Flet deputeti i Listës Guxo, tregon nëse kanë vija të kuqe me partitë politike – zbulon nëse do të ndahen me LVV-në?!

Intervista

Flet deputeti i Listës Guxo, tregon nëse kanë vija të kuqe me partitë politike – zbulon nëse do të ndahen me LVV-në?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 shkurt 2022 Në ora: 07:32
Deputeti nga radhët e “Listës Guxo”, Burim Meta

Situata në vend po vazhdon të jetë e tensionuar kjo për shkak të shumë ngjarjeve që së fundmi kanë ndodhur.

Në lidhje me këto situata në një intervistë për “Bota sot”, flet deputeti nga radhët e Listës Guxo, Burim Meta.

Ai u shpreh se situata mbetët stabile në vend pasi presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po arrijnë të kenë politikbërjen ashtu si duhet për vendin.

Lista Guxo së fundmi u zyrtarizua si parti, me udhëheqëse Donika Gërvallën, deputeti Meta u shpreh se së bashku me partnerët do të arrijnë të kenë shumë ndryshime në vend. Ata thonë se janë të hapur për të gjithë që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj partie.

Ndërsa, i pyetur për vijat e kuqe të Listës Guxo, nëse ka të tilla për LDK-në, ai u shpreh se Gërvalla ndoshta është ngutur sepse vendime të tilla merren në kryesi apo në kuvend të partisë.

Në bisedë e sipër, ai u shpreh që protestat kundër shtrenjtimit të rrymës janë të panevojshme.

I pyetur për krizën e Ukrainës, deputeti thotë se Kosova nuk mund të preket nga asnjëri zhvillim atje.

Për fund, i pyetur për zgjedhjet lokale dhe befasitë që i sjellin ato, ai shprehet se ishin befasi të mira.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Burim Meta: Situata politike në vend është stabile. Pa dashur të potencoj secilin detaj të sukseseve në shtetin tonë, më duhet të them që me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti politika dhe politikbërja është ashtu siç kanë dashur dhe kërkuar qytetarët e Kosovës. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i pa cenueshëm.

“Bota sot”: 14 shkurti shënoi një vit nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Listën Guxo arritën të fitojnë shumicën e votave, a mund të na thoni se si shkoi viti i parë i qeverisjes suaj të përbashkët?

Meta: Konstelacioni qeveritar në përbërje të LVV-së dhe GUXO-s, pas fitores plebishitare të para një viti, ka funksionuar dhe kooperuar në formën më të mirë të mundshme, ashtu siç jemi dakorduar para fillimit të bashkëpunimit tonë. GUXO ka dhënë kontributin e vet në mënyrë profesionale, dhe kemi treguar që jemi bashkëpunëtorë shumë serioz dhe profesional, duke mbështetur çdo projekt të rëndësishëm, duke plotësuar me imputetet tona kompetente.

“Bota sot”: Tani që Lista Guxo është regjistruar si parti më vete, a do të ndaheni nga Grupi Parlamentar i LVV-së dhe a do të funksiononi si grup i veçantë?

Meta: Ne, nuk jemi formuar për tu ndarë, ne nuk kemi diskutuar as për grup parlamentar, grupi parlamentar formohet me 6 deputetë, ndërsa ne i kemi 5 deputetë. Ne jemi formuar, për shkak se nga fillimi kemi premtuar në partinë tonë, në kauzën tonë në mbështetjen tonë, në mbajtjen e fjalës ndaj bashkëpunëtorëve tonë të kauzës e të formimit të standardit të ri politik. Ne formuam partinë, 1 vit pas, po atë datë kur fituam shumë, dhamë deputetë, ministra e zëvendësministra, dhamë zëvendëskryeministër e mbi të gjitha dhamë pozitën më të lartë shtetërore, presidenten e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Tashmë u zyrtarizua edhe znj. Gërvalla si drejtuese e Listës Guxo. Si e shihni të ardhmen tuaj në mesin e partive politike në vend?

Meta: Znj. Gërvalla, është lidere dhe udhëheqëse e partisë Guxo, deri në momentin e formimit të organeve tona. Do ta formojmë Këshillin e Përgjithshëm dhe Kryesinë e partisë dhe aty do të kenë mundësinë të gjithë vullnetmirët të kandidojnë për të parin e partisë dhe pikërisht aty me votë të fshehtë do të zgjidhet kryetari i partisë Guxo, e natyrisht që edhe Donika Gërvalla mund të zgjidhet.

“Bota sot”: Gjatë konferencës Gërvalla u shpreh që nuk do të ketë bashkëpunim me LDK-në. Me cilat parti tjera ka vija të kuqe Lista Guxo?

Meta: Donika Gërvalla, nuk besoj që ka thënë se nuk do të bënë ndonjëherë koalicion, për shkak se zonja Gërvalla i njeh shumë mirë proceset partiake e politike. Është mjaft kompetente në këtë aspekt, nëse ka thënë kështu ka gabuar, por nuk e ka thënë, sepse vendime të tilla merren në kryesi apo në Kuvend të partisë dhe jo më larg se pak ditë para datës së zgjedhjeve eventuale. Kështu them se vendoset për proceset demokratike.

“Bota sot”: Një temë shumë e rëndësishme mbetet shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe paralajmërimet e vazhdueshme për protesta. Si i shihni ju këto situata?

Meta: U shtrenjtua rryma. Unë isha dhe akoma nuk pajtohem me këtë vendim, këtë e kam thënë edhe në Kuvend. Protestat janë të panevojshme.

“Bota sot”: Kriza që e ka kapluar Ukrainën dhe Rusinë padyshim po sjellë debate se mund të prek edhe Kosovën nga Serbia. Ju si e vlerësoni këtë krizë?

Meta: Kriza Rusi - Ukrain, nuk vlerësoj se do të ketë impakt negativë edhe tek ne. Marrëdhëniet tona të forcuara e të shëndosha evropiane e tejoqeanike bëjnë që Kosova të jetë çdoherë e sigurtë.

“Bota sot”: Në fund si e shihni situatën pandemike në vend, sa po arrin të menaxhohet?

Meta: Pandemia mirë u menaxhua. Shpresoj që së shpejti të ndërroj edhe emërtimin, nga pandemi në epidemi, e ndoshta së shpejti edhe t’i harrohet emri krejt.

“Bota sot”: A mendoni që zgjedhjet lokale për shumë parti sollën befasi?

Meta: Po, kishte befasira, kishte të mira për ndonjë parti, jo të mira për parti tjera po më e rëndësishmja ishte, që për ndonjë parti ndiheshin humbjet eventuale dhe nuk e pranonin situatën!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat