“Duhet shtuar presionin ndaj Vuçiqit destruktiv”/ Deputeti i LVV-së ka një thirrje për garantuesit e marrëveshjes së Ohrit

Intervista

“Duhet shtuar presionin ndaj Vuçiqit destruktiv”/ Deputeti i LVV-së ka një thirrje për garantuesit e marrëveshjes së Ohrit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 prill 2023 Në ora: 16:00
Pamje nga takimi Kurti-Vuçiq

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu. 

Ai në një bashkëbsiedim u shpreh që situata në vend është e qetë dhe se ngjarjet e fundit nuk kanë arritur të sjellin tensione. 

Deputeti përmendi zgjedhjet në veri që u kaluan pa incidente e po ashtu edhe liberalizimin e vizave që për qytetarët është një hap shumë i rëndësishëm. 

Ndërsa i pyetur për marrëveshjen në Ohër, deputeti tha që ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion më të rreptë ndaj Serbisë, në mënyrë që qëndrimi i saj të ndryshojë. 

“Presidenti serb nuk mund të zgjedhë se çfarë të zbatojë e çfarë jo, ai ka për të zbatuar marrëveshjen për të cilen është dakorduar”, u shpreh mes tjerash Lahu. 

Image
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu. 

Intervista e plotë 

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në vend? 

Vendenis Lahu: Situata e sigurisë në vend ka qenë përgjithësisht e qetë kohët e fundit. Janë mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore pa incidente dhe më në fund është arritur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe është pranuar aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës. Mendoj se këto kanë qenë zhvillime mjaft pozitive. 

“Bota sot”: Një muaj pas arritjes së marrëveshjes e Ohrit (mes Kosovës dhe Serbisë), i vetmi përparim është formimi i Komitetit të Përbashkët të Monitorimit në Bruksel. Cili është vlerësimi juaj për procesin deri tani? 

Vendenis Lahu: Marrëveshja e Ohrit është arritur në një proces politik në të cilin kanë qenë realisht shumë të impenjuar SHBA dhe BE. Pas arritjes së marrëveshjes tani jemi në fazën e zbatimit të saj dhe më konkretisht mendoj se në ditët dhe javët e ardhshme do të shohim rrjedhën e tij, rrjedhë e cila edhe determinon se sa realisht ka qenë i sukseshëm i gjithë procesi. 

“Bota sot”:A mendoni që do të ketë shpejt zbatim të marrëvveshjes? 

Vendenis Lahu: Zbatimi i marrëveshjes është i varur në masë të madhe nga garantuesit e saj dhe presionit të cilin atë do të ushtrojnë tek pala serbe për zbatimin e saj. Unë uroj që ky presion të rritet sepse nuk mendoj se është  qasje e duhur në asnjë dimension qëndrimi i butë ndaj kësaj Serbie.0 

“Bota sot”: Gjithashtu më 2 maj pritet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, cilat janë pritshmëritë e juaja nga këto bisedime? 

Vendenis Lahu: Pala serbe ka qenë vazhdimisht destruktive deri më sot, prandaj një qasje destruktive të saj e pres edhe në takimin e radhës sepse orientimi i saj as nuk është perëndimor e as paqedashës prandaj kjo e e determinon edhe destruktivitetin e saj në të gjitha proceset në rajon përfshirë edhe takimin e 2 majit. 

“Bota sot”: Asociacioni mbetet temë diskutimi, a ka pasur ndonjë përparim në lidhje me këtë? 

Vendenis Lahu: Marrëveshja e Ohrit parasheh vetëmenaxhimin si mekanizëm për të ecur para në relacionet Kosovë - Serbi dhe Kosova në këtë temë e ka dhënë qëndrimin e saj, konstruktiv proeuropian dhe progresiv. Prandaj, presim të ecim përpara ashtu siç është dakorduar në Ohër dhe sigurisht në përputhje me legjislacionin e Kosovës siç edhe parashihet ne marrëveshje. 

“Bota sot”: Zgjedhjet në veri u mbajtën gjatë ditës së diel, të njejtat u përmbyllen pa asnjë incident, si e keni parë ju këto zgjedhje? 

Vendenis Lahu: Zgjedhjet e mbajtura kanë qenë obligim kushtetues dhe unë uroj kryetarët e zgjedhur tek katër komunave në veri të vendit në zgjedhjet demokratike të mbajtura ditën e diel. Sigurisht nuk mund të mos përmendim detyrimin e serbëve lokale nga regjimi autokratik i Vuçiqit përmes marionetes së tyre Listes Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhje, dhe kjo tregon për presionin e madh që u bëhet qytetarëve serb të veriut nga shteti serb dhe grupet kriminale të lidhura me të. Udhëheqësit e rinj janë edhe legjitim dhe iu uroj edhe njëherë punë të mbarë deri në fund te mandatit. 

“Bota sot”: Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se do ta zbatojë vetëm pjesërisht marrëveshjen e Ohrit, a duhet ndërkombëtarët të japin presionin e duhur për Serbinë për ta zbatuar? 

Vendenis Lahu: Presidenti serb nuk mund të zgjedhë se çfarë të zbatojë e çfarë jo, ai ka për të zbatuar marrëveshjen për të cilen është dakorduar. Sigurisht garantuesit e kësaj marrëveshje janë ata që duhet të kujdesen për implementimin e saj, pra në këtë rast të kujdesen që pala serbe të zbatojë atë për të cilen është dakorduar. Dhe sigurisht që duhet shtuar presionin ndaj Vuçiqit destruktiv. 

“Bota sot”: Një temë gjithashtu e rëndësishme për Kosovën, është liberalizimi i vizave, a ishte ky hapë përgjigjja e duhur për “sulmet” e opozitës ndaj Qeverisë? 

Vendenis Lahu: Liberalizimi i vizave dhe procedimi i aplikimit tonë për anëtarësim në Këshillin e Europës tregon se Kosova është në rrugën e duhur drejt integrimit të plotë në familjen europiane dhe njëkohësisht tregon se shumë nga argumentet e kritikës opozitare kanë qenë ad hoke e sipërfaqësore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat