Abazi: Nga marrëveshja, ‘merre ose lëre’, të nxjerrim më të mirën

Intervista

Abazi: Nga marrëveshja, ‘merre ose lëre’, të nxjerrim më të mirën

Më: 6 mars 2023 Në ora: 21:16
Haki Abazi

Deputeti i Parlamentit të Kosovës thotë se ajo çka u arrit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt, i thellon problematikat që janë reale në terren.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zoti Abazi, thotë se përpara një propozimi të formës merre ose lerë, vendi duhet të bëjë më të mirën, për të garantuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Por ai hedh dyshime nëse një gjë e tillë do të jetë e mundur.

Sipas zoti Abazi, Lëvizja Vetëvendosje ka patur dy vite kohë, që të rikornizonte një pozicion tjetër, që kjo çka nisi dhjetë vjet më parë të mos përfundonte në situatën aktuale, me një marrëveshje, që përfshin të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën, përfshirë ato edhe ato problematike për çështjen e funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazi, ndërsa Kosova po shënon këto ditë 25 vjetorin e fillimit të luftës, përpjekjet e vendeve perëndimore, që me angazhimin e tyre i dhanë fund luftës, kanë marrë një intensitet të ri, për një normalizim marrëdhëniesh me Serbinë në bazë të një propozimi evropian. Cili është vlerësimi juaj, a mendoni se pas 25 vjetësh, Kosova dhe Serbia do të arrijnë t’i normalizojnë marrëdhëniet?

Haki Abazi: Kjo ditë, në të cilën po flasim, është dita e epopesë së UÇK-së, një moment i dhimbjes së madhe, por edhe i një heroizmi të pafund të familjes Jashari. Dhe kjo shënon pas më shumë se 10 vitesh bisedime, një moment tjetër të tentimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta sjellë në fund çështjen e dialogut Serbi-Kosovë. Ju me të drejtë e thatë që më 27 shkurt është lidhur një marrëveshje, megjithëse ajo nuk është nënshkruar, duke pritur udhërrëfyesit, e cila ka një thellim të problematikave, të cilat janë reale në terren. Sigurisht që një Kosovë e vogël, me një fuqi jo të madhe është vënë në një pozicion, ku ky propozim tashmë është, merre ose lerë, dhe ne duhet të bëjmë më të mirën, brenda kësaj periudhe kohore që nga kjo marrëveshje të nxjerrim gjërat më të mira për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. A do të jetë e mundur? Unë kam dyshime se Serbia është serioze lidhur me përfundimit të dialogut me Kosovën. Ajo është duke blerë kohë për t’u mos parë në dritën e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe gjithashtu duke bërë lojën e dyfishtë me Bashkimin Evropian. Por gjithsesi, jemi këtu ku jemi. Kemi një këmbëngulje të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me përkrahjen e Bashkimit Evropian, për ta përfunduar këtë çështje. Procesi ka përfunduar me një marrëveshje, e cila pranon edhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën, përfshirë ato që kanë qenë problematike për çështjen e funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Me siguri ju i referoheni çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicës Serbe. Cili është mendimi juaj? Çfarë zgjidhje duhet të merrte kjo çështje?

Haki Abazi: Ka qenë gabim që përtej Planit Ahtisari të futemi në dialog për ta bërë çështjen e Asosiacionit njëetnik pjesë të marrëveshjeve. Vazhdon të jetë gabim sepse ajo është një kundërshtim të drejtpërdrejt me karakterin multietnik të Kosovës, në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës, dhe kompromiseve që janë bërë në kohën e Ahtisarit. Zgjidhja do të ishte që Serbia të shihej në dritën e kërkesave paradoksale për instrumentalizimin e popullatës serbe në Kosovë në interest të saj. Që do të thotë, nga lufta me tanke që ka bërë në vitet 1990, Beogradi i ka kthyer nëpërmjet serbëve lokal përpjekjet e tij në sabotimin e funksionalitetit të shteteve fqinje. Jo vetëm funskionalitetin e Kosovës, por edhe atë të Maqedonisë Veriut dhe të Malit të Zi. Mirëpo, ky është realiteti. Mendoj se kemi gabuar dy vitet e fundit në dialog, duke vazhduar me përshtypjen se mund të dalim në një situatë tjetër dhe me idenë që konflikti në Ukrainë do të jetë në avantazhin e Kosovës. Në fakt, kjo është kthyer në trysni të jashtëzakonshme nëpërmjet bisedimeve në Bruksel, në një kornizë të situatës, ku e merr ose e le një marrëveshje, e cila mund të jetë jo më e mira për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, të gjitha këto që i thatë zoti Abazi, duket se i takojnë historisë, jemi në këto kushte që jemi. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, ka një marrëveshje ekzistuese, është miratuar në parlament, Gjykata Kushtetuese nuk e ka hedhur poshtë në tërësi dhe thotë bëni ndryshimet e nevojshme dhe përparoni në këtë drejtim. Cila do të ishte zgjidhja?

Haki Abazi: Zgjidhja mendoj ka qenë dhe duhet të jetë që shteti i Kosovës duhet të bëjë ata që i është imponuar në kuptimin e një Asociacioni, i cili nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushteti i tretë në Kosovë, për të arritur në një moment tjetër, ku funksionaliteti, zhvillimi ekonomik, begatia mund të jetë një ofertë e re për të gjithë banorët, përfshirë serbët. Por, përqendrimi në mekanizmat, të cilët do ta minojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës, do të jetë thellim i mëtejshëm i problemit dhe jo zgjidhja, ajo çka kërkohet edhe sot nga bashkësia ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka hapësira që edhe në këto momente, në diskutimet e pritshme që do të mbahen në Ohër që kjo çështje të ndryshojë, ato problematika të mund të rishikohen? A do të ketë më zë pala e Kosovës në këtë rast?

Haki Abazi: Mendoj se është zvogëluar hapësira. Realisht kemi të bëjmë me një proces, i cili ka përfshirë të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, përfshirë edhe Asociacionin dhe kjo është problematikë në vete nga e cila vështirë se mund të dilet. Mendoj se ka patur hapësirë dy vite pasi Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin, që të kishte një rikornizim e bindje dhe pozicionim tjetër. Kjo nuk ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të kishte bërë zoti Kurti që nuk e ka bërë sipas jush?

Haki Abazi: Mendoj se duhet të ishte një diplomaci ofensive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një pajisje shumë më adekuate me ekspertë të çështjeve Ballkanit në Uashington, Berlin, Bruksel dhe Londër që kjo rrjedhë e nisur dhjetë vjet më parë të mos përfundojë në situatën dhe rezultatet të cilat i kemi. Së dyti, dëshmia se ne mund të bëjmë shtetin nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe mbajtjes së trurit në vendin tonë, që ndërkombëtarët të mos na shohin si një shtet që nuk po arrin ta mbajë veten dhe rrjedhimisht i duhet një zgjidhje për të kaluar në një fazë tjetër të zhvillimit.

Zëri i Amerikës: Në qeverinë e parë të zotit Kurti, ju ishit njeriu i dytë pas tij, zëvendëskryeministër. Në qeverinë e dytë nuk morët asnjë post, deri së fundmi ishit kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme. Kritikët tuaj thonë se shumë prej kritikave tuaja janë në fakt retorike dhe hakmarrëse. Si ju përgjigjeni ju këtyre vlerësimeve?

Haki Abazi: Mendoj se kjo mund të jetë një formë e gjykimit. Por, ne duhet të kthehemi tek rezultatet. Nëse ato që them unë dhe forma e kritikës që bëj nuk ka të bëjë me rezultatet dhe pranimin tashmë të një kornizimi të ri të marrëveshjes që përmban brenda saj të gjitha ato që ne i kemi patur kauzë politike si Lëvizje Vetëvendosje, kundër së cilave kemi protestuar edhe në Parlament dhe në rrugë, ka pasur njerëz që janë humbur jetën në përpjekjet kundër Asociacionit, atëherë sigurisht që mund të konsideroheshin retorike e hakmarrëse. Por qëndrimi pa transparencë për të përfunduar tek përfshirja e Asociacionit dhe një kornizim i dialogut i njejtë dhe i ngjashëm me ato që kanë bërë qeveritë tjera, sigurisht që mua më sjellë në pozicionin e kritikut kundrejt ndryshimit, i cili është bërë madje pa debat publik. Kjo është dhimbja më e madhe, sepse mendoj se kemi humbur një shans të jashtëzakonshëm që të riorganizohemi si palë në dialog për t’i ikur e për t’u largua nga marrëveshje, të cilat janë nënshkruar për arsye që ata i dinë, por shumica e tyre nuk janë tashmë as pjesë e politikës. Kjo është arsyeja edhe pse ne kemi marrë edhe besimin nga qytetarët, duke menduar se do të bëjmë më mirë edhe më ndryshe/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat