Pal Lekaj: Kosova nuk prishet me miqtë, por nuk duhet të lejojmë një Asociacion me kompetenca ekzekutive

Intervista

Pal Lekaj: Kosova nuk prishet me miqtë, por nuk duhet të lejojmë një Asociacion me kompetenca ekzekutive

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 shkurt 2023 Në ora: 14:36
Pal Lekaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është për Asociacion që nuk preket mëvetësia dhe kompentencat e brendshme të shtetit, kështu ka deklaruar deputeti, Pal Lekaj në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Lekaj ka thënë se Kosova nuk duhet të prishet me miqtë të cilët ishin shtylla bazë e shtet ndërtimit, por edhe nuk duhet të lejojë një Asociacion me kompentenca ekzekutive.

Sipas Lekajt, qeveria duhet të jep idetë dhe zgjidhjet për temën e Asociacionit.

Deputeti i AAK-së në intervistë ka folur edhe rreth planit franko- gjerman dhe marrëveshjes me Serbinë, që sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje shpejt, por proces të shpejtuar me një zgjidhje të afërt.

Lekaj gjatë intervistës ka folur edhe rreth padisë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe mundësisë që partia e tij të bashkëpunojë me VV-në.

Intervista e plotë:

Bota sot: Zyrtarët amerikan, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, kanë kërkuar formimin e Asociacionit, duke shtuar se ata nuk do të lejojnë një Republikë Srpska brenda Kosovës, cili është qëndrimi i AAK-së për këtë çështje?

Pal Lekaj: AAK në vazhdimësi ka qenë dhe do të jetë zëri i shtetësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008. Ne falenderojmë z.Chollet dhe z.Escobar për mbrojtjen e sovranitetit dhe të drejtës së Kosovēs në rastin e Asociacionit. Ne jemi për Asociacionin ku nuk preket mvetësia dhe kompetencat e brendshme të shtetit.

Bota sot: Të martën është mbajtur një takim të organizuar nga ambasada e Amerikës, me ç’rast është diskutuar rreth Asociacionit dhe formimit të tij, si duhet të jetë forma e tij pa shkelur kushtetutën e Kosovës.

Pal Lekaj: Takimi i datës 31 Janar ishte i një rëndësie të madhe sepse u debatua çështja e asociacionit me shoqërinë civile dhe spektrin politik të vendit. Asociacioni një formë apo tjetër ka të bëjë me sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës, prandaj është mirë që SHBA është pjesë e dialogut dhe elementeve të tij mes Kosovës dhe Serbisë. Ambasada ka trajtuar dhe analizuar temën e asociacionit me përfaqësues të shoqërinë civile dhe të politikës. Urojmë dhe besojmë që edhe Amerikanët por edhe pjesëmarrësit e Tryezës, ta kenë mbrojtur shtetin dhe të drejtën.

Bota sot: Sipas një draft Statuti për Asociacionin e Komunave Serbe i hartuar nga fondacioni Friedrich Ebert (FES), ai parashihet të ketë, presidentin dhe kuvendin si strukturë organizative, flamur, simbole të veta në përputhje me kushtetutën dhe ligjet juridike të Kosovës, a po “futet” Serbia në Kosovë me duart e ndërkombëtarëve, qeverisë dhe shkaku i gabimeve politike të qeverive të kaluara në rast të formimit të Asociacionit?

Pal Lekaj: Deri tani në Publik janë paraqitur disa drafte të Asociacionit për mënyrën dhe formën e ekzistimit të tij. Pavarësisht si është paraqitur deri, e vërteta qëndron se Asociacionin ka qëllim heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë. Unë mendojë që ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe ne si shtet duhet t’i qëndrojmë në ballë këtij procesi, pavarësisht rreziqeve dhe kërkesave jashtë normales nga shteti i Serbisë.

Bota sot: Serbia dhe aparati i saj shtetëror ka shkaktuar katër luftëra Ballkan, ka shkaktuar gjenocid, krime çnjerëzore në masë, ka ngritur kampe torturimi e dhunimesh në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, ka zbatuar plan për spastrime etnike ndaj popullatave jo serbe. Akoma nuk ka kërkuar falje, ende e mban Kosovën në kushtetutën e saj dhe Asociacioni është “kërkesa” e vazhdueshme e saj, pse lejon Amerika dhe Evropa një qasje të tillë?

Pal Lekaj: Amerika dhe Evropa e njeh Serbinë dhe Kosovën. Perëndimi e din mirë si funksionon Serbia qysh nga historiati i saj, por ata kanë mënyrë e veprimit në politikën ndërkombëtare, ku Lufta dhe Diplomacia janë mjetet e tyre të cilat përdoren kur është e nevojshme që gjërat të vihen në binarë. Kursi i egër i luftës dhe shkatërrimit nga ana e Serbisë ka bërë që jo rastësisht ajo nga një Federatë Jugosllave Serbe të mbetet me një Serbi të vogël e cila me vështirësi funksionon në një kohë ku Demokracia , Paqja dhe të Drejtat e Njeriut kanë hovin e tyre. Pra, për ta ditur ku është Kosova tani, duhet ta kujtojmë çfarë ishte Serbia 2-3 dekada më parë. Kosova falë Diplomacisë së aleatëve të saj është një shtet demokratik, i njohur në gjithë botën dhe që është duke marrë formën e tij si shtet evropian. Në këtë evoluim Asociacioni dhe rregullimi i përhershëm të raporteve me Serbinë është pengesa apo testi i fundit në këtë proces drejt Evropës dhe Perëndimit.

Bota sot: Pse nuk i bëhet presion Serbisë, por Kosovës. Pse nuk po prishen marrëdhëniet me ndërkombëtareve me Serbi, mirëpo aludohet se po dëmtohen marrëdhëniet e ndërkombëtareve me Kosovë?

Pal Lekaj: Ne nuk jemi shtet që determinojmë objektivat dhe sjelljet e Ndërkombëtarëve në raport me Serbinë. Ne duhet dhe mundohemi që ti ruajmë raportet e mira me ndërkombëtarët, mundohemi t’i tregojmë se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima, mundohemi t’i tregojmë që Kosova sytë dhe rrugëtimin e ka nga Demokracia Perëndimore, me qëllim që të kemi një të ardhme për fëmijët tanë, dhe vuajtjet shekullore me Serbinë të mbesin në Histori e jo që të përsëritet ato vuajtje, dëbime e vrasje tek nipat dhe mbesat tona. Mbi të gjitha Ndërkombëtarët në momente të caktuara dhe të duhura dinë të ja tregojnë vendin Serbisë, e kanë bërë dhe do ta bëjnë prapë.

Bota sot: Çfarë duhet të bëj Kosova që të mos “prishen” raportet me ndërkombëtarët, por në anën tjetër edhe të mos lejojë një Asociacion me kompentenca ekzekutive?

Pal Lekaj: Kosova nuk prishet me miqtë të cilët ishin shtylla bazë e shtet ndërtimit. Por edhe nuk duhet të lejojmë një Asociacion me kompetenca ekzekutive. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve, e sidomos e Qeverisë së vendit, e cila gëzon shumicën parlamentare, pra ajo duhet të bëjë zgjidhjen ideale për qytetarët e Kosovës. E them kështu sepse e para e ka obligim ligjor dhe e dyta e ka obligim moral ngase për shumë vite që ishte në opozitë ka qenë zë i kritikës dhe i protestave përballë Pushtetit në lidhje me Serbinë, ku thoshte se Pushteti e ka në dorë çdo gjë dhe duhet të dijë të funksionojë edhe me ndërkombëtarët por assesi të mos lejojë një Serbi të fortë në Kosovës. Pra, ne e përkrahim atë me votë në mbrojtje të Kosovës, ndërsa Qeveria le t’i jep idetë dhe zgjidhjet për këtë temë.

Bota sot: Kosovës dhe Serbisë i është propozuar, projekti frako- gjerman për normalizimin e marrëdhënieve, projekt këtë që e mbështet edhe SHBA-ja, a duhet ta pranojë Kosova këtë plan?

Pal Lekaj: Ne si AAK e kemi përkrahur dhe vazhdojmë ta përkrahim planin Fanko-Gjerman si zgjidhje finale mes dy shteteve, ku njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes. Ne i kemi bërë thirrje Qeverisë që të pranojë këtë plan ku do të zgjidhet çështja një herë e përgjithmonë. Sa e kemi analizuar nuk ka asgjë të keqe dhe kjo përkon edhe me qëndrimin tonë tani e disa vite që njohja në qendër të jetë pjesë e cilësdo marrëveshje në tryezën mes dy vendeve.

Bota sot: Është përmendur arritja e një marrëveshjeje për në pranverë të këtij viti, a do të ketë një marrëveshje të afërt me Serbinë?

Pal Lekaj: Nuk e besojë që shpejtë do të ketë marrëveshje mes dy vendeve. Por besoj që do të ketë proces të shpejtuar me një zgjidhje të afërt. Vërtet kemi humbur shumë dhe jemi penalizuar si shoqëri, jemi të izoluar nga mungesa e liberalizimit dhe proceseve të tjera. Mendoj që Kosovarët mjaft kanë vuajtur dhe e meritojnë ta gëzojnë çdo të mirë që e sjellë Bashkimi Evropian, sa i përket punës, bizneseve, shëndetësisë, studimeve, lëvizjeve të lira, turizmit, sportit, kulturës, artit, etj.

Bota sot: Cilat mund të jenë pasojat negative për Kosovën në rast të mos arritjes së marrëveshjes?

Pal Lekaj: Të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe në mes të dy vendeve. Fatkeqësisht Qeveria mund ta përdor asociacionin si kalkulim politik në rast të dështimit të një zgjidhje, që ata e kanë për obligim ta paraqesin para qytetarëve dhe palëve negociuese.

Bota sot: Keni paralajmëruar padi ndaj LV për vendosjen e fotografisë tuaj në videon e fundit, si po shkon procedura dhe si i komentoni këto videot e VV përkundër që ata tashmë kanë qeverisjen e vendit?

Pal Lekaj: Po, Vetëvendosje fatkeqësisht po shpik me emrin tim në forma të ndryshme, mbi pretendime që nuk kanë bazë as de jure dhe as de facto. I kam paralajmëruar për padi sepse e meritojnë dhe duhet që një herë e përgjithmonë ta ndalin këtë kurs të urrejtjes ndaj oponentëve politikë, ku janë në gjendje të abuzojnë me çdo mjet vetëm që të dëmtojnë imazhin publik të secilit apo secilës që nuk përkon me mendimin dhe krahun e tyre politik. Ata po harrojnë që janë në pushtet dhe po sillen si opozitë, ata nuk po dinë të krijojnë dhe bëjnë asgjë për Kosovën dhe e vetmja gjë që bëjnë është të kritikojnë punën tonë të madhe për vendin tonë.

Bota sot: Mos deklarimi i koeficientit të pagave, mos votimi i trustit, rritja e tatimit në pronë, janë disa prej çështjeve që opozita nuk pajtohet me pozitën, si e shihni qeverisjen Kurti dhe vendimet e fundit të ndërmarra nga kabinetet ministrore?

Pal Lekaj: Qeveri Kurti do të mbahet mend gjatë, ku vitet do ta tregojnë që nuk u bë asgjë, nuk u ndje dora e shtetit në këtë kohë krize ekonomike dhe sociale në Kosovë. Nuk e përkrahën Trustin veç pse nuk ishte propozim i tyre dhe që nuk e vlerësuan se do të ketë zgjedhje së shpejti në Kosovë. Nuk patën dialog me Sindikatat dhe Ligjin e Pagave e zvarritën me muaj të tërë ku tani po manipulojnë duke e mbajtur sekret Koeficientin e Ligjit të Pagave. Nuk larguan TVSH-në për produktet bazë të jetesës, Nuk rritën pagën minimale ku qytetarët po jetojnë në varfëri. Nuk përkrahën bizneset familjare, të mesme dhe të mëdha. Nuk patë investime kapitale ku mbi 700 milionë euro po i ruajnë e që për më keq ka hendikepuar zhvillimin ekonomik të vendit, Nuk krijuan dhe filluan Sigurimet Shëndetësore. Nuk përkrahën shëndetësinë kosovare ku kemi mungesë të listës bazike të barnave dhe lista të zgjatura të pritura për shërbime kryesore nëpër të gjitha spitalet. Këto e shumë të tjera janë të vërtetat e Qeverisjes Kurti 1 dhe 2, e që është fat i keq për qytetarët e vendit.

Bota sot: A e keni shqyruar si opozitë ta bëni aleat LVV-në dhe qeverinë Kurti duke ndërtuar një urë unifikimi kundër asociacionit. Pra, po flasim për një interes shtetëror dhe mbarëkombëtar.

Pal Lekaj: Kur bëhet fjalë për interesat dhe forcimin e shtetit të Kosovës, ne jemi para secilit proces dhe mbrapa secilit aleatë politikë. Kursi jonë në shumë tema për momentin nuk përkon me Lëvizjen Vetëvendosje, por që nuk do të thotë vijë e kuqe për ta dhe për asnjë parti politike në tema të caktuara, sepse tek e fundit jemi shqiptar dhe vëllezër, prandaj në momente të caktuara dimë dhe duhet të dalim nga petku politik. Ndonëse kjo është pak e vështirë sepse Vetëvendosje për afro dy dekada ka ngritur mure të gjata e të larta me urrejtje mes partive politike, duke kaluar kështu kufijtë e një kulture politike si në raport me partitë ashtu edhe e ka elektrizuar opinionin publik për vite të tëra e që faktikisht ka ndikuar negativisht në percepcionin e tyre. Kjo ishte gabim dhe do ta dëshmojë koha.

Bota Sot: Pse politika nga Kosova duhet të jetë kaq e përçarë kur kemi përballë armikun e përbashkët Serbinë?

Pal Lekaj: Politika kosovare është e përçarë sepse për të ardhur në pushtet dhe politikë në Kosovë, dikush e ka shfrytëzuar aktivitetin e luftës, dikush biografinë personale, dikush prestigjin e karrierës, e dikush duke i sulmuar të gjitha këto kategori të lartpërmendura, e kjo e fundit është më e keqja. Pra, tani kemi politikë edhe më përçarëse sepse në Pushtet janë ata që erdhën dhe u rritën me forma vulgare si protesta, shpifje, kallje të institucioneve e kritika nga më të ndryshme me shtetësinë e Kosovës. Dhe tani Pushteti para vetes ka dy opsione: Të kërkojnë falje dhe të ulen për bashkëpunim me oponentët tjerë politikë sepse paskan gabuar me qasje për shumë vite, apo të vazhdojnë me qasje të egër që ne jemi të mirë e ata janë tradhtar siç flisnin në opozitë. Prandaj z.Kurti dhe Vetëvendosja harrojnë dhe në vazhdimësi sillen si Opozitë, duke lënë anash unifikimin , dhe duke u sjellë me arrogance në çdo moment vetëm për shkak të shumicës së numrave. Kjo nuk i duhet Kosovës sepse po pëson shteti e proceset e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat