“Ia kishin frikën Serbisë”/ Tomë Gashi flet pa dorëza – ja për çfarë i paralajmëron serbët!

Intervista

“Ia kishin frikën Serbisë”/ Tomë Gashi flet pa dorëza – ja për çfarë i paralajmëron serbët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 dhjetor 2022 Në ora: 15:58
Tomë Gashi

Vendi ynë po vazhdon të ketë shumë ngjarje, të cilat po marrin vëmendjen edhe të shteteve ndërkombëtare.

Serbia, e cila në vazhdimësi është në gatishmëri të provokojë, sulmojë dhe tashmë të vendosë barrikada ndaj Kosovës, nuk po ndëshkohet ende nga ndërkombëtarët.

Së fundmi serbët në Kosovë po protestojnë kundër arrestimit të paligjshëm të ish-policit Dejan Pantiq e të cilët kanë vendosur barrikada në veri për të pestën ditë me radhë.

E në lidhje me këto ngjarje në një intervistë për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai për gazetën u shpreh që Serbia në vazhdimësi provokon Kosovën, mirëpo mund të jetë vetëm ëndërr që të ndërhyjnë në shtetin tonë.

Sipas Gashit, kryeministri Kurti është i detyruar që të vazhdoj bisedimet me Serbinë pasi këto bisedime i kanë filluar liderët e mëhershëm.

Ndërsa, sa i përket barrikadave në veri të vendit, sipas avokatit do të largohen, mirëpo me ndihmë të Ambasadës Amerikane si dhe KFOR-it.

Për fund, Gashi u pyet për qëndrimin e Borrellit ndaj Kosovës, u shpreh që është parë edhe më herët që ai e mbanë anën e Serbisë.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën aktuale në vend pas tensioneve që po vazhdojnë në veri të Kosovës?

Tomë Gashi: Situata në Kosovë është në duart tona dhe të institucioneve të Republikës tonë. Ne nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë që për territorin e shtetit tonë të vendosë krimineli Vuçiq apo vasalët e tij. Siç janë Radojçiqi e të tjerët, e që janë në listën e zezë edhe tek SHBA-të dhe kanë fletëarresteedhe nga gjykatat tona. Me Albinin tashmë, këta kriminelë nuk mund të hyjnë në zyre të kryeministrit të Kosovës të veshur me tuta e me patika.

“Bota sot”: Cili duhet të jetë sipas jush qëndrimi i Qeverisë së vendit karshi provokimeve të Serbisë? A është kundërpërgjigjja e duhur bashkëpunimi që po vazhdon ta ketë me ndërkombëtarët?

Gashi:Kundërpërgjigjja e institucioneve tona duhet të jetë kjo që është tani, dërgimi i forcave speciale të policisë tonë bashkë me policë të tjerë për të siguruar rendin dhe ligjin. Ne nuk mund të mbesim peng i disa grupeve kriminale serbe në veri të Kosovës, të cilët i maltretojnë serbët për arsye të desatabilizimit të vendit me urdhër të Vuçiqit.

“Bota sot”: A munden mu largu barrikadat pa ndërhyrjen e KFOR-it?

Gashi: Barrikadat mund të largohen pa problem nga policia jonë, por ne me KFOR-in dhe Ambasadën Amerikane e vazhdojmë bashkëpunimin. Kështu i është lënë pak kohë që KFOR-i t’i largoj ato, nëse Serbia e merr vesh gjuhen tonëpaqësore dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

“Bota sot”: Vuçiq ka kërkuar gjithashtu kthimin e një mijë ushtarëve serbë, a mendoni që Perëndimi duhet të reagojë për provokimet e vazhdueshme që po i bëni?

Gashi: Vuçiqi mund të kërkoj në ëndrrat e tij çfarë të dojë, po sa të jetë jeta, këmba e policit e ushtarit serb nuk do të shkelë në Kosovën shtet.

“Bota sot”: Serbët po kërkojnë lirimin e DejanPantiqit,i cili u dënua me një muaj paraburgim. Cili duhet të jetë dënimi për të?

Gashi: Serbët kërkojnë lirimin e një ish-polici të dyshuar për terrorizëm, ku ka në botë që dikush të kërkojë të lirohet për shkak të përkatësisë së tij nacionale.

“Bota sot”: A duhet kryeministri Kurti t’i vazhdoj bisedimet me Vuçiqin pas vendimeve të fundit të tij?

Gashi: Kurtit fatkeqësisht do t’i duhet të takohet me Vuçiqin në Bruksel sepse këtë ia lanë si patate të zjarrtë ata që e udhëhoqën Kosovën para 14 shkurtit 2021. Askush me mendje të shëndoshë nuk do të duhej të negociojë me Serbinë për asgjë, para se Serbia ta pranoj pavarësia e Kosovës.

Posaçërisht është për tu habitur për të keq nga këta tanët se pse hynë në biseda me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës edhe pasi më 2010, Gjykata e Drejtësisë në Hagë e konstatojë se pavarësia e Kosovës është shpall në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Duket që dikush frikësohej nga Serbia për shkak të raportit të DickMarty-it, i cili u publikua në janar 2011 dhe për këtë i filloi bisedimet me Serbi kinse si teknikë, derisa më vonë u bënë jo vetëm çështje politike, por edhe dëshiruan t’i falin territor të Kosovës, Serbisë, po ja që mirë u bë që nuk u realizua kjo.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e Borellitpër sulmet serbe në veri ndaj institucioneve të Kosovës? A u tregua i njëanshëm kur dënoi sulmin ndaj EULEX-it, por jo edhe ndaj policit të Kosovës?

Gashi: Borrelli ashiqare është në anën e Serbisë dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës u dënua nga SHBA-ja dhe Gjermania, po jo nga Borrelli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat