“Luftë guerile”/ Eksperti francez flet për sulmet në veri të Kosovës; Rusia do ta përhapë pushtimin në një shtet tjetër

Intervista

“Luftë guerile”/ Eksperti francez flet për sulmet në veri të Kosovës; Rusia do ta përhapë pushtimin në një shtet tjetër

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 24 prill 2022 Në ora: 14:40
Christian Lequesne

Christian Lequesne, një nga ekspertët më të njohur për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, thotë se drejtësia duhet të tregojë se kush ishte përgjegjës për sulmet e fundit ndaj policëve të Kosovës në veri të vendit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai thotë se nuk beson që Rusia qëndron prapa orkestrimit të këtyre sulmeve, pasi sipas tij, ajo tani është e fokusuar të dalë nga lufta në Ukrainë. Sipas tij, këto sulme po zhvillohen në një klimë tensionesh ndërkomunitare që duket si “luftë guerile”.

I pyetur për rrjedhën e dialogut ndërmjet të dyja vendeve, Lequesne thekson se ky proces nuk ka evoluar shumë, as gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, por shton se dialogu nuk ka alternativë.

Ndërsa, duke folur për luftën në Ukrainë, profesori thotë se fundi i saj varet vetëm nga “diktatori” Vladimir Putin.

Ai nuk e përjashton mundësinë e rrezikut që lufta të përhapet edhe në Moldavi, të cilën Moska mund të dëshirojë ta përdorë për të pasur një korridor nëpër Ukrainë.

Momentalisht, Lequesne nuk beson që Perëndimi do të hyjë në luftë me Rusinë, por siç thekson ai, “askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë nëse ka një përshkallëzim të dhunës nga pala ruse”.

Sipas tij, Aleksandër Vuçiqi duhet ta ndalojë miqësinë e tij me Putinin, nëse e dëshiron anëtarësimin në BE.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Lequesne, si i keni parë sulmet e fundit në veri të vendit ndaj Policisë së Kosovës. Qeveria beson se ato erdhën nga Beogradi?

Christian Lequesne: E kuptoj që këto sulme kanë ndodhur në një komunë me shumicë serbe. Nuk jam në gjendje t'ju them nëse këto sulme ishin të orkestruara nga Beogradi. Kjo është një çështje e një hetimi gjyqësor për të thënë se kush është përgjegjës. Mbi të gjitha, mund të themi se këto sulme po zhvillohen në një klimë tensionesh ndërkomunitare që duket si luftë guerile. Më kujton përleshjet e katolikëve irlandezë kundër ushtrisë britanike apo trazirat e qytetarëve kurdë kundër policisë turke. Ajo që mendoj unë, është e rëndësishme që këto tensione ndërkomunitare të zvogëlohen, por që kjo të ndodhë, liderët politikë të palës shqiptare dhe serbe duhet ta duan këtë.

“Bota sot”: Shumë në Kosovë, këto sulme po i shohin si paralajmërim për një sulm të mundshëm të Serbisë në veri të Kosovës, si skenar ruso-serb, për ta tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Si e komentoni ju këtë?

Christian Lequesne: Gjithmonë duhet pasur kujdes që të mos teprohet me një ngjarje. Nuk është sekret se Serbia dhe Rusia kanë marrëdhënie të ngushta. Por, sinqerisht besoj se Rusia është më pak e interesuar për Ballkanin për momentin. Fokusi kryesor i saj është të dalë nga Ukraina, sepse nuk po shkon aspak mirë për ushtrinë e saj. Rusët e kanë nënvlerësuar totalisht rezistencën e popullit ukrainas.

“Bota sot”: Si e keni parë rrjedhën e dialogut me Serbinë, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit? A ka shenja për një marrëveshje përfundimtare në mes të dyja vendeve?

Christian Lequesne: Përshtypja ime është se dialogu nuk ka evoluar shumë. Ndryshe, Përfaqësuesja Speciale e OKB-së për Kosovën, Carole Ziadeh, nuk do të duhej të përsëriste vetëm pak ditë më parë se duhet bërë përpjekje. Një fjalë dhe e vetmja fjalë që ka rëndësi për përparim është: qëndrueshmëria. Kjo kërkon shikimin përpara dhe jo gjithmonë prapa. E di që është e vështirë kur ke vuajtur, kur ke humbur një anëtar të familjes në kushte mizore. Por megjithatë, nuk ka alternativë.

“Bota sot”: Duke parë agresionin rus në Ukrainë, Kosova po dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO, sa realiste janë këto kërkesa?

Christian Lequesne: E di efektin që kanë pasur aplikimet ukrainase, por edhe moldave dhe gjeorgjiane për anëtarësim në BE në vendet kandidate të Ballkanit. Mund të them se BE-ja duhej të shqyrtonte kërkesën e Presidentit Zelensky për arsye politike, por, siç mund ta imagjinoni, anëtarësimi nuk do të ndodhë menjëherë. Nuk kam nevojë t'ju shpjegoj se duhen vite për t'u përgatitur për anëtarësim në BE. Së pari, Ukraina do të duhet të rindërtojë vendin e saj të shkatërruar. Evropa do të duhet ta shoqërojë atë duke qenë shumë e sigurt se shteti (Kiev) nuk do ta humbasë kontrollin e këtij vendi nga milicitë, grupet separatiste etj... Pas kësaj do të duhet të trajtohen kriteret e Kopenhagës.

“Bota sot”: Si i keni parë deri tani zhvillimet e luftës në Ukrainë?

Christian Lequesne: Është një lloj lufte e modës së vjetër që po bën Rusia, jashtëzakonisht vdekjeprurëse për ukrainasit, por edhe për trupat ruse. Rusia po poshtëron veten me përgatitjen e dobët të ushtrisë së saj. Megjithatë, askush nuk sheh ndonjë paqe në horizont për momentin. Në një diktaturë, vendimi për ta vazhduar ose për ta ndalur luftën varet nga diktatori. Askush nuk e di se çfarë ka në kokën e tij Putini.

“Bota sot”: A mendoni se Franca po bën mjaftueshëm për ta ndihmuar Ukrainën, ndaj agresionit rus?

Christian Lequesne: Franca furnizon me pajisje ushtarake në përmasa mjaft të mëdha, edhe pse nuk i reklamon dërgesat si vendet e tjera evropiane. Kjo nuk është pjesë e kulturës franceze të ndihmës. Perëndimi nuk duhet të heqë dorë nga kjo ndihmë, sepse është kusht që ushtria ukrainase të rezistojë.

“Bota sot”: A do të përfundojë lufta në Ukrainë, pa një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Perëndimit?

Christian Lequesne: Është e vështirë t'i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Varet nga ajo që Putini është i aftë të bëjë. Disa ekspertë nuk e përjashtojnë përdorimin e mundshëm të armëve kimike. Putin ka raketa bërthamore. Për momentin, nuk bëhet fjalë që Perëndimi të hyjë në luftë me Rusinë, por askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë nëse ka një përshkallëzim të dhunës nga pala ruse.

“Bota sot”: A ekziston rreziku që lufta të përhapet në shtetet tjera dhe cilat rrezikohen më shumë?

Christian Lequesne: Po, sigurisht që po mendoj për Moldavinë, të cilën Moska mund të dëshirojë ta përdorë për të pasur një korridor në Ukrainë. Por në të njëjtën kohë, ushtria ruse po arrin kufijtë e saj. Aftësia e rusëve për të luftuar një luftë konvencionale nuk duhet të mbivlerësohet.

“Bota sot”: Angazhimi i Serbisë ndaj BE-së dhe SHBA-së është vënë në pikëpyetje, pasi ajo nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. A do të duhej të pezullohej procesi i anëtarësimit të saj në BE, apo të merren masa tjera ndaj saj?

Christian Lequesne: Një çështje është e sigurt: nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian një ditë, Vuçiqi duhet ta ndalojë miqësinë e tij me Putinin. Por, a duan vërtet nacionalistët serbë të anëtarësohen në BE? Nuk jam i sigurt, dhe opozita demokratike serbe duket shumë e lodhur, për të mos thënë e dëshpëruar nga mungesa e ndryshimit. Kjo është ajo që ndjeva në udhëtimin tim të fundit në Beograd.

“Bota sot”: Sa afër kolapsit është Vladimir Putini?

Christian Lequesne: Kam përshtypjen se populli rus vazhdon ta mbështesë Putinin, sepse është keqinformuar për luftën nga mediat zyrtare. Çfarë mendon vërtet populli rus për luftën? Shumë herët për të thënë. Por ashpërsia e sanksioneve mund të bëjë që të paktën klasat e mesme ruse të mendojnë se Putini po i çon ata drejt murit. Por, në një diktaturë, nuk mobilizoheni, sepse mendoni se gjërat që doni t’i bëni janë të këqija. Në një diktaturë populli ka frikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat