Rektori Qerimi: Plagjiaturat, një tematikë që kërkon zgjidhje sa më parë

Intervista

Rektori Qerimi: Plagjiaturat, një tematikë që kërkon zgjidhje sa më parë

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 11:40
Qerim Qerimi

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, në një intervistë për Radio Kosovën ka përmendur prioritetet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion. Ai veçoi ndryshimin e statutit të këtij universitetit, ndërsa foli edhe për plagji

Radio Kosova: Rektor, me 21 nëntor  keni marrë detyrën tuaj si rektor i Universitetit të Prishtinës. A mund të na flisni pak për programin tuaj, mbi të cilin do të menaxhoni gjatë mandatit katërvjeçar?

Qerim Qerimi: Po, ju faleminderit shumë për intervistën dhe pyetjen tuaj! Kjo është absolutisht pyetje e rëndësishme, sepse çështja e programit është shumë themelore jo vetëm për hir të transparencës por gjithashtu legjitimitetit të procesit. Por në veçanti për të pasur një ide për sa i përket pritjeve lidhur me synimet që ne i kemi përpara unë e kam parë jashtëzakonisht të rëndësishme që ta konceptoj një program, i cili ka qenë gjithashtu publik edhe para zgjedhjes time ku të njëjtin edhe e kam prezantuar para Këshillit Drejtues, para të gjitha organizatave dhe institucioneve të tjera të cilat  kanë marrë pjesë në procesin e monitorimit të përzgjedhjes. Tash ka dhjetë pika që unë i kam paraqitur në një kontekst shumë të gjerë e të cilat përbëjnë përparësitë, nevojat e gjithashtu në një mënyrë edhe aspiratat që mendoj se universiteti duhet t’i ndjekë. Çështja e parë që unë kam propozuar është ndryshimi dhe plotësimi i statutit të Universitetit si dhe ndryshimi dhe plotësimi i akteve të tjera që duhet të nxirren në funksion të zbatimit të dispozitave statutare, krijimi, konsolidimi dhe qartësimi i shumë dispozitave të statutit është absolutisht i domosdoshëm për të tejkaluar një numër të madh sfidash me të cilat përballet universiteti.


A mund të na thoni cilat do të jenë prioritetet kryesore gjatë mandatit tuaj?

Qerim QerimiPo, statuti është absolutisht veprimi i parë i rëndësishëm, i domosdoshëm. Ka vite të tëra dhe një numër qeverish vijnë e shkojnë dhe që të gjitha e kanë në agjendë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për arsimin e lartë, por diçka që nuk ka qenë e mundur deri më tani si rezultat i kërkesës së kushtetutës për sa i përket shumicës që duhet edhe nga pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, meqë hynë në kuadrin e ligjeve me interes vital. Megjithatë,unë nuk shoh asnjë lloj pengese formale që ne ta rishikojmë dhe ta ribëjmë statutin dhe ta bëjmë atë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Kjo për faktin që në të vërtetë  statuti njëlloj sikurse ligji miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Përtej kësaj ideje, nuk është që ne patjetër të ribëjmë në tërësi statutin dhe të prekim ta zëmë ato përcaktime që janë shumë të qarta e precize në ligj, po çështjet kryesisht të cilat i delegohen për rregullim statutit të universitetit të cilat ose nuk kanë qenë të rregulluara mirë  ose nuk ka pasur para shikueshmëri të mjaftueshme ose në proces zbatimi ka rezultuar që ka defekte ose ka zbrazëti, ose duhet një rregullim më i mirë apo më rigoroz për të arritur një standard të caktuar për sa i përket qoftë çështjes së avancimeve kërkimeve të ndërkombëtarizimit apo sferave të tjera .

Pas marrjes se mandatit, si e vlerësoni se cilat janë sfidat aktuale me të cilat po përballet ky institucion?

Qerim Qerimi: Ka një numër sfidash paralele. Sfida që lidhen me mungesën e stafit administrativ, ka sfida të tjera që unë po i hetoj dhe testoj dhe ndërkohë do të eksplorojë mekanizma e mundësi se si mund t’i zgjidhim ato, duke filluar nga siç e përmenda më herët e që janë pjesë e prioriteteve, rekrutimi i stafit të ri akademi, një staf jo mjaftueshëm i plotë i stafit akademik, gjithashtu një staf në disa drejtime i plakur. Sigurisht ne e vlerësojmë, e çmojmë dhe do të përdorim përvojën e secilit profesorë që është në sistem aktualisht, mirëpo ne duhet që ta mendojmë kur ata nuk janë, për ata që vijnë mbrapa dhe pastaj sigurisht ideja është që ne duhet të zgjerojmë dhe rrisim mundësitë për të avancuar standardin e kërkimeve ne universitet dhe për të rritur rolin e pozicionimin ndërkombëtar të universitetit.

Gjatë këtij viti, Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar shumë marrëveshje me institucione vendore, me institucione nga Shqipëria e më gjerë. A mund të na përmendni disa nga to dhe rëndësinë që kanë për Universitetin?

Qerim QerimiPo, çdo marrëveshje ndërkombëtare ose tjetër vërtet që i sjell dobi universitetit të Prishtinës, qoftë në dobi të resurseve,  teknologjive të reja ose marrjes së përvojave ose praktikave më të mira menaxheriale akademike kërkimore, e kështu me radhë. Këto janë shumë  të mirëseardhura dhe shumë të rëndësishme dhe na tregojnë se janë tridhjetë marrëveshje ndërkombëtare që ka nënshkruar universiteti i Prishtinës. Unë jam në proces të konsolidimit të ekipit dhe sigurisht prorektorit që do të vijë për çështjet të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimeve akademike. Do të ndjek më për së afërmi këtë, por ideja është sa ka rëndësi që ne i nënshkruajmë 30 marrëveshje ndërkombëtare   në vitin 2022 dhe besoj edhe shumë të tjera në vitet që vijnë. Është e rëndësishme që ne të sigurohemi se këto marrëveshje zbatohen dhe që ato kanë dobi dhe sjellin efekte pozitive për universitetin, stafin dhe për studentët e tij.

Rektor, për sa i përket infrastrukturës, mungesës së hapësirave në raport me numrin e madh të studentëve si dhe nevoja për shtimin e numrit të stafit akademik, si do të menaxhohet kjo situatë?

Qerim Qerimi: Po, tash unë jam i vetëdijshëm për çështjen e hapësirave, është ajo hapësirë që unë kam gjetur të ajo që kemi në proporcion me mundësinë që kemi pasur megjithatë, në proces ka disa planifikime të rëndësishme që synojnë ta adresojnë pikërisht këtë pikë: ta zëmë, ndërtimi i objekteve për Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Fakultetin Ekonomik e ndërkohë ne sigurisht do të shohim se çfarë ka nga hapësirat ekzistuese të cilat nuk janë duke u përdorur ose mund të përdoren në një mënyrë më ekonomike dhe më efektive.

Është planifikuar  ndërtimi i  objekteve për Fakultetin Ekonomik dhe atë të Shkencave Natyrore. Si do të veprohet në këtë drejtim?

Qerim Qerimi: Nga ajo çfarë unë kuptova, kjo çështje është në agjendë për mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës, por nuk mund ta them me saktësi, është një informacion që sigurisht mund ta verifikoni edhe Ju.

Për sa i përket objektit të Fakultetit të Bujqësisë i cili me disa vite vonesë ka arritur të përfundojë punimet, por për shkak të një problemi me largpërçuesin, ky universitet ende nuk është funksional. Si do të veprohet në këtë rast ?

Qerim Qerimi: Kjo është një çështje që më sjell në dijeni, unë jam interesuar gjithashtu për këtë dhe do të zhvilloj diskutime të mëtejme  me administratën e universitetit, me dekanin e fakultetit përkatës, dhe me palë të tjera. Është një situatë që unë e kam trashëguar. Tash në fund e gjejmë që objekti qëndron në një distancë më të vogël se sa ajo që lejohet nga largpërçuesi. Tash ka disa opsione që po eksplorohen potencialisht mos përdorimi i një pjese të objektit ose rimodelimi i tij duke heq një pjesë të objektit. Këto janë të gjitha opsionet të cilat ne duhet t’i shohim me ekspertë të fushave përkatëse .

Rektor, Universiteti i Prishtinës, Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike e Kosovës janë bashkëthemeluesit e Institutit “UPCO Cluster”, të organizuar nga projekti ALLED 2 e i cili synon të zbatojë projekte zhvillimore të bazuara në njohuri dhe teknologji të reja. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë projekt?

Qerim Qerimi: Po ky është një projekt që në e vlerësojmë veçanërisht e që ka për qëllim të  promovojë teknologji të reja, inovacionin, teknologjinë dhe   ndërmarrësinë si dhe të ofrojë shërbime për ekonominë dhe arsimin në Kosovë. Partner institucional këtu përveç Universitetit të Prishtinës është edhe Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike. Dhe ne kemi një pjesë këtu me të cilën mund të kontribuojmë, dhe kjo është pjesa e cila lidhet më hulumtimet në  këto drejtime të inovacionit dhe ndërmarrësisë.” 

Po kthehemi tani te stafi akademik. Në disa programe dhe njësi akademike ka pasur mungesë të stafit. A do të plotësohet  kjo mangësi dhe a e keni identifikuar se në cilat njësi akademike ka nevojë për staf?

Qerim Qerimi: Është një prej përparësive shumë të rëndësishme dhe të ngutshme për universitetin. Sepse e shoh edhe nga fakulteti – departamenti nga vij. Në jemi përafërsisht 50 për qind me pak se që kemi qenë dhjetë vjet me herët. Kështu që mund të imagjinoni shkallën e ngarkesës se stafit. Prandaj, është e ngutshme që ne të vazhdojmë sa më shpejt me rekrutimet. Është çështja e parë që unë kam propozuar dhe besoj që shumë shpejt të fillojmë më krijimin e një grupi punues. Dhe më rëndësi është rishikimi dhe qartësimi më i mirë i dispozitave statutare dhe atyre rregullative për sa i përket përzgjedhjes, në mënyrë që të garantojmë një  një përzgjedhje meritore.  

Ka pasur disa herë reagime për avancimin e stafit akademik, sidomos për platformat ku iu është kërkuar publikimi i punimeve shkencore. Ka pasur edhe paqartësi për sa i përket se në cilat platforma duhen publikuar punimet. Çka pritet të bëhet në ketë drejtim?

Qerim QerimiAjo çfarë pritet është pikërisht pjesë e këtij propozimi që unë synoj ta bëj dhe ta zbatoj e që është një përcaktim më i qartë dhe me i saktë i asaj që se ku kërkohet një punim të publikohet dhe cilat janë platformat që njihen. Krejt kjo në mënyrë të këtë një siguri me të madhe edhe në mesin e anëtareve të stafi dhe po ashtu edhe atyre që potencialisht synojnë t’i bashkohen këtij universiteti. Rregullorja ekzistuese parasheh që nga data 1 janar 2023 janë vetëm dy platforma ku ekskluzivisht merren parasysh.    

Kohëve të fundit është folur shumë për plagjiaturat, si e keni menduar zgjidhjen e këtij problemi?

Qerim Qerimi: Kjo është një temë që ka qenë publike dhe është diskutuar vazhdimisht. Unë mendoj që kjo është një tematikë që duhet ta zgjidhim, dhe sa me parë që e zgjidhim është mirë për ne dhe reputacionin e universitetit. Për sa i përket kësaj çështjeje, unë kam paraparë që ne duhet ta rishikojmë dhe ribëjmë infrastrukturën aktuale ligjore, në mënyrë që t’i adresojmë zbrazëtitë ekzistuese që janë. Dhe në fillim, sidomos për raste me komplekse dhe me publike të përfshihen gjithashtu profesorë akademikë nga jashtë, sidomos ata që kanë përvojë në universitet e tyre në procedimet disiplinore për çështjet që kanë të bëjnë me integritetin akademik dhe ata të shërbejnë praktikisht si arbitra  neutralë të atyre punimeve apo krijimeve që ka pretendime apo kontestime.

Çfarë mund të na thoni për sa i përket reformimit të programeve dhe përmbajtjen e lëndëve që ofrohen në ato programe. A do të këtë diçka në këtë drejtim?

Qerim Qerimi: Po sigurisht kjo është një pjesë shumë e rëndësishme, përdorimi i programeve studimore i kurikulave, i lëndëve  që ofrohen, dizajnit  dhe i  lidhjes së tyre më praktiken dhe tregun e punës e që është një prioritet me vlerë të veçantë. Në këtë drejtim, sigurisht rol të veçantë ka edhe Agjencia e Akredimit, këshillat e ekspertëve të huaj të cilët bëjnë vlerësimin dhe japin rekomandime. Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me ekspertët që marrin pjesë në vlerësimin e programeve.

Studentët e Universitetit të Prishtinës janë bërë pjesë e hartës ERASMUS +. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Qerim Qerimi: Kjo ndikon jashtëzakonisht shumë dhe ne kemi interesim që studentët tanë të marrin pjesë gjithnjë e më shumë në programe të tilla të shkëmbimit të studentëve. Unë në vitin 2002/03 si student, kam përfituar nga një program i tillë dhe kam bërë dy semestra në Universitetin e Otredit në Holande ku kam marr një përvojë me vlerë të madhe. Prandaj, ne sigurisht se do të mundohemi të zgjerojmë edhe me tepër mundësitë për studentët tanë.

Gjithashtu, gjatë viteve të fundit janë lansuar edhe programe për punë praktike për studentët? Sa kanë hapësira studentët që të zhvillojnë njohuritë e tyre përmes punës praktike, sa mundësi u jepet atyre?

Qerim Qerimi: Në këtë drejtim sigurisht që ka mundësi dhe janë shumë të rëndësishme për studentët. Universiteti vet ka një program të praktikës më pagesë, të cilin unë po shikoj me zyrën e buxheti për të parë mundësinë e rritjes së vlerës monetare për të stimuluar me tepër studentët tanë. Përmes kësaj, ata i ndihmojnë institucionit, përfitojnë nga përvoja që e marrin dhe po ashtu kanë një shpërblim material.  

Universiteti i Prishtinës, ka numrin më të madh të studentëve dhe  programe të ndryshme studimi. Si e shikoni zhvillimin e këtij universiteti?

Rektori: Qerim Qerimi: Besoj që është e natyrshëm që ne ta shohim më përpara, me lart dhe më mirë. Këto janë qëllimet dhe aspiratat dhe kjo është krejt e natyrshme.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat