Këto ditë po festohet 52 vjetori i Bashkimit të Emiratave Arabe, tani Emaratet e Bashkuara Arabe, dhe ku po pritet me interesim qëndrimi i presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani në këtë shtet mik me rastin e COP-28.
Me këtë rast, ambasadorja e këtij shteti mik me seli në Podgoricë dhe ambasadore joresidente për Republiën e Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinën, i dha këtë intervistë gazetës së njohur arabe, "Zahrat e Khalixh", nga e cila ne i morëm disa fragmente:
Pyetje: Ju kishit pozita të ndryshme në diplomaci, cilat ishin parimet kryesore në të cilat u përqendruat ?
Përgjigje: Punova në SHBA, Kanada, Gjermani dhe Belgjikë. Të gjitha këto ishin vende të mbushura me përvoja të ndryshme dhe të mëdha. Tani u nderova me përzgjedhjen time të jem ambasadore në shtetin e Malit të Zi, njëri nga vendet e Ballkanit perëndimor. Ndërsa për mua ishte një ndryshim në karrierën time në shërbim të vendit tim të dashur.
Pyetje: Çfarë e bën të veçantë EBA-n në rrafshin diplomatik ?
Përgjigje: Emiratet e Bashkuara Arabe karakterizohen me lidhje të ngushta me të gjitha vendet, parim ky që forcon dhe reflekton bazat thelbësore mbi të cilat është ndërtuar, e që janë hapja, bashkëpunimi dhe ndërtimi i urave të miqësisë. Angazhimi i vazhdueshëm për promovimin e paqes, interesave të përbashkëta të popujve dhe vendeve duke kontribuar në promovimin e sigurisë dhe paqes botërore.
Politika e Emirateve të Bashkuara Arabe karakterizohet me maturi, dinamikë të lartë dhe transparente të zhvillimit, si dhe respektim të ligjeve ndërkombëtare dhe sovranitetin e çdo shteti. E gjithë kjo e ngre pozitën e saj në mesin e shteteve të botës, duke e përmendur edhe pozitën e saj gjeografike e cila detyrimisht e ka bërë pjesëmarrëse në rrjedhat politike dhe ekonomike si vend të besueshëm.
Raportet e forta
Pyetje: Cili është roli juaj në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të EBA-s me Republikën e Malit të Zi ?
Përgjigje: Marrëdhëniet në mes të Emirateve dhe Malit të Zi janë të forta dhe kanë rrënjë të thella edhe në të kaluarën historike. Ai është vendi i parë nga shtetet e Gjirit i cili ka hapë ambasadën e saj në Mal të Zi, nga ku filloi shtrirja dhe forcimi i raporteve me vendet e Ballkanit perëndimor. Ambasada jonë është e interesuar për zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive me këto vende.
Pyetje: Si do t'i përshkruanit marrëdhëniet në mes të Emirateve dhe Kosovës, gjegjësisht me Bosnjën ?
Përgjigje: Marrëdhëniet në mes të Emirateve dhe Kosovës, si dhe me Bosnje e Hercegovinën konsiderohen si të veçanta dhe të forta, që nga koha e të ndjerit, Sheijh Zayed bin Sultan Al Nahyan, kryetari i parë dhe themeluesi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Sa herë më ofrohet rasti kontaktoj me qytetarët kosovarë, për të cilët kam dëgjuar fjalët më të mira dhe për respektin e tyre të madh që kanë për Emiratet e Bashkuara Arabe, ngase ishte vendi i parë arab që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Ashtu siç kishin ofruar Emiratet edhe ndihma të pakursyera humanitare për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Emiratet gëzojnë respekt të veçantë te popujt e Ballkanit.
Pyetje: Gjatë udhëtimeve tuaja, cilat janë qëndrimet më të dalluara njerëzore të cilat i keni hasur ?
Përgjigje: Emiratet parim kryesor kanë solidaritetin dhe bashkëpunimin njerëzor. Lidhur me këtë shteti ynë ka qëndrim të përhershëm, meqë ka një përvojë unike, do të thoja, në fushën e ofrimit të ndihmave humanitare me ndikim të vazhdueshëm, duke ndryshuar atë formën tradicionale të ndihmave me artikuj ushqimorë, me projekte zhvillimore që reflektohen në interes të popujve përfitues si; ndërtimi i objekteve banesore dhe spitaleve, ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i prodhuesve të rrymës elektrike, hapja e puseve, etj., që të gjitha këto projekte me dobi të përhershme për burimet njerëzore, duke kontribuar kështu në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendet përfituese të këtyre projekteve. Ashtu siç e ndjek vendi ynë këtë parim të qartë, asnjëherë nuk i ndërlidhë projektet e ndihmave humanitare me orientimet politike të vendeve përfituese, duke e vënë në rend të parë aspektin human të shprehur për nevojat e popullit. Kjo i banë Emiratet të ecin dhe të gëzojnë respekt dhe vlerësim kudo që ato veprojnë. Është një moment të cilin e kujtoj gjatë një vizite në njërën nga fshatrat e Kosovës, me ç ‘rast takova një të moshuar, i cili kur mori vesh se isha nga Emiratet, filloi të lutej për Shejh Zajedin, ndjesë pastë, dhe për gjithë vendin që t'i shtoi të mirat e tij, në shenj mirënjohje për ndihmat humanitare të cilat i ofronte shteti i Emirateve vendit dhe familjes së tij.
Angazhime botërore
Pyetje: Cili është roli i juaj në angazhimet botërore që kanë të bëjnë me klimën, e sidomos me rastin e takimit “COP-28” ?
Përgjigje: Ne organizuam takime me palët e interesuara, duke hedhur dritë mbi faktin, se Emiratet do jenë nikoqir të një konference ndërkombëtare për vendet e interesuara, për të arritur një marrëveshje në kuadër të Kombeve të Bashkuara, lidhur me ndryshimet klimatike (COP-28) dhe rolin e saj qendror brenda përpjekjeve botërore, e që kanë për synim kufizimin e shkaktarëve kryesor të ndryshimeve klimatike në botë, duke i obliguar organizatat ndërkombëtare që të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, si dhe duke përkrahur sigurimin e energjisë. Emiratet janë të përqendruara që COP-28 ta bëjnë platformë të zbatimeve, e jo vetëm të premtimeve. Kongresi duhet të jetë një pikë kthesë në arritjen e një përparimi të prekshëm dhe substancial në angazhimin botëror në çështjen e ngrohjes globale, duke vënë afate kohore në realizimin dhe zhvillimin ekonomik të vazhdueshëm. Për këtë qëllim janë parashtruar katër shtylla e që janë: përshpejtimi në realizimin e transformimit të organizuar mirë dhe me korrektësi në sektorin e energjisë, duke zhvilluar instrumente në përkrahje të projekteve ambientaliste, si dhe përmirësimin e kushteve jetësore. Të përkrahen orientimet e kaluara duke përfshirë të gjitha punimet e kongresit.
Pyetje: Bazuar në përvojën tuaj të gjatë, cilat do të ishin këshillat tuaja për brezin e ri në diplomaci?
Përgjigje: Përvoja më mësoi gjatë punës, që tek diplomati duhet të jenë të pranishme dy gjëra; pasioni dhe leximi, njohja dhe dëshira për të lexuar sa më shumë dhe kultura duke mos e lënë anash zemërgjerësinë dhe mirësjelljen për ta pranuar tjetrin, respektimin e mendimit ndryshe. Puna në diplomaci është e stërmbushur me sfida dhe ndryshime. Fleksibiliteti dhe aftësia për t'u akomoduar, janë pothuajse veçori të domosdoshme në diplomaci.
Pyetje: Si grua, bartët një pozitë të lartë në përfaqësimin e vendit. Çfarë do tu thoshit vajzave të reja të cilat synojnë fushën e diplomacisë?
Përgjigje: U them, shteti i Emirateve ka siguruar rrugë të mjaftueshme në përkrahjen dhe formësimin e gruas në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe diplomacinë. Gruaja emiratiane sot është me fat që ka në udhëheqje të ndritur shtetërore në përkrahjen e saj. Një gjendje e tillë është edhe në MPJ-me, ku gruaja ka rol aktiv në përparimin e diplomacisë së Emirateve. Si pasojë, ne të gjithë duhet të shfrytëzojmë mundësitë e ofruara dhe të vazhdojmë sukseset e arritura të gruas emiratiane deri më sot.
Pyetje: Me rastin e festës së përvjetorit të 52-të të Emirateve çfarë do të thoshit?
Përgjigje: Me rastin e kësaj feste madhështore të vendit, i shpreh urimet më të larta për udhëheqësin, shkelqësinë e tij Shejh Muhamed bin Zajid Al Nehjan, kryetar i shtetit dhe vëllain e tij, Shejh Muhamed bin Rashid Al Maktum, zëvendës i kryetarit të shtetit dhe kryeministër, kryetar i Dubait, si dhe shkëlqesinë e tij, kryeministër dhe kryetar i Divanit të kryesisë, si dhe vëllezërit e tyre, anëtarë të Kuvendit të lartë të Unionit të sunduesve të Emirateve, popullit dhe gjithë atyre që jetojnë në atë vend.