“Aventurat e përgjakshme”/ Analisti nga Amerika jep paralajmërimin: Këto janë qëllimet e rrezikshme të shërbimeve serbo-ruso në veri!

Intervista

“Aventurat e përgjakshme”/ Analisti nga Amerika jep paralajmërimin: Këto janë qëllimet e rrezikshme të shërbimeve serbo-ruso në veri!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 prill 2022 Në ora: 16:17
Dr. Ramazan Bekteshi

Situata në vend po vazhdon të jetë e tensionuar, kjo për faktin se veriu i Kosovës po atakohet nga Serbia, ndërsa opozita po tregohet jokonstruktive dhe jo pak e papërgjegjshme në raport me zhvillimet në veri.

Ka disa ditë që policia e Kosovës është cak i sulmeve të armatosura tëserbëve, duke ia rrezikuar jetën e tyre.

Në lidhje me këto ngjarje të fundit si dhe situatën e krijuar nga lufta në Ukrainë, në një intervistë ekskluzive flet analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

Ai në pika të shkurta ka prekur tëgjitha temat duke u shprehur i shqetësuar fillimisht për poziciononin e opozitës që është duke mbajtur karshi qeverisë në situatat kur kërkohet unitet i plotë i të dy palëve.

Sipas tij, rrezikun më të madh për Kosovën e paraqet mosunitetii brendshëm, sesa vetë Serbia.

Më tej, Bekteshi shprehet skeptik nëse një sulm nga Serbia është duke u përgatitur, pasi Kosova është nën mbrojtje të NATO-s, por që nuk përjashton ndonjë skenar të mundshëm të Serbisë.

Por, i pyetur se a janë të ndërlidhura sulmet në veri me luftën në Ukrainë, marrëveshjet sekrete ruso-serbe, Bekteshi thotë se dyshohet se në Prishtine e Tiranë janë të infiltruar grupe të tilla, dhe “lind pyetja, sa janë të afta SHISH-i (Shërbimi Informativ i Shqipërisë dhe AKI-ja (Agjencia e Kosovës për Inteligjencë) të bashkëveprojnë dhe të nxjerrin në dritë një lajm kërcënues, këtë s’e kemi dëgjuar asnjëherë, s’e di pse, se a janë agjencitë tona duke punuar në fshehtësi të thellë profesionale apo agjencitë e huaja janë infiltruar brenda. Se marrëveshjet sekrete serbo-ruse për destabilizim të Kosovës ekzistojnë kjo nuk ka dyshim, humbja e Rusisë do të ishte edhe humbje e Serbisë dhe qetësim i Kosovës”.

Analisti tutje përmend qëndrimin e kryeministrit Rama kundrejt veprimeve që Serbia po vazhdon të bëjë ndaj Kosovës, duke iu bërë thirrje edhe opozitës së Kosovës që të mos krijojnë afërsi me Ramën pasi i njëjti është bashkëpunëtor i ngushtë me Vuçiqin.

Ndërsa, sa i përket situatës në Ukrainë, ai thotë që kur të përfundoj lufta atje do të jetë edhe fundi i Putinit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në Kosovë pas sulmeve të armatosura ndaj policisë si dhe incidenteve të fundit në veri?

Ramazan Bekteshi: Situata në veri mbetet e brishtë edhe pranë përpjekjeve të qeverisë për të vënë kontrollin atje për herë të parë pas lufte. Profesionalizmi i policisë është rritur së bashku me nevojën se ajo duhet të jetë e zonja për ta mbajtur rendin dhe ligjin për qytetaret e saj në territorin e saj. Ajo është vënë në sprovë dy herë brenda disa muajve dhe e ka përmbushur misionin e saj në mënyrë shembullore. Sulmet e armatosura të fundit janë vazhdimësi e grupeve kriminale, dhe atyre paralele në bashkëpunim me qeverinë serbe jo vetëm për të destabilizuar veriun, por edhe për të larguar vëmendjen nga vetë Serbia që është nxitësja dhe arkitektja e destabilizimit në Ballkan për hir të ‘botës serbe’. Për të pas stabilitet në veri nuk mjaftojnë vetëm përpjekjet mbinjerëzore të policisë sonë, por edhe uniteti i faktorit politik që për momentin opozita ka një qëndrim jokonform me situatën dhe interesin kombëtar, dhe nëse kjo nuk ndryshon interesi kombëtar rrezikohet. Pra, opozita pat një qasje kritike dhe të gabueshme gjatë disa operacioneve efektive e profesionale të policisë së Kosovës në veri duke mos lejuar që të dali situata nga kontrolli, derisa sulmet e armatosura janë vepra terroriste.

“Bota sot”: A po përgatitet Serbia për ndonjë sulm ndaj Kosovës?

Bekteshi: Gjasat janë të vogla që të ndodhi një sulm i tillë nga Serbia, për shkak se kufijtë e Kosovës mbrohen nga KFOR-i (NATO) dhe gjasat e Serbisë vetëm se mund të jenë vetëvrasëse. Por, kjo kurrsesi nuk do të thotë se Serbia nuk ka skenarë, plane, si dhe inskenime të parapërgatitura të llojeve të ndryshme, që tëpërgatit sulme nga brenda veriut të Kosovë,s vetëm për ta diskredituar apo fajësuar Kosovën qofshin edhe me inskenime si rasti i ‘Pandës’ në Pejë duke masakruar serbi serbët vetëm për të arritur qëllimet e tyre të errëta. Brengë në vete për inskenime të tilla mbesin armiqësitë brenda faktorit tonë politik që shpesh duke e thelluar luftën politike në mes tyre e harrojnë armikun dhe interesin kombëtar. Brengë e theksueshme që vazhdon të na përcjelli është vendi amë, Shqipëria, që vazhdon të hesht në momente dramatike kur ndodhin kërcënime nga Serbia.

“Bota sot”: Sipas jush, këto sulme dhe armatimi i Serbisë nga Kina, a duhet të merren seriozisht nga institucionet e vendit?

Bekteshi: Armatimi serb nga Rusia, Kina e gjetkë në plan të parë është i drejtuar ndaj Kosovës, sepse Serbia është e rrethuar në çdo anë nga vendet e NATO-s dhe me këto vende s’ka shanse të ballafaqohet as në ëndrrat më të çmendura ruso-serbe për dominim e hegjemoni. Për këtë fajtore është edhe BE-ja që gjithmonë sikur e mbyll një sy kur është në pyetje Serbia, edhe pse ishte agresore, shkaktoi gjenocid dhe vazhdon të jetë kërcënim për Ballkanin që tani mundohet ta legjitimoj përmes “Ballkanit të hapur”. Një fajtor tjetër direkt është Kryeministri Rama që jo vetëm që s’e denoncon kryekriminelin Vuçiq, por edhe e arsyeton gjoja se Serbia paska të drejtë të mbrohet, dhe kjo bëhet edhe më tragjike kur opozita e Kosovës, jo vetëm që nuk e kundërshton këtë akt tradhtie, por shkojnë edhe në Tiranë, një-nga-një sikur s’ka ndodhur asgjë. Por, lind pyetja, prej kujt të mbrohet Serbia, nga NATO-ja që s’është kërcënim për asnjë vend sovran, apo përgatitet për inskenime të reja si mentorja e saj Rusia që ka hy në rrethin vicioz pa dalje në Ukrainë. Armatimi serb duhet të shqetësoj çdo shqiptar posaçërisht opozitën në Kosovë që kurrsesi nuk është në udhë të ndërrojë qasjen e inferioritetit ndaj të huajve, Vuçiqit dhe Ramës, që një pakicë e tyre po ashtu ishin “krushqit” e copëtimit të Kosovës. Pra, pajtimi kombëtar duhet të filloj një ditë e më parë, para se të bëhet shumë vonë, dhe tani është çasti.

“Bota sot”: A kishte parashikueshmëri për fillimin e luftës në Ukrainë dhe si e shihni fundin e saj?

Bekteshi: Parashikimi ironikisht është bërë me skepticizëm, as BE-ja s’ishte e bindur që koka e diktatorit Putin mund të sulmonte një vend sovran pa asnjë arsye të vetme, as vetë Zelenski nuk ishte i bindur, bilës disa herë ai ua tërhoqi vërejtjen amerikanëve që mos të shkaktojnë panik në Ukrainë me deklarata për invadim. Pra, të vetmit që e thanë realitetin ishin agjencitë inteligjente amerikane që tregonin një realitet të hidhur, por, BE-ja s’deshi të dëgjoj as kur Rusia vendosi mbi 160.000 trupa rreth Ukrainës. Evropa dhe bota u vonuan po ashtu edhe kur ndodhi aneksimi i Krimesë, zaten ky hezitim e inkurajoi diktatorin Putin për këtë aventurë të përgjakshme, duke shkaktuar krime ndaj civilëve dhe duke e kanosur botën me një luftë të re, që s’i dihet as fundi, as pasojat. Pra, Shtetet e Bashkuara kishin marrë informata nga inteligjenca e tyre se “Rusia ka krijuar një plan për të organizuar një sulm të rremë, i cili do të shërbente si justifikim për një pushtim të Ukrainës”, sipas Departamentit të Shtetit dhe zyrtarëve amerikanë të cituar në raportet e lajmeve më 3 shkurt. Fundi i luftës mbetet me shumë të panjohura, por fundi i fundit të saj është edhe fundi i Putinit dhe dobësimi i perandorisëruse.

“Bota sot”: A mund të çojë lufta në Ukrainë, përkatësisht përhapja e saj, në destabilizimin e vendit tonë?

Bekteshi:Shanset janë që ajo mos të përhapet për shkak të unitetit evropian dhe botëror. Dhe kësaj radhe dy shtete u dalluan për vendosmëri, dhe ato janë Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja. Ato janë duke e udhëhequr këtë proces dhe duke e mbajtur barrën më të rëndë, Gjermania na befasoi në fillim për një hezitim të pakuptimtë, por në ndërkohe u zgjua dhe mori një pjese të barrës mbi supe, derisa Franca me pabesi vazhdon të sillet në mes aleatëve dhe Rusisë. Serioziteti me sanksione shtesë dhe të vazhdueshme mund ta gjunjëzojë Rusinë po ashtu. Se a mund të destabilizohet edhe vendi ynë për shkak të luftës në Ukrainë, unë personalisht më shumë u trembem armiqve të brendshëm se Serbisë, dhe derisa të veprojnë ata të bashkuar apo të bëjnë punën e hasmit, Kosova do të jetë në rrezik, prandaj për hir të vendit u bëjë apel partive politike, prej toke e deri në qiell për unitet.

“Bota sot”: A janë të ndërlidhura sipas jush sulmet në veri me luftën në Ukrainë, marrëveshjet sekrete ruso-serbe?

Bekteshi: Kjo nuk përjashtohet dhe dyshohet se në Prishtine e Tiranë janë të infiltruar grupe të tilla, dhe lind pyetja, sa janë të afta SHISH-i (Shërbimi Informativ i Shqipërisë dhe AKI-ja (Agjencia e Kosovës për Inteligjencë) të bashkëveprojnë dhe të nxjerrin në dritë një lajm kërcënues, këtë s’e kemi dëgjuar asnjëherë, s’e di pse, se a janë agjencitë tona duke punuar në fshehtësi të thellë profesionale apo agjencitë e huaja janë infiltruar brenda. Prandaj, kjo pyetje legjitime dhe e drejtë kërkon edhe përgjigje legjitime nga agjencitë përkatëse që e kanë për detyrë të zbulojnë të vërtetën. Se marrëveshjet sekrete serbo-ruse për destabilizim të Kosovës ekzistojnë kjo nuk ka dyshim, humbja e Rusisë do të ishte edhe humbje e Serbisë dhe qetësim i Kosovës.

“Bota sot”: Nga kjo luftë e krijuar në Ukrainë, po flitet për një mundësi të luftës së tretë botërore. Sa e mundshme mund të jetë?

Bekteshi: Eskalimi i një lufte të tretë botërore do të ishte me shumë rreziqe për njerëzimin për shkak të armatimit të pakontrolluar bërthamor, biologjik e kimik etj. Nëse liderëve të superfuqive u del nga dora kontrolli, rreziqet janë të paimagjinueshme. Le të shpresojmë se superfuqitë ia kanë frikën njëra-tjetrës kur janë në pyetje armët bërthamore dhe nuk do të lejojnë që të ndodhi një aventurë e tille, sepse kjo mund të ishte edhe lufta e fundit për civilizimin për mija vite. Kemi shpresë se racionalja e botës demokratike do të triumfojë mbi agresorët dhe se ata do të ballafaqohen në tribunal për krime ndaj njerëzimit.

“Bota sot”: Të ndalemi pak tek situata politike në Kosovë. A mendoni që takimet e opozitës së vendit me kryeministrin Rama, mund të sjellin një skenar në dëm të qeverisë Kurti?

Bekteshi: Do të ishte një fatkeqësi nëse këto spekulime apo fakte ekzistojnë në realitet, sepse kryeministri Rama me veprimet e tij një kohë të gjatë është një protagonist i përfshirë në aktivitete tragjike kombëtare duke filluar nga plani për ndarje të Kosovës me dy protagonistë tëtjerë si dhe përkrahja e pakusht e tij që i jep Vuçiqit në të gjitha dimensionet, që nga ‘gërshërët’, “Ballkani i hapur”, armatimi serb, heshtja e Ramës kur Serbia nuk i vë Rusisë sanksione, por e lavdëron Serbinë për votën e saj në OKB. Nëse opozita e Kosovës mundohet të bëjë edhe një grusht shtet, tani me Ramën do të ishte një fatkeqësi dhe tradhti njëkohësisht. Një gjë është e sigurtë se opozita e Kosovës e përkrah Ramën edhe pse ai nuk është në rrugë të drejtë, opozita gabon rëndë nëse mendon se me Ramën do të vinte në pushtet.Rama është një fatkeqësi për Kosovën dhe Shqipërinë, dhe sa më shpejtë që ai të iki aq më mirë bëhet për dy shtetet tona që janë nën kërcënim konstant nga Rama dhe vëllai i tij, Vuçiq.

“Bota sot”: Si i shihni reagimet e opozitës për sulmet në veri, dhe inkriminimin e një pjese të saj, në krimin në përgjithësi?

Bekteshi: Reagimet e opozitës për sulmet në veri janë patetike, jo serioze dhe përbuzëse për sovranitetin e Kosovës, dhe nëse disa nga ata kanë përfituar nga kjo gjendje me vite, është koha ta kuptojnë se shtrirja e sovranitetit nga kjo qeveri është prioritet, dhe sa më parë që të ndodhi aq më mirë për shëndetin e Republikës.

“Bota sot”: Si i vlerësoni qëndrimet e qeverisë së Shqipërisë, përkatësisht deklarimet e Ramës për të mbrojtur Serbinë, për mos vënie të sanksioneve Rusisë, pastaj për blerjen e armatimit të sofistikuar nga Kina etj.?

Bekteshi: Qëndrimet e Ramës në favor të Serbisë, armatosjes së saj, dhe mos reagimi i tij për vënie të sanksioneve Serbisë, për Rusinë është një lajm tragjik, një akt tradhtie, dhe një shembull përbuzës dhe i paparë në historinë tonë më të re kombëtare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat