Fitorja e Ramës në Prishtinë “aksident elektoral”/ Sveçla flet për gjendjen në Prishtinë - ka një kërkesë!

Intervista

Fitorja e Ramës në Prishtinë “aksident elektoral”/ Sveçla flet për gjendjen në Prishtinë - ka një kërkesë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 gusht 2022 Në ora: 19:30
Gëzim Sveçla – Giza

Komuna e Prishtinës tashmë disa muaj është në qeverisje nga kryetari nga radhët e LDK-së, Përparim Rama.

Premtimet kanë qenë të mëdha që nga koha e fushatës dhe po vazhdojnë edhe tash gjatë kohës që është duke qeverisur.

E në lidhje me gjendjen aktuale të Komunës së Prishtinës dhe vendimet që duhet të merren nga qeveria për të rregulluar infrastrukturën, lagje të ndryshme dhe natyrisht për problemet që më së shumti qytetarët përballen, ka folur për “Bota sot” asambleisti Gëzim Sveçla – Giza.

Ai për gazetën ka treguar për gjendjen e rëndë, në të cilën gjendet Prishtina si dhe projektet e pafilluara nga kryetari Rama.

I pyetur për fitoren e Ramës asamblisti e quan “aksident elektoral” duke thënë që ishte bashkim i të gjitha subjekteve politike në njërën anë kundër Lëvizjes Vetëvendosjes.

Gjithashtu Sveçla thekson që kryetari Rama duhet të mos gaboj pasi Prishtina nuk ka kohë për gabime të tjera të përballoj.

Sveçla në bisedë e sipër përmend disa nga problemet me të cilat që qytetarët e Prishtinës përballen:

- Qentë endacak,

- mbeturinat në vëllimin më të madh që kemi parë ndonjëherë,

- mungesa e ndriçimit publik,

- komunikacioni i stërngarkuar,

- mungesa e parkingjeve të reja, etj.

Ndërsa i pyetur për projektin e spitalit në Prishtinë, asambleisti thotë që shuma e parave janë ndarë, ndërsa potencon që duhet të ketë përkrahje për t’u vazhduar ky projekt madhor.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni Prishtinën sot, menaxhimin, projektet, infrastrukturën etj.?

Gëzim Sveçla – Giza: Prishtina sot është në gjendje më të keqe e më të rëndë se sa para marrjes së pushtetit nga Përparim Rama dhe koalicioni LDK-PDK. Kur kishim menduar se e kishim prekur fundin nga një kryetar i papërgjegjshëm dhe jostabil, si kryetari paraprak, dhe se nuk ka çfarë të bëhet më keq, erdhi zotëri Rama dhe na demantoi këtë konstatim.

Nuk ka asnjë projekt konkret sa i përket investimeve kapitale që është bërë për këto tetë muaj qeverisje. 206 projekte të premtuara gjatë fushatës zgjedhore, asnjë i realizuar për këtë periudhë. Për më tepër, e për më keq, përveç tenderimit të një pjese të Rrugës A, nuk e dimë as që është filluar ndonjë projekt tjetër.

E tëra çfarë kemi parë, e që gjithsesi e përshëndesim, është disa aksione për lirimin e hapësirave publike në sheshin kryesor dhe në rrugët afër “Tregut të Gjelbër”.

Ndërkohë, që rasti i fundit, 12 milionë euro për konsulencë, për këshilla, është alarm për neve si Lëvizje VETËVENDOSJE! e duhet të jetë edhe për qytetarët, OJQ-të e Organizatat e ndryshme, për të ngritur zërin dhe për të bërë krejt çfarë është e mundshme dhe krejt çfarë është e nevojshme për ta ndalur abuzimin e ekzekutivit të Prishtinës me paranë publike.

Në përgjithësi, si rrumbullakim, kemi të bëjmë me një keqmenaxhim e papërgjegjësi, me mungesë vizioni, mungesë lidershipi e vobekësi të iniciativave e veprimeve konkrete. Ka shumë PR, shumë veprime kozmetike e asgjë substanciale e të mirëfilltë.

“Bota sot”: Gjatë verës duket se ka mjaft aktivitete kulturore e argëtuese, nga festivalet e muzikës tek festivalet e ushqimit e pijeve. Çfarë përfiton Prishtina dhe prishtinasit nga këto?

Gëzim Sveçla – Giza: Po. Jeta kulturore, këtë verë, është më e pasur se zakonisht. Jemi me shumë fat që në qytetin tonë po mbahet Manifesta-14. Mbase ngjarja më e madhe kulturore që është zhvilluar në vendin tonë e për të cilën është bërë punë e madhe për vite të tëra për ta sjellur në Prishtinë. Në këtë drejtim, nuk ka si të mos e përmendim dhe falënderojmë ish-drejtorin e Kulturës në Komunën e Prishtinës, z.Yll Rugova, i cili ishte nismëtar i sjelljes së Manifestës në Prishtinë.

Po ashtu, në kryeqytet, këto ditë po mbahet edhe Festivali i njohur “Sunny Hill”. Një ndër festivalet më të mëdha në rajon në këtë zhanër.

Këto ngjarje kulturore, janë të mirëseardhura për banorët e Prishtinës dhe po ashtu krijojnë mundësi që vendi ynë të vizitohet edhe nga turistë nga vende të ndryshme të botës.

Me aktivitete të tilla, besoj e shpresoj, që Prishtina futet në hartën e ngjarjeve kulturore në Evropë dhe po ashtu do të ketë një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit.

“Bota sot”: Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës?

Gëzim Sveçla – Giza: Prishtina ka shumë probleme. Fatkeqësisht, ekzekutivi i kryeqytetit po bënë fare pak, për të mos thënë asgjë, për zgjidhjen e tyre.

Qentë endacak, mbeturinat në vëllimin më të madh që kemi parë ndonjëherë, mungesa e ndriçimit publik, komunikacioni i stërngarkuar, mungesa e parkingjeve të reja, e shumë çështje të tjera, janë probleme të përditshme e të vazhdueshme me të cilat ballafaqohen qytetarët e Prishtinës.

Kur kësaj i shtojmë edhe mungesën e investimeve kapitale e stagnimi në zhvillim, politika sociale të kufizuara e të cekëta dhe shërbime të përgjithshme të cilësisë së ulët, pa plane konkrete për shëndetësinë primare, si dhe mungesë të objekteve shkollore dhe çerdheve, mund ta kuptojmë nivelin jo të kënaqshëm të jetës në kryeqytet.

“Bota sot”: Kryeqyteti njihet për një komunikacion të mbingarkuar, çfarë duhet të ndërmerret në mënyrë që të lehtësohet trafiku?

Gëzim Sveçla – Giza: Komunikacioni është një problem i madh. Në këtë drejtim, ne mendojmë, se duhet zbatuar Plani i Mobilitetit Urban. Një plan që është aprovuar në Kuvendin Komunal dhe të cilin e zotëron Komuna e Prishtinës.

Duhet shtuar numri i autobusëve urban, linja të reja, shërbime më efikase të transportit. Po ashtu duhet promovuar biçikletat dhe mjetet alternative të transportit. Gjithsesi vend qendror duhet të zë këmbësori dhe qasja e lirë nëpër trotuare dhe shtigje për ecje.

“Bota sot”: Shumë rrugica në Prishtinë që zgjerohen shpejt, por edhe rrugica që prishen nga mbingarkesa e mosriparimi me kohë dhe shtrimi i dobët, e bëjnë të duket më keq se në disa fshatra, ku janë shtruar edhe rrugicat. Si do të ndryshohet jo vetëm ky imazh, por edhe të zgjidhen këto probleme?

Gëzim Sveçla – Giza: Infrastruktura rrugore mbetet një problem i madh dhe i vazhdueshëm. Mirëmbajtja e rrugëve ekzistuese dhe projektimi e ndërtimi i rrugëve të reja, atje ku ka nevojë, duhet të jetë prioritet i qeverisjes komunale.

Trendin dhe shpejtësinë me të cilën rritet dhe zgjerohet qyteti duhet ta përcjell edhe Komuna duke ofruar infrastrukturën e nevojshme për ato zona, ato lagje të reja.

“Bota sot”: Si i komentoni disa nga operacionet që i ndërmori kryetari Rama për lehtësimin e komunikacionit e që më pas u krijua një kaos?

Gëzim Sveçla – Giza: Veprimet e kryetarit Rama, testet e bëra, në lidhje me komunikacionin në kryeqytet, ishin kryekëput të nxitura nga presioni qytetarë për mospunën e tij. Dhe, natyrisht, gjithcka çfarë është e pamenduar dhe paanalizuar sa duhet është e destinuar të dështoj.

Gjithsesi se duhet bërë diçka në lidhje me komunikacionin në Prishtinë. Por, jo domosdoshmërisht diçka që është treguar e suksesshme në ndonjë vend tjetër do të ketë suksesin e njëjtë te ne. Secili qytet, secili vendbanim, i ka specifikat e veta dhe çdo veprim ose çdo ndryshim duhet përshtatur atyre specifikave. Po e përsëris, mendoj se në Prishtinë duhet zbatuar Plani i Mobilitetit Urban. Në këtë Plan është i trajtuar edhe komunikacioni dhe masat që duhet ndërmarrë me qëllim të rregullimit të tij.

“Bota sot”: Po ashtu, prishtinasit vazhdimisht po ballafaqohen me rrezikun nga qentë endacakë, a po punohet në këtë aspekt nga komuna e Prishtinës?

Gëzim Sveçla – Giza: Padyshim se një ndër problemet kryesore, emergjent, është problemi me qentë endacak. Për hirë të së vërtetës ky nuk është një problem që ka lindur në këto tetë muaj qeverisje të zotit Rama, por është rritur si problem dhe është bërë më i madh në këtë kohë. Janë marrë disa veprime nga organet komunale, si shtimi i pikave ushqyese, pastaj janë ndarë mjete materiale për trajtimin e këtij problemi, por që fatkeqësisht këto masa nuk kanë rezultuar të suksesshme. Duhet plan konkret dhe veprime të përditshme e të pandërprera për trajtimin e kësaj problematike.

Jemi në dijeni se niveli qendror, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka përpiluar një strategji nacionale për trajtimin e qenve endacak dhe shpresojmë që gjërat të lëvizin pozitivisht në këtë drejtim.

“Bota sot”: Fitorja e kryetarit Përparim Rama ngjalli shumë reagime dhe ishte një befasi e madhe. Për ju sa është i lehtë bashkëpunimi me të, a janë të hapur për opozitën?

Gëzim Sveçla – Giza: Fitorja e Përparim Ramës natyrisht se ishte befasi. Mbi të gjitha, unë mendoj, që ishte një aksident elektoral. Ishte bashkim i të gjitha subjekteve politike në njërën anë kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kandidatit tonë, z.Arben Vitia. Pasojat e atij bashkimi dhe rezultatet e votave të 14 nëntorit të vitit të kaluar kemi filluar t’i ndjejmë e t’i vuajmë si qytetarë të Prishtinës qysh tani, e kam frikë se kështu do të jetë për aq sa zgjatë kjo qeverisje në kryeqytet.

Ne si opozitë, si grupi më i madh i këshilltarëve në Kuvendin Komunal, kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi shumë konstruktivë për çështje që kanë të bëjnë për të mirën e qytetit dhe qytetarëve, njësoj siç kemi qenë dhe do të jemi kundërshtues kundër çdo procesi e vendimi abuziv e të padrejtë që potencialisht shkon në dëm të interesave të qytetit dhe të mirës publike.

Për fat të keq, konstruktiviteti dhe bashkëpunimin ynë nuk është kthyer në të njëjtën formë nga koalicioni qeverisës dhe nga kryetari Rama. Propozimet dhe sugjerimet tona janë mbivotuar vazhdimisht në Kuvendin Komunal. Epërsia e numrave në Kuvend e ka shpërfaqur arrogancën e pushtetit komunal në Prishtinë.

“Bota sot”: Dhe, si i vlerësoni krahasimet që po i bëhen kryetarit Rama me ish-kryetarin Ahmeti?

Gëzim Sveçla – Giza: Po e përsërisë atë çka e thashë më lartë: kur menduam se e kemi prekur fundin, me kryetarin Ahmeti, dhe se nuk ka çfarë të bëhet më keq e më dobët, erdhi zotëri Rama dhe e mohoi këtë konstatim. Natyrisht, këtu duhet bërë një dallim nga mandati i parë qeverisës i ish kryetarit Ahmeti, vitet 2013-2017, kur mendoj se ka qenë periudha kur në Prishtinë u vu rend dhe ligj, u ndal degradimi i qytetit, u rritë cilësia e shërbimeve shëndetësore dhe u rikthye shpresa për qytetarët.

Uroj e shpresoj që zotëri Rama të reflektoj dhe ta ndryshojë mendësinë qeverisëse, të lirohet nga ndikimet e kushtëzimet partiake, dhe të fillojë e të punojë marë e mirë.

Nuk e dua dështimin e zotit Rama. Dështimi i tij është dështim për Prishtinën, e Prishtina nuk ka kohë për dështime të tjera.

“Bota sot”: Një nga pikat më të dobëta të qeverisjes së Shpend Ahmetit, ishte mos shpenzimi i buxhetit. A duhet të marrë fund ajo histori, dhe investimet të ndodhin?

Gëzim Sveçla – Giza: Suficiti buxhetor ka qenë një dukuri qe e ka pērcjellur kryetarin e kaluar. Natyrisht që kjo e pengon zhvillimin e qytetit dhe ndikon edhe në aspektin ekonomik në qytet. Mbetet të shihet se si do të performoj kryetari i ri në këtë drejtim. Në 6 mujorin e parë të këtij viti, investimet kapitale janë realizuar rreth 10% nga ajo çfarë janë parashikuar. Do të thotë që shenjat e para nuk janë premtuese, për të mos thënë janë dëshpëruese. Megjithatë, mendoj se i duhet dhënë edhe pak kohë qeverisjes së re në këtë drejtim dhe se një analizë të mirëfilltë sa i përket buxhetit dhe investimeve kapitale do të mund ta kemi në përfundim të vitit.

“Bota sot”: Kur do të përfundojë projekti për ndërtimin e spitalit të qytetit, dhe një cilësi më e mirë e shërbimeve shëndetësore, në arsim, dhe në gjitha fushat?

Gëzim Sveçla – Giza: Spitali i Prishtinës është një nevojë dhe domosdoshmëri për Prishtinën. E kemi parë se është ndarë një shumë për studimin e fizibilitetit. Të shohim si do të rrjedhin gjërat në këtë drejtim. Ky është një projekt që kërkon përkrahje nga niveli qendror dhe jam i bindur se përkrahja nuk do të mungojë.

Sa i përket arsimit nuk kemi pasë asnjë veprim, strategji apo masa konkrete nga niveli lokal. Duhet shumë punë dhe profesionalizëm në këtë rrafsh. Mbetet brengosëse siguria në shkolla. Nuk ka asnjë hap të ndërmarrë nga organet komunale për rritjen e sigurisë dhe kjo është shumë shqetësuese e dëshpëruese.

Njësoj si në shëndetësi e arsim, hiq më mirë nuk qëndrojmë as në fusha tjera. Sporti, kultura, administrata, mirëqenia sociale, e segmente të tjera të qeverisjes lokale, nuk është se kemi parë ndonjë ndryshim pozitiv, përkundrazi ka ngecje e vendnumërim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat