Politologu Maloku: Asociacioni, për Kosovën është obligim - Hovi i Kurtit ka për të pësuar edhe më tej mutacione interesante

Intervista

Politologu Maloku: Asociacioni, për Kosovën është obligim - Hovi i Kurtit ka për të pësuar edhe më tej mutacione interesante

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 shkurt 2023 Në ora: 19:32
Albinot Malokut

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, politologu Albinot Maloku ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë këtu dialogun Kosovë –Serbi, debatet mes pozitës dhe opozitës si dhe situatën aktuale nëpër të cilën po kalon vendi. 

Politologu thotë që qeveria Kurti tashmë prioritet e ka vënë dialogun Kosovë-Serbi, derisa vëmendja për zhvillimin ekonomik, sistemin shëndetësor dhe arsimor ka rënë në vend të dytë. 

Sipas Malokut palët në dialog nuk do të kenë hapësirë për të manovruar pasi tashmë te të dy vendet kanë pranuar planin franko-gjerman. 

Ndër të tjera politologu thotë që Asociacioni i Komunave me shumicën serbe në Kosovë është prodhim i Marrëveshjes së vitit 2013, i konsideruar në atë kohë historik dhe Marrëveshja është bërë obligim për Kosovën. 

Intervista e plotë: 

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në vend? 

Albinot MalokuKosova është para situatave mjaftë sfiduese, por edhe në ankth. Dialogu i Kosovës me Serbinë është duke marr gjithë energjitë e vëmendjen. Nëse do të duhej bërtitur me zë të lartë për mos zhvillim ekonomik, sistem shëndetësor të rraskapitur, arsim të përhumbur në atë se çfarë është standard e çfarë jo, në politik të jashtme të degraduar, në nepotizmin politik e familjar që assesi nuk po merr udhën e duhur, ne flasim për dialogun Kosovë-Serbi. Ky nuk ishte prioritet i Qeverisë Kurti, por nga të gjitha Qeveritë e deritanishme, aktualja është ajo që ka ndryshuar radikalisht e me hapa të shpejtë nga ajo që pritej e ishte premtuar! Situata aktuale politike dhe ekonomike nuk është assesi ajo çfarë pritej. 

“Bota sot”: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetët temë diskutimi, çfarë mund të pritet nga takimi i 27 shkurtit, mes Kurtit dhe Vuçiqit? 

Albinot Maloku: Po, keni të drejtë! Prioriteti një, dy, tre i Kosovës ka dal me qenë dialogu dhe jo ajo çfarë ishte premtuar nga kreu i Qeverisë së vendit. Edhe ky dialog i zhvilluar deri më tani ka qenë me jo transparenti nga të gjitha proceset e dialogut të zhvilluara nga 2011 e këndej. Nuk është përcjell nga një konstant, përkundrazi ka pasur variabla të ndryshme. Takimi i paralajmëruar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për datën 27 shkurt nga ana e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borrel, nuk mendoj që do të ketë përcjellje ceremoniale, mirëpo as edhe mundësi të manovrohet shumë në atë çfarë iu është ofruar palëve. Palët, pra Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në parim Planin e propozuar nga BE e të mbështetur nga ShBA dhe me siguri diskutimi do të përqendrohet tek momenti i fillimit të jetësimit të të njëjtit. Pak hapësirë iu është lënë palëve që të manovrojnë çoftë me përmbajtjen çoftë me mos pranimin e këtij plani. 

“Bota sot”: Sipas jush, a mund të kemi një marrëveshje finale mes dy vendeve? 

Albinot Maloku: Palëve nuk u ka mbetur shumë hapësirë për të manovruar me karta tjera, rreth ikjes nga përgjegjësia që kanë në lidhje me Planin e ofruar. Ky plan sipas propozuesve konsiderohet një lloj marrëveshje, por e përsëris, nuk e konsiderojë marrëveshje përmbyllës të sagës së raporteve Kosovë-Serbi. Plani franko-gjerman mund të konsiderohet një stabilizues i situatës por jo marrëveshje finale me në qendër njohjen e ndërsjellët.  Marrëveshja finale do të nënkuptonte përmbylljen e raporteve aktuale mes Kosovës e Serbisë dhe nisjen e marrëdhënieve ndër-shtetërore mes tyre. Ky plan nuk e ofron këtë hapë konkret. 

“Bota sot”: Trysnia për Asociacion po vazhdon të bëhet ndaj Kosovës, a duhet të lejohet një gjë e tillë? 

Albinot Maloku: Asociacioni i Komunave me shumicën serbe në Kosovë është prodhim i Marrëveshjes së 2013, i konsideruar në atë kohë historik dhe Marrëveshja është bërë obligim për Kosovën. Trysnia e presioni i faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës ka qenë në vazhdimësi ndaj gjitha garniturave drejtuese të vendit. Nuk jam i prirë të besoj që edhe Qeveritë e kaluara i kanë pranuar me vullnet shumë gjëra që nuk do të duhej pranuar, mirëpo presionet, trysnia por edhe premtimet e lehtësuesve e kanë bërë punën e vet. ASK për Kosovën është obligim, dhe nuk ka të bëjë këtu se po i bëhet presion vetëm garniturës aktuale politike drejtuese të vendit për ta jetësuar këtë mekanizëm me emër por ende pa mbiemër. Gjithsesi, mund të duket e pështirë që njeriu që e kishte shndërruar në kauzë votash çështjen e Asociacionit, me kundërshtitë e tij, do të jetë bash ky që do të merret me te. 

“Bota sot”: Zhvillimet e fundit kanë arritur të sjellin shumë akuza të opozitës ndaj Qeverisë, a do të duhet unitet në këto kohë krize? 

Albinot Maloku: Uniteti politik para situatave sfiduese për vendin do të ishte jashtëzakonisht i rekomanduar dhe i duhur. Unitetit gjithmonë duhet ta ofrojë i madhi, pra Qeveria dhe nuk ka logjik e kundërta. Qeveria Kurti nuk e ka ofruar sinqerisht mundësin e unitetit subjekteve politike opozitare, ose nëse e ka marr ndonjë përkrahje, partia e kryeministrit nxirrte video provokuese e ofenduese për mbështetësit potencial. Në anën tjetër tek opozita nuk vërej konsistencë në qëndrimet e tyre për sfidat në të cilat po kalon vendi. Në gjithë këtë jo transparencë rreth Planit franko-gjerman, drejtuesit e subjekteve opozitare politike kanë pasur rastin të informohen nga kryeministri në takimet që i zhvillonin me dyer të mbyllura çoftë në Qeveri apo Kuvend. Të njëjtit nuk është që i sollën ndonjë të re publikut. Më pastaj edhe opozitarët kanë një përgjegjësi para votuesit të tyre të jenë më aktiv e të angazhuar duke mbrojtur interesat e vendit.  

 “Bota sot”: Gjithashtu plani franko-gjerman sipas kryeministrit Kurti ka një bazë evropiane, cilat mendoni që janë të mirat e këtij propozimi? 

Albinot MalokuIshte moment mjaftë interesant të dëgjosh shpjegimet e kryeministrit Albin Kurti për të mirën e një dokumenti të ofruar nga ndërkombëtarët. Mund të konsiderohet hera e parë që kryeministri Kurti flet me tone vlerësuese të llojit veç të parë nga ish-krye qeveritarët tjerë të vendit. Vlerësimi i kryeministrit se Plani franko-gjerman është bazë e mirë me vlera evropiane mund të nënkuptojë se ai është pjekur mjaftueshëm për të mos refuzuar çdo gjë që vjen nga faktori ndërkombëtar. Hovi i "yryshit" të tij, ka për të pësuar edhe më tej mutacione interesante. Plani padyshim është vlerë e mirë për diskutim, por është shumë larg premtimit se nuk pranojmë asgjë nga dokumenti, që në qendër ka njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Bota sot”: Deklaratat e Haki Abazit për rastin Dehari kanë sjellë debate të mëdha, si e keni parë ju këtë çështje? 

Albinot Maloku: Dua të shpresojë që është momenti i fundit ku fjala publike do të merr trajtim ndryshe nga që ka qenë. Mirëpo, me të vërtet si deklaruesi, si ai apo ajo për të cilën është folur në deklarim, duhet të përballën me ligjin. Nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është rasti i parë, ky i deputetit Abazi, që largohet e përçmohet nga partia e tij, sidomos gjatë këtij mandati. Dallimi është që deputeti Abazi pati guximin e fuqinë që të flas për plasarite e përplasje brenda grupit parlamentar dhe partisë, ndërsa deputetët tjerë nuk e kanë guximin të lëvizin asnjë gurë.   

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat