Tensione, sulme dhe provokime nga Serbia / Flet eksperti i sigurisë, ka një porosi për Kosovën!

Intervista

Tensione, sulme dhe provokime nga Serbia / Flet eksperti i sigurisë, ka një porosi për Kosovën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 gusht 2022 Në ora: 08:00
Ushtarët e NATO-s patrullojnë afër kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje më 2 tetor 2021 ndërsa serbët hoqën kamionët dhe makinat që përdoreshin për të bllokuar kufirin me Kosovën [AFP]

Situata në vend po vazhdon të jetë e tensionuar, duke përfshirë këtu ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Nuk ka shumë kohë që Kosova u përballë me provokimet e radhës të Serbisë, kjo për shkak të mospajtimit për fillimin e zbatimit të reciprocitetit.

E në lidhje me këto ngjarje dhe veprimet që institucionet e vendit duhet të ndërmarrin, ka folur në një intervistë për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se strukturat e shtetërore të Serbisë përdorin në vazhdimësi grupe kriminale që të sjellin tensione në Kosovë dhe se në këtë mënyrë nxisin strukturat e sigurisë së Kosovës.

Shala gjithashtu tha që Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca duhet që sa më parë të ndryshojnë strategjinë e investimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjithashtu eksperti i sigurisë shton se raportet e Kosovës me ndërkombëtarët duhet të jenë një vazhdimësi e fortë pasi në këtë mënyrë mund të forcohet edhe vendi ynë.

Ndërsa, sa i përket arrestimit të dy personave të dyshuar në Kosovë me targa të Rusisë thotë po lënë hapësirë që të interpretohet si tentative për infiltrim nga struktura të dyshimta të Rusisë.

Shala në fund bënë thirrje nga pozita dhe opozita që kur është në pyetje Kosova nuk duhet të këtë ndarje të mendimeve që mund të reflektojnë në veprime me pasoja për sigurinë e vendit.

Image
Intervistë me ekspertin e sigurisë, Drizan Shala

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Kriza në veri u hesht për momentin, pas vendimit të Qeverisë për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat serbe dhe për lëshimin e një vërtetimi 90 ditor për hyrje në Kosovë. Si e shihni këtë periudhë një mujore a mund të ketë tensione, provokime nga Serbia?

Drizan Shala:Strukturat shtetërore të Serbisë tani më janë të involvuara në sulmet kundër rendit kushtetues të Republikës se Kosovës, duke përdorur grupet kriminale, të cilat janë të lidhura me Milan Rajdoqiqin që në objektivin e tyre do të mbetet tentativë për të ndryshuar rrjedhjen e aktiviteteve të strukturave të sigurisë të Kosovës, në atë pjesë përmes sulmeve të ndryshme dhe me intensitet të theksuar, por mund të themi që institucionet kanë vepruar sipas të gjitha modaliteteve dhe situatës në terren duke ruajtur stabilitetin institucional, por edhe juridiksionin në atë pjesë.

“Bota sot”: Pas kalimit të afatit si parashikoni të sillet Serbia, a do të kërcënojë sërish, të nxisë mobilizimin e serbëve, bandave etj, për të penguar lirinë e lëvizjes me bllokada etj.?

Drizan Shala: Serbia tashmë e ka të ndarë mendjen në veprim, që ndërlidhet me vazhdimin e çdo aktiviteti kriminal strukturor në atë pjesë duke penguar dhe cenuar shtrirjen e autoritetit zyrtar të Prishtinës në atë pjesë, dhe modalitetet që mund të përdoren janë sulmet. Bllokadat dhe destabilizimi i qytetarëve në atë pjesë, duke i nxitur kundër strukturave të sigurisë së Kosovës.

“Bota sot”: A do të duhej të fillonin institucionet e drejtësisë arrestimin e kriminelëve serb, udhëheqësve të bandave dhe shkelësve të tjerë të ligjit gjatë kësaj kohe?

Drizan Shala:Organi i ndjekjes sipas deklarimeve ka marrë të gjitha veprimet konkrete hetimore në identifikimin e personit/ave, të cilët kanë kryer dhe konsumuar vepra të ndryshme penale dhe është çështje kohe nga ana e vlerësimit se kur duhet të bëhet arrestimi i tyre dhe të vihen para drejtësisë.

“Bota sot”: NATO-ja, Sekretari i Përgjithshëm i saj Jens Stoltenberg, e ka paralajmëruar Serbinë se në rast të provokimit me forcë do të reagojë ushtarakisht NATO-ja me KFOR-in. A mendoni se Serbia pavarësisht këtyre paralajmërimeve e ‘trimëruar’ nga Rusia do të bëjë sërish provokime, nëse Kosova vendos t’i zbatojë vendimet e saja?

Drizan Shala:Serbia do të tentojë që në maksimum mos të involvohet në aktivitet të hapur ushtarak në drejtim të territorit të Kosovës, pasi dihet që ajo penalizohet nga Rezoluta 1244 nëse ndërhyn në këtë formë. Por, do të tentoj që në çdo formë tjetër hibride të jetë aktive në terren duke dërguar forca shtetërore nën petkun e civilëve në brendësi të territorit, që ajo do të tentojë ta mbaj të kontrolluar dhe kështu t’ia pamundësoinë KFOR-it ndërhyrjen në atë pjesë sepse Serbia dhe shtabi i saj ushtarak kanë kalkuluar fuqinë e reaguesit të parë dhe të dytë dhe mbi këtë ajo do tentojë që të prolongojë intervenimin e KFOR-it që në terren të ketë pastaj ndryshime politike në favor të saj. Kosova duhet ta ketë këtë elementë për bazë dhe të shtrijë të gjitha veprimet adekuate në favor të saj, në kërkim të mbështetjes politike, por edhe asaj të sigurisë, në mbajtjen e procesit juridik në çdo pjesë të territorit të saj.

“Bota sot”: Si e vlerësoni përgjigjen e institucioneve të sigurisë të dielën që shkoi, me 31 korrik? A kishte momente që ato u treguan neglizhente, nuk arritën ta parandalonin mbylljen e rrugëve gjithandej?

Drizan Shala:Institucionet e Kosovës kanë marrë dhe paraparë të gjitha mundësitë që mund të zhvillohen në terren dhe kështu ka arritur që mos të bllokohen rrugët si në shtator të 2021, por patëm një veprim ndryshe nga e kaluara, e cila ishte në favor të mbajtjes së qëndrueshmërisë operacionale në favor të fuqisë së shtrirjes së saj, në atë pjesë, duke mbajtur dhe garantuar “këmben” e shtetit në piken 1 dhe 31.

“Bota sot”: AKI-ja a doli e painformuar se mund të kishte një mobilizim kaq të shpejtë të serbëve?

Drizan Shala:Unë mendojë që institucioni në fjalë ka arritur si në të kaluarën të mbulojë çdo aksion në atë pjesë përmes fushëveprimtarisë që ka sipas ligjit, duke garantuar informacione relevante për institucionin e policisë që mbi këto të ndërmarr veprime konkrete operacionale dhe duke eliminuar kërcënimin kundër planit operative që ka zhvilluar policia e Kosovës.

“Bota sot”: A duhet të rriten investimet e shtetit në institucionet e sigurisë, si në polici, AKI, dhe FSK?

Drizan Shala:Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca duhet që sa më parë të ndryshojnë strategjinë e investimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke hartuar edhe ligjin për investime të veçanta dhe kontributeve që mund të arrihen nëpërmjet vijës institucionale buxhetore, e jo siç është tani përmes fondit për siguri.

Në këtë nisëm të angazhohen të gjithë akterët politik edhe opozitar dhe kështu të arrihet që të mbulohet, por mbi gjitha të mos ndalet ky investim dhe kjo rrugë e cila garanton qëndrueshmërinë e shtetit karshi zhvillimeve politike që mund të ndodhin.

“Bota sot”: A mendoni që Qeveria bëri mirë që e shtyu zbatimin e reciprocitetit?

Drizan Shala:Kosova në rend të parë është mirë, që gjatë kësaj periudhe që ka para vetit të angazhojë diplomatët e saj në vendet e BE-së (ambasadorët e Kosovës) që t’ju dërgojnë letrat informuese se si ka rrjedh procesi. Ku do të jetë synimi dhe qëllimi i Kosovës karshi një politike agresive serbe në raport me Kosovën dhe kështu të arsyetohet që reciprociteti do të vazhdojë dhe nuk do të kemi kthim mbrapa, sepse ky është argumenti dhe çelësi që ka Kosova karshi Serbisë, e cila asnjëherë nuk është tërhequr nga tentativa e saj për të destabilizuar Kosovën edhe në aspektin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm.

“Bota sot”: Në Leposaviq janë arrestuar dy francez me automjete ruse. A mendoni që kemi të bëjmë me ndonjë agjent rus apo agjentët francez nën direktivat ruse?

Drizan Shala:Arrestimi i dy personave të dyshuar, të cilët nëse analizohet mënyra e veprimit po lë hapësirë që të interpretohet si tentativë për infiltrim nga struktura të dyshimta të Rusisë në hapësirën e territorit të Kosovës duke tentuar të kryejnë ndonjë veprim, i cili kishte mund të cenojë sigurinë e vendit.

Por, falë angazhimit të institucioneve të vendit, personat e apostrofuar tani më janë të ndaluar dhe ndaj tyre janë duke u zhvilluar hetime, të cilat mund të zbardhin pretendimet e mundshme që janë pjesë e strukturave të dyshimta shtetërore të Rusisë dhe që misioni i tyre të jetë destabilizimi i asaj hapësire.

Ne kemi patur edhe punëtor të ndryshëm që kanë punuar në misione ndërkombëtare dhe që kanë dalur persona të dyshuar dhe që janë dëbuar nga Kosova, si persona të cilët e kanë cenuar rendin kushtetues dhe të sigurisë dhe që janë të lidhura ngushtë me strukturat ruse që operojnë në Ballkanin Perëndimor.

“Bota sot”: Një temë gjithashtu e përfolur mbetet kontrabanda, ku ditë më parë, në veri të vendit Policia ndaloi një autoambulancë pa dokumentacion, që po kontrabandonte barna. Si i komentoni ju këto ngjarje, a po ia dalin institucionet ta luftojnë apo ta kenë përmirësuar luftën ndaj kontrabandës?

Drizan Shala:Aktiviteti kriminal i kontrabandës që zhvillohet në atë pjesë, organet e rendit gjithmonë kanë vepruar në parandalimin e tyre duke arrestuar dhe identifikuar person/at që janë të involvuar në këto veprime kriminale.

Por, duhet analizuar që në rastin e autoambulancës ky mjet a është përdorur si mjet kriminal kontrabandë apo është përdorur nga strukturat e sigurisë së Serbisë në të kaluarën për të kontrabanduar edhe gjëra, të cilat mund të paraqesin rrezik për infrastrukturën e sigurisë së vendit, kjo mbetet të shihet se si do të zhvillohen hetimet nga ana e Prokurorisë dhe Policisë.

“Bota sot”: Cili është mesazhi i juaj për institucionet e sigurisë së vendit. Nga kush duhet të kenë kujdes?

Drizan Shala:Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet që mund t’i marrin në arritjen e objektivave të tyre që është garantimi dhe mbrojtja e sovranitetit të Kosovës në çdo dimension të mundshëm.

Por mesazhi im do duhet t’i drejtohet nivelit politik në Kosovë (pozitë dhe opozitë) që kur është në pyetje Kosova nuk duhet të këtë ndarje të mendimeve që mund të reflektojnë në veprime me pasoja për sigurinë e vendit.

Niveli qeveritar duhet që të inkorporojë në kuadër të sigurisë si koncept edhe ekspert të ndryshëm të fushës në fjalë duke i lidhur ata me Këshillin e Sigurisë Kombëtare si organe, në të cilin ekspertizat dhe opinionet mund të kontribuonin në hartimin e veprimeve konkrete ku organet e sigurisë do ti zbatonin ato në të mirë të sigurisë nacionale të vendit e jo siç është tani fakti që ekspertët kanë mbetur jashtë orbitës qeveritare si pasoje e pengesave që bazohen në “mos”-bindje politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat