Alarmon eksperti i sigurisë: Rusia dhe Serbia do të provojnë eskalimin e situatës në veri me planin sekret, urgjent të veprojë shteti!

Intervista

Alarmon eksperti i sigurisë: Rusia dhe Serbia do të provojnë eskalimin e situatës në veri me planin sekret, urgjent të veprojë shteti!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 gusht 2022 Në ora: 19:03
Forcat e KFOR-it

Më 1 shtator, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, do të nisë masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për targat e veturave. Dy vendet kanë arritur marrëveshje për çështjen e lëvizjes së lirë, duke hequr dokumentet hyrje-dalje, mirëpo mbetet ende punë për targat e veturave.

Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, veriu ende mbetet “pikë e tensioneve”, pasi atje Rusia dhe Serbia do të tentojnë të realizojnë skenarin e tyre sekret të dhunës, duke mos përjashtuar as viktimat. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Elezi ka paralajmëruar se Rusia dhe Serbia do të përpiqen të krijojnë situata, të cilat do të jenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, dhe kështu Kosova të mbajë përgjegjësi për eskalimin e situatës në Kosovë dhe në rajon.

Ai ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që urgjentisht të ngritin nivelin e inteligjencës dhe të hulumtojnë në të gjitha zonat ku jetojnë komuniteti serb dhe kështu të minojnë përpjekjet për organizim të ndonjë skenari të dhunshëm serbo-rus.

Image
Bedri Elezi

Eksperti ka kritikuar AKI-në, e cila deri më tani nuk ka nxjerr një listë me kallëzime penale për personat ,të cilët kanë kryer vepra penale në veri të vendit, dhe rrjedhimisht nuk ka lëshuar as fletë arrestet nacionale apo edhe ndërkombëtare.

Elezi ka ngritur alarmin se në Kosovë veprojnë strukturat e shërbimeve sekrete ruse FSB dhe GRU si dhe të BIA-s serbe. Sipas tij, këto shërbime kanë të infiltruar njerëzit e tyre edhe në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe atyre ndërkombëtare.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Elezi, si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në territorin e Kosovës, sidomos në veri të vendit, pas tensioneve të 31 korrikut me Serbinë?

Elezi: Gjendja e sigurisë në territorin e Republikës së Kosovës, sidomos në veri të vendit, pas tensioneve të 31 korrikut është e qetë, por shumë e brishtë.

Më 31 korrik 2022, Qeveria e Kosovës, bëri një përpjekje për të zbatuar vendimet e saj në lidhje me reciprocitetin për targat dhe dokumentet e identifikimit, por këto vendime nuk u zbatuan në veriun e Kosovës, madje në veriun e Mitrovicës këta vendime shkaktuan edhe tensione, ku grupe kriminale të cilat mbështetën nga qeveria e Serbisë si dhe institucionet e sigurisë serbe dhe ato ruse, organizuan aktivitete të dhunshme, duke vendosur barrikada si dhe duke dhunuar qytetar ë dhe njëherësh edhe sulmuan me armë zjarri Policinë e Republikës së Kosovës.

Situata e sigurisë në veriun e Mitrovicës është e cenuar në vazhdimësi, ngase në atë zonë kemi grupe kriminale të armatosura dhe janë duke u mbështetur nga Serbia dhe Rusia, me qëllim shkaktimin e dhunës apo incidenteve ndëretnike, ku do të provohet një eskalim i situatës, nga e cila mund të ketë edhe viktima.

Kosova dhe liria e saj, janë projekt amerikan, andaj Serbia në vazhdimësi bashkëpunon me federatën Ruse, në mënyrë që të dhunohet demokracia si dhe të dëmtohet SHBA-ja në përpjekjet e saj që të sjellë paqe dhe zhvillim në gadishullin ballkanik.

Sipas informacioneve që ne kemi, ekziston një plan sekret, i cili është hartuar nga strukturat e shërbimeve sekrete të Serbisë dhe Rusisë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, me qëllim që vëmendja e zhvillimeve në Ukraine të orientohet në Ballkan, andaj të gjitha këta aktivitete janë të sinkronizuara dhe asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e eskalimit të situatës në Kosovë dhe rajon.

“Bota sot”: Çka parashihni se do të ndodhë me 1shtator, ditën kur Qeveria e Kosovës do të nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, për targat e veturave? A mund të ketë sërish tensione?

Elezi: Angazhimi i SHBA-ve dhe BE-së, pas 31 korrikut ishte shumë serioz, ngase kishin informacione të besueshme për planet serbo-ruse për eskalimin e situatës dhe kështu edhe destabilizimin e rajonit, andaj angazhimi i tyre ishte që të shtyhet zbatimi i reciprocitetit. Por, qeveritë respektive, ajo e Kosovës dhe Serbisë nuk ishin të gatshme për tejkalimin e kësaj situate, dhe rrjedhimisht u imponuan takime mes palëve për të gjetur një zgjidhje momentale, e cila do të shmang eskalimin e situatës në veri.

Si rezultat i një maratone bisedimesh, si dhe përfshirjen e shume protagonistëve politikë dhe atyre të sigurisë, është arritur një marrëveshje, e cila ndoshta për një kohë të shkurtër do të shtyjë zbatimin e marrëveshjes, gjithashtu eventualisht edhe eskalimin e situatës.

Kjo marrëveshje është një status-kohë, dhe poashtu mund të konsiderohet si lojë politike për të shmangur përgjegjësinë e liderëve të Kosovës dhe Serbisë për eskalimin e situatës, sidomos pas kërcënimit të shefit të NATO-s, i cili deklaroi se dy liderët do të jenë përgjegjës për sigurinë në veri dhe rajon, në rast se nuk do të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Kosova duhet të jetë shume vigjilente, ngase kjo marrëveshje është e konstruktuar si kurth ndaj Kosovës për përgjegjësinë e eskalimit të situatës në veri, referuar kërcënimit të shefit të NATO-s, se eskalimi do t’i faturohet atyre të cilët do të nxisin dhunën.

“Bota sot”: Si duhet të veprojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, për të shmangur skenarin me vënien e barrikadave nga serbët, siç ndodhi me 31 korrik?

Elezi: Bazuar në informacionet që ne kemi, nga struktura inteligjente të cilat kanë burimet kredibile, Serbia dhe Rusia janë të vendosura për realizimin e skenarit të tyre, por janë duke u përpjekur që të organizojnë situata, të cilat do të jenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, dhe kështu Kosova të mbajë përgjegjësi për eskalimin e situatës në veri dhe Kosovë si dhe destabilizimin e gjithë rajonit, andaj institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, ato të NATO-s, si dhe ato të FSK-së urgjentisht duhet ngritur nivelin më të lartë të inteligjencës, poashtu të hulumtojnë në të gjitha zonat ku jetojnë komuniteti serb dhe kështu të minojnë përpjekjet për organizim të ndonjë skenari, i cili është dizajnuar për aktivitete të dhunshme.

“Bota sot”: NATO ka paralajmëruar se në rast se Serbia provokon me forcë Kosovë, do të ndërhyjë ushtarakisht me KFOR-in. Si e vlerësoni përgjigjen e KFOR-it për tensionet e fundit?

Elezi: Ne kemi parë një përpjekje të NATO-s, për t’i treguar Serbisë se NATO është përgjegjëse për sigurinë në Kosovë dhe se çdo përpjeke e Serbisë për të cenuar kufijtë e Kosovës do të jetë agresion ndaj NATO-s, e cila nëpërmes KFOR-it garanton paqen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

KFOR-i ka mandat nga NATO, mandat i cili buron nga rezoluta 1244 e OKB-së që të ndërhyjë ndaj çdo force, e cila tenton të cenojë sigurinë në Kosovë, andaj në këto momente kur u paralajmërua nga ana e Serbisë se mund të intervenojë ushtarakisht, sekretari i NATO-s z.Jens Stoltenberg, organizoi një takim me liderët e dy shteteve, ku edhe u sqaroi edhe një herë për mandatin e NATO-s dhe KFOR-it si dhe përgjegjësinë që do të mbajnë dy liderët në rast të eskalimit të situatës.

“Bota sot”: Me gjithë sulmet e serbëve ndaj Policisë së Kosovës në veri, ende askush nuk ka dalë para drejtësisë, për këto raste. Si po përgjigjet shteti për të mundësuar qarkullim të sigurt të Policisë së Kosovës në veri të vendit?

Elezi: Fatkeqësisht kemi pasur shumë raste kur është sulmuar Policia e Kosovës, gjithashtu janë sulmuar edhe qytetarë të shumtë nga persona dhe grupe kriminale, por deri më tani nuk kemi pasur asnjë person, i cili ka dal para drejtësisë për këto veprat kriminale.

 Që nga viti 1999 e deri më tani, për 23 vjet institucionet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës kanë dështuar të zbatojnë ligjin në atë zonë, madje nuk ka pasur përpjekje serioze për zbatim ligji në atë pjesë.

Deri më tani minimalisht duhet të kemi një listë të personave, të cilët kanë kryer vepra si dhe fillimin e procedurës penale ndaj atyre personave apo grupeve si dhe të kemi fletë arrestimet e tyre ndërkombëtare.

Agjensioni i Kosovës për Inteligjencë ka detyrim ligjor sigurimin e informacioneve të nevojshme dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si dhe prokurorinë e shtetit, në mënyrë që të ngrit kallëzime penale ndaj atyre personave, dhe rrjedhimisht edhe të kemi fletë arrestet nacionale apo edhe ndërkombëtare. Por, deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, madje duke mos vepruar kanë inkurajuar këto grupe dhe persona për vepra të tilla.

“Bota sot”: Serbia ka prezantuar armët e reja, pak ditë para takimit të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel. A është ky një sinjal se Vuçiq mund të nisë një konflikt të armatosur në veri të Kosovës, përkundër thirrjeve të tij për vendosje të qetësisë? A po luan ai me dy “karta”?

Elezi: Vuçiq është një sharlatan, i cili në vazhdimësi ka bërë veprime të tilla, të cilat janë shume qesharake, ngase dihen kapacitetet ushtarake të Serbisë dhe në anën tjetër ato të NATO-s. 

Këto veprime të Vuçiqit para takimit me sekretarin e NATO-s z.Jens Stoltenberg, janë veprime, të cilat ushqejnë apetitet e strukturave kriminale në Serbi, të cilat akoma jetojnë me gjenocidin që kanë shkaktuar në Ballkan në vazhdimësi deri në vitin 1999. 

Është shqetësues fakti se populli serb akoma pranon këto veprime të shëmtuara të Vuçiqit si dhe në vazhdimësi votojnë politikanë, të cilët ende i kanë duart me gjak. Ky fakt të bënë të mendosh se komuniteti serb mund të jetë jashtë normave për të qenë njerëz.

“Bota sot”: Çka do të përfitonte Kosova me traktatin për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, të cilin ia kërkoi presidentja Osmani, presidentit Begaj? Sa është i mundshëm?

Elezi: Presidentja e Republikës së Kosovës, si duket akoma po mendon se është anëtare e OJQ-ve, apo përkthyese. Ne jemi të vetëdijshëm se presidentja ka qenë përkthyese kur janë prezantuar traktate të tilla, por atë kohë ajo ishte në pozicion të atillë që vështirë ka mundur të kuptojë çka janë traktatet.

Presidenti i një shteti, ka mandat për të zhvilluar diskutime me homolog, me të cilët mund të bashkërendojnë nisma, të cilat burojnë nga të drejtat e tyre bazuar në detyrimet shteteve në fjalë si dhe normativave të organizatave partnere ndërkombëtare.

Fakti se presidentja Osmani, prezantoi një ide të tillë para një vizite të homologut të saj, i cili vizitën e parë si president jashtë të vendit të tij e kishte në Kosovë, të bënë të mendosh se kjo ide i ngjason një mentaliteti policor apo ushtarak se sa një veprimi presidencial, andaj kjo ide nuk duket serioze, dhe njëherësh nuk mund të shihet si përpjekje për bashkërendim mes Kosovës dhe Shqipërisë për një bashkëpunim në fushën e sigurisë përmes traktateve të tilla.

“Bota sot”: Sa është e mundshme vendosja e një kontigjenti të ushtrisë shqiptare në veri të Kosovës, në kuadër të KFOR-it?

Elezi: NATO ka partnerët e saj, dhe gjithashtu partner e NATO-s është e Shqipëria, kështu që në kuadër të KFOR-it vepron edhe kontigjenti i ushtrisë shqiptare, e cila në Kosovë vepron në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat përcaktohen e komanda e HQ KFOR.

Sa i përket mundësisë së vendosjes së një kontigjenti të ushtrisë shqiptare në veriun e Mitrovicës, kjo është një mundësi reale, ngase ky kontigjent do t’i shërbente KFOR-it dhe sigurisë. 

Nëse FSK nuk ka mundësi të shkojë në veri ngase mund të shkaktohej ndonjë incident, atëherë kontigjenti i ushtrisë shqiptare, i cili vepron në kuadër të KFOR-it mund të shkojë pa asnjë lloj problemi, sepse është strukturë e KFOR-it dhe NATO-s.

“Bota sot”: A ka dyshime konkrete për agjentë rusë ose persona të infiltruar në Kosovë, sidomos pas arrestimit të gazetares ruse dhe dy francezëve me automjete ruse në Leposaviq?

Elezi: Dyshimet se në Kosovë veprojnë strukturat e shërbimeve sekrete ruse FSB dhe GRU, tanimë janë realitet publik, sidomos kur ka pasur edhe arrestime të agjentëve dhe zyrtarëve të tyre. Është shqetësues fakti se në Kosovë veprojnë agjentë të shërbimeve sekrete ruse, si të shërbimeve sekrete FSB dhe GRU, por më shqetësues është fakti se ka dyshime që këto shërbime kanë të infiltruar njerëzit e tyre edhe në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe atyre ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë.

Madje disa arrestime, të cilat janë bërë në Kosovë dyshoj se janë të orkestruara për të gravituar institucionet e sigurisë në pista të caktuara dhe njëherësh për të larguar dyshimet e institucioneve të sigurisë në burime apo bashkëpunëtorë të këtyre shërbimeve, e të cilët kanë mundësi të qasën në informacione të klasifikuara, të cilat mund të janë të depozituara në institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës apo atyre ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë apo edhe rajon.

“Bota sot”: Lista Serbe ka thënë se me 31 korrik edhe Milan Radoiçiq është shëtitur lirshëm rrugëve të barrikaduara të veriut. Pse nuk po arrin Kosova të arrestojë një person, ndaj të cilit ka fletëarrest?

Elezi: Institucionet e zbatimit të ligjit si: AKI, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat e Republikës së Kosovës, nuk kanë bërë veprime konkrete për arrestime të kriminelëve serbë në veriun e Mitrovicës, gjithashtu nuk ka pasur përpjekje serioze edhe për arrestimin e kriminelit Milan Radojiçiq, madje ka dyshime serioze se Milan Radojiçiq ka lëvizur jo vetëm në veri të Mitrovicës, por edhe në disa qytete tjera të Republikës së Kosovës. Gjithashtu vlen të theksohet se poashtu ka dyshime që Milan Radojiçiq ka kontakte permanente me ministria të Qeverisë së Kosovës, dhe gjithashtu ka përdorur edhe veturat me alarme të Qeverisë së Kosovës për të shkuar në një takim në Çagllavicë në fund të muajit korrik 2022.

Në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në stafin e ministrave serbë, kemi agjentë të BIA-s, të cilët dyshohet se ka krijuar burime në disa institucione të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Poashtu në kuadër të Policisë së Kosovës dyshohet se kemi të infiltruar agjentë të BIA-së serbe dhe të njëjtit mund të kenë qasje në të dhëna të rëndësishme, gjithashtu t’i mundësojnë shërbime kriminelëve serbë, si Milan Radojiçiq, njëherësh t’i vendosin në shërbim edhe pronat e institucioneve të Kosovës për veprimet e tyre kriminale.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat