Ekskluzive: Ish-ministri i mbrojtjes Anton Quni, tregon se në cilin rast Serbia mund ta sulmojë Kosovën!

Intervista

Ekskluzive: Ish-ministri i mbrojtjes Anton Quni, tregon se në cilin rast Serbia mund ta sulmojë Kosovën!

Nga: Intervistoi: Idriz Morina Më: 7 mars 2022 Në ora: 13:33
Anton Quni gjatë luftës në Kosovë

Në rast të një sulmi të Serbisë ndaj Kosovës, luftëtarët e Brigadës 138 janë të gatshëm të luftojnë për atdheun: “çdo pjesëtar i Brigadës 138 "Agim Ramadani" do të jetë i gatshëm që të mobilizohet”, thotë njëri nga udhëheqësit më të shquar të luftës së Koshares, duke theksuar se “përvoja tani është edhe më e madhe”.

Ish-komandanti i njësisë “Delta” në Koshare, ushtaraku Anton Quni, ish ministri mbrojtjes, parasheh rrezik për ndonjë sulm të mundshëm në veri nga Serbia, në rast të përshkallëzimit dhe përhapjes së luftës përtej Ukrainës. Edhe pse për momentin nuk ka një rrezik të madh, ai mendon se nuk duhet përjashtuar rrezikun potencial, kur në një moment të rritjes së ballafaqimit ushtarak NATO-Rusi, Serbia dhe Rusia të gjejnë momentin për të hapur një vatër të re lufte, sipas një plani të përgatitur mirë nga Serbia, që të sulmojë Kosovën.

Për Qunin lufta speciale ndaj Kosovës nuk është ndërprerë asnjëherë, por tash ka karakter tjetër: “Ata më shumë preferojnë luftën hibride dhe asimetrike duke i nxitur banorët serb dhe përfaqësuesit e tyre politik të Kosovës për mospërfillje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës...”

Deputeti Quni luftën në Ukrainë e sheh si një përplasje të Rusisë me vlerat perëndimore.

“Bota sot”: Si e vlerësoni luftën në Ukrainë, si po ndikon ajo?

Anton Quni: Agresioni rus në Ukrainë, të cilin bota demokratike po e gjykon si agresion klasik mbi një shtet sovran dhe ndërkombëtarisht të pranuar, ka ndikim të drejtpërdrejtë në destabilitetin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë. Përveç humbjes së jetës së civilëve, plagosjeve, shkatërrimeve të objekteve dhe infrastrukturës fizike si dhe kolonave të refugjatëve për në vende më të sigurta, situata e krijuar po shkakton frikë dhe pasiguri edhe tek qytetarët gjithandej globit, se lufta po ju troket në derë.

“Bota sot”: Cilat janë relacionet e reja, që po krijon kjo luftë, në aspektin ushtarak?

Quni: Situatat e tilla i detyrojnë shtetet veç e veç që t’i rishikojnë politikat e sigurisë, të forcojnë aleancat dhe të ndërtojnë strategji të mbrojtjes, me të cilat sigurohet evitimi i luftërave bërthamore si dhe mbështetja e popujve në të drejtën e tyre për t’u mbrojtur.

“Bota sot”: Kë e shihni fitimtar në fund?

Quni: E drejta është në anën e popullit të Ukrainës. Ata do ta mposhtin armatën ruse sado që ajo është e madhe në numër dhe në epërsi në aspektet e teknikës ushtarake.

Image
Anton Quni, sa ishte ministër i Mbrojtjes me dy ushtarë të FSK-së dhe gjeneralmajorin Fadil Hadergjonajn, ish-komandant i Forcave Tokësore

“Bota sot”: A është një përpjekje për përmbysjen e rendit ushtarak botëror dhe atij politik e kulturor?

Quni: Putini me politikën e tij autokratike të përkrahur nga bashkëpunëtorët e tij dhe oligarkët që e financojnë luftimin e vullnetit të lirë për ta ndërtuar fatin e vet, po dëshmon se akoma edhe sot, ekzistojnë projekte të errëta, për të dominuar me forcë mbi vlerat më të larta demokratike dhe të drejtave universale, si në rrafshin politik po ashtu edhe në rrafshin ekonomik.

“Bota sot”: Çfarë relacionesh mund të krijojë në Kosovë?

Quni: Mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga Rusia dhe aleatët e saj, përdorimi i regjimit të Beogradit për destabilizimin e rajonit, shpërqendrimi i vëmendjes tek ngjarjet në Ukrainë, krijojnë ambient të përshtatshëm që të nxiten tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bota sot”: A ka rrezik për një luftë speciale nga Serbia në Kosovë, tre veta u arrestuan për blerje të simboleve të UÇK-së dhe blerje uniformash?

Quni: Lufta speciale është duke vazhduar edhe pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova. Mirëpo, në ambientin e ri të sigurisë globale, të krijuar për shkak të luftës në Ukrainë, duke i ditur çdo herë qëllimet e Serbisë e sidomos qëllimet e Rusisë që të shfrytëzojë lidhjet historike me Serbinë, për të rritur ndikimin e saj në Ballkan, dhe për ta destabilizuar atë, në këto rrethana ekziston rreziku më i lartë dhe veprimet janë më intensive dhe më të sofistikuara nga ana e tyre. Lufta speciale është e tillë që të arrihet qëllimi, por pa e inkriminuar burimin.

“Bota sot”: A ka rrezik për një inkursion serb në veri dhe në ndonjë pjesë tjetër kufitare?

Quni: Ndërhyrja e forcave ushtarake serbe në veri të Kosovës mund të ekzistojë si skenar i përgatitur mirë. Një situatë hipotetike mund të ekzistojë në rrethanat kur Beogradi e vlerëson që kreu i NATO-s tregohet i dobët në vendimmarrje, njëkohësisht kur (Serbia) pranon garanca të fuqishme nga Rusia për mbështetje të një operacioni të tillë, si dhe në një situatë kur politikat e shtetit dhe të institucioneve të jenë të dobëta sa i përket aspekteve të sigurisë. Në rrethanat aktuale nuk e vlerësoj se është në favorin e Serbisë të ndërmarrë një “aventurë” ushtarake.

“Bota sot”: I dërguari i Putinit ka folur, pavarësisht se e kuptojnë situatën e Serbisë, për marrëveshje të fshehta Putin-Vuçiq, a nënkupton kjo një rrezik për bashkëveprim serbo-rus ndaj Kosovës duke pasur parasysh edhe nevojën strategjike të Rusisë për ta shpërqendruar Perëndimin dhe forcat e saja?

Quni: Po, ky rrezik është permanent, por përsëri besoj se krerët e shtetit serb e vlerësojnë se nuk mund të shkojnë aq larg sa që të përdorin njësitë e rregullta policore/ ushtarake për të ndërhyrë brenda territorit të Kosovës. Ata më shumë preferojnë luftën hibride dhe asimetrike duke i nxitur banorët serb dhe përfaqësuesit e tyre politik të Kosovës për mospërfillje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, të mbajnë aktive grupet dhe strukturat paralele, paramilitare dhe kriminale për ushtrimin e dhunës për të penguar fuqizimin e funksionimit demokratik dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në të gjithë territorin.

“Bota sot”: Nëse ndodhë një sulm i Serbisë, sa janë të gatshme ish-strukturat e 138, të ribashkohen për ta ndihmuar Kosovën?

Quni: Tani ekzistojnë institucionet e sigurisë dhe besoj se çdo pjesëtar i Brigadës 138 "Agim Ramadani" do të jetë i gatshëm që të mobilizohet në detyrën për të cilën është i thirrur. Motivimi nuk do të mungojë kurse përvoja tani është edhe më e madhe.

“Bota sot”: A mendoni se zgjidhja më e mirë është që Kosova të futet në NATO me procedura të përshpejtuara dhe a pritet të ndodhë kjo?

Quni: Anëtarësimi në NATO është aspiratë e kamotshme e shtetit tonë. Me përkushtim të lartë dhe përkrahjen nga aleati ynë ShBA-të, kemi arritur që ndër vite të rrisim kapacitetet profesionale dhe operacionale të FSK-së, të cilat vitin e kaluar për herë të parë arritën të bëhen pjesë e misionit të parë, historik paqeruajtës ndërkombëtar, përkrah ushtrisë Amerikane, në Kuvajt.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, përkundër mosnjohjes së Kosovës nga 4 shtete anëtare të NATO-s, duhet të shfrytëzohet momentumi i përshtatshëm i krijuar, që të ndërmerren veprime konkrete politike, institucionale dhe diplomatike dhe në këto rrethana pozitive që po krijohen, të punohet që aspirata jonë e shprehur me dekada, të jetë më afër realitetit.

“Bota sot”: A duhet që Shqipëria të dërgojë më shumë trupa dhe me armatim nga më i miri që e ka dhe të vendoset në veri?

Quni: Roli i Shqipërisë me trupat e saj në kuadër të KFOR-it është në ngritje. Ato po dëshmohen se janë të afta që të ofrojnë kapacitete në shërbim të paqes për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Bota sot”: A është e kërcënuar Shqipëria, edhe pse anëtare e NATO-s pasi veçse nëpërmjet një letre, Rusia e ka bërë të qartë se në një mënyrë bashkëveprimi i saj me NATO-n mund të ketë pasoja?

Quni: Kushdo që e kërcënon Shqipërinë duhet ta llogarisë se e ka kërcënuar NATO-n në tërësi dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë ata.

“Bota sot”: A është një moment, në të cilin shqiptarët kanë shansin që me një strategji të duhur, ta ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe të përfitojnë nga zhvillimet në pritshmëri?

Quni: Apetitet ekspansioniste të Rusisë dhe satelitëve të saj vetëm sa po ndikojnë në ngritjen e vetëdijes së kombit shqiptar për strategji të përbashkëta të sigurisë dhe rreshtimin tonë të fuqishëm përkrah NATO-s dhe botës demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat