Zëvendësministri Syla: Viti 2022 ishte i FSK-së, i realizuam të gjitha planifikimet

Intervista

Zëvendësministri Syla: Viti 2022 ishte i FSK-së, i realizuam të gjitha planifikimet

Më: 1 janar 2023 Në ora: 11:51
Shemsi Syla

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, vlerëson se viti që lamë pas ishte vit i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, FSK-ja ka realizuar të gjitha aktivitetet, detyrat, masat dhe veprimet e planifikuara për vitin 2022 në shkallen e kënaqshme të planifikimit, dhe, sipas tij, të arriturat janë të shumta në të gjitha drejtimet.

Në një intervistë për Kk, numri dy i mbrojtjes në Kosovë, tha se më 2022 FSK-së i janë bashkuar 840 ushtarë të rinj dhe se për 2023 kanë shpallur konkursin edhe për 612 ushtarë aktivë dhe 388 pjesëtarë të komponentës rezervë.

Mes tjerash, Syla ekskluzivisht ka dhënë detaje për ushtrimin më të madh fushor në rajonin e Ballkanit “Defender-Europe’23”, ku Kosova është nikoqire, ushtrim të cilin e quan “ngjarje historike jo vetëm për forcat tona, por për gjithë vendin”.

“Jemi në përgatitje të pandërprerë në të gjitha nivelet e FSK-së për pjesëmarrje sa më dinjitoze dhe profesionale me rreth 1,300 trupa tanë në stërvitjen me të madhe të forcave amerikane me aleatë në Evropë, ‘Defender-Europe’23’. Gjithashtu, me këtë rast, Republika e Kosovës, do të ketë edhe statusin e vendit pritës”.

“Në këtë stërvitje do të validohet edhe një regjiment me njësi të tjera të specializuara që e mbështesin në stërvitje. Kjo padyshim është ngjarje historike jo vetëm për forcat tona por edhe për gjithë vendin”, tha Syla.

Intervista:

Çka konsideroni si të arriturën më të madhe e çka si sfidën më të madhe të këtij viti?

Shemsi Syla: Me kënaqësi mund të ju njoftoj se të gjitha aktivitetet, detyrat, masat dhe veprimet e planifikuara për vitin 2022 janë realizuar në shkallen e kënaqshme të planifikimit, dhe të arriturat janë të shumta në të gjitha drejtimet dhe fushat:

– Rritja e burimeve njerëzore dhe profesionalizimit të tyre me arsimim dhe stërvitje sipas standardeve më të avancuara;

– Rritja e shkallës së modernizimit me sisteme të mbrojtjes dhe sisteme të mbështetjes logjistike e infrastrukturore;

– Thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet partnere aktuale dhe zgjerimi i hartës me vendet e reja partnere;

– Pjesëmarrja me suksese të mëdha në akademitë, qendrat specialistike, stërvitjet dhe garat ndërkombëtare;

– Vazhdimi i mbështetjes së operacionit humanitar të NATO-së të udhëhequra nga ShBA-ja për evakuimin e afganëve;

– Pjesëmarrja në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, përkrah 50 shteteve të tjera, udhëhequr nga ShBA-ja dhe zotimi ynë për dhënien e kontributit konkret në mbështetje të Ukrainës me kapacitetet tona;

– Bashkëpunimi shumë i ngushtë me Gardën Kombëtare të Iowas, NALT-in, KFOR-in dhe institucionet vendore të sigurisë.

Sa pjesëtarë të rinj i janë bashkuar FSK-së këtë vit dhe sa pritet t’i bashkohen vitin tjetër?

Shemsi Syla: Këtë vit, FSK-së i janë bashkuar 840 ushtarë të rinj dhe për vitin e ardhshëm tashmë kemi shpallur konkursin edhe për 612 ushtarë aktivë dhe 388 pjesëtarë të komponentës rezervë.

Sa janë shtuar kapacitetet e FSK-së këtë vit duke marrë për bazë ndarjen e buxhetit më të madh ndonjëherë?

Shemsi Syla: Këtë vit, meqë kemi pasur buxhetin më të madh ndonjëherë për FSK-në. E kemi realizuar me sukses duke shtuar kapacitetet e planifikuara me fokus në kapacitetet me sisteme të mbrojtjes për realizimin e mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të vendit.

Me ndarjen e buxhetit, çfarë pajisje ushtarake janë blerë këtë vit?

Shemsi Syla: Këtë vit kemi realizuar blerjen e pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes në përputhje me planin për zhvillimin e njësive me fokus të njësive dhe trupave që kanë për detyrë operacionet luftarake dhe mbështetjes luftarake.

Gjithashtu kemi realizuar dhe jemi në proces të realizmit të projekteve infrastrukturore si dhe rritjes së flotës me automjete taktike dhe jotaktike.

Sa trupa janë dërguar për mision jashtë vendit gjatë vitit që po lëmë pas dhe sa pritet të dërgohen vitin që po vjen?

Shemsi Syla: Ne vazhdimisht marrim pjesë në stërvitje shumëkombëshe me forcat e vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s, për të zhvilluar kontingjente të ndërveprueshme me trupat bashkë-zbarkuese në operacione ndërkombëtare të paqes.

Sa marrëveshje bilaterale janë arritur këtë vit dhe me cilat shtete?

Shemsi Syla: Deri më tani kemi 17 shtete partnere me të cilat kemi bashkëpunim të zyrtarizuar bilateral dhe me 11 shtete jemi në proces të bashkëpunimit për zyrtarizimin e partneritetit zyrtar bilateral.

A mund të na flisni pak më shumë rreth “Defender-Europe’23” ku Kosova është nikoqire, çfarë përgatitje duhen dhe si po shkojnë ato?

Shemsi Syla: Jemi në përgatitje të pandërprerë në të gjitha nivelet e FSK-së për pjesëmarrje sa më dinjitoze dhe profesionale me rreth 1,300 trupa tanë në stërvitjen me të madhe të forcave amerikane me aleatë në Evropë, “Defender-Europe’23”.

Gjithashtu, me këtë rast, Republika e Kosovës, do të ketë edhe statusin e vendit pritës.

Në këtë stërvitje do të validohet edhe një regjiment me njësitë të tjera të specializuara që e mbështesin në stërvitje. Kjo padyshim është ngjarje historike jo vetëm për forcat tona por edhe për gjithë vendin.

Cila janë objektivat që prisni t’i arrini më 2023?

Shemsi Syla: Objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes sikur edhe dy vitet tjera do të jenë të orientuara në përmbushjen e programit qeverisës dhe vizionit strategjik të vendit për siguri dhe mbrojtje, si në vijim:

• Fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile dhe rritja e llogaridhënies dhe transparencës.

• Zhvillimi i kapaciteteve ushtarake në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial.

• Zgjerimi i bashkëpunimit bilateral, anëtarësimi në organizata dhe pjesëmarrja ne operacione ndërkombëtare.

• Mbajtja e kapaciteteve thelbësore në funksion të mbështetjes ushtarake autoriteteve civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat