cilën punoi dhe u angazhua aq shumë.

“Bota sot”: Sa kohë kishte që nuk ndihej mirë Presidenti, meqë në aspektin fizik keni pasur mundësi ta shini për disa vite?

Rraci: Për sa kam informacione, Presidentit Rugova ka qenë mirë me shëndet deri në korrik të vitit 2005. Kur ishte në pushime në Itali, pas një përkeqësimi të gjendjes atje, atëherë pas një kontrollimi të bërë, mjekët e kanë rekomanduar që me urgjencë të kthehet në Kosovë dhe t’i nënshtrohet një ekzaminimi të përgjithshëm, i cili iu në bazën ushtarake amerikane në Gjermani, ku diagnostikohet me kancer në mushkëri. Për këtë kumt të zi, pat kurajon të dilte vetë ta jepte si lajm. Doli para mediave si një burrështetas i vërtetë dhe ia kumtoi popullit të tij që i kishte mbetur besnik, sikurse edhe ai vet.

“Bota sot”: Ju tani jeni duke bërë një doktoratë, pikërisht në studimin e Lëvizjes Paqësore. Çfarë keni identifikuar deri tash si çështje kruciale?

Rraci: Unë tani jam në proces të studimeve postdiplomike të doktoratës në Universitetin shtetëror të Zarës, (Kroaci), me tezën e doktoratës me titull: “Lëvizja Paqësore në Kosovë gjatë periudhës 1989-1999”. Për këtë çështje kam magjistruar në Universitetin e Prishtinës me temën: “Lëvizja politike në Kosovë 1989-1997 dhe roli i Presidentit Ibrahim Rugova”.

Sa i përket veprimtarisë shkencore dhe profesionale, në bashkautorësi me Dr. Sadik Krasniqin kemi realizuar ekspozitën tematike me titull: “Kontributi i Presidentit Rugova në Shtetformimin e Kosovës” që është hapur zyrtarisht, me 24 maj, 2018, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, pastaj ka rrugëtuar si ekspozitë lëvizëse në disa qendra të Evropës. Po ashtu është botuar edhe libri me të njëjtin titull.

Sa i përket identifikimit të çështjeve kruciale të identifikuara gjatë kësaj periudhe, ka disa aspekte, si p.sh. aspekti i organizimit të sistemit paralel në Kosovë si: arsimi, shëndetësia, kultura që ishin jetike për organizimin e jetës institucionale dhe politike për atë kohë; aspekti i ndërkombëtarizimit; afirmimit dhe sensibilizimit të çështjes se Kosovës gjatë viteve të ‘90-ta në qarqet e vendosjes në perëndim dhe në botë; po ashtu është menduar edhe punuar në aspektin e organizimit të mbrojtjes institucionale, në marrëveshjen e presidentit Rugova (atëherë ende kryetar i LDK-së) me Ramiz Alin.

Image
Besnik Rraci, autor i ekspozitës për Presidentin Rugova, me dokumente të veprimtarisë dhe takimeve, duke ua shpjeguar vizitorëve ngjarjet kyçe

“Bota sot”: Ka pasur kohëve të fundit një lloj debati të shtyrë me zor nga pak figura publike, që ta nënvlerësojnë rolin dhe qëndrimet e presidentit Rugova për Pavarësi. Si e shihni ju?

Rraci: Sa i përket debateve të fundit, nuk është hera e parë që individ të caktuar dhe jo kredibil mundohen ta minimizojnë kontributin dhe personalitetin e presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Mjafton të lexoni biografin e presidentit Rugova. Rugova si fëmijë ka qenë i armiqësuar me pushtetin serbo-sllav, pasi që me 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu që për dallim nga të tjerët, Ibrahim Rugova kishte një fëmijëri tepër të vështirë, u rrit jetim pa baba dhe u edukua në frymën patriotike. Formësimi i tij si një intelektual me nam, bëri që më vonë do t’i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike. Nën udhëheqjen e presidentit Rugova me bashkëpunëtorët e tij kanë ndodhur këto ngjarje, përfshirë këtu, të gjitha aktet politike dhe juridike të viteve të ‘90-ta, si: Deklarata kushtetuese e 2 korrikut 1990 dhe miratimi i Kushtetutës në Kaçanik me 7 shtator 1990, Referendumi për pavarësinë e Kosovës 26-30 shtator 1991, dhe përgatitjet e para të formacioneve ushtarake në Surrel të Shqipërisë; formimi i këshillit Koordinues i Partive Politike në ish-Jugosllavi, duke pasur për herë të parë një platformë të përbashkët për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale 24 maj 1992 etj.

“Bota sot”: Pak javë më parë, është debatuar shumë se kush e themeloi UÇK-në. Ju si studiues si e shihni relacionin e Presidentit me luftën, a e mbështeste?

Rraci: Sa i përket këtij debati, unë jam kompetent si historian dhe studiues i kësaj periudhe që të konstatoj, pasi që kam intervistuar akterët kryesor të asaj periudhe, se presidenti Rugova ka qenë i involvuar qoftë direkt apo indirekt në përgatitjen e formacioneve të para ushtarake në Surrel të Shqipërisë, të asaj kohe, në një marrëveshje të fshehtë me presidentin Ramiz Alia. Për këtë e posedoj një urdhër-dokument të ish-ministrit të mbrojtjes Perikli Teta, me të cilin ai jepte urdhër që të stërviteshin luftëtarët e ardhshëm të Kosovës nën mbikëqyrjen e ushtarakëve të ushtrisë së Shqipërisë. Nën mbikëqyrjen e tyre kanë qenë organizuar dy grupe për stërvitje, Grupi i parë kishte shkuar në fund të shtatorit të vitit 1991, në të cilin grup pos të tjerëve ishin: Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha edhe 52 luftëtarë të tjerë, ndërsa në Grupin e dytë në fund të tetorit 1991, kishte marrë pjesë edhe komandanti legjendar Adem Jashari me 55 luftëtarë të tjerë, të cilët nën komandën e Sali Çekajt, për herë të parë kanë hyrë në Kosovë në mënyrë të organizuar me armë, me 2 dhjetor 1991. Kështu nga kjo datë filluan të vepronin si Grupi i Deçanit i udhëhequr nga Sali Çekaj, si Grupi i Drenicës i udhëhequr nga Adem Jashari dhe si Grupi i Llapit i udhëhequr nga Zahir Pajaziti, të cilat grupe kanë realizuar në mënyrë të vazhdueshme aksione me armë në drejtim të policisë dhe ushtrisë serbe. Për korrektësi, këto organizime dhe sulme janë bërë para se të dilte në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Mendoj se Sali Çekaj, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti janë figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Bota sot”: Si do të ishte dukur sipas jush sot Kosova nëse do të ishte respektuar vizioni i Presidentit Rugova nga kundërshtarët e tij kryesor politik?

Rraci: Mendoj se nëse do të ishte respektuar vizioni i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Kosova sot do të ishte e integruar në strukturat euro-atlantike.

“Bota sot”: Si historian a mendoni se do të vijnë një ditë në shprehje simbolet e Rugovës, përveç flamurit presidencial (i cili përdoret nga Presidenca), dhe a do të duhej t’i zëvendësonin këto aktuale?

Rraci: Në perspektiven e historianit, mendoj se Kosova do të duhet t’i zëvendësojë simbolet aktuale të shtetit të Kosovës me simbolet e propozuara më herët nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, pasi që ato simbole, ngërthenin në vete shumë elemente kombëtare historike.

“Bota sot”: Duke i shikuar nga sot zhvillimet, pra nga retrospektiva, si arriti Rugova të bëjë ndryshime dramatike. Nga karakteri, luftarak që shqiptarët i zgjidhnin me përparësi në lëvizjet e kaluara për të kaluar në lëvizje paqësore?

Rraci: Nëse e shohim në retrospektiv se pse Rugova arriti të bëjë ndryshime dramatike në qasjen që Rugova i dha prioritet rezistencës paqësore, mjafton ta citoj ish-ambasadorin amerikan në Beograd, Ëoren Zimerman, kur në librin e tij shprehet, citoj: “Rugova ishte më shumë politikan pragmatik se sa ishte politikan paqësor”. Pra, Presidenti Rugova ishte pragmatist dhe veproi konform rrethanave të asaj kohe, dhe në koordinim të plotë me partnerët tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Bota sot”: Sa ishte dhe sa ka ende peshë, formulimi politiko-historik i presidentit Rugova, se shqiptarët, paraardhësit e tyre dardanët kishin shtet, më shumë se 12 shekuj para erë sonë?

Rraci: Presidenti Rugova në vazhdimësi kishte dëshirë që Kosovën ta quante Dardania Antike, pra presidenti, me këtë donte t’i tregonte botës se ne i përkasim një civilizimi të vjetër Iliro-Dardan dhe jemi një ndër popujt më të vjetër të Evropës.

“Bota sot”: Cilat janë ngjarjet kyçe që e bëjnë personalitetin e Rugovës, historik, hero nacional, dhe që e bëjnë meritor të respektohet edhe sa vite pas vdekjes, dhe të jetë aktual?

Rraci: Mendoj se ngjarjet kyçe që e bëjnë personalitet historik dhe nacional Presidentin Rugova janë, se Presidenti Rugova duhet të vlerësohet për faktin se është i pari politikan që e ka thyer mitin serb për Kosovën; orientimi i tij strategjik drejt vlerave properëndimore dhe euroatlantike; ndikimi i tij në unifikimin e popullit të Kosovës gjatë viteve të ‘90-ta rreth kauzës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci; po ashtu siç e kam cekur edhe më lart, nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, populli i Kosovës, krijoi institucionet e veta udhëheqëse, Kuvendin, Presidentin, Qeverinë, me aktet politike dhe juridike të viteve të ‘90-ta, si: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, miratimi i Kushtetutës në Kaçanik 7 shtator 1990, Referendumi për Pavarësinë e Kosovës; përgatitjet e para të formacioneve ushtarake në Surrel të Shqipërisë; formimi i këshillit Koordinues i Partive Politike në ish-Jugosllavi, duke pasur për herë të parë një platformë të përbashkët për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi; zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale 24 maj 1992. Po ashtu takimet e shumta me personalitetet e kohës në funksion të ndërkombëtarizimit, sensibilizimit të çështjes së Kosovës, i cili me politiken e tij të mençur, fitoi simpatinë e faktorit ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës. Për këtë dëshmojnë më së miri, dy protagonistët kryesor të çlirimit të Kosovës, Bill Klinton dhe Toni Bler, të cilët në fjalën e tyre të mbajtur para Kuvendit të Kosovës, flasin me admirim dhe respekt të madh për presidentin historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova. Duhet theksuar se Presidenti Rugova pati simpati të jashtëzakonshme në popull, ai i fitoi të gjitha zgjedhjet në Kosovë, para dhe pasluftës, i fitoi edhe atëherë kur mendohej se reputacioni i tij ishte zbehur si pasoj e propagandës së paprecedentë që ishte bërë kundër tij. Pra, këto janë disa ngjarje kyçe dhe arsye (sigurisht ka edhe shumë të tjera) se pse duhet të respektohet dhe të vlerësohet lart figura e presidentit historik.

“Bota sot”: A kishte vend apo a ishte i palëkundur Rugova në qëndrimet e tij për tërësinë tokësore të Kosovës. Më saktë, cili mendoni se do të ishte qëndrimi i tij ndaj opsioneve si ai i Thaçit për shkëmbim territori (ndarje të Kosovës)?

Rraci: Mendoj se presidenti Rugova ishte i palëkundur në qëndrimet e tij, për një Kosove të Pavarur, neutrale, e integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj se do të ishte kundër shkëmbimeve territoriale, sepse këtyre tundimeve, Ai, ju ka rezistuar edhe më herët kur Kosova ishte në rrethana shumë më të pafavorshme, gjatë viteve të ‘90-ta, nën kushte të okupimit klasik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat