Bulliqi flet për korrigjimin e Demarkacionit me Malin e Zi/ Tregon kush qëndron prapa sulmeve në veri të Kosovës – me porosi për opozitën!

Intervista

Bulliqi flet për korrigjimin e Demarkacionit me Malin e Zi/ Tregon kush qëndron prapa sulmeve në veri të Kosovës – me porosi për opozitën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 maj 2022 Në ora: 08:11
Shpejtim Bulliqi

Vendi ynë po vazhdon të ketë situata dita ditës të tensionuara, kjo për shkak të reagimeve të njëpasnjëshme të opozitës kundrejt pozitës.

Këto tensione po rriten edhe për shkak të ngjarjeve që po prekin botën e padyshim edhe neve.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar fatkeqësisht edhe në vendin tonë, sidomos ekonominë tonë.

Në lidhje me këto ngjarje flet në një intervistë për “Bota sot”, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Ai filloi duke u shprehur se situata në Ukrainë ka sjellë pasoja edhe në Kosovë, mirëpo qeveria po mundohet ta përmirësoj çdo gjendje të vështirë.

Bulliqi i pyetur për “sulmet” e vazhdueshme të opozitës thotë që ata ende nuk kanë arritur të pajtohen me faktin se duhet të qëndrojnë së paku edhe për 4 vjet në opozitë dhe për pasojë po bëjnë veprime që nuk i kontribuojnë diskutimeve parlamentare, por vetëm nxisin tensione.

Natyrisht pa biseduar për gjendjen në komunën e Podujevës nuk mbetëm, kryetari tregoi shkurtimisht për planet që ka për Podujevën duke theksuar që shumica prej tyre kanë filluar të zbatohen.

Ndërsa, për skandalin e një jave më parë për veprimin e njërit prej asamblistëve të Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së që sulmoi drejtorin e arsimit, kryetari e konsideron të paarsyeshëm dhe se u bë për të ndërprerë fjalën e drejtorit.

Bulliqi i pyetur për temën e demarkacionit, përshëndet deklaratën që dha Presidenti Gjukanoviç gjatë vizitës në Prishtinë.

Në bisedë e sipër për sulmet në veri të Kosovës, ai thotë se Rusia përmes satelitit të saj në Ballkan Serbisë, po tenton që ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë me qëllim të shpërndarjes së konfliktit dhe destabilizimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend, pasi edhe Kosova si shumë vende të tjera po i vuan pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe luftës atje, përfshirë edhe krizën e shkaktuar nga Covid 19?

Shpejtim Bulliqi: Situata politike në vendin tonë është stabile. Kemi një qeveri që po bën përpjekje të përditshme me politika zhvillimore për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa, sa i përket invazionit rus në Ukrainë dhe pasojave të shkaktuara nga Covid-19 efektet e krizës pashmangshëm po ndjehen edhe tek ne, me ngritjet e çmimeve të produkteve bazë, por edhe me inflacionin që po ndodhë, uroj të kalojë shpejt kjo situatë dhe gjendja të normalizohet.

“Bota sot”: Qeveria Kurti tashmë bëri më shumë se një vit qeverisje, si e shihni punën përgjatë kësaj periudhe?

Bulliqi: Qeveria Kurti është duke u sfiduar shumë nga faktorë të ndryshëm dhe me krizat globale si pandemia covid-19 dhe invazioni rus që po ballafaqohen të gjitha shtetet, por përgjatë një viti të qeverisjes unë shoh shumë suksese në sfera të ndryshme dhe ka projekte të mëdha që nxisin zhvillimin ekonomik dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Bota sot”: Ju tashmë jeni kryetar i komunës së Podujevës, si po e menaxhoni këtë komunë. A ka vështirësi, dhe sa po mund t’i përmbaheni kontratës me qytetarët, zotimeve?

Bulliqi: Si kryetar i komunës bashkë me ekipin tim po punojmë maksimalisht që zotimeve që ua kemi dhënë qytetarëve t’ju përmbahemi dhe të realizojmë projekte kapitale që i kanë munguar komunës sonë.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga vendimet që keni ndërmarrë së fundmi dhe cilat janë planet e ardhshme?

Bulliqi: Gjatë kësaj kohe në Podujevë janë duke u realizuar një mori projektesh si shtrirja e rrjetit të ndriçimit publik në fshatra, ndërtimi i trotuareve, asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i QMF-së në Gllamnik, ndërtimi i çerdhes së dytë publike në qytet, ndërtimi i disa shkollave, zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve dhe ujësjellësve dhe shumë projekte të tjera.

“Bota sot”: Së fundmi ka pasur një përplasje në Kuvendin e Podujevës ndërmjet LDK-së dhe LVV-së. Cili është komenti i juaj për këtë ngjarje?

Bulliqi: Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, derisa po zhvillohej debati për fushën e arsimit dhe gjatë asaj kohe drejtori i arsimit po paraqiste sukseset e qeverisjes komunale në sektorin e arsimit dhe synimet që i kemi për të ardhmen, aty ndodhi një gjest i shëmtuar nga ana e një asamblisti të Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së, duke e sulmuar drejtorin me ujë, me qëllim që ta pengonte fjalën e tij.

“Bota sot”: A mendoni që opozita në vazhdimësi po kërkon arsye për të “ndezur” tensione me pozitën?

Bulliqi: Siç po shihet me veprimet e fundit të opozitës, ka pjesëtarë irracional dhe nuk po mund të pajtohen ende me faktin se duhet të qëndrojnë së paku edhe për 4 vjet në opozitë dhe për pasojë po bëjnë veprime që nuk i kontribuojnë diskutimeve parlamentare, por vetëm nxisin tensione. Në mungesë të argumenteve po provojnë që me mjete të tjera të pengojnë punën e mirë të qeverisjes komunale.

“Bota sot”: Gjithashtu një temë aktuale në vend mbetet anëtarësimi në KiE i Kosovës. Sa afër mund të jemi drejt anëtarësimit?

Bulliqi: Sa i përket anëtarësimit të Kosovës për në Këshillin e Evropës, disa prej organizatave ndërkombëtare që përcjellin indikatorët në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar sukses të madh duke u ngritur për 17 vende më lart. Po ashtu edhe për demokratizimin e institucioneve dhe lirinë e shprehjes Kosova ka shënuar progres të dukshëm, andaj edhe uroj që këto parametra të vazhdojnë në trend pozitiv dhe shteti ynë së shpejti edhe të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Bota sot”: Tema e demarkacionit po ashtu mbetet mjaft e diskutuar në vendin tonë. Gjatë vizitës në Kosovë kryetari i Malit të Zi premtoi se është i gatshëm për korrigjim të demarkacioni. Si shef i ekspertëve për këtë çështje të angazhuar nga qeveria Haradinaj, ju keni dorëzuar argumentet dhe provat se ku duhet të jetë kufiri me Malin e Zi. Si e sheh ti, nga këndvështrimi juaj profesional, premtimin e Gjukanoviçit, a është për një korrigjim, sipas dokumentit, Thaçi-Gjukanoviç apo lë mundësi për të diskutuar sipas argumenteve që keni dhënë ju?

Bulliqi: Deklarata që dha Presidenti Gjukanoviç gjatë vizitës në Prishtinë është e mirëseardhur dhe shpresoj që vullneti i shprehur politik nga ana e Presidentit të Malit të Zi shpejt të gjejë hapësirën e nevojshme me pajtueshmëri të dyja palëve për tu ulur në tavolinë, të analizojnë dhe të bëjnë korrigjimet në sektorët e diskutueshëm dhe përmirësojnë ato lëshime që janë bërë nga ish komisionet për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Bota sot”: Kosova ndodhet para një trysnie ndërkombëtare, por si duket edhe nga opozita këtu, që të ketë një marrëveshje më të shpejt me Serbinë. A po favorizohen kështu lëshimet në dobi të Serbisë, si pretendimi për një asociacion me kompetenca ekzekutive?

Bulliqi: Qeveria e Kosovës është duke i mbrojtur interesat e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës në dialogun me Serbinë, jam shumë i sigurt që marrëveshja përfundimtare mes dy shteteve do të jetë në favor të paqes dhe sigurisë në rajon, ku njohja reciproke mes shteteve është pika qendrore e marrëveshjes.

“Bota sot”: Kohëve të fundi vihen re, dy situata të pasigurisë. Sulmet në veri me armë zjarri ndaj policisë, i përsëritur të martën, dhe alarmet për kërcënime me bomba, për herë të dytë Rektorati i UP-së, pjesë e të cilit institucion jeni edhe ju (ligjërues). A kanë ndonjë ndërlishmëri këto, dhe a janë të drejtuara edhe kundër Qeverisë?

Bulliqi: Siç po shihet Rusia përmes satelitit të saj në Ballkan, Serbisë, po tenton që ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë me qëllim të shpërndarjes së konfliktit dhe destabilizimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por ne duhet ta ruajmë qetësinë sepse organet e rendit janë në krye të detyrës po ashtu aleatët tanë janë këtu për të garantuar paqe dhe siguri në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat